Epoka e Gjergj Kastriotit, bazament i vetëdijes kombëtare shqiptare


Dr Enver Halili
Melburn, Australi

Përmbajtja

Ky studim ka për qëllim që të kontribuojë në ndriçimin e veprës së Gjergj Kastriotit, e cila është epoka më e lavdishme e historisë jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe atij ballkanik dhe europian. Epoka e Kastriotit u bë hallka kryesore e ndërlidhjes së kohës së re me periudhat e mëhershme historike, e cila mundësoi krijimin e bazës mbi të cilën do të ngrihej dhe ndërtohej etnia shqiptare. Ky studim i qaset Epokës së Gjergj Kastriotit nga një këndvështrim tjetër në krahasimi me hulumtimet pararendëse.
Kjo analizë parashtron tri  hipoteza, të cilat janë fokusuar në tri aspekte: Së pari, do të analizohet historia paraprake e mesjetës, si një hallkë ndërlidhëse në mes të periudhave të hershme iliro-pellazge me historinë e re të popullit tonë. Veçanërisht do të vështrohet Periudha e Mesjetës gjatë të cilës u krijuan Principatat (Mbretëria) e Arbërve, të cilat vunë bazën e kulturës shtetndërtuese të kombit shqiptar. Së dyti, do të analizohet periudha e Gjergj Kastriotit me vështrim të posaçëm në rolin e Kastriotit në bashkimin e princave arbërorë në një një front të përbashkët për të çliruar vendin dhe krijuan Mbretërinë Arbërore/Epirote. Së treti, do të analizohet nga aspekti multidimensional vepra e Kastriotit dhe roli i saj në krijimin e bazamentit mbi të cilën do ngrihet vetëdija kombëtare dhe shtetërore individuale dhe kolektive e popullit shqiptar. Veçanërisht do të shtjellohet roli i Kastriotit në motivimin dhe udhëzimin e prijësve, luftëtarëve dhe krijuesve shqiptarë në krijimin, ndërtimin dhe avancimin e vetëdijes kombëtare shqiptare gjatë gjithë periudhave të mëvonshme historike deri në ditët e sotme.

1. Rrënjët iliro-pellazge të Gjegj Kastriotit

1.1 Origjina iliro-pellazge e popullit shqiptar 
Pellazgët ishin populli i parë që banuan Evropën e viset të tjera dhe ata vunë bazat e qytetërimit dhe kulturës njerëzore (Homeri I; Homeri II; Herodoti, 425 pK). Pellazgët krijuan shkrimin, numrat, llogaritarinë, artin, filozofinë dhe shkencën (Hesiod, 700 pK; Kocaqi, 2008; Mati, 2007). Pellazgët zhvilluan kulturën bimore, shtazore në tokë dhe ujë (det) siç janë bimët, shtazët, shpezët, peshqit dhe produktet e tjera ujore. Ata kultivuan pemët, perimet, drithërat, vreshtat, gdhendën dhe përpunuan drurin e gurin, zbuluan dhe përpunuan mineralet dhe metalet e ndryshme. Pellazgët krijuan bazën materiale mbi të cilën do të ngrihet, ndërtohet dhe më tutje zhvillohet ekonomia, arti, filozofía, shkenca dhe kultura njerëzore.
Pellazgët zhvilluan bujqësinë, krijuan zejtarinë, industrinë, ekonominë, organizuan tregun, ndërmorën transaksionet e para të biznesit si ato tregtare dhe këmbimet financiare. Pellazgët (Hititët dhe Lidianët) krijuan paranë (monedhën electrum trite) si një mjet tregtar dhe monetar (Pano e Angjeli, 2019). Paraja (monedha) është shpikja më e rëndësishme dhe instrumenti më kompleks, të cilën e ka bërë mendja e njeriut në historinë e vet. Zbulimi dhe përdorimi i parasë i dha një shtytje të jashtezakonshme zhvillimit të ekonomisë brenda bashkësive etnike si dhe mundësoi (lehtësoi) zhvillimin e këmbimeve tregtare ndërmjet etnive të ndryshme.
Populli pellazg, përmes degëve të veta si, ilirët, dardanët, maqedonët, thrakasit, etrustët, dakët e fiset tjera, i dhuruan njerëzimit dijetarët më të mëdhenj antikë si Homeri, Herodoti, Hesiod, Sokrati, Platoni, Aristoteli, Hipokrati, Pitagora, e të tjerë (Kocaqi, 2008; Kola, 1983 & 1989; Mati, 2008). Të gjithë autorët klasikë dëshmojnë se pellazgët u shquan edhe si popull shtetndërtues dhe luftartak, të cilët dhanë komandantët dhe gjeneralët më të shquar të historisë së lashtë.
Shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të pellazgëve, të cilët u krijuan si produkt të përzierjeve natyrale të fiseve pellazge si të ilirëve, thrakaseve, maqedonëve, epirotëve, dardanëve, dakëve, etruskëve e fiseve të tjera (Frashëri, 1899; Kola, 1983, 1989; Kocaqi, 2007; Mati, 2008; Vlora-Falaski, 1984). Shqiptarët emrin e morën nga ‘zogu i bekuar- shqiponja’ (S. Frashëri, 1899; Kola, 1983). Gjatë historisë populli shqiptar është njohur edhe me emërtimet e tjera si alban, albanoi (shek. 2-të, Ptolemeu), arbën/r, arban, arbëresh, arvanitë, arnautë, maqedon dhe epirotë (Frashëri, 1899; Kola, 1983; Kocaqi, 2007; Mati, 2008).
Populli ynë i njohur me emra të ndryshëm la gjurmë të forta që nga historia e lashtë, duke i dhënë Europës dhe gjithë njerëzimit figura të shquara. Ilirët, maqedonët, dardanët, epirotët i dhanë njerëzimit Aleksandrin e Madh dhe Pirron e Madh në Antikitet, po ashtu dhanë dy perandorët më të mëdhenj të krishtenizmit Konstantin e Madh nga Nishi dhe Justinianin e Madh nga Shkupi. Toka e lashtë iliro-pellazge po ashtu do t’i dhurojë njerëzimit mendje të ndritura dhe gjeneralë të shquar në Mesjetë dhe deri në ditët tona, siç janë Gjergj Kastrioti, Nëna Terezë, F. Murati, I. Kadare, etj.

1.2 Principatat Arbërore, pararendëse e shtetit të Kastriotit
Populli ynë, si pasardhës i drejtpërdrejtë i pellazgëve ishte faktor kryesor shtet-ndërtues  në Europën Juglindore e më gjerë në të gjitha etapat historike, sidomos në periudhën e Mesjetës. Në Mesjetë Krahina e Arbanonit me qendër në Krujë u bë epiqendra e të gjitha lëvizjeve dhe proceseve të rëndësishme historike në Gadishullin Ilirik. Kjo krahinë ishte vatra e veprimtarisë patriotike të popullit tonë, e cila rezultoi me krijimin e Principatës së Arbërisë me 1190, e cila veproi me sukses deri në vitin 1216. Vlera e veçantë historike e kësaj principate qëndron në atë sepse ajo arriti të avancohet në nivel të Mbretërisë së Arbërisë me 1272 (Regnum Albaniae).
Gjatë kësaj kohe dhe sidomos në fund të shekullit 13-të dhe fillim të shekullit 14-të populli i arbërit arriti të zhvillohet dhe organizohet politikisht dhe administrativisht që rezultoi me  krijimin e disa principatave të cilat kontrollonin një pjesë të gjerë të territorit arbëror që nga jugu (Preveza) deri në veri (Sarajevë e Sjenicë) dhe në anën lindore kontrollonte territorin përgjatë lumit Vardar dhe Morava. Principatat më të njohura të asaj periudhe ishin: Principata e Artës (1304-1400), Principata e Zenebishëve (1304-1418), Principata e Muzakajve (1335-1372), Principata e Balshajve (1362-1421), Principata e Topiajve (1368-1392), Principata e Dukagjinit (1387-1444), Pricipata e Kastriotëve (1389-1444) dhe Principata (shteti) e Arianitëve.  Është shumë me rëndësi të potencohet se Principata e Arianiteve zë fill qysh herët në shekullin e XI (1001-1018), kur David Arianiti përmendet si figurë kyçe e dy qendrave më të njohura të kohës. David Arianiti arriti të bëhet strategu i Selanikut dhe më pas edhe strategu i Shkupit.
Principatat dhe sidomos Mbretëria e Arbërisë ishte produkt i ndërgjegjësimit kombëtar arbëror, i cili u krijua jo vetëm si domosdoshmëri e mbijetesës gjatë historisë, por ishte edhe rezultat i ngritjes dhe zhvillimit të traditës shtetformuese të popullit tonë.  Principatat arbërore përfaqësuan familjet fisnike të vendit, të cilat ishin bartëse të krenarisë kombëtare dhe u paraqitën si urë lidhëse e traditave të lashta shtetërore iliro-pellazge dhe asaj të Mesjetës së vonë. Rëndësia e Principatave dhe Mbretërisë Arbërore qëndron në atë se:
Organizuan rezistencë kundër pushtuesve të ndryshëm në vitet e zhvillimeve të vrullshme të Mesjetes.
Shpalosën aspiratën shtetformuese të popullit arbëror (Frashëri, 2018),
Krijuan bazën mbi të cilen do të ndërtohet shteti kombëtar i Gjergj Kastriotit, dhe
Definitivisht sanksionuan popullin arbëror si faktor  kryesor në hapsirat e lashta të Gadishullit Ilirik (Ballkan).
Pricipatat e arbërve kontribuan jashtëzakonisht shumë në organizimin dhe mëvetësimin e popullit tonë në shekujt e trazirave të shpeshta e dramatike të cilat rrodhën si rezultat i venitjeve të mbrendshme të perandorisë së Romës dhe Bizantit. Rëndësia e veçantë e organizimit të principatave arbërore qëndron në atë se ato paraqesin formacionet dhe organizimet e para shtetërore të popullit tonë në periudhën e Mesjetës (Frasheri, 2018). Por rëndësia kryesore e Principatave (dhe Mbretërisë) së Arbërit qëndron në atë se ato kultivuan, zhvilluan më tutje vetëdijen për krijimin e një shteti si forma kryesore e identitetit dhe mbrojtjes së kombit shqiptar.
Pa dyshim, Principata e Kastriotëve është ajo e cila do të lë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në historinë e re, e cila arriti të unifikojë shumicën e principatave arbërore në një ombrellë të përbashkët. Bashkimi i principatave arbërore dhe pajtueshmëria ne mes liderëve të shumtë të asaj kohe rezultuan në krijimin e shtetin të parë të kombit shqiptar. Një rëndësi e veçantë e Principatës së Kastriotëve qëndron në atë se ajo u bë prioritare e formimin të një ushtrie paneuropiane, e cila në shekullin e 15-të u bë një digë e pakalueshme drejt Europës për forcat pushtuese osmane.

