Ndërtimi i HEC Skavica sjell dëme të pariparueshme për Dibrën dhe kombin


Me shfrytëzimin e parqe foto voltaike, burmin e erës për energji elektrike, si dhe derdhjen e përrenjve në Drinin e Zi për shtimin e energjisë elektrike, tejkalohet sasia e prodhimit të energjisë që do jepte HEC-i i Skavicës, do të plotësoheshin të gjitha kërkesat për energji në shkallë kombëtare dhe mund të dilnim edhe në eksport të energjisë në disa shtete të Ballkanit. Me këto masa do shpëtonte dhe Dibra nga përmbytja.

Lugina e Dibrës ndahet në dy pjesë, duke mbytur zonën me pjellore… Përmbytet zemra e Dibrës… Dëmi që i shkaktohet ekonomisë së vendit tonë është shumë më i madh se energjia elektrike që do prodhohej.. Rruga e Arbërit u ndërtua për zhvillimin ekonomik të krahinës së Dibrës dhe për vënien në lëvizje dhe rritjen, jo vetëm të pasurive nëntokësore, por edhe të prodhimeve të bollshme bujqësore e blegtorale të kësaj treve, të cilat tani, për një orë mund vijnë dhe plotësojnë nevojat e tregut të Tiranës dhe qyteteve të tjera. Me ndërtimin e rrugës të rinjtë që kanë emigruar kanë filluar të kthehen dhe të ndërtojnë shtëpi të reja.

Nga prof. dr. ing. Bashkim Lleshi

Ideja e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës është hedhur para viteve ’90, kur është studiuar e gjithë kaskada e lumit Drin nga hyrja në kufirin me Maqedoninë deri në derdhjen në detin Adriatik, me projektimin dhe ndërtimin e HEC-eve të Vaut të Dejës, Komanit, Fierzës e Bushatit. Në fund u la të ndërtohej HEC i Skavicës, jo vetëm si rregullator për të mbajtur gjatë gjithë vitit në punë hidrocentralet e mësipërm, por edhe për të prodhuar energji me pjesën e mbetur të ujit. Për ndërtimin e tij ka patur kundërshtime prandaj u la në fund, bile pavarësisht se kishte përfunduar studimi gjeologo-inxhinierik i vendit ku do ndërtohej diga në luginën e Skavicës nga ndërmarrja Gjeologji-Gjeodezi e Ministrisë së Ndërtimit, në fillim të viteve ’90 nuk filloi ndërtimi i HEC Skavicës, por filloi ndërtimi i HEC-eve të Bushatit afër Shkodrës dhe Banjës afër Gramshit në lumin e Devollit.
Në fund të viteve ‘80, pas përfundimit të ndërtimit të HEC-it të Komanit, në rast se qeveria e sistemit të kaluar do të fillonte ndërtimin i HEC-it të Skavicës, komuniteti dibran nuk mund t’a ndalonte, sepse toka ishte kthyer pronë e shtetit, ashtu siç nuk ndaloi HEC-in e Fierzës që përmbyti qytetin e vjetër të Kukësit dhe ndërtoi qytetin e ri. Ndërsa në kohën e sotme, duke menduar se nuk jemi në diktaturë, por në demokraci, ndërtimi i këtij HEC-i nuk mund të bëhet pa pëlqimin e komunitetit dibran, që jetojnë në ato troje dhe janë pronarë të tokave bujqësore, kullotave e pyjeve të asaj krahine. Në këto kushte të reja, për një investim strategjik, duhet bërë bilanci, se çfarë fitojmë dhe çfarë humbim si komb, në rast se vendoset kryerja e këtij investimi.

Nga qeveria është thënë se kryerja e këtij investimi strategjik ka këto avantazhe:
1. Gjysma e rezervave të ujit që do ketë kupa e rezervuarit të Skavicës do të shërbejë si rregullator për prodhimin e energjisë elektrike gjatë gjithë vitit në HEC-et e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës.
