Rrugëtim ndër vite me “Sarinën”


Shkolla jopublike “Sarina 2002” feston 20 vjetorin

Nga Shaqir Skarra

Sivjet jo vetëm nxënësit e shkollës jopublike “Sarina”, jo vetëm kolektivi i mësuesve, por edhe vetë prindërit gëzuan së bashku. Dhe tre gëzime në një ditë. Mbyllja e vitit shkollor, mbyllja e maturës me rezultate të mira dhe festa e 20 vjetorit të shkollës jopublike “Sarina”. Njëzet vjet arsim dhe nga viti në vit duke u radhitur si një ndër shkollat më të mira në shkallë vendi.
Sot në këtë ditë të bukur feste, jo vetëm oborri i shkollës ishte mbushur plot, por edhe rrugët e lokalet aty pranë kishin njerëz më shumë se çdo ditë tjetër. E gjithë lagjja ku ndodhet godina e shkollës “Sarina” ishte në festë. Ngjyrat e saj ndjeheshin kudo. Kudo makina, lëvizje njerëzish, nxënës të buzëqeshur dhe veshur si për festë.
Ndryshe nga vitet e tjera kur shkolla “Sarina” kishte festuar e bërë aktivitete të mëdha festive, që zakonisht ishte mëngjesi ai që i bënte bashkë në oborrin e shkollës, sivjet vetë administratori i shkollës Liman Hoxha, bashkë me drejtorin Halil Begu, kishin vendosur që festën ta zhvillonin në orët e vona të pasdites. E pikërisht kur ora shënonte 18.00, Limani së bashku me Halilin prisnin në oborrin e shkollës të ftuarit. Rreshti i të ardhurve ishte i gjatë, ashtu siç ishte i gjatë edhe rrugëtimi i shkollës “Sarina”. Oborri i shkollës u mbush plot për plot, me të njohur dhe të panjohur. Kishte mysafirë të përhershëm të shkollës, kishte dhe banorë të lagjes, por kishte dhe të tjerë që futeshin për herë të parë në oborrin e shkollës “Sarina”.
Kjo mbrëmje e bukur dhe e freskët qershori ishte ditëlindja e shkollës “Sarina”. Njëzet vjet, nuk i thonë pak, një rrugëtim shumë i gjatë, me peripeci, vështirësi, mund e sakrifica, por nga viti në vit me suksese të mëdha. Dhe këtë udhëtim të bukur ndër vite më mirë se kushdo na e tregonte një monitor i përmasave të mëdha, vendosur në fasadën kryesore të shkollës. Një dokumentar i përgatitur me profesionalizëm gazetaresk, jo pak por 26 minuta, gozhdoi të pranishmit me vështrim në monitor.
Moderatori i njohur Defrim Methasani kujdesej për gjithçka, edhe për detajet më të vogla dhe tek hidhte herë-herë vështrimin nga të pranishmit, sytë nuk e gënjejnë për të gjithë të ftuarit, duke i njohur të gjithë edhe më parë. Në radhë të parë dukej zëvendësministri i Arsimit zoti Endrit Hoxha, deputeti i Kuvendit Popullor Denis Delia, përgjegjësi i zyrës arsimore Tiranë zoti Sulejman Keta, prof.dr.Ethem Ruka, rektor i Universitetit jopublik “Luarasi”, Admir Belisha – zëvëndësdekan i Fakultetit Juridik në Universitetin “Luarasi” e plot të tjerë.
Kishin ardhur edhe dy nënkryetarët e shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë ing. Shaban Bitri e Musa Riçku.
Por në këtë mbrëmje festive të shkollës “Sarina” këtë radhë Defrimi nuk ishte i vetmi moderator. Bashkë me të moderatore ishte edhe ish nxënësja e kësaj shkolle Adela Hila, aktualisht studente në degën e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.
Ora shënon 18.00 pasdite dhe oborri i shkollës ishte mbushur plot si rrallëherë tjetër. Kishin ardhur edhe mjaft ish mësues të kësaj shkolle, por që sot janë në pension, ish nxënës të shkollës “Sarina”, që sot punojnë në institucione të ndryshme sipas profesioneve. Shkolla sot kishte kaq shumë mysafirë të moshave të ndryshme, që nga fëmijët e deri tek pleqtë flokëbardhë, ashtu siç u shpreh dhe moderatori Defrim Methasani: “Një dasëm e madhe, por me krushq të zgjedhur”.