1.3 Lufta e Kosovës kundër pushtuesve osmanë
Në fund të shek 13,  në Azinë e Vogël, në trollin e lashtë të trojaneve e hititeve pellazge u vendosën ca familje feudale nga Mongolia,  të cilat u forcuan shpejt dhe arritën të krijojnë një perandori shumë të fortë. Pas pushtimit të disa viseve të Arabisë, në vitin 1385 osmanët dolën këndej Anadolit duke zaptuar Sofjen dhe paraqitën aspitata pushtuese drejt Gadishullit Ilirik. Popujt e Ilirikut, duke e parë rrezikun që i kërcënohej nga pushtuesi lindor krijuan një koalicion me qëllim që ta ndalin hovin e armikut. Në kryqëzatën e ballkanasave morën pjesë: Princat arbërorë: Gj. Balsha dhe T. Muzaka, mbreti Bosnjës, Kroacisë, Hungarisë dhe Rashkës  (Ermenji, 1973). Komandant i ushtrisë së koalicionit u zgjodh prijësi i Rashkës (serbi), Lazari.
Lufta e Parë e Kosovës kundër osmanëve u zhvillua me 28 qershor të vitit 1389, në Fushë Kosovë (afër Prishtinës), e cila përfundoi me humbjen e ballkanasve. Por një djalosh dardan nga fshati Kopiliq i Drenicës, Milloshi, një ushtar sypatrembur, arriti pa frikë deri te kampi dhe shtriu të vdekur Sulltan Muratin e I. Disfata e koalicionit në luftën e Kosovës u hapi rrugë osmanëve të depërtojnë drejt viseve të Gadishullit Ilirik dhe Europës. Humbja e kësaj lufte do të jetë fatale për popujt e këtyre trevave, sidomos për popullin shqiptar.
Rrjedha dhe përfundimi i Luftës së Parë të Kosovës, shtron dy pyetje shumë të rëndësishme, të cilat kërkojnë përgjigje: “Pse princi serb Lazari u zgjodh udhëheqës i koalicionit ballkanik? A mos vallë ballkanasit kishin mosbesim në seriozitetin e elementit serb?  Kjo dilemë vërtetohet që në fillim të betejës, kur një princ tjetër serb V. Brankoviçi tradhëtoi koalicionin ballkanik. Brankoviçi pa fije turpi, i nxitur prej interesave të ngushta personale, i largoi trupat e veta duke e dobësuar në mënyrë drastike forcën e koalicionit ballkanik në raport me një forcë shumë herë më të madhe. Largimi i forcave të princit serb nga fushëbeteja mundësoi që ushtria osmane që në sulmet e para të marrë epërsinë ndaj koalicionit dhe lufta përfundoi në favorin e saj.
Ky dyshim, gjithashtu, vërtetohet edhe me veprën tejet të ulët të gruas së princit  serb (Milica), e cila pa fije turpi pas përfundimit të luftës ajo do t’ia dhurojë të bijën e saj, Oliveren e bukur, si shërbëtore në harem të sulltan Bajazitit. Për shkak të shërbimit të saj të mirë që nga ato vite në haremet e sulltanatit çdo herë do shërbejnë bukuroshet serbe. Po ashtu, që nga Lufta e Parë e Kosovës, serbët do të bëhen skllave të dëgjueshme dhe shërbëtore të vyeshme të osmanëve. Ndërsa epirotët kurrë nuk do t’u nënshtrohen osmanëve dhe çdoherë do të organizojnë rezistencë të fortë kundër tyre, serbët nuk bënë ndonjë rezistencë për të shënuar deri në mes të shekullit të 19-të, atëherë, kur ata do të shtyhen dhe përkrahen nga Rusia.

1.4  Rezistenca e popullit shqiptar kundër osmanëve
Në fillimi të shekullit 15 fuqia e Gjon Kastriotit rritej vazhdimisht. Principata e tij u forcua shumë, sidomos pasi  Gjon Kastrioti arriti me sukse ta zgjerojë territorin dhe të sigurojë jo vetëm dalje në det, por mori në kontroll trevat e pasura bujqësore e minerare të Kosovës (si Peja, Prizreni e Prishtina) dhe Maqedonisë, në rajonin e Pollogut, Dibrës dhe Ohrit (Drançolli, 2018). Si rezultat i këtyre sukseseve, shteti i Gjon Kastrirotit  arriti të shtojë jo vetëm pozitën gjeostrategjike në këtë pjesë të Gadishullit Ilirik, por gjithashtu do ta rrisë forcën ekonomike dhe politike në rajon. Fitoret e Gjon Kastrioti  rritën besimin dhe vendosmërinë e epirotëve për të mbrojtur lirinë dhe patën jehonë të fuqishme në Ballkan, Evropë e më gjerë.
Represioni osman në viset e pushtuara ishte brutal dhe për arbërit ishte i papranueshëm nënshtrimi dhe poshtërimi nga forcat e huaja. Në vitin 1415 forcat e arbërit nën udhëheqjen e Gjon Kastriotit, u hodhën në një kryengritje kundër sulltanit me synim për ta çliruar Krujën. Fatkeqësisht ai nuk mundi t’u rezistojë sulmeve të osmanllinjve. Kjo përpjekje e pasuksesshme e shtyri Gjon Kastriotin të bëjë një marrëveshte shumë të dhimbshme me osmanët. Sulltani i pashpirt, për të siguruar moskundërshtimin e Gjon Kastriotit dhe për ta siguruar vetvehten, i mori peng katër djem. Ndër ta mori peng edhe Gjergjin, që ishte fëmijë fare i vogël dhe kishte vetëm nëntë vjet.

