Shefik Fisniku, një jetë mes eksperimenteve


Në kapërcyell të mijëvjeçarit te dytë, Shefik Fisniku nga Trena e Dibrës u drejtua tek blektoria, si stacion nga ku mund të nisej drejt suksesit. Fillimisht mori një mëshqerë të racës “Taranteze”, e cila pati rezultate mbresëlënëse. Që në vitin e parë jepte 28 litra qumësht, të një cilësie mjaft të lartë. Shtoi dhe dy lopë të tjera, po me këto parametra, duke e bërë këtë lloj biznesi për shtatë vjet me radhë. Thithja e paktë nga tregu, çmimi më i ulët se pijet e ngjyrosura me pigmente, mungesa e subvencioneve shtetërore e plot faktorë të tjerë, e lodhën Shefikun dhe e detyruan të ankorohet diku tjetër, në detin e trazuar të jetës.
Shkoi në Itali, si shumë emigrantë të tjerë për gjashtë vjet. Me gjithë vështirësitë e shumta, fitoi jo pak. Fitoi një gjuhë të huaj, fitoi një sasi të konsiderueshme parash, por fitoi dhe një përvojë, që do ti vlente shumë në të ardhmen. Shefiku kishte mbaruar shkollimin e mesëm për agronomi, por këtu ai mësoi si të krasiste me teknikat e reja, si tu jepte pemëve formën e palmetit , të njihte sëmundjet e dëmtuesit dhe mënyrat e luftimit të tyre. “Vetëm ullirit nuk kam ç’farë ti bëj, – thoshte italiani Viçenso, – se pemët e tjera i fus të gjitha në palmet”.
Rikthehet në Shqipëri me plane të reja, për të investuar tashmë në frutikulturë. Kultura e dardhës e tërhiqte mjaft. Aroma, shija, pesha e kokrrave, uria e tregut dhe kërkesa për të, ishin arësye të mjafta për të mbjellur katër dynymët e parë me dardhë të varietetit “Kristal”. Por, ashtu siç kishte dhe emrin, aq delikat kishte qenë. Zjarri bakterial e kroma përpinin gjethet, frutat dhe gjithë trungun, duke e bërë të pamundur betejën. Duhej një lloj tjetër më rezistent dhe ai zgjodhi “Santa marinë”. Vitin e kaluar prodhoi rreth 60 kunjtalë, me një vlerë përfituese prej katër miljonë lekësh. Vitin e ardhshëm dëshiron të shtojë dhe gjashtë dynymë të tjerë me këtë kulturë, duke plotësuar një hektar në total.
Katër vite më parë Shefiku vendosi të futet me kulturën e qershisë. Llogaritë duheshin bërë mirë, pasi bëhej fjalë për një sipërfaqe prej dhjetë dynymësh. Ishte vërtet një vend i mrekullueshëm, një kodrinë e bukur që ngrihet mbi fshat, përballë kodrës së vakufit, që mban antenën. Shefiku donte që ngjyrën në të kuqe të tokës ta mbulonte me gjelbërimin e pemëve të reja, donte që tokën e vdekur ta kthejë në një dyqan , që do ti sillte fitime të shumta, donte që shokët e miqtë ta vizitonin bllokun e të mrekulloheshin prej tij.
Dy ishin problemet që mund ta rrezikonin në sipërmarrjen e re, nënshartesa rezistente dhe variteti po i tillë. Ai shihte përqark ankesa që vinin nga nënshartesa vegjetative, problemet në zënje, tharja e fidanëve në vitet në vazhdim dhe imuniteti i dobët. Do ti rregullonte vetë punët nga fillimi. Kishte dëgjuar se Bilbil Sopoti nga Brezhdani kishte trajtuar në fidanishten e tij fidana njëvjeçare qershie të pa shartuar. Farat i kishte marrë nga qershi të egra të fshatit të Zagradit, në lartësi 1500 metra. I bleu ashtu në gjendje të egër, pasi shartimin do ta bënte vetë. Përzgjodhi tre lloje, “Burlatin” e hershëm, “ Lë penin” francez dhe “Ferrovian”, ku kjo e fundit dominon tre pjesë të territorit të mbjellë. Këtë rradhë nuk u gabua. Fidanat e shëndetshëm u aklimatizuan shumë shpejt, duke dhënë një masë të gjelbërt, por dhe kokrrat e para. Vetëm vitin e parë patën nevojë për vaditje e më pas zgjatën rrënjët e fuqishme për ta kërkuar ujin në thellësi.
Para dy vitesh bllokun e ri të qershive e viziton një mik i madh i shqiptarëve, profesori francez i pemtarisë, Patriku. Jo, ai nuk mund ta besonte që fidanat që kishte para sysh të ishin në vitin e dytë. Të paktën janë katër vjeçarë, këmbëngulte profesori. Kur Shefiku i shpjegoi se ku e kishte marrë nënshartesën, profesori u bind dhe e përgëzoi fermerin.
Kanë kaluar vetëm katër vjet dhe Shefiku është i kënaqur me investimin. Janë 270 rrënjë në total dhe ka prej tyre, që kanë rreth 20 kilogramë që këtë vit. Ai e frezon sipërfaqen e tokës katër pesë herë çdo vit, pasi në të kundërt fieri dhe ferrat e pushtojnë sipërfaqen, duke sjellë probleme të shumta. Për ta rrethuar sipërfaqen fermeri ka zgjedhur një mënyrë origjinale, duke mbjellur lajthi. Rreth 200 fidana lajthi italiane kanë filluar të hedhin shtat e bëhen gati për të hyrë në prodhim.