Uniforma e maturantëve, por dhe veshjet e nxënësve të tjerë si për festë krijonin një ansambël të tërë ngjyrash. Nuk mungonin as kostumet kombëtare, ku djem dhe vajza të veshura me to, hapën festën nën ritmin e një valleje të bukur popullore.
Jo vetëm fasada e shkollës, por edhe mjediset jashtë ishin zbukuruar vërtet bukur, me flamuj, banderola të ndryshme, me karrige të shumta, ku ishin ulur nxënësit e të ftuarit. Pikërisht këtu zhvillohej dhe aktiviteti i 20 -vjetorit të shkollës “Sarina”.

20 vjet më parë…

Atëherë Liman Hoxha sapo ishte kthyer nga emigracioni i gjatë. Kishte punuar shumë, kishte fituar dhe mendonte të investonte tashmë në vendin e tij. Mendonte si fillim të investonte në tregti, por shpejt ndryshoi mendim. Si fillim hapi një kopësht për fëmijë, me qëllim më së shumti që t’ju vinte në ndihmë sadopak komunitetit, të cilët gjatë ditës ishin të angazhuar në punë dhe nuk kishin se ku do të linin fëmijët e vegjël.
Kopshti u hap në vitin 2001 dhe kishte vetëm një klasë me 54 fëmijë. Edukatore e parë erdhi Brikena Hoxha. Vetë Limani kishte ambicie për më shumë dhe si rrjedhim në qershor të vitit 2002, krahas kopshtit, hapi shkollën jopublike “Sarina 2002” me 53 nxënës, cikli i ulët. Drejtor i parë ishte Rudina Maksuti. Mësues: Brikena Hoxha, Floresha Merko, Mentor Hoxha, Rudina Maksuti, Sherife Guri. Tashmë shkolla “Sarina 2002” sapo kishte nisur rrugëtimin e gjatë në udhën e dijes dhe nuk kishte forcë që e kthente prapa në udhën e saponisur.
Duke parë kërkesat e shumta që kishin prindërit për të regjistruar fëmijët e tyre në këtë shkollë, administratori Liman Hoxha mendoi të zgjerohej, të ndërtonte godinën e re dhe nga cikli i ulët të kalonte edhe në ciklin nëntëvjeçar dhe gjimnaz.
Ishte pikërisht viti 2005 kur shkolla jopublike “Sarina” hapi dyert edhe për maturantët që kishin mbaruar ciklin nëntëvjeçar e tani nuk ishte nevoja të largoheshin larg për t’u regjistruar në gjimnaze të ndryshme të Tiranës. Liman Hoxha po u sillte gjimnazin në komunitet. Në kohën kur sapo u hap gjimnazi, drejtor erdhi Besim Toçi, një kuadër me përvojë të gjatë në gjimnazin e qytetit të Peshkopisë, i cili me dijet e tij, me menaxhimin dhe kërkesat e larta karshi kolektivit të mësuesve ndikoi pozitivisht në rritjen cilësore të gjimnazit “Sarina”, duke u bërë i njohur tashmë edhe jashtë komunitetit. Kështu iu kërkua administratorit Liman Hoxha që duhej ndërtuar një godinë e re, e madhe e me shumë klasa. Duhej shtuar numri i arsimtarëve të kualifikuar sipas lëndëve dhe pastaj nga viti në vit numri i nxënësve që filluan të regjistrohen në shkollën “Sarina” e kaloi numrin e parashikuar dhe gjeografinë. Kishte nxënës që vinin nga zona të ndryshme si Kamza, Kashari, Kinostudio, Lapraka, Kombinati. Pra, shkolla “Sarina” filloi të rritej nga viti në vit.
Në shkollën “Sarina” kanë shërbyer me devotshmëri si drejtues: Rudina Maksuti, Besim Toçi, Qazim Karaj dhe ai që po na pret në këtë 20 vjetor, Halil Begu. Sot në shkollën “Sarina” është një kolektiv me mësues të kualifikuar sipas lëndëve përkatëse me 60 mësues e 30 staf tjetër ndihmës. Për vetë prindërit që besojnë fëmijët e tyre në shkollën “Sarina” e dinë fare mirë se jo vetëm niveli i lartë i mësimdhënies, por edhe siguria e nxënësve në këtë shkollë është e madhe, pasi transporti i nxënësve bëhet me mikrobuz nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas, ushqimi cilësor dhe i kontrolluar si dhe studim.