Problemi për të krijuar këtë rezervë uji për të punuar pa ndërprerje HEC-et poshtë Skavicës, është i zgjidhshëm teknikisht duke ndërtuar dy diga me lartësi më të vogël, njëra në grykën e Skavicës, ku studimi gjeologo-inxhinierik është i kryer, të lartë aq sa niveli i sipërm i kupës së rezervuarit të mos përmbytë pjesën e poshtme të Fushë-Alies dhe një digë tjetër mbi urën e telit të Katundit të Ri në grykën poshtë fshatrave Hotesh e Selane, ku nga ana gjeologo-inxhinierike mund të jetë vendi më i përshtatshëm për ndërtimin e një dige jo të lartë, me lartësi të kupës së rezervuarit deri në këmbët e Urës së re të Rrugës së Arbërit në fund të Gjoricës së poshtëme, që përmbyt vetëm pak toka në fund të fshatrave Hotesh e Selane, lagjen e Gradecit poshtë Dovolanit dhe shumë pak tokë në fundin e fshatrave Grazhdan e Kovashicë të Maqellarës në afërsi të luginës së Drinit, pa cënuar pjesën fundore të kalasë së Grazhdanit, e cila duhet ti nënshtrohet restaurimit si një ndër kalatë më të vjetra të vendit tonë. Me këto dy kupa rezervuarësh zgjidhet problemi i rezervës së ujit për HEC-et e mëposhtme dhe, në kohë të përshtatshme, po të përdoret uji me kujdes, mund edhe të përdoret edhe për të prodhuar një pjesë të energjisë elektrike.

2. Me pjesën tjetër të ujit do të prodhohet energji elektrike.
Një pjesë e energjisë elektrike do të prodhohet nga dy HEC-et e vegjël të propozuara më sipër, ndërsa pjesa tjetër e energjisë elektrike e cila mund të kalojë edhe sasinë e energjisë që do prodhonte HEC i madh i Skavicës, mund të përfitohet si më poshtë:
Së pari: Prodhimi i energjisë duke ndërtuar parqe foto voltaike në të gjithë territorin e Dibrës, duke përdorur një pjesë të tokave kodrinore me rendiment të ulët për ndërtimin e këtyre parqeve, të cilat janë me shumicë në të dy anët e brigjeve të lumit të Drinit të Zi dhe në krahina të tjera të Dibrës nga Klenja e Stebleva në jug deri në Kala të Dodës, Reç e Lurë në veri. Këtë nismë e ka filluar Bashkia e Bulqizës, e cila në shkurt të këtij viti (2024) ka dhënë leje për ndërtimin e dy parqeve fotovoltaike në fshatrat Okshatinë e Gjoricë, duke mos zënë tokë bujqësore me rendiment të lartë. Këtë shembull duhet ta vazhdojë edhe Bashkia e Dibrës, ku mundësitë për ndërtimin e parqeve fotovoltaike janë shumë më të mëdha.
Së dyti: Shfrytëzimi i erës për prodhimin e energjisë elektrike. Në se do të përdoreshin burimet e erës për prodhim të energjisë, mundësitë në zonën e Dibrës janë të pafundme. Lugina e bukur e Dibrës në të dy krahët e saj lindor e perëndimor rrethohet në lindje nga vargmalet e Kërçinit, Deshatit e Korabit dhe në perëndim nga masivët e Bulqizës dhe Lurës, me lugina, gryka e shpate të panumërta për vendosjen e impianteve të erës, si në zonën Fush Studën-Steblevë-Klenjë, Qaf Buall- Bulqizë-Zerqan, në luginën e Drinit nga Gjorica e Maqellara deri në Kala e Dodës, Reç e Dardhë, në shpatet e Deshatit e Korabit, në Prat-Selishtë-Qaf Murrë, Borije Lurë-Lurë-Lurë e Vjetër, në fushën e Krej Lurës, etj.
Së treti: Duhen studiuar të gjitha derdhjet e përrenjve e gjurrave që derdhen në të dy krahët e lumit të Drinit, të cilat mbajnë ujë gjatë gjithë vitit, ku ka mundësi të ndërtohen HEC-e të vegjël, duke mos prekur në verë sasinë e ujit për vaditjen e tokave bujqësore dhe zbatuar me rigorozitet kërkesat mjedisore dhe, jo të veprohet në shkatërrimin e luginave turistike, si në rastin e HEC-it në luginën e bukur të përroit të Setës. Për këto mund të studiohen Gjurrat e Mazhicës, Hoteshit e Muhurrit dhe pjesa e poshtme e Mollës së Lurës në krahun perëndimor dhe përrenjt e Llixhave, Bahutes, Gramës e Veleshicës në krahun lindor të luginës së Drinit të zi.
