ERMENDA, VAJZA NGA DIBRA QË DËSHMOI PROBLEMET E RINISË SHQIPTARE NË ZVICËR


Dikur qaja përse nuk kisha dy palë këpucë, ndërsa sot më vjen keq kur shoh bashkëmoshatarë që nuk i kanë ato”, thotë Ermenda, vajza 16 vjeçare nga Brezhdani i Dibrës. E bija e një punëtori të thjeshtë dhe e një nëne shembullore, që çdo ditë përpiqet të edukojë dy motrat dhe vëllain e vogël të saj. Prej pesë vitesh Ermenda Hidri është pjesë e organizatës ndërkombëtare World Vision që operon në Dibër, duke parë kështu ndryshime e mëdha në jetën dhe komunitetin e saj. Ajo është nxënëse e vitit të dytë në shkollën e mesme “Said Naideni”, njëkohësisht edhe lojtare e ekipit të volejbollit “Korabit”  të Peshkopisë. Një vajzë e sjellshme, e motivuar për të qenë agjente ndryshimi e vetes dhe komunitetit ku ajo jeton.

Para disa muajsh , 16- vjeçarja dibrane ishte përfaqësuesja e vetme e World Vision Albania në projektin “Youngs Leader in Powr” në Zvicër. Ky projekt synon krijimin e një rrjeti global, ku të rinjtë nga vende të ndryshme të botës komunikojnë dhe ndajnë përvojat e tyre dhe fëmijëve të vendeve të tjera, të cilët së bashku përpiqen të gjejnë një zgjidhje të këtyre problemeve. Disa nga problemet si varfëria, dhuna apo martesa në moshë të hershme, problem ky i përcjellë nga Ermenda, është një problem i madh shqiptar. Ky projekt u jep mundësinë të rinjve për të fituar aftësi dhe mjete për tu angazhuar në fushata globale dhe për të bërë të mundur që zëri i të rinjve të dëgjohet në debate të niveleve vendimmarrëse. Projekti synon që mbajë të rinjtë të angazhuar në veprime që luftojnë dhunë. Një nga gjërat gjërat që doli nga ky projekt është një foto advokacion të quajtur ”IT TAKES CHILDREN” pjesë e fushatës globale të World Vision, ku një nga shkrimet në këtë raport mes shumë vendeve është edhe problemi që Ermenda ngriti.

Ermenda tregon  e emocionuar me detaje për këtë përvojë të jashtëzakonshme për të. Një vajzë e vogël në moshë, nga një fshat me një mentalitet të ndrydhur.

“U zgjova më herët se çdo ditë, tregon ajo e emocionuar, dhe me një përgjegjësi që nuk e kisha ndjerë kurrë. Do përfaqësoja Shqipërinë mes dhjetëra vendesh dhe njerëzish që kurrë nuk i kisha parë, për më tepër të një niveli të tillë. Bashkë me Anën, staf i World Vision Dibër, që do të më shoqëronte mua atje u nisëm drejt Shkupit për të udhëtuar drejt Vienës e më pas drejt Gjenevës. Aty u shoqëruam nga Mario dhe Patricio, punonjës të World Vision, të cilët na pritën mjaftë mirë. Unë dhe Benhamin, përfaqësuesi i Kilit, ishim zgjedhur të prezantonim librin “It takes children” dhe të flisnim për problemet që fëmijët hasin më shumë. Në datat 20 dhe 21 nëntor  ishim në zyrat e Kombeve të Bashkuara, ku të dy prezantuam përballë  qindra fëmijëve, ambasadorëve dhe diplomatëve të vendeve të ndryshme shkrimet dhe raportet për problematikat që na shqetësojnë. Ata u treguan mjaftë të gatshëm për të mbështetur çdo fëmijë që e shqetëson një problem. Ishte një përvojë që nuk do ta harroj kurrë. Kam punuar, duke qenë pjesë e grupeve ne World Vision dhe kjo ishte gjëja më e bukur që më ka ndodhur. Në fund të takimit të gjithë na uruan, madje vetë ambasadorët dhe diplomatët u afruan dhe kërkonin autograf nga ne. Ky ishte një emocion vërtetë i papërshkrueshëm”, përfundon Ermenda.

