Mbetesh fisnik dhe madhështor në kujtesën tonë


Ndarja e papritur nga jeta e zotëri Qemal Xhafës më befasoi, më shqetësoi e më la një peng të parrëfyer nga ajo ditë që lajmin e mora larg, në Itali. Lajmi i hidhur më preku në shpirt. Ishte lajm për vdekjen e qytetarit tonë më të respektuar, i cili me punën dhe sjelljen më korrekte dhe më shembullore, me karakterin e fortë edhe me modestinë njerëzore, na impononte besim dhe respekt, na jepte shembullin më të mirë se si duhet të jetë një familjar e si duhet të jetë një profesionist në detyrën e tij, si duhet të jetë një intelektual që merr detyrat me përgjegjësi të lartë qytetare dhe kombëtare, siç ishte detyra e drejtuesit të partisë së parë demokratike dhe detyra e kryetarit të Komunës së Dibrës, në ditët e vështira të viteve ‘90, në një kohë që pasonte nga një e kaluar e rëndë për qytetarin shqiptar.
Kalojnë ditët, ecën koha me ritmin e saj të pandalshëm dhe ja ndahemi nga njerëzit e dashur. Ndarje e papritur dhe e dhimbshme. Familja humbi kryefamiljarin e saj të dashur e të shtrenjtë dhe mbarë qyteti intelektualin dhe veprimtarin e shquar të tij. Të humbësh babanë, të humbësh bashkëshortin, të humbësh vëllanë e madh, që pas babait ju kishin busull në jetën familjare, të humbësh mikun e shtrenjtë e të nderuar, intelektualin dhe veprimtarin e palëkundshëm për lirinë e prosperitetin, për të drejtat tona kombëtare të mohuara nga regjimet diktatoriale, është një humbje e pakompensueshme jo vetëm familjare, por edhe mbarëqytetare.
Jeta e Qemal Xhafës ishte jetë me punë të frytshme e me përpjekje të jashtëzakonshme në shërbim të familjes, të detyrave profesionale në shërbim të qytetit, jetë me drama të dhimbshme, me sfida e përpjekje, me suksese e me mundime, jetë që ka për sinonim nderin dhe dinjitetin e njeriut të papërkulur në rrugën e idealeve. Ajo nisi me fëmijërinë, kur prindërit u vendosen në pronat e tyre në fshatin Sollokiq, buzë Drinit. Familja Xhafa, pas mbylljes së kufirit me Shqipërinë, u detyrua të ndahet nga pjesa tjetër e trungut familjar për t’u vendosur në pronat e tyre në anën tjetër të kufirit. Kufiri në atë kohë sillte shumë mundime. Të jetoje në fshatrat kufitare në atë kohë nuk ishte e lehtë. Ishte një jetë me trauma, me kufizime, me regjime të rrepta kufitare. Por, edhe në këto kushte, derisa u vendosët në qytet, familja i mbijetoi vështirësive. Ajo u vlerësua për bujarinë, solidaritetin dhe harmoninë ndërvllazërore dhe fqinjësore që kultivoi babai i tij, Ruzhdiu, burrë i shkolluar dhe nëna Hamdie, një grua e edukuar dhe fisnike, si dhe anëtarët tjerë të familjes.