2. Epoka e Gjergj Kastriotit

2.1 Vitet e hershme të jetës së Gjergj Kastriotit
Gjergj Kastrioti u lind me 6 maj të vitit 1405 në Krujë, në një familje princore të njohur epirote. Nëna e tij Vojsava kishte parandjenjë se do të lindë një djalë i cili do të shpëtonte Arbërinë nga robëria. Barleti (1508, fq.2), i kushton një theks të veçantë këtij fakti dhe sqaron se: “Kur e ëma mbeti shtatzënë, pa një ëndërr se  lindi një dragua aq të madh, saqë mbulonte tërë Epirin”. Vërtetë Gjergj Kastrioti u lind i bekuar nga Zoti dhe kishte një shenjë në krahun e djathtë. Zoti i kishte falë Gjergjit dhunti të veçanta, ishte shtatgjatë, shpatullgjerë, ishte shumë i fuqishëm, ishte i shpejtë si vetëtima, mbi të gjitha ai ishte shumë inteligjent dhe i shoqërueshem. Gjergji ishte ne gjendje të përballonte kushtet ekstreme të luftës, duronte urinë, etjen, të ftohtin, vapën dhe pagjumësinë (Barleti, 1508).
Gjergj Kastrioti së bashku me tre vëllezërit e tij u mor peng nga Sulltani, u dërgua në Turqi dhe atje u rrit dhe shkollua në oborrin mbretëror. Qysh si fëmijë u dallua për shkathtësitë e veçanta fizike dhe zgjuarsinë mendore. Herët u dëshmua se ai ishte shume inteligjent dhe arriti me sukses t’i mësojë disa gjuhë të huaja si turqishten, tatarishten, sklavonishten, latinishten, persishten dhe velshisten. Gjergji po ashtu ishte njohës shumë mirë historisë sidomos historisë së lashtë iliro-pellazge. Mbi të gjitha Gjergji kishte virtyte të larta humane; ishte i urtë, i dashur dhe shumë i respektueshëm nga shokët e tij. Edhe pse u rrit larg atdheut ai ishte një djalosh me edukate tipike arbërore.
Gjergji me shkathtësitë e tij të veçanta luftarake dhe aftësitë të larta mendore çdo herë shkëlqente në dyluftime në fushë të mejdanit, shkëlqente si luftëtar, edhe si komandant në fushë-betejë. Pasi mbaroi shkollën u bë SPAHI dhe vu në krye të 5,000 kalorësve. Pa i mbushur ende 18 vjet korri fitore të rëndësishme në Azi. Sulltani gjithashtu e dërgoi për të luftuar edhe kundër europianëve për ta sprovuar seriozitetin dhe besnikërinë e tij. Pas fitoreve të suksesshmen në fushëbetejë Kastrioti fitoi gradën ushtarake të sanxhakbeut (e dyta pas pashës). Pastaj shpejt e fitoi titullin Skënderbe (Iskender Bej- Prijësi Aleksandër) për nder të Aleksandrit të Madh, pasi që ai vinte nga viset e Maqedonisë së Lashtë.
Më 1437-1438 sulltani emëron Skënderbeun qeveritar dhe pastaj Sanxhakbe në Krujë. Kjo periudhe edhe pse qe shumë e shkurtër i ndihmoi Gjergjit t’i njohë nga afër arbërit dhe të lidhet shumë me atdheun. Kur sulltani e hetoi dashurinë e Kastriotit për atdheun dhe ndërlidhjen e tij me princat e vendin amë ai mori vendim dhe shpejt e ktheu në Adrianapojë. Largimin nga Kruja Skënderbeu në njërën anë e përjetoi si një grusht të rëndë, por në anën tjetër ky akt i sulltanit i ndihmoi atij ta njohë më mirë fytyrën e tij dinake dhe shtoi edhe më shumë urrejtjen ndaj tij. Mbi të gjitha ky akt i shtoi Kastriotit dashurinë ndaj atdheut dhe e lidhi atë përjetësisht me Arbërinë.
Në fillim të viteve të dyzeta të shekullin 15 deri sa osmanët shtonin dhunën dhe reprezaljet në viset e pushtuara, në Evropë dhe Ballkan filluan të gjallëroheshin shpresat për dëbimin e pushtuesit lindor. Në vitin 1442-1443 në frontin verior të Ballkanit, ushtria e Gjeneralit hungarez Huniadi, rritej e forcohej vazhdimisht dhe arrinte fitore të suksesshme kundër osmanëve. Pas fitoreve të njëpasnjëshme trupat e Huniadit kaluan Danubin dhe marshuan përgjatë luginës së Moravës drejt viseve verilindore shqiptare. Sukseset e Huniadit në frontin verior i dhanë një shtytje të fortë lëvizjeve çlirimtare në Arbëri. Në vitin 1443 Gjergj Arianiti filloi sulmet kundër osmanëve në viset qendrore të vendit. Po ashtu Gjin Zanebishti me trupat e tij nga Saranda e Gjirokastra u nis për të çliruar Kosturin por fatkeqësisht forcat e tij nuk patën sukses.
Në atë kohë në horizontin arbëror filluan të duken aspirata më të avancuara organizative me qëllim që të hiqej qafe zgjedha e huaj. Princat arbëror filluan të mendonin për përdorimin e një strategjie tjetër në nivel të gjerë kombëtare dhe në një shkallë më të lartë organizative. Ata shtruan idenë për krijimin e një force unike të organizuar nga të gjithë principatat me qëllim që të mundësohej formimi i një ushtrie të përbashkët kombëtare. Në atë kohë Skënderbeu edhe pse ishte larg vendlindjes bënte planin për t’u kthyer në atdhe. Qëllimi i tij ishte që të bashkohet me princat tjerë epirotë për të krijuar një ushtri të unisuar dhe menjëherë të fillonte luftën kundër pushtuesit e cila do të çlironte vendin dhe do të krijohej një shtet/mbretëri arbërore.
Disfatat e viteve 1442-43 ishin shumë të rënda për ushtrinë osmane. Sulltani nuk mund ta duronte poshtërimin nga humbjet e një pas njëshme që ushtria e tij pësoi nga forcat e Huniadit. Kështu që, në vjeshtën e hershme të vitit 1443 ai përgatiti një ushtri të madhe për ta sulmuar Huniadin dhe për komandant të forcave osmane emëroi Gjergj Kastriotin. Zgjedhja si kryekomandant i ushtrisë osmane ishte një rast ideal për Skënderbeun për të realizuar porosinë e të atit të tij që i kishte dhënë kur u mor peng nga sulltani: ‘biri im kurrë mos i harro këto male!” (Filmi Skënderbeu, 1968).
Kastrioti, me kohë kishte vënë kontakte me Gjeneral Huniadin në mënyrë që të luftojnë së bashku kundër armikut të përbashkët. Me qëllimin që të arrinte synimin e tij, Skënderbeu zgjodhi ushtarët më të mirë arbëror që ishin të rekrutuar në repartet e ushtrisë osmane dhe u nis drejtë Nishit. Ai tani më kishte krijuar lidhje të forta me princat arbëror dhe kishte bërë gati planin për kthimin në atdhe.
Me 3 Nëntor të vitit 1443 u zhvillua beteja në Nish në mes ushtrisë së Huniadit dhe asaj osmane. Në atë ditë Skënderbeu mori një vendim të duhur në kohë shumë të duhur. Skënderbeu bëri kthesën historike e cila definitivisht do ta ndërrojë fatin e popullit shqiptar. Fati e deshi aty të ishte një zyrtar osman nga i cili mori një dokument (ferman të rremë) i cili dëshmonte se Skënderbeu emërohej qeveritar i Krujës.
Largimi i Kastrioti nga fushëbeteja i mundësoi Gjeneral Huniadit të shënojë edhe një fitore sa të rëndësishme aq edhe të lehtë. Me largimin e kryekomandantit nga fushëbeteja, forcat osmane mbetën të hutuara dhe u bënë pre e lehtë e ushtrisë hungareze ku pësuan përsëri një humbje të rëndë.
Me 300 trima të zgjedhur shqiptar Skënderbeu lëshoi frontin e luftës dhe nga Nishi i Kostandinit të Madh u nis drejt Arbërisë. Në ato ditë vjeshtë kalorësia e Skënderbeut marshonte përgjatë luginës së Moravës Dardane, vazhdoi rrugën nëpër shpatet e Sharrit Plak për t’u ndalur në Dibër e cila ishte pika më e rëndësishme strategjike e kohës. Dibranët e pritën me gëzim të madh kryetrimin maqedono-epirot i cili u shfaq si një yll shprese për lirinë arbërve. Në Dibër Kastrioti gjeti përkrahje të fortë nga populli arbëror-maqedon. Që në fillim Skënderbeu u bind se populli ynë ishte shume i irrituar nga dhuna dhe represioni barbar osman dhe ishte i gatshëm të hidhej në luftë për ta çliruar e atdheut.

2.2. Kthimi i Gjergj Kastrioti
në Krujë- çlirimi i Arbërisë

Skënderbeu ishte një strateg luftarak i shkëlqyer dhe kishte vizion çlirimin e atdheut dhe krijimin e shtetit kombëtar. Për disa jave sa qëndroi në Dibër bëri të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe në fund të nëntorit të viti 1443 u nis për në Krujë. Arritjen e Skënderbeut në Krujë më së miri e përshkruan rilindasi ynë i madh Naim Frashëri në vargjet e tij te mrekullueshme të publikuara në vitin 1898, ku në mes tjerash thotë: “Krujë o qytet i bekuar, prite, prite Skënderbenë, po vjen si pëllumb i shkruar, të shpëtojë mëmëdhenë.”
Më 28 Nëntor 1443, flamuri i Kastriotëve valonte i lire në kështjellën e Krujës. Lajmi për arritjen e Skënderbeut në atdhe u përhap si vetëtima anë e kënd vendit dhe shume njerëz arritën në Krujë për të festuar. Atë ditë në Krujë, kryeqendrën e Arbërisë, Skënderbeu mbajti një fjalim historik, i cili nuk do të harrohet kurrë. Kastrioti kishte një oratori të shkëlqyeshme. Në atë fjalim të rastit, Ai në mes të tjerash tha: “Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta këtu,… atë e pashë kudo në krahërorët, në ballët dhe në shpatat tuaja” (Barleti, 1508). Ky lajm u përhap shumë shpejt në tërë Epirin si dhe në Europë dhe shihej si një sinjal shprese për lirinë e popujve të shtypur. Pas çlirimit të Krujës “kudo oshëtinte zëri i ëmbël i lirisë” (Barleti, 1510).
Çlirimi i Krujës i dha një shtytje të paparë luftës për çlirimin e atdheut, ku forcat arbërore filluan menjëherë sulmin kundër pushtuesit osman. Vala e luftës për liri u përhap në të gjitha viset e vendit që nga jugu deri në veri. Luftëtarët e Skënderbeut shpejt i çliruan kështjellat e Petrelës (në jug të Tiranës), Ohrin, Strugën, Sopotnicën, dhe vunë nën kontroll rrugën kyçe Kërçovë-Shkup, përgjatë lumit Treska etj. Kryengritja arbërore përfshiu edhe vise e Shqipërisë së Veriut, Qendrore dhe asaj Jugore të vendit deri te lumenjtë Devoll e Seman. U çliruan një numër principatash si Principata e Arianitëve, e Topijave, dhe ajo e Muzakajve. Gjithashtu u rimëkëmbën një numër zotërimesh të rëndësishme si ato te Dukagjinëve, Stres-Balshajve, Zahariajve, dhe Kastriotëve. Në veri shpejt u mor kështjella e Jeliçes në Pazarin e Ri dhe Zveçani u çlirua nga Spanët. Pastaj, dukagjinët u nisën në drejtim të Dardanisë dhe vunë nën kontrollin e tyre rajonin e Pejës, etj. (Historia …, 2002).
Gjergj Kastrioti kishte vizion shtetëror dhe siç theksonte akademik Fuga (2018) ai ishte i madhërishëm e magjik sepse ishte largpamës dhe drejtohej nga ideja. Skënderbeu ishte i vetëdijshëm se për të arritur qëllimin e tij dhe për të realizuar dëshirën e popullit duhet të bashkohen të gjithë princat epirot-maqedon dhe të veprojnë me një program të koordinuar nga një qendër. Gjithashtu Kastrioti e kishte të qartë se për këtë plan madhor duhet të veprohet në dy fusha, në atë luftarake dhe politiko-diplomatik dhe duhet të punohet në dy nivele, në atë të brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm.
Për Kastriotin koha ishte shumë e çmueshme, kështu që ai menjëherë vuri kontaktet me të gjithë princat e vendit dhe filloi bisedimet me qëllim të bashkimit të të gjitha forcave në një ushtri të vetme. Në ato biseda ai shtroi idenë e krijimit të një ‘besë-lidhje kombëtare’ e cila do të mundësonte krijimin e një shteti kombëtar. Një rëndësi të veçantë Kastrioti i kushtonte lidhjes se aleancave me vendet europiane të cilat jo vetëm do të ndihmonin ndërtimin e shtetit arbëror, por edhe do të mundësonin krijimin e një force unike ushtarake. Një ushtri e unisuar europiane do të mundësonte t’i bëhej një rezistencë e fortë dhe do të zhvillohej në një vijë më të gjerë të luftës e cila do t’i bënte ballë ushtrisë osmane.