Problemet sociale veçanërisht në Shqipëri janë të shumta, duke filluar nga varfëria, dhuna në familje, papunësia e shumë të tjera. Martesat në moshë të hershme, një nga problemet më serioze të shoqërisë shqiptare, u prezantua si problem nga 16 vjeçarja. Ky problem i ka rrënjët aq të thella në histori saqë akoma këto rrënjë ushqehen nga mentalitetit duke u mohuar një sërë të drejtash këtyre vajzave.

 

“NJË UNAZË NË GISHTIN E NJË VAJZE NUK MUND TË PESHOJE MË SHUMË SE NJË LIBËR SHKOLLE”

 

“Ndonjëherë  librat dhe shkolla mbeten vetëm një ëndërr për disa fëmijë në vendin tim veçanërisht ato që jetojnë në fshatrat e thellë dhe të izoluar si vendlindja ime” thotë në raportin e  saj Ermenda, që është  paraqitur edhe librin “It take children”. Edhe nëse ti vazhdon të shprehesh ëndrrat e tua për edukimin dhe të ardhmen, akoma është shumë e vështirë. Fatkeqësisht kjo bëhet akoma më e vështirë nëse ti je vajzë.

Tani që po e ndaj këtë gjë ndjenjat edhe idetë fluturojnë në kokën time. Sara, Katerina, Sosja, Neviana dhe shume vajza të tjera  të grupmoshës 15-17 vjeç  tashme ndajnë jetën e tyre dhe të ardhmen në krahët e një burri. Disa prej tyre tashmë kanë fshirë me detyrim ose jo ëndrrën e tyre për tu bërë mësuese, inxhiniere, infermiere ose doktoreshë, vetëm që të jenë gra.

Denisa është një vajzë 15 vjeçare, cila është fejuar me një 28 vjeçar, pasi vazhdimisht ka qenë nën presion nga familja dhe të afërmit. “Në fillim ishte si bombë, – thotë ajo. Familja po përpiqej të më bindte, trupi im ishte aty, por mendja dhe zemra nuk ishin. Tani po mendoj me veten time sikur të isha dhe një herë fëmijë. Nuk është se unë jam rritur tani, të paktën për veten time, por njerëzit e tjerë thonë kështu. Nuk më besohet se në këtë moshë duhet të marr një vendim të tillë për jetën.

Ndoshta këtë vit të ri të vitit shkollor Denisa dhe “Denisat” e tjera nuk do të fillojnë shkollën. Ato nuk do të jenë duke bërë detyrat e shtëpisë pas orës 1 të pasdites, por do të jenë duke shërbyer drekën për të fejuarin apo njerëzve të tjerë të shtëpisë. Ato nuk do kenë kohë të pinë një kafe pasdite me shoqet e tyre se vjehrra e tyre s’do ta pëlqejë. Ato do duhet të marrin vendime të mëdha, të flasin më pak se çfarë kanë folur, të ëndërrojnë më pak dhe të punojnë më shumë. Është koha që t’u kujtojmë qeverisë tonë se është momenti  të respektojnë dhe monitorojnë gjithçka që ata kanë shkruar në letër  apo në dokument për mbrojtjen e tyre. Unë, ti, të gjithë ne duhet ta bëjmë këtë. Një unazë në gishtin e një vajze nuk mund të peshoje më shumë se një libër shkolle”, mbyllet raporti i përfaqësueses sonë në Gjenevë të Zvicrës.

 

DHUNA NDAJ FËMIJËVE: KA ARDHUR KOHA TË NDALOJË

 

Të tilla vajza na duhen, ashtu siç është është Ermenda dhe shoqet e saj. Me një forcë dhe mendim ndryshe nga ato ç’ka jemi mësuar të dëgjojmë deri tani. Dibra ka nevojë për ndryshim, ka nevojë për një frymë të re dhe një mendim ndryshe. Ne si zonë kemi nevojë për të rinj të shkolluar dhe të mirëarsimuar e jo për fuqizimin e atij mentaliteti. Ermenda foli gjatë përpara një publiku të gjerë për një sërë problematikash që shoqëria jonë është detyruar të kenë.