Jeta ka gëzimet, sukseset, por ka dhe momentin e hidhur të ndarjes, pas së cilës mbesin të pavdekshme kujtimet për veprat që lë pas, veprat që mbeten për brezat në vijim. Kanë kaluar disa javë e do të kalojnë muaj e vite e ju do të jetoni përjetësisht në zemrat tona. Do të jetoni dhe do të kujtoheni me krenari. Me dhembjen në shpirt të familjes, të bashkëshortes, zonjës Shadije, të vajzave Valbona dhe Ulumbijes, të vëllezërve Bardhylit, Muharemit, Bajramit, Shpëtimit, Qaniut dhe Shkëlqimit, motrës Gëzime, nipërve dhe mbesave e të gjithë të afërmve tjerë, me dhembjen e miqve, shokëve dhe qytetarëve të Dibrës do të jetojë edhe krenaria e për shemullin tuaj të përkryer si familjar, si profesionist, si veprimtar politik dhe si atdhetar i veçantë në ditë të vështira për kombin tonë. Do të mbeten e do të nguliten në kujtesë angazhimet e tuaja me shokë për t’ju bashkuar nismës së intelektualëve shqiptarë në krijimin e partisë së parë demokratike të shqiptarëve në Maqedoni, Partinë e Prosperitetit Demokratik, e cila ngriti zërin kundër politikës diskriminuese të pushtetit maqedonas dhe luftoi fuqishëm për liri e të drejta kombëtare. Ato vite kthesash në jetën shoqërore ishin kohë të turbullta, kohë dyshimesh, ankthesh e dilemash. Jehona e akuzave ndaj shqiptarëve, vazhdimësia e shtypjes dhe diferencimit kishin lënë pasojat në psikologjinë e shqiptarëve. Të marrurit me politikë në atë kohë për ne ishte dukuri jo e zakontë, një makth që shumëkush i shmangej, ndërsa padrejtësitë ishin të pranishme në çdo sferë të jetës. Jo çdokush merrte riskun e rrezikut për të sfiduar sistemin, për të thyer një koncept që sillte nënshtrim e diskriminim kombëtar. E kujtojmë mirë atë kohë, e ndjej si sot lëvizjen qytetare, formimin e degës se PPD-së, kryetar i së cilës ju zgjodhën Ju. Ishit Ju njeriu i duhur, intelektuali i duhur, veprimtari i duhur që nuk u step dhe nuk nguroi në asnjë çast në denoncimin e padrejtësive që i bëheshin kombit tonë dhe në përpjekjet që këto padrejtësi të eliminohen.
Qemal Xhafën e njihnim për principet dhe virtytet, për karakterin e fortë e të pathyeshëm, për korrektësinë dhe objektivitetin, për humanizmin dhe solidaritetin. Këto virtyte t’i njihnin familja, t’i njihnin shokët dhe miqtë tuaj të afërt, t’i njohën qytetarët, kolegët e punës në Dibër dhe jashtë saj. Ishe dhe mbete gjithmonë njeri i vendosur dhe i nderuar, i virtytshëm e fisnik, mbajtës premtimesh dhe besnik i pashembullt në jetë dhe në punë. Jeta të dërgoi të punosh e veprosh në vende të ndryshme. Punove në Kosovë, më vonë gjete punë në Dibër, si inxhinier, si kryetar komune e detyra tjera. Kurdo dhe në çdo kohë, në çdo punë e detyrë, në çdo situatë e rrethanë që u krijuan në jetën tuaj, në jetën familjare, në raporte me kolegë, me miq e me shokë, ju ishit shembull i njeriut të përgjegjshëm, i intelektualit të ditur dhe të vendosur që në jetë e cilëson ndershmëria, profesionalizmi, durimi, e shumë cilësi të tjera që e madhështojnë personalitetin tuaj. Ndaj dhe Dibra të nderoi, të vlerësoi dhe të zgjodhi të parin e vendit, Kryetar të Komunës së Dibrës në zgjedhjet e para të sistemit shumëpartiak. Qytetarët e saj të besuan dhe ju besimin jua kthyet me punë e ndershmëri, me angazhime për afirmimin e jetës kulturore dhe arsimore, me përpjekje të pandalshme për zhvillimin e Dibrës në ditët e saja të vështira.
Qemal Xhafa do të kujtohet ndër mote. Personaliteti i tij i dinjitetshëm me shpirt të pastër si kristali do të mbetet shembull i rrallë dhe i papërsëritshëm në historinë e Dibrës. Ju ka kujtuar dhe do t’ju kujtojë përjetësisht personeli i Universitetit të Tetovës si një nga tre kryetarët e komunave që nënshkruan aktin e themelimit të Universitetit të parë shqiptar në Maqedoni. Do të kujtoheni për angazhimet në pritjen dhe sistemimin e familjeve kosovare të dëbuar gjatë Luftës në Kosovë dhe për shumë e shumë aktivitete të tjera atdhetare. Do të kujtoheni gjithashtu edhe për përkrahjen që dhatë si kryetar komune në zhvillimin e aktiviteteve kulturore, simpoziumeve e konferencave shkencore në nivele kombëtare për njohjen e historisë dhe kulturës dibrane. Aktiviteti i juaj shfaqej në çdo moment dhe në çdo ngjarje që kishte të bëjë më jetën shoqërore dhe politike.
