Kultivuesit e bimëve mjekësore në Dibër ndeshen me vështirësi


Në fermën e z. Dorjan Çenga, njëri nga përfituesit e projektit “Mbështetja e të rinjve fermer në Qarkun Dibër për të rritur të ardhurat e tyre ekonomike nëpërmjet kultivimit të Bimëve Mjekësore Aromatike (GREEN ECONOMY)”, i cili financohet nga Bashkimi Europian nëpërmjet Volontari Nel Mondo – RTM Albania. Çenga ka mbjellë më shumë se 2 dynym tokë lule ciani dhe tërfil të kuq. Foto: SHERM

Brandimi i bimëve mjekësorë të Dibrës, një mundësi e mirë për të rritur të ardhurat dhe për të siguruar vazhdimësi

Peshkopi, 30 qershor 2023 – Dorjan Çenga është njëri nga 6 fermerët ka marrë ndihmën e nevojshme tekniko-financiare për kultivimin e lule cianit dhe tërfilit të kuq. Në një sipërfaqe për më shumë se 2 dynymë tokë, ai po kultivon këto bimë mjekësore në kuadrin e projektit “Mbështetja e të rinjve fermer në Qarkun Dibër për të rritur të ardhurat e tyre ekonomike nëpërmjet kultivimit të Bimëve Mjekësore Aromatike (GREEN ECONOMY)”, i cili financohet nga Bashkimi Europian nëpërmjet Volontari Nel Mondo – RTM Albania, 

Gjatë një vizite në fermën e Dorjanit, z. Danjel Bica, drejtues i shoqatës “Ekspertët e Rinj Mjedisore” (SHERM) dhe specialistëve të fushës, vënë re një gjendje e shumë e mirë të fidanëve, të cilët premtojnë për një prodhim të mbarë dhe cilësor. 

“Qëllimi i këtij projekti është që të forcojë kapacitetet e fermerëve të rinj mbi promovimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, në rastin konkret të bimëve mjekësore, duke trajnuar fermerët për teknikat e reja të mbledhjes dhe kultivimit, në mënyrë që të ulet presioni mbi llojet e egra”, thotë Bica.

Mustafa Horeshka në Sohodoll duke verifikuar mbjellen e 3.5 dynym tokë me lule ciani. Foto: SHERM

Dorjani, ashtu si edhe 5 fermerët e tjerë në Dibër, që po mbështeten nga i njëjti projekt, ka pasur në vazhdimësi  ndihmën e ekspertëve të fushës, që nga pastrimi i parcelës nga barërat e këqij, instalimi e sistemit vaditës e deri te mbledhja, tharja, paketimi e brandimi i produktit, duke sjellë një bashkëpunim të suksesshëm dhe me shumë perspektive.

Bimët mjekësore aromatike që po mbështeten me anë të këtij projekti janë ciani, tërfili i kuq dhe mëllaga. 

Danjel Bica thotë se të njëjtën ndihmë që ka marrë Dorjani, kanë marrë edhe Ervis Bojku në Rrashnapojë për mbjelljen 1 dynym cian dhe 1 dynym tërfil të kuq; Mustafa Horeshka në Sohodoll më 3.5 dynym cian; Ardit Ilnica na Maqellarë me 1 dynym cian dhe 0.5 dynym mëllagë; Selam Jashari në Rabdisht me 1.2 dynym tërfil i Kuq dhe Erlind Zhugri në Sllovë me 1 dynym tërfil i kuq.

Brandimi i bimëve mjekësore: Një mundësi për treg të suksesshëm

Në kuadër të brandimit dhe etiketimit të produkteve të bimëve mjekësore, u mbajt në Peshkopi më  28 maj 2023 një takim informues me fermerët.

Brandimi përfshin një serë çështjesh që kanë të bëjnë me vendosjen e markës, krijimin e logos, certifikimin e produkteve, të cilat rrisin mundësinë për një qëndrueshmëri të gjatë në treg dhe të ardhura më të mira për kultivuesit dhe mbledhësit e bimëve mjekësore aromatike.

Për kultivuesit e rinj në Dibër mund të jetë akoma herët për të pasur një brand të tyre, por janë në kohën e duhur për të menduar për këtë.

“Treguesit e deritanishëm na bëjnë të besojmë se bimët mjekësore të kultivuara në Dibër janë një mundësi e mirë për të rritur ekonominë e familjeve dibrane, ndaj edhe brandimi i tyre duhet të jetë në fokusin e punës së fermerëve”, thotë Danjel Bica, drejtuesi i SHERM.