Ngjitur me bllokun në fjalë, vjen një sipërfaqe e tarracuar, që zbret deri poshtë në luginë. Dhe ajo është mbi dhjetë dynymë e në të gjenden të mbjellë rreth 200 rrënjë lajthi. Vitin tjetër fermeri mendon të shtojë dhe treqind rrënjë të tjera, duke e çuar në 700 rrënjë numrin në total, kurse sipërfaqen e pemtores në tre hektarë.
Shefiku ka tre fëmijë. Dy djemtë, Enriku dhe Fatbardhi, janë në emigrim, në Gjermani dhe Itali. Dhe pse janë mjaft punëtorë, i ati i tyre ka një pakënaqësi , sidomos ndaj Enrikut, që iku para disa ditësh. Po si më la?- pyeste i jati, pa marrë përgjigje. Po, a pak punë kishte këtu? Po a mund ti përballoj vetë të gjitha? Flet kështu e një nerv i lëviz nga mollëza, poshtë në faqe. Shpejt qetësohet, pasi e ka një aleat, një ndihmës që punon për të vetëm për bukën e gojës. Ai është një traktor i ri, i fuqishëm me 55 kuaj fuqi, me agregate të tjera si pompë spërkatëse, frezë, korrëse jonxhe, plug, karrocë.Atë e ka fituar para katër vitesh, falë një aplikimi te programi “ Sared”. Falenderimet e tij shkojnë për drejtuesit e programit në qendër, por dhe për kordinatorin e projektit, Dali Horeshkën, mikun tonë të palodhur, që aplikimet e fermerëve i materializoi në mjete dhe vlera reale për përfituesit.
Shefiku ka dhe shumë përvoja të tjera në jetën e tij. Para pesë vitesh mbolli tre dynymë me sherebelë, në kuadrin e skemave të subvencionit. E trumbetuar si shpëtim për fermerët e Dibrës, shumë prej tyre vunë në dispozicion të kësaj kulture tokën, fuqinë fizike, mjetet mekanike dhe disa kursime familjare. Në vitin e dytë e gjithë skema u trondit e u thërmua, për tu harruar njëherë e mirë, duke ripluguar plantacionet e mbjella me aq mund, pasi çmimi i grumbullimit ra në mënyrë të befasishme. Një eksperiencë tjetër disi të hidhur e pati Shefiku me mëllagën e bardhë. Në fakt, dështimi nuk ishte tek fermerët, pasi ata i bënë më së miri detyrat që u takonin. Dështimi ishte tek ata që u sugjeruan të mbillnin bimë të tilla mjekësore, pa pasur asnjë lloj garancie për tregjet brenda dhe jashtë vendit. Nuk di pse, me historitë e pëvojat e shumta, Shefiku më ngjante me një gladiator, që dhe pse merr shumë plagë, i suporton, nuk bie, por qëndron i paepur në përmbushje të misionit të tij.
Lidhjet me eksperimentimin dhe kërkimin shkencor, Shefik Fisniku i ka akoma më të hershme. Prej më se 12 vjetësh ai bashkpunon me Entin shtetror të farnave dhe fidaneve, duke qenë vërtet një model në punën e bërë dhe duke pasur vlerësimet e tyre maksimale. Gjatë gjithë kësaj kohe ai provon në tokën e tij kultivarët më cilësorë të vendit dhe të huaj për misrin, grurin dhe pataten. Për tu bindur akoma më shumë, zbritëm poshtë tek eksperimenti i patates. Vërtet nuk kishte koment për pamjen që na u shpalos para syve tanë. Nëntë eksperimente ishin ngritur, 40 metër katror secili, nga një për çdo kultivar patatje. E gjitha kjo funksiononte mbi bazën e kodeve, pa e bërë prezente emrin e llojit që përfaqësonte. Asnjë fije bari, asnjë bubrec, apo dëmtues tjetër nuk mund të gjendej aty. Kërcejtë e shumtë të patates ishin veshur e mbushur me dheun pjellor. Është pak të thuash që Shefiku vinte çdo ditë aty, kishte raste dhe dy tre herë. Në një libër të veçantë, ai mban të gjitha shënimet e duhura, të cilat i paraqet në fund tek eprorët. Kur ka qenë data e mbjelljes, fillimi dhe mbarimi i mbirjes, fillimi dhe mbarimi i lulëzimit, ngjyra e lules, gjatësia e kërcejve dhe numri i tyre? Në fund shënohet koha e pjekjes për secilin kultivar, numri i ditëve, sasia e prodhimit dhe cilësia e tij. Prodhimi ndahet në tre kategori, për konsum, për farë dhe më të voglat fare, për blektori. Rendimenti ka qenë shpesh mbi 60 kunjtalë për dynymë. Të gjithë kultivarët kanë qenë shumë të mirë, por Shefiku do të veçonte llojin “Fabula”, “Konsull” dhe “Madalena”.
Aty ngjitur me eksperimentin e patates dukej një pemë e madhe mollë, që fermeri na thotë se është mbi 200 vjeçare. Është kultivar autokton tipik “ Trena”, që mban dhe emrin e fshatitë. Falë cilësive organo leptike të mrekullueshme dhe rezistencës ndaj sëmundjeve, është bërë e mundur që ky lloj molle të kalojë në filtrin e shekujve dhe të mbijetojë.
Ora po i afrohet njëshit. Shefiku, agjërues i muajit të Ramazanit, merr abdes dhe thirr ezanin në xhaminë e fshatit, që ngrihet bukur mbi kodër. Zëri i tij që fton njerëzit në namaz, thyhet nëpër lugina e kodrinat e luginat e shumta. Sa më shumë që afrohet me Zotin e Gjithësisë, aq më shumë e ndjen veten të fortë e të freskët, për të kryer punët e shumta që ka çdo ditë.