2.3 Themelimi i Mbretërisë së Arbërit/Epirit- të Gjergj Kastriotit

Valimi i lire i shqiponjës dykrenare në kështjellën e Krujës solli shpresë në popull se tani më erdhi dita për ta çliruar atdheun. Mençuria, urtësia dhe largpamësia e udhëheqësit të ri u pa që në ditën e parë kur ai potencoi se “lirinë e gjeta këtu- nuk e solla unë”! Këto fjali kredibile treguan se Kastrioti kishte vizion dhe qëllim të lartë kombëtar. Skënderbeu mendonte se atdheu mund të çlirohet vetëm kur të gjithë princat arbëror bashkohen dhe e krijohet një ushtri e cila duhet të ngrihet, zhvillohet dhe forcohet vazhdimisht për t’i bërë ballë superfuqisë ushtarake osmane. Kjo forcë mund të arrihej vetëm me krijimin e shtetit të përbashkët epirot ku të gjithë principatat do të bashkonin forcat e tyre nën komandën e përbashkët.
Themelimi i Mbretërisë Arbërore nën udhëheqjen e Kastriotit u bë më 2 Mars të vitit 1444, në Kuvendin e Lezhës. Thirrjes historike të Skënderbeut iu përgjigjën gati të gjithë princat arbërorë si: Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Nikollë e Pal Dukagjini, Teodor Muzaka, Gjergj Balsha, Lekë Zaharia, Lekë Dushmani, Pjetër Spani, dhe Stefan Gjurashi. Në atë mbledhje edhe Venediku e kishte dërguar një vëzhgues të vetin.
Në Kuvendin historik të Lezhës Skënderbeu shtroi çështjen e krijimit të një ‘besë-lidhje kombëtare’ si një akt juridik në bazë të së cilës do të lidhen të gjitha marrëveshjet ndërprincore mbi të cilin do të ngrihet dhe ndërtohet shteti i ri. Me këtë ide u pajtuan të gjithë princat maqedono-epirot. Qëllimi i ‘Lidhjes së Lezhës’ ishte bashkimi i fisnikëve e principatave epirote për të çliruar atdheun me qëllim të formimit të një shteti kombëtar siç ishte dikur Mbretëria e Arbërit.
Skënderbeu në fjalimin e tij, së pari filloi të elaborojë nevojën për bashkimin e të gjitha forcave dhe krijimin e një ushtrie kombëtare me një komandë të përbashkët. Pastaj analizoi situatën rajonale pas fitoreve të suksesshme të Huniadit kundër osmaneve. Vend të rëndësishëm në diskutimin e tij Kastrioti i kushtoi vullnetit të popullit i cili ishte i gatshëm të hidhej në një luftë çlirimtare. Kastrioti qysh kur erdhi në Krujë si Sanxhakbe e kishte vërejtur vullnetin dhe forcën e brendshme të arbërve për të luftuar kundër pushtuesit. Dhe në fund, Skënderbeu shtroi idenë dhe elaboroi çështjen e krijimit të mbretërisë kombëtare e cila ishte jo vetëm vullneti i princave arbërorë por edhe dhe domosdoshmëri e kohës.
Kuvendi i Lezhës, është institucioni i parë e organizuar në nivelin mbarëkombëtar i cili solli krijimin e shtetit të parë shqiptar. Pas një pune të frytshme me pëlqimin e princave arbëror Kuvendi Lezhës arriti të shpallë:
a.Organet e Mbretërisë/Shtetit: si Kryetari i shtetit, Kuvendi i Fisnikëve, Këshilli i Lartë dhe Këshilli i Luftës.
b.Mbretërinë e Parë Arbërore (Shqiptare) dhe Skënderbeu u shpall unanimisht Mbret i Epirit/Maqedonisë/Arbërisë.
c.Simbolet e Mbretërisë si flamuri, stema dhe vula. Për flamur të mbretërisë u vendos të përdoret flamuri me shqiponjën dykrenëshe me yllin gjashtë cepësh. Shqiponja dykrenore ishte simbol i Kastriotëve, Gjurashëve, dhe Arianitëve. Ylli gjashte cepësh përdorej nga principatat e Balshajve dhe Muzakajve. Në stemë dhe vulë të Mbretërisë u vendos të vihet shqiponja dykrenare.
d.Krijimin e ushtrisë arbërore, e cila duhej të organizohej në dy forma, atë të rregullt dhe vullnetare (parregullt).
e.Krijimin e arkës/buxhetin të shtetit, vendosja e taksave dhe kontributeve publike dhe përcaktimi i monedhës mbretërore.
f.Krijimin e diplomacisë si një faktor shumë i rëndësishëm për të vënë lidhje me vendet Europiane me qëllim të krijimit të një fronti ushtarak të përbashkët kundër pushtuesve aziatikë.
Sipas vendimit të Kuvendit të Lezhës principatat arbërore ruanin një autonomi të gjerë dhe nuk kishin të drejtë të ndërhynin në kompetencat territoriale të njëra-tjetrës. Po ashtu principatat kishin të drejtë të mbanin një ushtri të vetën për të mbrojtur territorin dhe interesat e veta. Principatave gjithashtu u lejohej të ndërmerrnin vendime dhe krijonin marrëdhënie me vendet tjera. Në një mënyrë secila principatë ishte anëtare e barabartë në mes të barabartëve. Vendimi më i rëndësishëm i Kuvendit të Lezhës ishte pajtimi i princave arbërorë për themelimin e një shteti dhe kryerjen e obligimeve ndaj shtetit, si dhe pranimi i Skënderbeut si kryetar i shtetit. Në rast të rrezikut nga armiku të gjithë princat ishin të obliguar “të vepronin” sipas urdhrave të Gjergj Kastriotit pasi që ai u zgjodh komandant i ushtrisë së Shtetit Arbëror.
Arritja e marrëveshjes ndërmjet princave arbëror shënon kulmin e suksesit historik e cila ishte rezultat i ngritjes së vetëdijes kombëtare e cila i hapi rrugën krijimit të shtetit të parë kombëtar shqiptar. Fryma e tolerancës, bashkëpunimi ndërprincor, vurja e interesit kombëtar mbi atë personal e rajonal është fondamenti kryesor i vetëdijes arbërore të asaj kohe. Atëherë kur princat arbërorë arritën të vënë interesin e përgjithshëm kombëtar mbi atë lokal dhe individual, atëherë u arrit të çlirohet vendi dhe krijohet shteti.
Mbretëria e Kastriotit është institucioni kryesor i etnisë shqiptare në kohën e re. Në atë kohë secili princ ishte më trim se tjetri, secili ishte më i ditur se tjetri, secila Principatë ishte më e organizuar se tjetra. Të udhëhequr nga vetëdija e lartë kombëtare ata vendosen unanimisht që një prej princave të jetë në krye të të gjitha principatave. Atëherë u mundësua bashkimi i të gjitha principatave nën një ombrellë të vetme dhe u krijua Mbretëria Arbërore të udhëhequr nga krye princi Gjergj Kastrioti. Në Kuvendin historik të Lezhës të gjithë pjesëmarrësit vendosën që në krye të Mbretërisë të jetë Mbreti (Skënderbeu).
Me kalimin e kohës dhe sidomos pas sukseseve të njëpasnjëshme si në fushë-betejë, po ashtu edhe në fushën diplomatike autoriteti i Skënderbeut gradualisht rritej si dhe besueshmëria te fisnikët arbërorë ndaj tij shtohej. Kështu shumë shpejt të gjithë princat arbëror u bindën se Skënderbeu ishte jo vetëm një strateg ushtarak i talentuar por edhe një lider pragmatik i cili meritonte të përfaqësonte Shtetin e Ri të Arbërve. Kjo bindje solli shkrirjen graduale të principatave dhe përqendrimin e kompetencave në nivelin qëndror të shtetit. Sukseset e jashtëzakonshme të Kastriotit si në fushë-betejë dhe në fushën politiko-diplomatike në aspektin e jashtëm dhe në atë të brendshëm bënë që Kastrioti të shndërrohet në një lider jo vetëm politike dhe ushtarak por edhe në një prijës shpirtëror kombëtar dhe simbol i lirisë së popujve të shtypur.