Me shfrytëzimin e këtyre tre mundësive për shtimin e energjisë elektrike, tejkalohet sasia e prodhimit të energjisë që do jepte HEC-i i Skavicës, do të plotësoheshin të gjitha kërkesat për energji në shkallë kombëtare dhe mund të dilnim edhe në eksport të energjisë në disa shtete të Ballkanit. Me këto masa do shpëtonte dhe Dibra nga përmbytja.

3. Ndërtimi i HEC-it të Skavicës do shpëtojë Shkodrën nga përmbytja
Koha ka treguar se Shkodrën nga përmbytja nuk e shpëton ndërtimi i HEC-it të Skavicës, por mirëmenaxhimi i ujit në liqenet e Vaut të Dejës, Komanit e Fierzës. Këtë fakt e dinë mirë shkodranët dhe gjithë shqiptarët. Edhe shkodranët, po t’i pyesësh sot a janë dakord të përmbytet e shuhet Dibra, nuk do të jenë dakord, sepse ato nuk mund të harrojnë varret e dibranëve të vrarë për të mbrojtur Shkodrën nga pushtuesit e huaj, ku shkruhet se: “Çidhën e Grykë e Vogël, janë vlla me Shkodër”. Por dibranët nuk kanë luftuar vetëm në Shkodër për mbrojtjen e trojeve shqiptare, por në të gjithë krahinat ku ka shqiptarë, nga Janina, Çamëria e Vlora deri Kosovë e Mal të Zi. Për këtë arsye edhe miku i Dibrës me origjinë nga Vlora me banim në Kaliforni prof. E.Ymeri shkruante: “Populli dibran, në qoftë se do të jetë i bashkuar, nuk do ta lejojë Skavicën. Unë shpresoj shumë te dibranët se ata janë pasardhës të trimit legjendar Elez Isufi, i cili, Drinin e Zi e pati mbushur me kufoma ushtarësh të vrarë serb, ç’ka Beogradi e kujton me tmerr edhe sot e kësaj dite.” (E.Ymeri 14 mars 2022”. Cituar nga A.Ashiku më 18 mars 2022).
Ndërsa intelektuali dibran prof. dr. Nazmi Koçi shkruan: “Sot nuk ka nevojë të luftojmë me pushkë, por të luftojmë deri në fund, me çdo mjet demokratik, papërgjegjshmërinë e mendjelehtësinë e atyre që na thonë merrni plaçkat e ikni, “se ne do shpëtojmë Shkodrën”. Të luftojmë se “na ka ardhë radha”, për të ardhmen e fëmijëve tonë” (Nazmi Koçi, mars 2022).

Dëmet që sjell për Dibrën dhe mbarë kombin ndërtimi i HEC Skavica:

1. Nga ana ekonomike, ndërtimi i HEC-it të Skavicës përmbyt fushën më pjellore të luginës së Dibrës, duke shpërngulur mbi 35 fshatra, me mbi 20 000 banorë, nga trojet e tyre shekullore. Lugina e Dibrës ndahet në dy pjesë, duke mbytur zonën me pjellore dhe duke ngelur vetëm fundet e shpateve malore në lindje e perëndim. Përmbytet zemra e Dibrës dhe ndahet në dy pjesë. Dëmi që i shkaktohet ekonomisë së vendit tonë është shumë më i madh se energjia elektrike që do prodhohej, e cila me rrugët që u treguan më sipër plotësohet e tejkalohet. Rruga e Arbërit u ndërtua për zhvillimin ekonomik të krahinës së Dibrës dhe për vënien në lëvizje dhe rritjen, jo vetëm të pasurive nëntokësore, por edhe të prodhimeve të bollshme bujqësore e blegtorale të kësaj treve, të cilat tani, për një orë mund vijnë dhe plotësojnë nevojat e tregut të Tiranës dhe qyteteve të tjera. Me ndërtimin e rrugës të rinjtë që kanë emigruar kanë filluar të kthehen dhe të ndërtojnë shtëpi të reja. Në gjithë luginën e Drinit tani nuk gjen parcela toke të papunuara duke filluar nga Gjorica e Shupenza deri në Katundin e Ri, Brezhdan, Muhur, Kastriot, Fush Alie deri në Zall Dardhë.