Moderatori Defrim Methasani, duke dalë jashtë skenarit, e nisi krejt ndryshe aktivitetin duke u shprehur: “Liman Hoxha është njeriu që guxoi 20 vjet më parë, duke hapur një kopësht privat dhe sot pas dy dekadash ndihet i lumtur dhe krenar që feston 20 vjetorin e shkollës së tij “Sarina 2002”. Në respekt të vlerave profesionale të stafit pedagogjik të shkollës, vite më parë besova dy nga tre vajzat e mia të studiojnë këti dhe ia dolën me sukses. Tashmë po me kënaqësi dhe krenari e them që moderova këtë event, sepse detyrimi ndaj administratorit Liman Hoxha, drejtorit Halil Begu, ish mësuesve dhe atyre që japin mësim sot është i ligjshëm, por edhe shërbimi profesional ndaj tyre është i merituar. Urime dhe 100 vite Sarinës!”.

Matura e 13-të.

Sivjet sapo ka përfunduar matura e 13-të në këtë shkollë, të cilët të gjithë me uniformën e maturës janë rreshtuar në rrershtin e parë dhe kanë të drejtë të gëzojnë, pasi sivjet dhe përqindja ka qenë më e lartë.
Nxënësit e shkollës “Sarina” nuk i pengoi as pandemia që të mos mësonin e mos të merrnin rezultate të larta në provimet e maturës. Sivjet është matura e 13-të, nuk i thonë pak 13 matura që kanë dalë nga shkolla jopublike “Sarina” dhe nga viti në vit rezultatet kanë qenë të larta, maturantët e kësaj shkolle kanë shkëlqyer edhe në universitete të ndryshme që kanë vazhduar.
Nga matura sivjet kishte edhe nxënës ekselencë, të cilët u vlerësuan me certifikata nga shkolla si: Anxhela Çejku, Armand Çera, Samel Hoxha, Lindion Haka, Ergita Hoxha, Andiela Darsi, Henri Teme, Antja Topalli, Ersilda Kobeta, Fjona Hoxha, Helga Mali, Marsida Kadiu, Rea Hida, Sindi Jaku, Xhesika Ibrahimi, Arbjola Demirxhiu, Daniela Gjidiaj, Emi Molishti, Arinda Mërkuri, Sabina Shira, Zemrite Ahmati, Rejsi Morina, Adelina Laçi.
Certifikata mirënjohje morën edhe mësuesit e ish mësuesit e shkollës: Shazivar Koka, Qazim Karaj, Klotilda Jaupi, Zabit Lleshi, Myrvete Thimio, Fatos Kodra, Irena Andoni, Tatjana Myftaraj, Brikena Hoxha, Viktor Gjini, Arta Kaca, Emine Zaimi, Nafiz Topi, Zarina Qyqja, Edmonda Çeço, Floresha Merko, Oliverta Kishta, Imelda Bregasi, Elsuida Mëcuku, Elona Leka.
Nga shkolla “Sarina” që morën dijet e para sot numërohen me qindra e qindra kuadro e intelektualë që drejtojnë e menaxhojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë, por mund të përmendim: Gëzim Musha, ing elektronik, që aktualisht është me punë në Gjermani, Ekzon Çakri, mjek në Gjermani, Kledia Hoxha, ekonomi-bankë, në Gjermani, Sara Hoxha, ing, arkitekte Amerikë, Gjulja Gjoka, pedagoge Kanada, Seit Sorra -Informatikë në Kanada, Renata Picari – Ekonomi në Turqi, Indrit Koni, ing/ në Ministrinë e Transporteve, Jani Begu – mjek etj. Sinqerisht kërkojmë ndjesë që nuk mundëm që nëpërmjet këtij shkrimi t’i përmendnim të gjithë që dolën intelektualë, kuadro të kompletuar nga bankat e shkollës jopublike “Sarina”.
Në shkollën “Sarina”, në 20 vite kanë mbaruar mbi njëmijë maturantë gjimnazistë, mbi dymijë e pesëqind të ciklit nëntëvjeçar dhe aktualisht mësojnë në shkollë 800 nxënës.
Limani, si administratori i vetëm i shkollës, si i zoti i shtëpisë në këtë ditë feste flet pak për vete, më shumë flet për shokët me të cilët ka punuar njëzet vite me radhë: “Institucioni arsimor “Sarina” që në fillesat e saj kishte si vizion krijimin e shkollës model, në përvetësimin e programit dhe zhvillimin e dijeve të qëndrueshme përmes mësimdhënies dhe mësimnxënies cilësore.
