Vendi vakant për kryetarin e komunës në Dibër të Madhe kthehet në luftë politike mes BDI dhe ASH


Eugjen Cami

Akuza e BDI:
Zyra e kryetarit të komunës është zaptuar nga partia që qeveris, dhe dokumente që duhet të lexohen veçse nga stafi i Komunës, qarkullojnë në duart anëtarëve të partisë.

Eugjen Cami:
“Disa këshilltarë, për të mbuluar aferat e keqpërdorimit të detyrës dhe buxhetit, në bashkëpunim me individë partiakë, me instruksionet nga lartë dhe me ndihmën e inspektoratit shtetëror, ndërmorën vendim për shkarkimin tim si Ushtrues Detyre Kryetar Komune. Ky veprim i juaji, mua si Eugjen Cami nuk më demoralizon, përkundrazi më bën më krenar. Jam i edukuar të punoj drejt dhe me ndërgjegje të pastër në përputhshmëri me ligjet, për të mirën e qytetit tim dhe dibranëve në veçanti, gjē që e kam dëshmuar në karrierën time gjatë këtyre 29 viteve të pluralizmit dhe demokracisë”.

Pas ndarjes nga jeta të z, Ruzhdi Lata, i cili mbante funksionet e kryetarit të komunë së Dibrës së Madhe, duket se institucioni është futur në një krizë gjatë muajit janar.
Eugjen Cami u zgjodh më 10 dhjetor 2018 ushtrues i detyrës së kryetarit të komunës, por gjatë punës ë tij ai ka sjellë pakënaqësi në radhët e anëtarëve të këshillit bashkiak nga radhët e BDI.
Eugjen Cami ishte përfaqësue i partisë Aleancë për Shqiptarët, e cila është në një opozitë dhe në një luftë të ashpër politike me BDI.
Më 17 janar 2019, gjatë një mbledhje rutinë të këshillit komunal, u mor një vendim i papritur për zëvendësimin e z. Cami të Aleancës për Shqiptarët (ASH) me z. Hekuran Duka nga radhët e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).
Ky vendim u konsiderua i jashtëligjshëm nga ASH. Sipas tyre, parashikon që seancat e Këshillit si dhe pikat e rendit të ditës detyrimisht të shpallen 7 ditë para mbajtjes së seancës, ndërsa këshilltarët materialet i pranuan 3 ditë para mbajtjes së seancës dhe atë me pikë të rendit të ditës: “Plani lokal për veprim për komunën e Dibrës në fushën e Punësimit, Banimit, Arsimit dhe Shëndetësisë në periudhën 2019-2020 për romët e komunës së Dibrës”. Aleanca, përmes një deklarata renditi edhe arsyet e tjera ligjore për ndërprerjen e mandatit, të gjitha – sipas tyre, në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës së Maqedonisë.
BDI i kishte paraprirë zëvendësimit të ushtruesit të detyrës me dy deklarata, përkatësisht më date 11 janar dhe 15 janar, ku akuzonte ASH se “po e turpëronte Dibrën”.
“Precedenti i turpshëm me mënyrën se si qeveriset Komuna e Dibrës këta dy muaj , është precedent i pandodhur ndonjëherë më parë në Dibër. Gjë që tregon fytyrën e vërtetë të një grupacioni politik të paaftë dhe dashakeqe”, thuhej në një nga deklaratat e BDI. Ata akuzonin z. Cami për kthimin e zyrës së kryetarit të komunës në një zyrë partie si dhe rrjedhjen e “dokumentacione zyrtare nëpër duar, të pa autorizuar dhe me tendenca që secili anëtar veç e veç të merr meritat për ndonjë punë në Komunë”.
Gjatë një deklarate tjetër më 17 janar, BDI deklaronte se “që me zgjedhjen e kryetarit të përkohshëm, ne e konsideruam se u zgjodh kryetari i pakicës, pa mbështetjen në masë të qytetarëve të Dibrës. Por pranuam këtë zgjedhje dhe me kujdes të shtuar monitoruam veprimet çoroditëse të Partisë Aleanca për Shqiptarët. Gjuha e urrejtjes në reagimet publike të partisë që udhëheq sot komunën, është krejtësisht të papranueshme, për një parti në pushtet lokal”.