2. Ndërtimi i HEC-it të Skavicës me një digë të lartë varros historinë e lavdishme të kësaj krahine, brez pas brezi që në lashtësi. Dibranët, në shekuj, nuk kanë luftuar vetëm me turqit, por edhe me serbët, bullgarët, gjermanët, italianët etj. Në luginën e Dibrës vetëm gjatë kohës së Skënderbeut janë zhvilluar 19 beteja kundër pushtuesve osmanë. “Që në kohën e Skënderbeut më 1444 e deri në çlirimin nga pushtuesit nazifashistë më 1944 dibranëve u është imponuar një luftë në çdo 10 vite” (Moisi Murra 2018).
Dibra, nga Qafa e Buallit, në kufi me Matin e deri në Qaf Draj e Kala e Dodës, në kufi me Kukësin, është pëllëmbë e histori. Sapo të kalosh Qafën e Buallit të del përpara Vajkali, Gurët e Skënderbeut, Ura e Qytetit pranë qytetit të Valikardhës, të njohura për betejat e Skënderbeut kundër pushtuesve osmanë. Çdo toponim ka një histori më vete. Në vazhdim të dalin përpara e qytezat e hershme të Krajkës e Sofraçanit (I. Kaca 2003, A. Bunguri 2010), dhe më tutje të shfaqet lugina e bukur e Drinit të Zi, ku të del përpara Meja e Kalasë, përballë Gjoricës dhe ku është bërë Xhelisi i Gjoricës, Vau i Drinit, ku ra heroikisht patrioti e atdhetari Cen Leka, bashkë me të birin në luftë kundër Hajredin Pashës më 1844 dhe Guri i Shpuar afër Bllatës, ku krerët e Dibrës, me në krye Sali Marken, çarmatosën dhe përzunë nga Dibra Hysni Pashën më 1856 (Munir Shehu, 2010).
Po të vazhdosh udhëtimin poshtë Peshkopisë dhe të shkosh në Kastriot apo në Çidhën, në çdo vend, lagje përrua, zabel apo kodër ka një ngjarje historike. Shumë shtete të Europës, në kryeqytetet dhe qytetet e mëdha të tyre, kanë ngritur buste ose kanë emërtuar sheshe me emrin e heroit tonë legjendar, Skënderbeut, bile ka shtete pranë nesh që edhe përpiqen ta bëjnë të tyrin, ndërsa Dibra, vendlindja e Skënderbeut, përveç bustit të ngritur në vitin 2010, në qytetin e Peshkopisë, me nismën dhe kontributin e biznesmenit dibran Zaim Korsi, sot nuk ka as edhe muze, se edhe ai i ashtuquajturi muze i ngritur në Sinë para viteve nëntëdhjetë, vetëm një muze për Skënderbeun nuk mund të ishte (një ndërtesë e vogël një katëshe), dhe që u abandonua pas viteve nëntëdhjetë. (Bashkim Lleshi 2009,2023)
Në gazetën “Rruga e Arbërit” të muajit mars 2011, dr. Selman Mëziu, përshkruan deri në detaje toponimet e vjetra si: Ferra e Pashës, Përroi i Kastriotit, Bregu i Mullirit, Guri i Luftës, Mazreka, Troja, Kisha e Gjonit, Ara e Gjegjes, Ograja e Gjonit, Gjurët e Zes, Zabeli i Gjegjës, Zabeli i Kukës, Kulla e Gjonit, Hambarët e Skënderbeut, pranë Arës së Trojës etj., ndodhet një kompleks muzeal natyral i “varrosur” që duhet “zhvarrosur” dhe aty ku ka qenë Kisha e Gjonit, të ndërtohet një Kishë muze, dhe tek vendi ku janë shenjat e murit të trashë me gurë të mëdhenj të Kullës së Gjonit, të ndërtohet një kullë me gurë të gdhendur të paktën dy katëshe dhe kjo të shërbejë si Kulla muze e Kastriotëve (Selman Mëziu, 2011).