2.4 Mbrojtja dhe ndërtimi i Shtetit të Arbërit

2.4.1 Një jetë në fushëbetejë
Skënderbeu e kaloi tërë jetën në fushë-betejë ballë për ballë me superfuqinë e asaj kohe dhe me sukses mbrojti lirinë në territorin e çliruar arbëror. Për një periudhe kohore prej 25 vjetësh Kastrioti zhvilloi rreth 30 lufta të ashpra në Arbëri në të cilat ushtria epirote arriti fitore të bindshme kundër forcave osmane të cilët vërsuleshin me dhjetëra e qindra mijëra ushtar të komanduar nga sulltanët, pashallarët, bejlerët dhe oficerët e lartë ushtarak.
Pa dyshim fitorja kundër dy sulltanëve më të njohur osmanë, Muratit II dhe Mehmetit II (Kola, 1983; Noli, 1964; Hadri, 1995) është ndër fitoret epike të cilat kurrë nuk u harruan jo vetëm nga arbërit por as nga osmanët dhe opinioni mbarë botëror. Pas dështimeve të njëpasnjëshme të ushtrisë osmane Sulltan Murati II u hidhërua dhe egërsua shumë dhe vendosi që vetë ai ta komandojë ushtrinë e tij kundër Kastriotit. Por, që në rrethimin e parë të Krujës (1450), nga dëshpërimi i madh për mos arritjen e nënshtrimit të arbërve sulltan Muratin e II e lëshoi shpirti para portës së kështjellës së Krujës (Barleti, 1508). Djali i tij, Mehmeti e barti Sulltan Muratin e II si kufomë në Stamboll. Edhe dy herë të tjera (1466 e 1467) Sulltan Mehmeti II- pushtuesi, do të trumbetonte nga Stambolli se definitivisht shteti i arbërve do të shkatërrohet. Kastrioti e njihte mirë strategjinë ushtarake dhe dredhitë e otomanëve. Ai me sukses arriti të zhvillojë luftë të fortë mbrojtëse dhe arriti tri fitore të lavdishme kundër dy sulltanëve më të ashpër të Perandorisë Osmane. Për 25 vjet nën udhëheqjen e Kastriotit dhe 10 vjet nën udhëheqjen e Lekë Dukagjinit Arbëria qëndroi heroikisht.
Në gjithë ato luftëra të tmerrshme me mijëra ushtarë turq u vranë në fushëbetejë, në mes tyre dy pashallarë, Talip Pasha në luftën e Modriçes (1452), Ballaban Pasha në Rrethimin e -II- të Krujës (1467) dhe dy bejlerë Ibrahim beu u vra në fushë të Shkupit dhe Jakup beu la kokën në fushën e Kosharit. Ndërsa dy pashallarë të tjerë u kapën të gjallë, Hamza Pasha në luftën e Modriçes (1452) dhe vëllau i Ballaban Pashës Jonuz (Jonima) Pasha me të birin e tij në rrethimin e dytë të Krujës (1467). Me të vërtetë siç pohonte shkrimtari Raguzian David, Skënderbeu për njëzet e pesë vjet ishte bërë tmerri i turqve (Barleti, 1508).
Secila fitore i ka veçoritë dhe rëndësinë e vet veçanërisht kur merret parasysh se forcat e Skënderbeut luftonin trimërisht dhe me fitoret e tyre krenoheshin jo vetëm epirotët, por e tërë Evropa dhe popujt liridashës. Megjithatë disa fitore është me rëndësi të dallohen prej të tjerave, sepse ato janë kulminacioni i luftërave epike të cilat jo vetëm se janë krenaria arbërore, por edhe pse ato vunë bazën e qëndresës dhe të krenarisë kombëtare shqiptare. Ndër të gjitha ato do veçoja shtatë lufta në të cilat u korren fitore legjendare, siç janë:
i. Fitorja e Tri Rrethimeve të Krujës (1450, 1466 e 1467). Në Rrethimin e Parë Sulltan Murati II me të birin Mehmetin rrethoi Krujën me një ushtri prej 100 mijë ushtarësh. Kruja me koordinimin e shkëlqyeshëm në mes të Skënderbeut e Vrana Kontit qëndroi heroikisht. Në rrethimin e Dytë, Sulltan Mehmeti përgatiti një forcë prej 150 mijë ushtarësh për ta sulmuar Krujën. Por Kruja qëndroi heroikisht dhe ai kokëulur dhe me turp u largua për në Stamboll. Aty e la Ballaban Pashën me 80 mijë ushtarë për ta vazhduar rrethimin. Në ndihmë Ballabanit i erdhi vëllau i Jonima (Jonuz Pasha) ku së bashku me të birin e tij Hederin u zunë të gjallë nga forcat e Kastriotit ende pa iu afruar kështjellës. Kur Ballabani pa përfundimin tragjik të vëllaut dhe nipit të tij, humbi toruan dhe si derr i egër u vërsul drejt kështjellës për t’u hakmarrë. Por ende pa iu afruar mirë portës, Ballabani u vra nga një ushtar krutan pranë portës së kështjellës së Krujës. Herën e trete Sulltan Mehmeti rrethoi Krujën me 150 mijë ushtarë. Kësaj radhe Mehmeti ndau ushtrinë në dy pjesë; një pjesë e rrethoi Krujën dhe pjesa tjetër shkatërronte çdo gjë në terren, që nga Durrësi deri në Shkodër. Skënderbeu si zakonisht me repartin e tij sulmonte nga jashtë dhe arriti ta shkatërrojë ushtrinë osmane. Gjate tri rrethimeve Kruja qëndroi e pamposhtur dhe radhët e ushtrisë osmane u shkatërruan nga sulmet e forcave epirote. Kështu që Sulltan Mehmeti II për të tretën herë do të kthehet në Stamboll i dërrmuar dhe poshtëruar (Konica, 1957).
ii. Fitorja e Luftës së Albulenës me 1457. Sulltani përgatiti 50 mijë ushtarë nën komandën e Isak bej Evrenozit për ta sulmuar Arbërinë. Evrenozi trumbetoi se përfundimisht do ta shkatërronte shtetin e Kastriotit. Sulltani në Stamboll e dekretoi Hamzanë mbret të Epirit. Kastrioti kësaj radhe ndërroi taktikën e luftës dhe lejoi ushtrinë osmane të futet thellë në brendi të vendit deri në fushën e Matit. Forcat osmane pasi që nuk hasen në ndonjë rezistencë u shfrenuan dhe filluan të dëfreheshin dhe pushonin nën hije duke krijuar bindjen se Kastrioti kishte marrë arratinë dhe kishte ikur jashtë vendit. Por në një pas dreke në fillim të shtatorit kur temperatura përcëllonte, Kastrioti papritmas u vërsul mbi ushtrinë armike. Atë ditë u zhvillua një luftë shumë e përgjakshme ku otomanet humbën mbi 20,000 ushtarë dhe mbi 7,000 të tjerë u zunë rob (Barleti, 1508). Kjo ishte një hakmarrje për masakrën e Beratit. Hamzai u zu i gjallë dhe me duar të lidhura u dërgua në Krujë dhe pastaj u internua në Napoli. Jehona e kësaj lufte ishte shumë e madhe dhe u përhap shumë shpejt në tërë Europën liridashëse. Arbërit kurrë nuk e harruan fitoren e luftës së lavdishme të Albulenës.
iii. Fitorja në Luftën e Apulisë në vitin 1461. Këtë operacion luftarak Kastrioti e ndërmori i inspiruar nga motoja tradicionale ‘miku i mirë për ditë të vështirë’. Kastrioti gjatë kohe kishte ndërtuar marrëdhënie shumë miqësore me mbretin e Napolit Alfonsin i cili çdo herë e kishte përkrahur materialisht dhe ushtarakisht shtetin e Arbërit. Kur trashëgimtari i tij, Ferdinandi I u rrezikua nga armiqtë, Kastrioti pa hezitim kaloi detin dhe shkoi për t’i ndihmuar mikut. Ushtria arbërore korri dy fitore vendimtare dhe për një vit sa qëndroi atje solli rendin dhe qetësinë në vend. Pas një viti me nderime të veçanta dhe dhurata të shumta Kastrioti me ushtrinë e tij u kthye në Arbëri.
iv. Fitorja në tri ekspeditat e vitit 1462 (Mokër, Pollog dhe Livadhi). Të arrish fitore në fushëbetejë kundër tri ekspeditave të njëpasnjëshme vërtet është një sukses për ta lakmuar çdo ushtri e madhe. Por për të korrë fitore një ushtri modeste si ajo e Kastriotit ndaj një force gjigande siç ishte ushtria osmane, vërtetë këto ishin suksese të jashtëzakonshme.
v. Fitorja në Fushën e Pollogut në shtator të vitit 1462. Kjo luftë është e veçantë për një arsye sepse ajo u zhvillua në terren të hapur fushor. Një veçori tjetër e kësaj lufte është sepse në këtë luftë Kastrioti sulmoi i pari. Forcat osmane morën arratinë dhe fitorja u sigurua që në sulmin e parë.
vi. Fitorja në pesë ekspeditat e vitit 1465 kundër Ballaban Pashës i cili sulmoi me dhjetëra e mijëra ushtarë. Ekspedita e parë u zhvillua në Vajkal në muajin prill ku Ballaban Pasha sulmoi me 18 mijë ushtarë; në qershor përsëri sulmoi me 18 ushtarë në Meçad; në korrik sulmoi me 20 mijë ushtarë në Sopotnicë dhe në gusht përsëri në Vajkal sulmoi me 18 mijë ushtarë. Ekspedita e fundit u zhvillua në Kashar (afër Tiranës) kur Jakup Pasha u vërsul me 20 mijë ushtarë kundër arbërve. Është e rëndësishme veçanërisht beteja e Sopotnicës (afër Sfetigradit). Aty u zhvillua një luftë e ashpër ku edhe vetë Kastrioti u rrezikua në një moment kur papritur iu vërsul një luftëtar i armikut. Falë shkathtësisë së një ushtari arbëror i cili e shtriu të vdekur për dhé ushtarin osman, Kastrioti shpëtoi pa kurrfarë lëndimi. Pas pesë ekspeditave të pasuksesshme, më në fund Ballaban pasha u largua me turp për në Stamboll, ndërsa Jakup Pasha la kokën në fushë të Kosharit (Barleti, 1508; Hadri, 1995).
vii. Fitorja e Luftës së Shkodrës, në janar të vitit 1468. Kjo fitore është sa e rëndësishme aq edhe e lavdishme sepse u arrit pa pjesëmarrjen e kryekomandantit të ushtrisë arbërore. Në këtë luftë Skënderbeu për shkak të sëmundjes së papritur nuk mundi të marrë pjesë fizikisht, por fama dhe emri i tij kaherë u kishin dhënë zemër ushtarëve epirotë dhe në anën tjetër u kishin futur tmerrin në palcë ushtrisë osmane. Kështu që ushtarët osmanë morën teposhtëzën që në fillim të luftës dhe frika nga emri i Kastriotit i mundësoi ushtrisë arbërore të kalojë në epërsi dhe të sigurojnë një fitore të rëndësishme. Fama e Gjergj Kastriotit do t’i shoqërojë edhe për shumë vite të tjera ushtarët epirot të cilët do bëjnë rezistencë heroike dhe të dalin triumfalisht në shumë beteja nën udhëheqjen e kryekomandantit të ri Lek Dukagjini.
Ushtria arbërore arriti fitore të bindshme në të gjitha luftërat kundër forcave osmane të cilët suleshin me dhjetëra e qindra mijëra ushtarë të komanduar nga gjeneralët të cilët mbanin grada të larta ushtarake. Në anën tjetër, ushtria maqedono-epirote prej të gjitha atyre luftërave të tmerrshme pësoi vetëm një humbje në betejën e Beratit e cila u zhvillua më 1455. Kjo humbje kryesisht ishte pasojë e dinakërisë së osmaneve të cilët arritën të ‘blejnë’ kohë deri sa u erdhi në ndihmë Isak bej Evrenozi me një numër të madh ushtarësh. Një faktor tjetër i kësaj humbje ishte mos pjesëmarrja e Moisi Golemit në betejë, i cili ia lehtësoi rrugën Evrenozit të hyjë në Berat. Por dhe pakujdesia e disa komandantëve epirotë sidomos e Muzakë Topisë ishte një faktor tjetër e asaj humbje. Humbja ishte shumë e madhe jo vetëm pse arbërit humbën komandantin e njohur Tanush Topinë, por edhe pse forcat osmane bënë një masakër të padëgjuar ndonjëherë në trevat tona e cila shkaktoi një tronditje të madhe në popull.