Një foto gjatë trajnimit mbi domosdoshmërinë e brandimit të bimëve mjekësore aromatike të Dibrës. Foto: SHERM

Organizata që ai drejton ka kontakuar me një studio grafike në Tiranë për të menduar për këtë. Bujar Karoshi, nga M&B Botime dhe Studio Grafike, zhvilloi më 28 maj në mjediset e qendrës “GARD” në Peshkopi një takim me fermerët e rinj të përzgjedhur në projekt për kultivimin e bimëve mjekësore dhe mbledhës të tjerë të bimëve. Takimi ishte informues dhe këshillues, për të menduar që tani për një brandim të bimëve mjekësore të kultivuara dhe në gjendje të egër.

“Brandimit i produkteve tuaja, krijimi i logos, emërtimit dhe elementëve të tjerë grafikë, janë shumë të domosdoshëm në paketimin dhe shitjen e bimëve mjekësore”, tha ai. 

Trajnim u fokusua në elementët që përbëjnë një markim cilësor të produktit, emërtimin e tyre, elementët grafikë për dizenjimin, ngjyrat e përdorura, etj.

Brandimi i një produkti synon jo vetëm identifikimin e prodhuesit dhe produktit, por edhe cilësinë e tij, duke sjellë kështu më shumë qëndrueshmëri në këtë treg të hapur edhe jashtë vendit, por edhe më shumë të ardhura për prodhuesit dhe kultivuesit e bimëve mjekësore.

Eksperti theksoi nevojën për një studim paraprak në këtë fushë, për secilin nga prodhuesit ose të gjithë së bashku, mbi nevojën e identifikimit të tregut dhe klientëve, mbi historikun e bimëve të kultivuara, zgjedhjen e një emri të veçantë, kërkimet për emra të ngjashëm ose dizajni të ngjashëm, shkrimin e një slogani që do ti shkonte përshtat produkteve të mbledhura, përdorimin e ngjyrave etj.

Në trajnim u diskutua edhe për mënyrën e vjeljes së bimëve mjekësore, ambalazhimin apo paketimin e tyre për tregje të ndryshme: për përdorim farmaceutik ose përdorim shtëpiak; marketimin e tyre, elementët që duhet të përmbajë një etiketë si emri, numri rendor i ambalazhit, emërtimi i bimës në latinisht, pesha bruto dhe neto, afatet e skadencës, mënyra e ruajtjes dhe përdorimit etj.

Takimi ishte edhe një shkëmbim përvojash në këtë fushë, duke sjellë në debat edhe problematikat e shfaqura dhe mënyrat e zgjidhjes së tyre.

Një material në PowrPoint iu shpërnda pjesëmarrësve, në të cilin ishin shpjeguar hollësisht arsyeja e krijimit të një Brandi në këtë fushë, krijimi i logove dhe etiketave deri te certifikimi i produkteve si natyrore ose Bio.

Gjithashtu, u shkëmbyen mendime edhe për nevojën e një logoje identifikuese të përbashkët, që të shprehë së më qartë dhe sa më bukur bimët mjekësore aromtike që kultivohen nga lugina e Drinit deri në Korab.

Në Kosovë për shkëmbim përvojash

Fermerët e rinj dibranë gjatë një vizite në fermën “Agro Shqiponja” në Malishevë, Kosovë. Foto: SHERM

Në kuadrin e shkëmbimit të përvojës, fermerët e rinj zhvilluan një ekspeditë 2-ditore në Kosovë, në fund të muajit qershor, në mjediset e fermës “Agro Shqiponja” në fshatin Tërpezë të komunës së Malishevës dhe takime me shoqatën “Guri i Zi’ – Dragash. 

Në takimin e organizuar në Prizren, me përfaqësuesit e shoqatës “Guri i Zi – Dragash”, fermerët e rinj nga Dibra u njohën me praktikën dhe sfidat e shoqatës dhe fermerëve, të cilët janë mbështetur nga shoqata për kultivimin e llojeve të shartuar të “Pemëve të Imta” (Mjedra), të sjella nga Polonia. 

Mjedra është një produkt i kërkuar në treg, me shumë vlera kurative, si dhe prodhon sasi të madhe për njësi sipërfaqe, duke sjellë fitimi të sigurta për kultivuesit.

Gjatë takimit me anëtarët e familjes Krasniqi dhe vizitës në fermën e tyre “Agro Shqiponja”, të rinjtë u njohën me vështirësitë dhe përkushtimin që kërkojnë kultivimi i bimëve mjekësore, sfidat dhe mbështetjen e duhur për ta. 