Ky vizion e shndërroi këtë institucion në vatër të kultivimit të vlerave më të mira, në edukimin dhe formimin profesional të nxënësve tanë për të ardhmen, zhvillimin e personalitetit të tyre, mendimit e veprimit të pavarur, kritik, tolerant si dhe nxitjen e tyre për rezultate të larta e reale dhe për pjesëmarrje aktive në jetën e shkollës. Duke ofruar këto shërbime, shkolla “Sarina” vetëm pas një viti trefishoi numrin e nxënësve, pas dhjetë vitesh e dhjetëfishoi dhe tani që ne flasim, shkollën tonë e frekuentojnë 800 nxënës, 90 punonjës.
Këtu gjej rastin që të falënderoj pa masë prindërit që na besuan gjënë më të shtrenjtë, fëmijët e tyre. Ky besim na bën më të obliguar dhe na ngarkon me përgjegjësi, që mos të zhgënjehen.
Unë isha optimist kur u nisa në udhën e arsimit njëzet vite më parë, por të them të drejtën nuk do besoja se “Sarina” do të rritej kështu, do vinim këtu ku jemi. E kjo meritë nuk më takon mua. Jo, unë vetëm nuk mund të bëja asgjë pa këtë kolektiv të mrekullueshëm e kualifikuar, ndaj sot më takon t’i falënderoj me radhë. Mes nesh në këtë ditë feste na mungojnë dy shokë, dy kolegë të mirë: Sonila Totraku, ish mësuesja e talentuar e letërsisë dhe mësuesi i matematikës Shkëlqim Salillari. Me të dy vdekja u tregua tinëzare dhe na i shkëputi herët nga kolektivi ynë.
Falënderoj mësuesin e palodhur Azem Teta, i cili i kudogjendur dhe i palodhur për aktivitet artistike e kulturore të shkollës, si dhe mësuesit Shazivar Koka, Miftar Veliu, Fadil Vuka, Shkëlqim Çollaku, Anila Hila e plot të tjerë. Sigurisht, për sa kemi arritur ne jemi krenarë, por na motivon dhe na bën më të përgjegjshëm që të punojmë më fort, të vlerësojmë arritjet, por të mendojmë edhe për të ardhmen”
Shkolla “Sarina është tashmë vërtet një institucion i kompletuar arsimor, ku përveç klasave me jo më shumë se 25 nxënës dhe ekipit të kualifikuar të mësuesve ka edhe kabinet fizike, kimie, biologjie, informatike, gjuhët e huaja etj. Shkolla ka një palestër model me të gjitha kushtet e nevojshme, ka fusha futbolli, volejbolli e basketbolli, salla për aktivitete, kuzhinë e mensë.. Ka një bibliotekë të pasur me letërsi artistike, por edhe studime pedagogjike e psikologjike që u nevojiten nxënësve.
Administratori i shkollës Liman Hoxha tregon vetë një kujdes të vazhdueshëm të bibliotekës, duke e pasuruar herë pas here me tituj të rinj librash.
Shkolla “Sarina” ka edhe gazetën e saj dhe revistën që botohen rregullisht dhe në faqet e tyre ka shumë krijimtari nga nxënësit e shkollës. Revista e shkollës u shpërnda po këtë ditë feste për të pranishmit. Është botuar edhe almanaku i shkollës me të gjitha krijimet e nxënësve. Në shkollën “Sarina” nuk mungon as muzeu i shkollës, i cili është mjaft i pasuruar për rrugëtimin e gjatë 20 vjeçar të shkollës, ku gjejmë nxënës të dalluar, mësues, por edhe drejtuesit e shkollës si dhe mjaft çmime e olimpiada që ka fituar shkolla në 20 vite rrugëtim në fushën e dijes.
Entuziazmi i drejtor Halilit

Edhe kur këtij aktiviteti të madh po i vinte fundi, domosdo që do të fliste edhe drejtori i shkollës Halil Begu, i cili në fakt kishte shumë për të thënë, pasi 20 vjetori i shkollës “Sarina” nuk kishte qenë kaq i lehtë në arritjet dhe rezultatet e mëdha. Domosdo që ishte dashur shumë punë, shumë sakrificë, shumë lodhje, por mbi të gjitha, të gjithë si kolektiv i mësimdhënies ishin të kënaqur.
Shkolla “Sarina” prej kaq vitesh konkurron me shkollat më të mira në qarkun e Tiranës, në shkolla publike dhe jo publike. Nga kjo shkollë kemi nxënës që në olimpiada të ndryshme kanë marrë çmime të para dhe të dyta.