2.4.2 Strategjia luftarake e Gjergj Kastriotit
Skënderbeu ishte strateg ushtarak dhe komandant i përkryer. Ai e dinte se luftëtarët osmanë jo vetëm se ishin të përgatitur në shkollën ushtarake më të njohur të kohës por ata ishin edhe të regjur në luftëra të shumta të cilët nënshtronin popujt e ndryshëm. Prandaj, Ai ishte i vetëdijshëm se duhet të krijohet një ushtri e cila do të vepronte në bazë të kodit ushtarak dhe rregullave luftarake. Strategjia ushtarake e Kastriotit bazohej në moralin e lartë tradicional arbëror ku liria e atdheut ishte mbi të gjitha. Morali i lartë luftarak mbështetej në atdhedashurinë e luftëtarëve epirot sepse ata zhvillonin luftë çlirimtare. Ushtarët e arbërit ishin të vetëdijshëm për misionin e shenjtë të tyre dhe e konsideronin veten luftëtarë të lirisë. Rënia në fushëbetejë për ushtarët e arbërit ishte një gjë e shenjtë dhe konsiderohej nder t’ia falësh jetën atdheut. Vetëm një ushtri e cila e kuptonte se liria e atdheut ishte gjëja më e çmueshme ishte në gjendje të përballet me një forcë aq të madhe siç ishte ushtria osmane.
Ushtria arbërore ishte mjaft mirë e organizuar, trajnuar dhe shumë e disiplinuar dhe çdo herë ishte në gjendje të gatishmërisë së lartë. Përgatitja fizike dhe morali i lartë luftarak e shoqëronin ushtrinë arbërore ne çdo moment. Kastrioti e përgatiste ushtrinë e tij me qëllim që të luftojnë në çfarëdo kushtesh atmosferike, në çfarëdo terreni, dhe në çfarëdo situate luftarake. Kastrioti e urrente plogështinë e qulltë të ushtarëve si pasqyron Barleti (1508). Ai e dëshironte një ushtri aktive dhe mirë të përgatitur. Përgatitja e lartë ushtarake dhe kalitja e përhershme në beteja të shumta e bëri ushtrinë e Kastriotit të pathyeshme dhe krijoi një famë aq të lavdishme sa që edhe anmiku ia kishte lakmi. Ushtria epirote arriti fitore gjithkund si në fushë të hapur, në territor të ashpër malor, në vendbanime e qytete, korri fitore në dimër të ftohtë me dëborë e shi dhe në vapën përcëlluese të verës. Me të drejtë deklaronte Volteri, “sikur Skënderbeu ta kishte mbrojtur Konstantinapolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj të 1453.”
Në bazë të vendimeve të Kuvendit të Lezhës Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ishte komandant e përgjithshëm i ushtrisë arberorë. Repartet kryesore të ushtrisë epirote ishin, këmbësoria, kalorësia dhe shigjetarët. Bashkëpunimi në mes të komandantëve të reparteve ushtarake ishte ndër parimet kryesore të doktrinës ushtarake të Kastriotit. Ai çdo herë bënte përgatitjet dhe hartonte planet e luftës së bashku me komandantët e reparteve. Ai gjithmonë konsultohej me komandantët dhe oficerët e vetë për çdo çështje me rëndësi dhe sidomos për përgatitjen e betejave. Skënderbeu planifikonte operacionet luftarake në mes të reparteve ushtarake në mënyrë të përpiktë dhe arrinte t’i akordojë të gjitha aksionet luftarake si para betejës, gjatë gjithë betejës dhe pasi që përfundonte beteja. Armata arbërore kishte një strukturë komanduese efektive dhe ndërlidhja në mes të reparteve ushtarake çdo herë ishte funksionale. Efektiviteti i ushtrisë vërtetohet çdo herë sikur gjatë periudhave të luftërave po ashtu edhe në periudhat relativisht të qeta. Kastrioti e kishte organizuar ushtrinë në bazë të rregullave tradicional arbërore të trashëguara nga e kaluara a lashtë pellazge e paraqitur nga Homeri (Iliada).
Një rëndësi të veçantë Skënderbeu gjithashtu i kushtonte komunikimit me ushtarëve si para, gjatë dhe pas operacioneve luftarake. Ushtarët njoftoheshin rregullisht për të gjitha operacionet e mundshme para çdo aksioni luftarak. Pozicionimi adekuat i reparteve ushtarake ne fushëbetejë dhe komunikimi dhe koordinimi efektive i operacione luftarake në mes të divizioneve luanin një role vendimtar në suksesin e ushtrisë së arbërve kundër një superfuqie ushtarake siç ishte ushtria osmane.
Gjate fushatave luftarake secilin repart e vendoste në vendin e duhur. Kastrioti zakonisht e ndante ushtrinë në tri pjesë, në dy krahët e fushëbetejës vendoste repartet të cilat komandoheshin nga oficeret e regjur në luftërat e mëparshme ndërsa reparti i tij e mbante pozicionin qendror. Njësitë e pararojës dhe të prapavijës padyshim kishin një role të veçante. Kastrioti çdo herë zgjidhte ushtarët më të shkathtë dhe me syçelë për kryerjen e këtyre operacioneve luftarake. Ai gjithmonë i këshillonte ushtarët e këtyre reparteve që të jenë vigjilentë në mënyrë që t’i eliminojnë të papriturat, befasitë dhe pusitë të cilat mund t’i kurdiste armiku.

 

Kastrioti gjithmonë e potenconte se “shumë ushtri janë shkatërruar më tepër nga pritat se sa në luftë të hapur” (Barleti, 1508, f.170).
Në luftë reparti i Skënderbeut gjithmonë e merrte pozicionin kryesor. Personalisht ai çdoherë hidhej i pari në luftë dhe shpeshherë i fundit e lëshonte fushë-betejën. Ai e zbatonte taktiken luftarake “në sulm pas meje”. Kjo moto luftarake u ruajt dhe zbatua me dinjitet nga të gjithë luftëtarët e lirisë deri në ditët e sotme. U zbatua nga Marko Boçari, Oso Kuka, Sulejman Vokshi, Mic Sokoli, Isa Boletini, Idriz Seferi, Shote e Azem Galica, Abaz Kupi, Shaban Polluzha, Hysen Terpeza, Xheme Gostivari e deri te Adem e Hamzë Jashari.
Kujdesi ndaj ushtarëve të rrezikuar ishte një obligim i posaçëm për secilin dhe Kastrioti i këshillonte oficerët dhe ushtarët që të bëjnë gjithçka që të plagosurit mos të bien në duart e armikut. Në momentet më të vështira edhe vetë Skënderbeu u shkonte në ndihmë ushtarëve të rrezikuar dhe u shpëtonte jetën. Kujdes të jashtëzakonshëm u kushtonte të plagosurve ata gjithmonë i vizitonte, përkëdhelte dhe u jepte zemër dhe i shpërblente. Ai e sillej më shumë si ushtar se sa si komandant! Në luftë Skënderbeu çdo herë mbështetej në normat humane të luftës, respektonte kundërshtarin dhe sidomos robërit e luftës i trajtonte me dinjitet. Vlerat e larta humane, dhe thjeshtësia prej komandanti bënë siç thotë Noli (1964) që Skënderbeu të gëzojë autoritet të madh jo vetëm në popullin arbërore por edhe më gjerë.
Dhënia e meritave dhe shpërblimeve ushtarëve më të suksesshëm zinte një vend të rëndësishëm në praktikën ushtarake të Kastriotit. Ai ishte një gjeneral i kalitur me edukatën e lashtë arbërore, meritat dhe shpërblimet i ndante kudo që ato arriheshin (Bebja, 2016). Pas çdo fitore organizonte dhënien e dekoratave të cilat ua dhuronte oficerëve dhe ushtarëve të merituar. Konfiskimet e pasurive të armikut asnjëherë nuk i merrte për vete, por gjithmonë ua shpërndante ushtarëve dhe popullit (Noli, 1964). Me të drejtë populli i dedikoi Kastriotit epitetin e famshëm “Trimi i mirë me shokë shumë” të cilin e ruan të freskët edhe në ditët e sotme.
Skënderbeu ishte një gjeneral largpamës dhe një rëndësi të veçantë i kushton sigurimit dhe mbledhjes së informatave rreth operacioneve të armikut. Njësitë ushtarake për grumbullimin e informatave e kishin detyrë kryesore t’i sigurojnë dhe mbledhin informatat e nevojshme, të sakta dhe në kohë të duhur rreth planeve të armikut. Kastrioti arrinte të sigurojë informata të mjaftueshme rreth kahjeve të marshimit të ushtrisë së armikut. Sidomos kur armiku përgatiste ekspeditat sulmuese, ushtarët e repartit të zbulimit arrinin të mësonin për kahjet dhe rrugët të cilat do të merrte ushtria e armikut.
Kastrioti e njihte mirë dinakërinë e osmanëve dhe gjithmonë përgatitej për të papriturat që mund të ndodhnin. Ai zbatonte metodën tradicionale të vigjilencës së lartë se ‘uji fle-armiku nuk fle’ dhe urdhëronte që ushtria të vëzhgonte dhe mbante nën kontroll terrenin në mënyrë permanente. Repartet e vëzhgimit dhe mbrojtës arrinin me sukses t’i kontrollojnë dhe monitorojnë të gjitha veprimet ushtarake të armikut. Skënderbeu nuk i lejonte asgjë rastësisë dhe kujdes të veçantë i kushtonte zonave kufitare të vendit. Ai vazhdimisht punonte në rritjen vigjilencës dhe në përforcimin e mbrojtjes së brezin kufitar sidomos atij lindor dhe jugor.
“Skënderbeun e kishte nxjerre Zoti luftëtarin më të mirë në botë” (Barleti, 1508, f. 451). Ai ishte një komandant vigjilent dhe përdorte taktika luftarake sipas rrethanave përkatëse të secilës betejë. Ai shpeshherë ndërronte taktikat luftarake me qëllim që të krijohej huti te ushtarët e armikut dhe kështu arrinte të përcaktojë momentin më të përshtatshëm për të sulmuar. Taktikat kryesore luftarake të Gjergj Kastriotit mund të karakterizohet në tri mënyra: sulmo-tërhiqu-sulmo; bëj sikur tërhiqesh-kthehu dhe sulmo; fute armikun në grackë (Barletit, 1508; Nolit, 1944; Hadrit, 1995).
Por taktika kryesore luftarake të Skënderbeut e cila u zbatua në të gjitha luftërat karakterizohej me sulmet e befasishme dhe shumë të fuqishme të cilat krijonte një huti e panik tek ushtarët e armikut por gjithashtu shkaktonin edhe dëme shumë të mëdha. Aftësitë e Kastriotit për të zbatuar taktika origjinale në fushëbetejë i mundësoi ushtrisë arbërore të arrijë çdo herë fitore të lavdishme. Andaj me plot të drejtë mund të thuhet se Kastrioti ishte pasardhës i gjeneralëve të mëdhenj të cilët i kishte nxjerrë trolli iliro-pellazge, si Aleksandri i Maqedonisë dhe Pirro i Epirit.
Kastrioti ishte një komandant i urtë, i dashur dhe shumë i respektueshëm nga të gjithë, oficerët, ushtarët e populli Epirit dhe gëzonte një admirim të jashtëzakonshëm ndër popujt liridashës. Ai kishte një zemër të madhe, kishte karakter të fortë dhe qëndronte i pathyer edhe në situata shumë të rënda. Kjo vërtetohet sidomos në ato ‘motet e mbrapshta’ kur dy komandantët e tij dështuan dhe ia kthyen shpinën atdheut. Por udhëheqësi i mençur e çmonte vlerën dhe dinte edhe të falte kur ishte nevoja sikurse ndodhi me rastin e kthimit të Moisiut dhe Hamzës në atdhe. Veçanarisht peruljen e Moisiut nuk mundi ta durojë, e kapi atë për dore dhe me lot në sy të dy u përqafuan. Kastrioti nuk e harroi kontributin e madh që Moisi Golemi kishte dhënë në fushëbetejë dhe mbrojtjen e suksesshme të brezit kufitar lindor. Golemi ishte ndër komandantët më të shquar të ushtrisë arbërore dhe roli i tij shpesh ishte vendimtar në fushëbetejë. Të dy trimat u pajtuan dhe Skënderbeu ia ktheu Moisiut të gjitha kompetencat ushtarake dhe pasuritë të cilën e posedonte më parë. Në fund Kastrioti mori vendim që askush mos t’ia përmendë këtë gjë Moisiut. Faljen dhe riaktivizimin e këtyre dy komandantëve tregon për virtytet e larta njerëzore dhe dinjitetin mbretëror të Kastriotit.