Le të shërbejnë përpjekjet e mërgimtarit dibran I. E. Ndreu (nipit të luftëtarit të madh, gjeneralit të pamposhtur popullor, heroit, E.Isufi) me shokë, për ti vënë emrin e Skënderbeut një sheshi në Paris, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij, të cilën e realizuan para 31 vjetësh, shkruara në artikullin “Takim me Isa Elez Ndreun” (K.Zharkalli 2011), thirrja e dr.S.Mëziut “Të gjallët grishin gërmadhat” (Selman Mëziu, mars 2011) dhe dy përmendoret e dy ngjarjeve historike në Macukull të Matit, si një mesazh që na bëhet gjithë intelektualëve dibranë, për ti “zhvarrosur gërmadhat”, për të mbështetur përpjekjet këmbëngulëse të intelektualit A.Ashiku (“Po Dibrës!, Jo Skavicës!”, 2009-2010), historianit e gjuhëtarit A.Hoxha me “Shoqatën për mbrojtjen e pellgut të Drinit të Zi”, për të mos e varrosur më tej historinë e Dibrës (Bashkim Lleshi, 2011,2023).
3. Ndërtimi i HEC-it të Skavicës varros burimet e pasura arkeologjike të kësaj treve, të cilat vetëm sa janë gërvishtur. Arkeologu i shquar dibran Akademik Adem Bunguri në veprën e tij “Prehistoria e Dibrës”, na jep një pasqyrë të qartë për burimet arkeologjike të varrosura të kësaj lugine, të cilat vetëm sa janë gërvishtur. Ai përshkruan vendbanimet e hershme të Burimit, Topojanit, Pesjakës, Cetushit etj. (Adem Bunguri 2010).
Rruga automobilistike për në Peshkopi kalon mbi themelet e Kalasë së Grazhdanit, një nga më të mëdhatë e vendit tonë, e pa zbuluar plotësisht për shkak të punimeve të pakta të kryera deri tani, por askund nuk gjejmë të shkruar asnjë rresht, as për kalanë dhe as për qytetin e hershëm të Grazhdanit. Me pak punime që janë kryer vitet e fundit kufijtë e saj janë zgjeruar poshtë duke iu afruar lumit të Drinit.
Në mars të vitit 2013, B. Lleshi boton artikullin “Fisi i Gropajve të Dibrës së Epërme mund t’a ketë origjinën nga “Gropa” e Zogje në Grykë të Vogël” mbështetur në toponimet e gjetura në këtë zonë (Bashkim Lleshi 2013, 2023), ndërsa në prill të vitit 2021 prof.dr. A. Bunguri botoi artikullin “Stema e Gropajve në Maqellarë të Dibrës së Epërme” ku njofton se: “gjatë punimeve bujqësore në vitin 1970 në vendin e quajtur “Ara e Kazanit” në zonën e Maqellarës u gjet stema e gurtë e kësaj familje të fuqishme feudale” (Adem Bunguri 2021).
Në vitin 2023 u dha njoftimi i zbulimit të vendbanimit më të hershëm, disa mijëra vjeçar të Linit, në breg të liqenit të Ohrit nga buron lumi i Drinit të Zi që përshkon Dibrën nga jugu në Veri. Kushtet për vendbanime të hershme në luginën e Dibrës kanë qenë më të mira prandaj, gjithçka të vjetër të varrosur, duhet ta zhvarrosim dhe toponimet e shumta sllave, pas dyndjes së tyre në drejtim të jugut mbi vendbanimet e hershme ilire, si Grazhdan,Vojnik, Kovashicë, Kosovo, Novoselë etj., duhet t’i zëvendësojmë me toponimet e hershme Ilire, jo vetëm në Dibër, por në të gjithë territorin Dardan e Ilir.
Kolegu im prof.as.dr. Vesel Hoxha në shkrimin me titull: “Mjaft me “Gogolin Skavica”, me projekte zhvillimore për Dibrën”, midis të tjerave ka nënvizuar: Prania e disa tektonikave ndërformacionale, bazuar në njohjen që kemi për ndërtimin gjeologjik të zonës së digës, dukurive karstike, rrudhosjeve të formacioneve mesozoike e paleozoike, prania e disa rrëshqitjeve të shpateve etj., jo vetëm që nuk flasin në favor të ndërtimit të HEC-it të ashtuquajtur Skavica, por përkundrazi, paralajmërojnë dukuri natyrore me pasoja katastrofike, për të mos thënë apokaliptike, me rrezik kombëtar e ndërkombëtar.
