Çukitje kujtimesh në petale jetësh që prej gjysëm shekulli


PROVIMI QE I MBUSHI GJYSEM SHEKULLI

Foto nxanës e mësues të klasës së tetë, Shkolla tetë vjeçare ‘’Nexhat Agolli, , Fushë Muhur, para provimit të matematikës me 14.06.1972. Emrat nga e majta në të djathtë nga rrjeshti i parë ulur:
Sefedin Xharri, Mësues Matematike, Besnik Kabej, Mësuse Fizike; Maliq Hasi N/ drejtor shkolle; Mudë Lala, Mësues në klasën e IV; Bashkim Shehu (Kazideda), Mësues Letërsie; Vebi Rakip Xhani nxanës: Hamije Faik Lleshi; Isamail Qerim Hoxha; Alltane Halit LLeshi; Setki Zenel Dabiçi; Hajrie Mud Kaleshi, Xhelal Hasan Pira;Flora Nazif Sina; Zaim Hamit Rina; Shyqyrie Shaqir Xhani; Bashkim Ismail Zoku; Hanife Arif Laci; Rasim Destan Krrashi; Basri Tufik Farruku; Halim Hamdi Dabiçi; Skënder Sefer Kaleshi; Dine Rufat Sina; Flutur Mud Lala; Besa Trepça Hoxha, Mësuese; Fetie Musa Voka; Gezim Hamit Sina, Elez Balliu, Mësues Biologjie; Gëzim Haxhi Çiku, Nxënës, ; Selim Hidër Rama; Ilmi Daut Kaleshi; Fisnik Shaban Meziu; Selman Tahir Mëziu; Sahit Sefer Rama; Kujtim Selman Xhani; Skënder Zenel Leka; Beqir Hysni Mikli; Barie Mane Prençi; Sulltan Bajram Prençi; Lirie Halit Mikli; Ramie Selim Prençi; Nazmie Xhemal Mikli; Drita Ahmet Lala; Ramazan Abaz Xhani; Munir Idris Sina; Ismet Islam Faruku; Hysni Destan Krrashi.

Kujtimet janë ujëra të pastra që rrjedhin nën mbulesën e gjetheve të vjeshtës. Edhe këto janë shumëngjyrëshe, formash e të përqafuara njëra me tjetrën. Secila prej tyre vjen nga një nanë që quhesh shkurre dru, bimë barishtore. Ato flenë të qeta, meqenënse ujin e kanë vumun për poshtë. Ai veç i freskon dhe i përkëdhel duke kompozuar muzikën e vjeshtës. Shirat dhe stina e dimrit nuk kanë ardhur.
Secili prej nesh e kujton atë qershor. Provimet e klasës së tetë gjysëm shekulli më parë. Aritmetika, gjeometria, shpjeguar me plot art e pasion nga mësuesi Sefedin Xharri. Ne vogëlushët ulur në bangat prej dërrase të lyer me bojë të zezë, vështronim fytyrëndrojtur mësuesin. Ai zgjidhte sisteme, ekuacione në dërrasën që mbushej plotë shifra e shkronja. Gishtërinjtë e mësues Sefedinit bardhësonin nga pluhuri i tyre, si të një mullinxhiu. Ai luante teatrin e mësonjëtorit. Fliste, shkruante, vështronte nga ne e lëvizte nga njëra në anën tjetër të dërrasës së zezë. Ishte kompesatë, rrethuar me një kornizë druri e gjitha lyer me bojën e zezë. Aty ne ngulnim shikimin e përqendronim vëmendjen. Si sot më 14 qershor i vitit 1972, nuk më kujtohet se kujt i lindi ideja për të bërë një fotografi. Ishte një gjë shumë e rrallë, kjo, këtu e pesëdhjetë vjet të shkuara.
Ashtu të ndrojtur, fjalëpakë, plot emocione, u radhitëm sipas këshillës të mësueses Besa Trepça Hoxha. Një strukturë e kulturuar e kohës. Një kujtim që u fiksua në celuloid e pastaj në letër. Shëmbëlltyra e kohës. Vogëlushë të ndrojtur, por me vështrim të kthjelluar. Pse jo të dashuruar ëmbëlsisht pas dijes. Këmbëngulja, vullneti ynë, i ngjanin bletës punëtore që mbledh pjalmin lule më lule, për të ndërtuar hojet e mbush me mjaltë, për vete e kujdestarët njerëz.