“Jam këtu për të ndarë me ju disa histori shumë të trishta të fëmijëve shqiptarë, të cilat janë të vërteta dhe të përhapura në të gjithë vendin. Unë vij nga një fshat nga rajonet më të varfra të Shqipërisë dhe të tjerët na thirrin “Maloke”, që nënkupton njerëz që jetojnë në male, tha Ermenda Hidri në fjalimin e saj, por ky është thjesht një sinonim për të thënë që ne jemi njerëz të egër. Dhe e dini çfarë? Kjo mund të jetë e vërtetë, por jo vetëm për fshatin tim, apo për qytetin tim. Shumë prindër, mësues, fqinj, miq shqiptar sillen si njerëz të egër kundrejt fëmijëve.

Zona veriore e Shqipërisë ka qenë e njohur gjithmonë për modelin e familjes patriarkale, në të cilat fëmijët jo vetëm që nuk lejoheshin të flisnin për veten e tyre, të shprehnin mendimet e tyre, por gjithashtu ushtrohej dhunë mbi to si një formë për ti mësuar të binden dhe të respektojnë të rriturit, apo si ndëshkim për sjelljen e keqe. Është e dhimbshme të themi që edhe në 2017 kjo është e zakonshme në jetën e fëmijëve.

Një vëzhgim i World Vision Albania me fëmijë dhe prindër në 2017 tregon që niveli kombëtar 68.2% të raportit të fëmijëve kanë përjetuar dhunë gjatë vitit të fundit. Nga kjo përqindje 79.9% është për Dibrën, vendi nga i cili jam unë. Imagjinoni që 8 nga 10 fëmijë janë të dhunuar në vendin ku jetoj unë. Pra, çfarë duhet të presim unë, ti, ne për të ardhmen e shoqërisë? Ta ndërtosh atë mbi një brez të dëmtuar apo të dhunuar, i cili mëson të jetojë vetëm duke dhunuar dhe që do vazhdojë të bëjë këtë edhe me fëmijët e tyre?”

 

DHUNA NË SHKOLLË, NJË HISTORI QË NUK DUHET TË PËRSËRITET

 

Aleksandri, një djalë 14 vjeçar ndau përvojën e tij me dhunën në shkollë:

“Një ditë mësuesi më bëri një pyetje. Unë e dija përgjigjen, por për momentin nuk më kujtohej. Pastaj ai  nisi të më ofendonte duke thënë që unë jam një idiot dhe shumë fjalë të tjera. Ai madje më përplasi kokën në dërrasën e zezë. E gjithë kjo ndodhi para gjithë klasës dhe pashë që disa nga shokët e klasës po qeshnin. Nuk doja te isha aty në atë moment dhe të përjetoja ndjenjën e të qenurit i poshtëruar dhe i injoruar para 20 fëmijëve të tjerë. Doja vetëm të qaja, por nga zonat tona është turp për ne, djemtë, të qajmë, sepse do të thotë që jemi të dobët. Ky është realiteti që  jetojmë ne, fëmijët shqiptarë sot”.

Ne e dimë se çfarë të tjerët na bëjnë dhe nuk është e drejtë, dhe përsëri nuk e ngremë zërin, sepse ne mendojmë se të thuash çfarë mendon ti është gabim, sepse kështu jemi rritur dhe kështu na është thënë. Ti thuash dikujt mos më godit, ti thuash dikujt se nuk ke të drejtë të shkelësh të drejtat e mia, nuk është normale në kulturën tonë. Ti thuash dikujt “ti nuk ke të drejtë të ma bësh këtë gjë”, mund të jetë një kërcënim më i madh për ty. Por ka ardhur koha që të gjithë ne të ndryshojmë, duhet të ndryshojmë mënyrën se si sillemi, mënyrën se si mendojmë dhe mënyrën se si qëndrojmë, sepse abuzimi i fëmijëve duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë.

“Ka ligje, politika dhe konventa që thonë kështu. Të gjithë ne duhet të kuptojmë se askush nuk ka të drejtë të na prekë as me gisht, as me fjalë dhe nëse dikush e bën këtë ligji përcakton dënimin e tij”, –  ishin fjalët e fundit në fjalimin që Ermenda mbajti fëmijëve, para një grupi të përfaqësueseve të Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare të mbrojtjes së fëmijëve.