Do të desha të shkruaj shumë për ju, për personalitetin tuaj. Ju takonim në raste të ndryshme që i afron jeta me ngjarjet e saj. Na bënte përshtypje gjithnjë qëndrimi juaj i afërt me të gjithë, qëndrimi i një intelektuali që madhështohet nga fjala e urtë dhe mendimi i qartë.
Jeta ka dhe vuajtje, ka dhe dëshprime. Një fat i pamëshirshëm ju goditi me vdekjen aksidentale të djalit, Ilirit. Atë që se mban mali e mban dhe duron njeriu, thotë një flalë e urtë e popullit, e mban madhështia e shpirtit të tij. E thellë ishte dhembja juaj dhe e bashkëshortes suaj Shadies, e nuses së djalit, Artës me fëmijët: Rinori, Rina dhe Iliri, djali ivogël që mori emrin e babait, djalit tuaj të ndjerë. Ju e mbajtët thellë në shpirt dhembjen e pandalur që nuk rrëfehet. E vështirë për një baba dhe nënë që humbën më të dashurin e tyre, dritën dhe shkëlqimin e syve të tyre, për bashkëshorten dhe dy fëmijët që humbën prindin në moshë shumë të re, për motrat që humbën vëllanë e tyre të vetëm, për tërë familjen. Përtej dhimbjes mbeti mbresëlënës kujdesi juaj për jetën e familjes së gjërë, duke u përpjekur t’i përkrahje me sa mudësi kishit në rrugët e sukseseve dhe gëzimeve të tyre.
Një shpirt të tillë madhështor e pate dhe ruajte në jetë mik i nderuar. Qëndrimi i juaj, durimi dhe mbizotërim i dhembjes mbetet i veçantë. Ky qëndrim burrëror më kujton një varg të poetit të njohur Azem shkreli kushtuar vdekjes së malësorit, kur thotë: “Asnjë lot asnjë/ se ja shteroni krojet”. Këto kroje të pashteruara për ju ishin vajzat, nipërit e mbesat, vllezërit dhe motra me të cilët jetoje dhe të cilët i deshe dhe i mbështete në të gjitha çastet e jetës. Ju ishit prindi që gjer në fund të jetës e mbajti shpresën e jetës dhe të gëzimeve për dy vajzat Valbonën në Dibër dhe Ulumbijen në Amerikë me bashkëshortët dhe fëmijët e tyre, për nipërit nga djali në Belgjikë dhe tërë farefisin. Vepra dhe mundi i juaj, fisnikëria e jetës suaj, madhështia e juaj shpirtërore dhe intelektuale do të mbetet krenaria e vajzave dhe nipërve dhe mbesës për babanë dhe gjyshin e tyre. Dashuria dhe kujdesi si baba dhe si gjysh do të rezatojë dhe do të ndikojë si një shembull i përkryer në jetën e tyre dhe në jetën e tërë fisit tuaj. Gjeni fisnik i familjes do rrugëtojë drejt virtyteve të larta që do të mbartin në jetë, se ata kanë një kapital familjar që do t’u ndriçojë rrugët e jetës së dinjitetshme.
Do të kalojnë ditët, muajt dhe vitet, por ju i nderuari Qemal do të mbeteni i paharruar në kujtesën familjare dhe mbarëqytetare. Do të kujtoheni gjithmonë me respekt si intelektuali mëi sinqertë, më i vendosur e më korekt i qytetit tonë, si atdhetari që e deshi Dibrën dhe Dibra e respektoi me nderimin më të thellë të qytetarëve të saj.