2.4.3 Administrimi- drejtësia
në shtetin e Gjergj Kastriotit

Shteti i Gjergj Kastriotit ishte organizuar në bazë të legjislacionit të së Drejtës Arbërore i trashëguar nga e kaluara paraprake e cila ishte i ndikuar nga e Drejta Romake. Nga praktika e Legjislacionit Romak shtetet ishin të organizuara në formë të mbretërive siç ishin ato të Romës, Napolit, Venedikut, e të tjera. Në përgjithësi dominonte forma parlamentare e organizimit të shteteve dhe një formë e tillë u zbatua edhe nga Skënderbeu. Skënderbeu në Kuvendin e Lezhës thirri princat arbëror të cilët në bazë vullnetare u bashkuan dhe krijuan një shtet të përbashkët bazuar në formën e mbretërisë parlamentare. Skënderbeu zyrtarisht u shpall Mbret i Arbërisë. Por praktikisht Ai ishte një udhëheqës shumë i respektueshëm si nga princat arbërorë ashtu edhe nga populli si dhe autoritetet eouropiane. Ai shhpeshherë potenconte: “nuk është sipërfaqja e vendit ajo që e bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të” (Barleti, 1508).
Këshilli i Fisnikeve ishte organi më i lartë juridik i cili merrte vendime të rëndësishme shtetërore. Ky Këshill mblidhej sipas nevojave dhe shqyrtonte çështjet e kohës dhe merrte vendime të cilat ishin të obligueshme për të gjithë fisnikët e vendit. Këshilli i Fisnikëve arbëror operoi me sukses gjatë gjithë kohës sa operoi Mbretëria e Arbërit. Këshilli i Lartë ishte po ashtu një organ i rëndësishëm shtetëror, i cili qëndronte afër Skënderbeut dhe shqyrtonte çështjet e rëndësishme si ato të brendshme edhe ato të jashtme. Anëtar të Këshillit ishin Pal Engjelli, Kont Urani, Tanush Topia, dhe Moisi Golemi. Ndërsa Këshilli i Luftës kishte një fushëveprimi më specifik dhe kryesisht shqyrtonte çështjet ushtarake dhe luftarake.
Në bazë të vendimeve të Kuvendit të Lezhës Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ishte në krye të shtetit të Arbërve dhe dispononte të gjitha të drejtat e Mbretit. Titulli zyrtar për Skënderbeun që nga vendimi i marrë unanimisht nga gjithë princat arbëror ishte “Zot i Arbërisë” (Dominus Albania). Duke pasur parasysh rrethanat e asaj kohe dhe rolin e Papatit në Europë, të gjitha shtetet kristiane ishin të ndërlidhura me qendrën e saj në Romë. Kështu në vitin 1464 Papa Piut II ishte dakorduar që Skënderbeun të kurorëzohej “Mbret i Epirit”. Një ceremoni e veçantë për këtë ngjarje të rëndësishme ishte parashikuar të organizohej me rastin e ardhjes të Papa Piut II në Arbëri ku Skënderbeu do të emërohej komandant i përgjithshëm i ushtrisë europiane.
Skënderbeu ishte Mbret i Epirit dhe ushtronte funksionin e tij në të gjitha fushat e administrimit shtetërore, si në raport me administratorët e lartë dhe të mesëm, me princat, dhe me nënshtetasit e vet. Në bashkëpunim me organet pleqnare Kastrioti zgjidhte ambasadorët të cilët do t’i përfaqësonin interesat e Mbretërisë me vendet tjera. Skënderbeu shpallte dekrete, akte ligjore, dhe rregulla të ndryshme juridike për rregullimin e çështjeve të ndryshme civile, si për shembull, nxjerrja e dekreteve civile, ligjeve rreth obligimeve tatimor, doganore dhe detyrime të tjera. Sipas së drejtës së asaj kohe, nxjerrja e ligjeve me karakter shtetëror ishin nën kompetencat e Mbretit të cilat ishin obligative dhe zbatoheshin njësoj të gjithë principatat dhe nga të gjithë shtetasit e Arbërisë.
Mbretëria Arbërore kishte edhe aparatin gjyqësor funksional i cili ishte drejtpërdrejt i varur prej Skënderbeut. Dihet se në rrethanat e luftës shumë akte juridike janë nën kompetencat e mbretit. Për shembull dhënia e shpërblimeve, dekoratave, gradave të ndryshme ushtarake, dënimit e rënda, vendimet mbi konfiskimin e pasurisë, si dhe vendimet për faljet e ndryshme në raste të shkeljeve të ligjeve duhej të merreshin nga Skënderbeu.
Kastrioti ishte Mbret dinjitoz me një kulturë dhe moral të lartë dhe një vend të posaçëm i jepte drejtësisë e cila ishte baza mbi të cilën ngrehej shteti arbëror. Kjo vërtetohet veçanërisht në rastin e këshillave të cilat Skënderbeu i tha të birit të tij Gjonit në momentet e fundit të jetës se tij, ku thotë: “o biri im Gjon,…respekto para së gjithash drejtësinë” …“ sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i te gjitha virtyteve. Këto këshilla janë të një rëndësie të veçantë për arsye se i biri i Skënderbeut ishte trashëgimtar i fronit mbretëror. Kështu për Gjonin si dhe Gjergjin e Ri ishte shumë e rëndësishme të ushtronin sistemin e drejtësisë arbërore. Sistemi mbretëror i drejtësisë ishte i kodifikuar dhe përbënte bazën juridike të shtetit epirot i cili mundësoi të funksiononte në mënyrë efektive. Sistemi juridik i Kastriotit bazohej në kodet e traditës arbërore dhe zbatohej nga të gjithë, si nga komandantët, administratorët po ashtu edhe nga populli. Për shkak të efikasitetit të lartë sistem juridik i Kastriotit do të mbijetojë për pesë shekuj në mendjen e popullit tonë deri në ditët e sotme.