Sot kjo shkollë ka konsoliduar jo vetëm arsimin nëntëvjeçar, por edhe arsimin e mesëm. Pranimi në shkollën “Sarina” bëhet mbi bazën e rezultateve që nxënësit kanë arritur në klasat pararendëse. Shikohet edhe sjellja dhe qëndrimi i nxënësit ndaj mësimit dhe vlerave njerëzore.
Drejtor Halili ndër të tjera në fjalën e tij u shpreh: “Ndjehem me fat dhe i privilegjuar që pikërisht sivjet ku shkolla “Sarina” feston ditëlindjen e saj të njëzet unë të jem drejtori i kësaj shkolle me emër të mirë në të gjithë qarkun e Tiranës.
Edhe pse në fakt arsimi jopublik është biznes, ky është biznes elitar dhe vetë administratori ka qenë tepër i kujdesshëm në këtë drejtim. Që këtu fillon disiplina e rregulli i madh. Mjafton të bëjmë një pasqyrë të nxënësve ndër vite dhe kuptohet vetvetiu jo vetëm disiplina e rregulli, por dhe niveli i mësimdhënies në këtë shkollë. Nëse në vitin 2002 -2003 shkolla nisi me 53 nxënës, në vitin mësimor 2003-2004, vetëm një vit më vonë, shkolla do kishte 155 nxënës, pra, trefishi i vitit të parë mësimor, kur dhe shkolla ishte hapur. E sot në këtë njëzet vjetor, shkolla jonë ka 800 nxënës. Kjo ka sjellë nevojën e shtimit të hapësirave dhe mjediseve për të cilat nuk është kursyer administratori Liman Hoxha.
Në shkollën tonë ka mjedise të bollshme, kabinete të pajisura, bibliotekë e kabinet të plotë informatike. Krahas gjuhës angleze dhe italiane në këtë shkollë mësohet edhe gjuha gjermane. Shkolla “Sarina” është një progres dijesh. Emri i “Sarinës” tashmë është bërë shumë i njohur, falë arritjeve nga viti në vit, falë punës së palodhur, falë bashkëpunimit të shkëlqyer, na mundëson që të realizojmë objektivat që kemi vendosur.
Në këto 20 vjet, që janë vite të mbushura plot arritje dhe cilësi, kanë përfunduar shkollën me dhjetëra e qindra nxënës të shkëlqyer, të cilët na kanë nderuar e vijojnë të na nderojnë në shkolla e vende pune cilësore brenda e jashtë vendit.
Frytet e kësaj pune të palodhur asnjëherë nuk na kanë munguar. Sa shumë punë është bërë dhe sa energji është derdhur që emri i shkollës të lartësohet mes shkollave më të mira të Tiranës. Jemi dalluar gjithmonë për cilësinë e mësimdhënies dhe veprimtarive shkencore e kulturore të organizuara në nivel shkolle, rajoni e më gjerë, kombëtar e ndërkombëtar. U bënë disa vite që rezultatet janë të qëndrueshme dhe në rritje. Vetëm këtë vit shkollor në olimpiada rajonale pesë nxënës nga shkolla jonë u shpallën fitues. Në arsimin e ulët u realizua kalueshmëria 100% dhe nota mesatare 9.1. Në arsimin e mesëm kalueshmëria 100% me notë mesatare 8.5. Në provimin kombëtar të klasave të pesta u realizua kalueshmëria 100% me notë mesatare 9. Në provimet e lirimit 70% e nxënësve morën notën 8, 9 e 10. Në provimet e maturës 60% morën notën 8, 9, 10. Kështu pra, arritjet e shkollës sonë kanë shumë për të dëshmuar e transmetuar në bashkinë e kryeqytetit, por mbi të gjitha, për potencialin e madh, pasi synimi i saj është të përgatisë qytetarët e denjë të së nesërmes”.
Kishte mbaruar fjalën drejtor Halili, kishin mbaruar përshëndetjet nga të gjithë e aktivitetit po i vinte fundi, por ende askush nuk lëvizte të largohej. Ora shënonte 22 kur të pranishmit filluan të dalin jashtë portës së shkollës. Limani kishte dalë jashtë duke i përcjellë të gjithë. Një shtrëngim duarsh dhe një urim i përbashkët: “Festofsh edhe 30 vjetorin, edhe 40 vjetorin, edhe 50 vjetorin, Liman Hoxha! Festofsh sa më shumë përvjetorë të shkollës “Sarina”.