Me ato çantat prej bezeje krahaqafë, aty këtu me njolla bojë shkrimi mbushur me libra, me laps të zi, bishtin e penës me majën e saj të lugtë, me boshllëkun në mes në formë maje shigjete luftarake. Mblidheshim si ujët e një përroi malor nga shumë burime: nga Lagjia Zoke në Sinë të Poshtme, nga Shehri i Vajmdheve, nga fshati buzë drinas Rrethi i Kale, nga Stremi i Hoxhe, nga lagjia Leke e Kodra e Mëzeze, nga lagjia Algjone e Lindërsat e Lace… Në agimet qiell kthjellta ose me pak shtëllunga resh, lëviznim rreth fushës së sportit, duke thënë mësimin e ditës të, historisë, gjeografisë, biologjisë etj, me Zaimin, Vebiun, Gëzimin, Munirin, Setkiun etj. Uleshim në banga me pak frikë të brendshme, që rrinte strukur brenda qenieve tona. Por nuk të falnin në matematikë Muniri, Skënderi, Fetija, Vebiu, shkumësi në mes gishtërinjve të hollë shkruante në dërrasën e zezë pa u ndaluar. Zëri i Zaimit në histori, gjeografi kryqëzohesh hera herës, me atë të Dritës, Fluturës, Liries e Alltanes për ngjarje data, krahina, kryeqytete të ndryshme.
Sapo filluam të mësojmë shkronjat e para në ditët e para të shtatorit 1964 u rreshtuam me kova e ibrinxhe. Dora-dorës duke i mbushur nga ujë kthjellti Dri për të ujitur arrat, mollat, kumbullat e sapombjella shpateve të kodrës së Gjarecës. Ato po hidhnin shtatin e tyre në brezaret e kësaj kodre mbushur me historira luftrash. Ne po hidhnim hapat e para në udhët e dijes. Ne rriteshim me pemët frutore, me qingjat e dhistë. Gjithçka po transformohej si një spirale, peizazhi natyror dhe ai shpirtëror. Ndërsa brezaret e dijes po i formonin me mësuesit tonë. Ndërsa ato në shpate kodrash, agronomi arkitekt i peizazheve Xhavit Hysa me Abdurahim Ashikun që i ka skalitur në foto e rreshta shkrimesh gazetash e librash.
Kurorat plepave na kanë future nën krahët e tyre, plotë gjethe gjelbërta. Trungjet e tyre lyer me gëlqere ruajnë dhe ushqejnë masën e blertë duke na dhuruar freskinë e hijen e shumë dëshirueshme. Secili shikon fotografuesin me mënyrën e vet. Sefedini buzëqesh, ku flokët e zes fshehin paksa ballin, këmisha borë e bardhë i ndriçon fytyrën. Krahun të shtrirë e ka vendosur mbi kamën e djathtë, duke e shtrënguar. Më pas u pasionua pas historisë, por edhe një veprimtar i shquar. Biologjia u bë materia më e dashur, duke mëkuar breza të tanë nxënësish.
Mësuesi i Fizikës, nga fisi Këbej ka kryqëzuar duart. Me shikimin zhbirues djaloshar. Me karrierë të merituar në fushën e arsimit. I përkushtuar fort pas historisë kastriotiane. Krijues i librit historik: ‘’Origjina Dibrane e Skënderbeut, , dhe i Muzeut të Heroit Kombëtar në Sinë të Poshtme. Besniku që shkruan dhe mbron tezën, që Kastriotët kanë rrënjë të thella në Dibrën e Poshtme si dhe zhvillimi i betejës së Torviollit.
Nëndrejtori i shkollës, mësues Maliq Hasi, (09.04.1942- 31.08.2020). Nga fshati Kandërr vinte në kambë për të mëkuar me dije e kulturë fëmijët në shkollën fillore Reth Kale nga 01.02.1969 deri më 16.02.1971. Pastaj mësuesi i urtë e plotë kulturë Maliqi, transferohet si mësues e nëndrejtor në shkollën 8 vjeçare në Muhur nga 16.02.1971 deri më 29.08.1977.