Është momenti i duhur për anulimin e këtij projekti ogurzi me shumë pasoja negative e komplekse, duke qetësuar një herë e mirë popullatën vendase dibrane dhe opinionin e gjerë që të mos largohet nga ajo trevë nga frika e “Gogolit Skavica”, duke i kërkuar publikisht qeverisë shqiptare, që jo vetëm të anulojë punimet për ndërtimin e hidrocentralit, por të ndërroj kursin 1800 shkallë, duke i kthyer sytë nga Dibra e Skënderbeut, jo për ta mbuluar me ujë, por për ta “mbuluar me investime” për zhvillimin e saj, duke e parë atë si themel i shtetformimit, si vendbanim i Kastriotëve dhe vendlindje e të madhit Skënderbe.
Në përfundim, mendoj se të gjithë dibranët duhet të dëgjojnë e mbështesin Abdurahim Ashikun, Adem Bungurin, Ali Hoxhën, Mustafa Tolën, Vesel e Munir Hoxhën, Fazilete Gjikën, Zenel Hoxhën, Nazmi Koçin, Selman Mëziun, Bujar Karoshin e shumë dibranë e jo dibranë të tjerë, pa harruar studiuesin e pasionuar prof. Sazan Guri, i cili ka qenë gjithmonë në krah të dibranëve për mbrojtjen e Dibrës.
Duhet të kujtojmë luftën e të parëve tonë për t’i mbrojtur këto troje, që nga koha e Skënderbeut në luftë kundër osmanllinjëve e deri në vitet e para të shekullit të XX në luftërat kundër serbëve e bullgarëve dhe luftëtarëve kundër nazifashistëve italianë e gjermanë në vitet e LANÇ. T’a mbrojmë me këmbëngulje Dibrën e kuvendeve historike, e prijësve popullorë, e heronjve legjendarë, t’a kthejmë në një muze natyror historik e turistik, ku vizitorët të njihen jo vetëm me historinë e saj të lavdishme, por edhe me bukuritë e natyrës së kësaj lugine të mrekullueshme.
Tiranë, më 5 mars 2024

Referimet:
Abdurahim Ashiku, Po Dibrës, jo Skavicës, Botimet M&B, Tiranë, 2010.
Adem Bunguri, Prehistoria e Dibrës. Botimet M&B, Tiranë 2010.
Adem Bunguri, Argumentet pse kundërshtoj ndërtimin e H/C -it të Skavicës. Gazeta “Rruga e Arbërit” nr. 6 (168), qershor 2020.
Adem Bunguri, Stema e Gropajve në Maqellarë të Dibrës së Epërme. Gazeta “Rruga e Arbërit” nr. 4 (176). Tiranë, prill 2021.
Bashkim Lleshi, Macukulli fshati i historisë së vjetër dhe investimeve të reja. Gazeta “Rruga e Arbërit” nr. 6(62), qershor 2011.
Bashkim Lleshi, Fisi i Gropajve në Dibër të Epërme mnd ta ketë origjinën nga “Gropa” e Zogje në Grykë të Vogël”, Gazeta “Rruga e Arbërit” nr. 3, maj 2013.
Bashkim Lleshi, Një jetë maleve, kujtime 4. Botimet M&B Tiranë, dhjetor 2020.
Bashkim Lleshi, Një jetë maleve, kujtime 5. Botimet M&B, Tiranë, shkurt 2023.
Vesel Hoxha, Mjaft me “Gogolin Skavica”, me projekte zhvillimore për Dibrën. (Artikull).
Iljaz Kaca, Rrugët e vjetra të Dibrës. Albpaper, Tiranë, 2003.
Kristo Zharkalli, Takim me Isa Elez Ndreu”. Gazeta “Rruga e Arbërit” nr. 3, mars 2011.
Moisi Murra, Dibra nga antikiteti në Monarki. Botimet M&B Tiranë, dhjetor 2017.
Munir Shehu, Dibra në vitet 1840-1860. Botimet M&B, Tiranë, 2010.
Nazmi Koçi, Diga që ndan dhe shkatërron. Tiranë, mars 2022.
Selman Mëziu, Të gjallët grishin gërmadhat. Gazeta “Rruga e Arbërit” nr. 3, mars 2011.