“Biznesi kërkon guxim dhe përkushtim, – thotë Shefqet Krasniqi. – Duhet të jeni gjithmonë të ndërgjegjshëm se do keni edhe humbje apo fitime të ulëta, por asnjëherë të mos bëheni pesimistë. Duhet që të jeni gjithmonë të ndershëm në raport me bashkëudhëtarët në biznesin tuaj dhe të respektoni rregullat e tregut”.

Këshillat e  Krasniqit për kultivuesit e rinj nga Dibra ishte që të punojnë me besim, seriozitet dhe bashkëpunim. Ai shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me fermerët dibranë, duke u treguar i gatshëm që të udhëtojë për në Peshkopi dhe të shpërndaje të kultivuesit dhe mbledhësit e bimëve mjekësore përvojën e tij.

Bimët drejt zhdukjes: si ti ruajmë

Danjel Bica, drejtuesi i SHERM, gjatë një trajnimi me fermerët mbi kultivimin e bimëve mjekësore aromatike në Dibër. Foto: SHERM

Në kuadrin e të njëjtit projekt, SHERM ka organizuar edhe disa takime të tjera me kultivuesit dhe mbledhësit e bimëve mjekësore, me qëllim informimin e tyre mbi rolin e bimëve mjekësore në ekonominë e rajonit dhe nevojën për ti ruajtur ato.

“Ne kemi identifikuar disa lloje bimësh mjekësore që po dëmtohen nga mbledhësit e tyre,  por kemi evidentuar dy prej tyre që janë në rrezik zhdukje: boronica dhe aguliçja” – thotë Danjel Bica

Trajnimet e zhvilluara më 27 shkurt dhe 28 mars 2023, kanë synuar të informojnë mbledhësit e këtyre bimëve mbi teknikat e vjeljes, përpunimin e tyre, tharjen, paketimin e deri nxjerrjen në treg.

“Me anë të këtyre kurseve të rinjtë kanë mundësi të shkëmbejnë përvojat mes tyre dhe të shkëmbejnë informacione sa më të hollësishme, në mënyrë që jo vetëm të sigurojnë më shumë të ardhura, por edhe të ruajnë jetëgjatësinë e tyre në natyrë.

Një nga trajnimet e ndjekura me interes, ka qenë ai  i “Teknikave të vjeljes dhe përpunimit të Bimëve Mjekësore Aromatike”, i zhvilluar gjatë muajit qershor në Peshkopi. 

Pjesëmarrësit në këto trajnime bien dakord se për të shtuar vlerën e produkteve në treg, duhet një koordinim mes tyre, që nga paketimi, etiketimi e deri të blerësi fundit, që janë depot e bimëve mjekësore ose qytetarët.

Kultivuesit ndjejnë nevojën e mundësive për blerjen e tharësve të bimëve mjekësore dhe ndoshta edhe ndërhyrjen me mbështetje financiare nga pushteti vendor dhe qendror, për krijimin e kontratave të sigurta dhe afatgjata për shitjet e produkteve të tyre.

Pjesëmarrësit në këto trajnime kanë treguar përvojat e tyre në kultivimin, mbledhjen, tharjen dhe shitjen e bimëve mjekësore dhe shpesh vihet re se përvojat e tyre, sa të ngjashme, por shpeshherë edhe ekstremisht të ndryshme.

Problematikat në këtë sektorë fillojnë që nga mjetet e domosdoshme për vjeljen si kova, krehra, tharëse ekologjike, e deri te ndikimi i transportit, sidomos infrastruktura jo e mirë rrugore, e cila shpesh sjell dëmtim të bimëve gjatë transportit, sidomos për boronicën.

“Boronica e njomë është delikate gjatë transportimit, ndaj shpesh mbledhësit e saj kërkojnë ta shesin atë në gjendje të freskët”, thotë Bica.

Ajo që po i kushtohet rëndësi gjatë trajnimeve është fakti që bimët të mos dëmtohen, thotë ai.

“Gjatë vjeljes shumë mbledhës nuk janë vetëdijshëm për gabimet që bëjnë, duke rrezikuar vazhdimësinë e prodhimit në vitet e ardhshme”.

“Njëri nga gabimet është vjelja para kohe e luleve apo frutave, – thotë Bica. Një tjetër gabim është edhe fakti që nuk lihet mjaftueshëm për vitin pasardhës ose dëmtohen duke i prerë”.

Mungesa e një kontrate të rregullt për shitjen e tyre si dhe mungesa e identifikimit të tyre përmes një emri të produktit pse brandi të tyre, i detyron kultivuesit dhe mbledhësit e bimëve që tu drejtohen pikave të mëdha të grumbullimit, të cilat diktojnë çmimet, shpeshherë të pakënaqshme për fermerët.