Mësuesi Mudë Lala, në klasën e tretë dhe të katërt fillore, na mëkoi me dashurinë për të mësuar, na dha edukatën e duhur e kërkues e metodist në disiplinat që na mësonte. Peshkatar me rrjetën e tij me zara plumbi, gjuante peshk trofta në lumenjtë Murrë e Drin. Rosat e tija me fletë e pupla bardhë e zi, gjallëronin e zbukuronin ujërat gurgulluese të Murrës. Mbështetur në krahun e djathtë të tij, gjimnazisti, mësuesi ynë i gjuhës e letërsisë në klasën shtatë dhe të tetë Bashkim Shehu (Gazidede) (02.02.1952-25.10 2008). Djalosh energjik, simpatik, mjaft i amël në biseda. Vazhdoi studimet për matematik në Institutin Pedagogjik Shkodër. Transferohet pedagog matematike në Universitetin e Tiranës. Merret me politik, arrin të bëhet deputet dhe të kryejë detyrën e kryetarit të SHIK-ut. Ndërron jetë në një spital të Turqisë.
Në mes dy nxënësve me emrat Gëzim, në këmbë, mësuesi i biologjisë dhe kujdestar Elez Balliu (06.06.1926-04.02.2009). Urtësia e tij ishte pjalmuar në veprimet e reagimet në çdo situatë. Njihte dhe e shpjegonte lëndën mjaft mirë, po kështu lexonte gjendjen shpirtërore e përgatitjen e mësimeve të nxënësve çdo ditë e në çdo rrethanë me shikimin e tij zhbirues e serioz. Nga partizan në luftën nacionalçlirimtare, në komisar të dritës së dijeve.
Kërkoi të dijë në petalet e jetës të bashkëmoshatarëve të mi ngjarje, data me plotë mbresa. Secili ka përshkuar dallgëzime të shkumëzuara në detin me batica e zbatica të jetës. Ndokush ka udhëtuar në hullitë e tokave duke hedhur farën e grurit, misrit fasules. Të tjerë kanë thithur dijet në bangat e shkollave të mesme. Gjeografia e të cilave është nga Lezha, në Durrës, Tiranë, Shkodër etj. Të tjerë kanë udhëtuar në kam rreth pesë orë çdo ditë, shkuarje e ardhje Muhurr–Peshkopi, për t’u shkolluar në gjimnaz. Edhe pse shiu, yllëzat borëbardha ju binte mbi supet e flokët e shpupurisura apo në faqet e bardha lëkurëbardha, delikate. Ato ecnin, zgjatnin hapin në udhët e natyrës e të dijes. Ato ishin prej mishi e kockash, me mushkëri e zemra, por veçse brenda tyre mbartnin dashurinë për dijen, vullnetin, pasionin e besën prindërve e vetë vetes për të realizuar qëllimin: me u ulur në auditoret universitare. Disa e realizuan ballëlart, krenar duke i zbardhur faqen vetes, familjes, tokës e peizazheve muhurake, si Skënderi, Vebiu, Fitia, Muniri, Zamiri, Selmani.
Në pentagramën e jetës së tyre, bashkëmoshatarët e mi krijuan familjet. Celulën më me vlera në trashëgimin njerëzore. Lindën e rritën fëmijë. Ato u mëkuan si baballarët e nanat e tyre me dije e kulturë. U ngjitën hijshëm e kokëlartë në banga shkollash e auditore universitetesh. Moshatarët e mi tani me flokët e thinjura ose tullacë, me fytyrën e ballin me rrudha, janë bërë edhe gjysha. Por një plagë e re, e thellë, mbushur me dhimbje therëse, ju hap brezit tonë. Kurbeti, syrgjynosja, si murtajë e zezë përlau disa nga neve dhe fëmijët e gjithë secilit. Lotët dhe malli thuhet se shpon gurin. Ndërsa bashkëmoshatarëve të mi po ju tret e ziton shpirtin, jetën, po i thanë si lisa. Ishte kjo fatkeqësia minashpërthyese e shkatërrimit ekonomik, njerëzor, moral dhe breznish të tëra, të errësuar nga padija e të torturuar nga kriminelët e kohës në pushtet.
Nuk gëzohen e lumturohen së bashku me ne në këtë pesëdhjetë vjetor mësues Elezi, Muda, Maliqi, Bashkimi dhe ish nxënësit, Rasimi, Gëzim Çiku dhe Bashkimi. Por ata janë kështu të qeshur, të gëzuar, fytyra e ballëndritur midis nesh, në zemrat e kujtimet tona të pafikshme.
Ne kujtojmë të kaluarën për të shëruar të tashmen. Vështrojmë mbrapa për të mbajtur moralin lart, gëzohemi me pak gjëra se e ardhmja e jonë dhe e fëmijëve e bashkëudhëtarëve të jetës do t’iu ndizen drita jeshile fatmira.
Bashkëmoshatari Selman Meziu
Firence 14.06. 2022