Deklarata e BDI theksonte se “është krejtësisht autokratike që një parti që qeveris të krijojë këtë ndasi dhe të përdori këtë gjuhë të urrejtjes në qytet… Gjuha me mendësi autoritare, gati fashiste që përdor Partia Aleanca për shqiptarët në reagimet e tyre publike, është një alarm i madh për demokracinë lokale, liritë dhe të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes së mendimit. Linçimi dhe agresiviteti jashtë institucional i kësaj partie na kujton dhe na rikthen në kohë që konsideronim se ishin e shkuara e errët e këtij qyteti”.
BDI akuzonte se “zyra e kryetarit të komunës është zaptuar nga partia që qeveris, dhe dokumente që duhet të lexohen veçse nga stafi i Komunës, qarkullojnë në duart anëtarëve të partisë”.
“Kjo gjendje është krejtësisht e patolerueshme dhe për këto arsye serioze, që janë këmbanë e fortë e autokracisë që po lind sjellim mocion mosbesimi ndaj kryetarit të përkohshëm z.Eugjen Cami, zgjedhur nga ky Këshill, për arsye se delegon kompetenca jashtë institucionit, në partinë e tij dhe nuk reagon për të ndalur gjuhën e urrejtjes dhe polarizimin ekstrem mes qytetarësh”.
Pas kësaj date deklarata politike të dy partive politike në Dibër të Madhe kanë vazhduar në median lokale dhe rrjetet sociale.
Eugjen Cami, në disa deklarata pas kësaj date i ka quajtur vendimet e datës 17 janar të këshillit komunal të jashtëligjshme.
Megjithatë, gjatë një fjalimi më 31 janar para këshillit komunal, ai ka pranuar të lëshojë detyrën.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij “tempulli”,dhe përgjegjësinë që kemi ndaj qytetarëve të cilët na zgjodhën që ne të jemi këtu për të mbrojtur dhe përfaqësuar me dinjitet interesat dhe shqetësimet e tyre, nga ju të nderuar Këshilltarë, pa dallim bindjeve dhe përkatësive politike, kërkova dhe shpresova në një bashkëpunim të sinqertë me ju. Fatkeqësisht, nga e gjithë kjo që u tha dhe u pa sot në këtë seancë, por edhe më përpara, unë jam i zhgënjyer. E gjithë kjo më jep të mendoj dhe të besoj se disa këshilltarë, për të mbuluar aferat e keqpërdorimit të detyrës dhe buxhetit, në bashkëpunim me individë partiakë, me instruksionet nga lartë dhe me ndihmën e inspektoratit shtetëror, ndërmorën vendim për shkarkimin tim si Ushtrues Detyre Kryetar Komune. Ky veprim i juaji, mua si Eugjen Cami nuk më demoralizon, përkundrazi më bën më krenar. Jam i edukuar të punoj drejt dhe me ndërgjegje të pastër në përputhshmëri me ligjet, për të mirën e qytetit tim dhe dibranëve në veçanti, gjē që e kam dëshmuar në karrierën time gjatë këtyre 29 viteve të pluralizmit dhe demokracisë.
Ai e ka pranuar vendimin e Këshillit Komunal dhe i ka kërkuar administratës që të bëjë gati gjithë materialin e kësaj seance dhe të shpallë në fletën zyrtare të kuvendit shkarkimin e tij.
Ai i uroi detyrën ushtruesit të detyrës z. Hekuran Duka, dhe e ftoi që të nesërmen, më 1 shkurt, të shkonte në zyrë dhe të merrte çelësat dhe “ta pijmë një kafe për të treguar qytetari”.
Më datën 8 shkurt pritet që në Maqedoni të shpallet zgjedhjet e reja presidenciale dhe po në këtë datë do të ketë edhe zgjedhje për kryetarin e Komunës së Dibrës së Madhe.
Deri atëherë, duket se dy partitë do të qëndrojnë ballë për ballë me deklarata të ashpra dhe akuza ndaj njëra-tjetrës.
B.karoshi