Dibra, shumë mundësi për kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike

Delegacioni i Bashkimit Europian gjatë një bisede me z. Danjel Bica, drejtuesi i SHERM, mbi rezultatet e projektit me të rinjtë që po
kultivojnë bimët mjekësore aromatike në Dibër. Foto: FB/ Rural Albanian Youth

Dibra ka një reliev kodrinor-malor që varion nga 350 m mbi nivelin e detit në Luginën e Drinit të Zi, deri në lartësinë 2751 m në majën e Korabit. Kjo bën të mundur që ky rajon të dallohet për shumëllojshmërinë e tokave, duke qenë një mundësi shumë e mirë e mbledhjes dhe kultivimit të bimëve mjekësore aromatike. 

Bimët mjekësore në Dibër përbëjnë një sektor me rëndësi jetike, duke kontribuar në buxhetin e familjeve që merren me mbledhjen e tyre në 25-30% të të ardhurave. Në zonën e pellgut të Drinit të Zi llogaritet që të ardhurat nga bimët mjekësore të zënë 15-20% dhe në zonën kodrinore malore të zënë 50-60%.

Zyber Gjoni, një nga ekspertët e fushës dhe një nga grumbulluesit më të mëdhenj të bimëve mjekësore në rajon, thotë se “në Dibër grumbullohen rreth 120 lloje bimësh, por llojet që kanë peshën kryesore janë 15-20 bimë. Sipërfaqja nga e cila grumbullohen bimë mjekësore llogaritet të jetë në mbi 30.000 ha, duke përfshirë tokën bujqësore dhe atë pyjore e kullosore”.

“Toka dhe kushtet klimatike të Dibrës janë shumë të përshtatshme për kultivimin bimëve mjekësore dhe aromatike. Mundësia për të rritur të ardhurat ekonomike familjare dhe vetëpunësimi, si dhe pasioni për natyrën dhe bimët, i shtyn shumë familje në Dibër të angazhohen në mbledhjen e bimëve mjekësore, nisur edhe nga fakti që Dibra përfaqëson një vend me shumëllojshmëri të lartë të këtyre bimëve në Shqipëri”, thotë Gjoni.

Bimët mjekësore dhe aromatike, janë lëndë e parë bazë për industrinë farmaceutike dhe atë kozmetike. Ato janë të domosdoshme edhe për industrinë ushqimore dhe atë kimike. Nisur nga vlerat e gjithanshme ekonomike, ekologjike dhe mjekësore, ato përbëjnë sot dhe në të ardhmen një pasuri natyrore me rëndësi të jashtëzakonshme.

Një nga synimet e projektit që po zbatohet nga SHERM është që të mbështesë zhvillimi e qëndrueshëm, nëpërmjet ruajtjes dhe përmirësimit të florës ekzistuese, shtimit nëpërmjet kultivimit të bimëve mjekësore dhe aromatike, të kërkuara nga eksporti, në përshtatje me kushteve klimatike e tokësore. 

Për të siguruar treg të qëndrueshëm dhe me leverdi ekonomike për zonat rurale e bujqësore duhet të orientojmë grumbulluesit dhe fermerët për prodhimin e produkteve të certifikuara të pastra organike (bio).

Kërkesa në rritje për ilaçe bimore ka çuar edhe në rritje të shqetësimeve rreth ndikimit mjedisor, të mbledhjes për qëllime tregtare në shkallë të gjerë të bimëve të egra. Shumë lloje të vlefshme bimësh mjekësore janë bërë të kërcënuara, të rralla apo edhe të rrezikuara për shkak të mbi apo keqshfrytëzimit nga habitati i tyre natyror.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Mbështetja e të rinjëve fermerë në Qarkun Dibër për të rrituar të ardhurat e tyre ekonomike nëpërmjet kultivimit të Bimëve Mjeksore Aromatike (GREEN ECONOMY)”, zbatuar nga SHERM në partneritet të ngushtë me RTM Albania.

Rural Albanian Youth është financuar nga Delegacioni i Unionit Europian në Shqipëri dhe implementuar nga Volontari nel Mondo RTM, në partneritet me ADAD Malore Fondacioni Partneritet për Zhvillim, AgroPuka, Rrjeti Shqiptar per Zhvillim Rural – ANRD dhe Agia Giovani Imprenditori Agricoli – Agricoltura è Vita Agriagenzia (Cia – Agricoltori Italiani).