2.4.4 Ekonomia dhe ndërtimi i vendit
në kohën e Gjegj Kastriotit

Skënderbeu ishte jo vetëm strateg ushtarak por dhe shtet-ndërtues i shkëlqyeshëm. Qysh në Kuvendin e Lezhës Ai i kushtoi një rëndësi të madhe edhe aspekteve të tjera shtetërore veçanërisht ekonomisë së vendit. Organizimi i një ekonomie funksionale ishte shumë e nevojshme për të siguruar një bazë materiale mbi të cilën ngrihet e tërë superstruktura shtetërore dhe ushtarake e shtetit të Arbërisë. Skënderbeu e njihte mirë fuqinë ekonomike të Perandorisë Osmane si dhe fondet kolosale që ajo ndante për financimin e ushtrisë së saj. Andaj, vetëm një bazë e fortë materiale do të mundësonte financimin e suksesshëm të ushtrisë arbërore për t’i përballuar sulmeve të armikut.
Në Kuvendin e Lezhës u diskutua shumë për rëndësinë e organizimit të ekonomisë dhe u vendos të krijohet një arkë (thesari) shtetërore. Përgjegjës i Parë i thesarit u zgjodh Andrea Suma nga Shkodra (Frashëri, 2012). Kuvendi po ashtu diskutoi edhe për krijimin e një monedhe të mbretërisë e cila do të përdorej për të kryer këmbimet monetare dhe transaksionet e brendshme tregtare, kryerjen e pagesave dhe mbushjen e thesarit të shtetit. Për shkak të rrethanave të luftës në transaksionet monetare përdoreshin edhe valutat e vendeve tjera si ato të Venedikut, Napolit, etj.
Me qëllim që shteti të krijonte një ekonomi të suksesshme Skënderbeu i kushtonte rëndësi të madhe forcimit të mbrojtjes së brezit kufitar. Mbrojtja e kufirit veri-lindor dhe jugor u mundësoi banorëve në brendi të vendit të zhvillonin veprimtari të ndryshme prodhuese, dhe shërbimet e nevojshme tregtare dhe zejtare. Krijimin e kushteve për një ekonomi normale mundësonte shfrytëzimin e resurseve të brendshme materiale për sigurimin e ushqimit dhe artikujve të tjerë të domosdoshëm për popullin dhe ushtrinë. Prodhimi i armëve, materialit tjetër ushtarak, barnave dhe ushqimit ishin detyrat kryesore të shtetit të Kastriotit. Burimet kryesore të ekonomisë ishin, bujqësia, blegtoria, peshkataria, industria manifakturale, zejtaria dhe tregtia të cilat ishin nën pronësinë familjeve dhe principatave. Industria manifakturale merrej me prodhimin e barnave, ushqimit, veshmbathjeve, armëve dhe materialit të domosdoshëm për ushtrinë dhe popullin. Punëtoritë zejtare të cilat ishin në pronësinë e familjeve epirote luajtën një rol kyç në mirëmbajtjen dhe riparimin e armëve, veglave dhe mjeteve të tjera të luftëtarëve. Zejtarët gjithmonë bënë punë të rëndësishme për popullin dhe ushtrinë sidomos bënë shërbime për kalorësit, këmbësorinë dhe shigjetarët. Kastrioti udhëzonte që të gjithë njerëzit e aftë për punë të punojnë me zell në prodhimin dhe sigurimin e ushqimit, veshmbathjeve, materialit tjetër jetësor si për ushtrinë ashtu edhe për popullin në përgjithësi.
Një vend të rëndësishëm iu kushtua edhe çështjes së buxhetit të shtetit. Buxheti i Mbretërisë së Arbërit krijohej nga arkëtimi i taksave dhe kontributeve publike të cilat duhej të grumbulloheshin në baza vullnetare dhe të obligueshme me qëllim të mbulimit të shpenzimeve shtetërore dhe të financimit të luftës. Kuvendi i Lezhës vendosi për krijim buxhetin e shtetit i cili do të mbushej nga kontributet të cilat do t’i paguanin të gjitha principatat anëtare. Secila principatë ishte e obliguar të kontribuojë në mbushjen e buxhetit të shtetit sipas kuotave të caktuara. Po ashtu buxheti i shtetit do të mbushej edhe nga taksat dhe kontributet doganore dhe të transaksioneve të ndryshme tregtare të cilat bëheshin me vendet e tjera. Për shembull, taksat që paguanin kriporet e Shën Kollit pranë grykëderdhjes së lumit Mat të cilat ishin nën pronësinë e Gjergj Kastriotit paraqisnin një burim të rëndësishëm të të hyrave buxhetore të shtetit arbëror (Histori e Popullit Shqiptar, 2002).
Prodhimi i materialit dhe kryerja e shërbimeve ndërtimore gjithashtu kishte një rëndësi te jashtëzakonshme. Materiali ndërtimor ishte shumë i nevojshëm për ndërtimin dhe riparimin e shtëpive të banimit, përforcimin e kështjellave, kullave, objekteve dhe pozicioneve ushtarake të cilat dëmtoheshin gjatë luftërave të shpeshta. Rindërtimi i vendit ishte një çështje akute dhe duhej të bëhej në mënyrë permanente. Andaj rindërtimi i objekteve të shkatërruara si dhe ndërtimi i fortifikatave të reja ishin obligimi kryesor jo vetëm i mjeshtrave ndërtimorë por edhe i popullit në përgjithësi. Edhe forcat ushtarake shpeshherë angazhoheshin në riparimin e objekteve ndërtimore dhe ndërtimin e barrierave të ndryshme. Punë ndërtimore dhe përforcimet e fortifikate mbrojtëse bëheshin në çdo kohë dhe në mënyrë kontinuele. Sidomos në periudhën e paqes gjatë viteve 1457-1462 në tërë vendin u bënë ndërtime të reja të fortifikatave dhe rindërtime shumë të rëndësishme të objekteve të ndryshme. Në atë kohë u bënë restaurime dhe përforcime të rëndësishme në shumë kështjella, kala dhe objekte tjera të dëmtuara gjatë luftës. Punë shumë e rëndësishme u bë në përforcimin e mureve të kështjellës së Krujës e cila ishte caku kryesor i sulmeve të ushtrisë osmane.
Këto përgatitje u bënë sepse armikut nuk mund t’i besohej dhe se ushtria arbërore duhej të ishte e përgatitur të përballej me të. Populli gjithashtu duhej të kishin kushte banimi dhe rezerva të mjaftueshme të ushqimit dhe materialit jetësor për të mbijetuar në rast të bllokadave dhe rrethimeve të cilat mund të ndodhnin në çdo kohë. Kështu që u punua mjaft shumë në prodhimin dhe grumbullimin e ushqimit, veshmbathjes dhe armëve si nga prodhuesit vendas ashtu edhe nga importimi tyre prej vendeve të tjera.

2.4.5 Strategjia Diplomatike
e Gjergj Kastriotit

Skënderbeu shquhej jo vetëm si gjeneral i pashoq i kohës së tij por edhe si burrë shteti në takimet diplomatike me udhëheqësit e vendeve ballkanike dhe evropiane. Zgjuarsia, qëndrimi prej një mbreti dinjitoz, oratoria, aftësia diplomatike dhe pamja madhështore prej gjenerali impresiononte të gjithë burrështetasit e kohës së tij. Siç shkruante Gjon Muzaka, kur Papa Piu II e priti Skënderbeun në Romë ai u mahnit kur para tij doli një mbret madhështor dhe nuk e lejoi që ai të përulet, por e puthi në ballë dhe e bekoi. Papa Piut II, për shkak të aftësive të jashtëzakonshme ushtarake dhe diplomatike të cilat tregoi, vendosi ta kurorëzonte Skënderbeun Mbret të Epirit-Maqedonisë dhe ta emëronte komandant të përgjithshëm të forcave europiane.
Në kuadrin e aleancave me shtetet tjera, një vend të veçantë kishin ato me mbretëritë italiane si dhe ajo me Hungarinë dhe Bosnjën. Lufta e epirotëve nën udhëheqjen e Skënderbeut konsiderohej si një barrierë e pathyeshme që e pengonte depërtimin e ushtrisë osmane në drejtim të Italisë dhe Evropës. Sukseset e jashtëzakonshme në fushëbetejë i hapën Kastriotit rrugën për krijimin e kontakteve diplomatike dhe përfitimin e përkrahjes jo vetëm politike por edhe ushtarake nga shtetet e Europës. Në vitin 1451 Skënderbeu lidhi traktat me mbretin Alfonsi V, Venedikun, Romën, Raguzën, Bosnjën dhe Hungarinë me qëllim që të luftojnë të bashkuar kundër osmaneve.
Po ashtu një sukses i rëndësishëm i diplomacisë së Kastriotit është Marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak me Venedikun me 20 gusht 1463. Ndihmat e vendeve aleate sidomos nga ato italiane ishin shumë të nevojshme për ushtrinë e Epirit. Vendet aleate si Venediku, Napoli, e të tjera i dhanë Skënderbeut ndihma të shumëllojshme si në ekspertë ushtarak, armatim, ushtarë, material lufte dhe ushqim.
Duke pasur të qartë se superfuqisë osmane mund t’i bëhej ballë vetëm me bashkimin e evropianëve në një front unik, Skënderbeu kërkoi pareshtur pjesëmarrjen e vendeve të Evropës në luftë kundër armikut të përbashkët. Në projektin antiosman të hartuara nga mbreti Alfonsi V, Papa Nikolla V, Papa Kaliksi III, Papa Piu II, princat e mbretërit Gjermanë e Hungarezë, një vend qendror i jepet ushtrisë epirote të Skënderbeut. Në projektin e Papa Piut II, parashikohej të formohej një front i përbashkët evropian i cili do të vepronte në dy drejtime. Në Frontin Verior (të Danubit) do të luftonin hungarezët, kurse në Frontin Jugor (të Mesdheut) do të sulmonte flota e shteteve Italiane. Papa Piu II, për shkak të suksesit të arritur ndër vite vendosi që Skënderbeu ta emërojë komandant i përgjithshëm i forcave Europiane. Këtë ide të Papa Piut II, Skënderbeu e priti me dëshirë të madhe dhe u angazhua seriozisht për realizimin saj. Fatkeqësisht në vitin 1464 kur Papa Piu II shkoi në Ankonë për të pritur ushtritë evropiane që do të tuboheshin aty për të kaluar në Raguzë ai papritur ndërroi jetë. Më 14 gusht 1464 në Ankonë bashkë me Papa Piun II u varrosën përfundimisht edhe përpjekjet për organizimin e një fronti ushtarak antiosman në shkallë evropiane.
Skënderbeu kishte një qëndrimi dinjitoz diplomatik jo vetëm në takimet me liderët dhe mbretëritë e vendeve aleate por edhe në negociata me delegacionet osmane. Gjate bisedave të shumta me të deleguarit e sulltanit, Ai ishte vigjilent, i matur dhe asnjëherë jo vetëm nuk iu frikësua kërcënimeve të sulltanit, por as nuk u lëkund fare ndaj ofertave marramendëse të tij. Në letërkëmbimet e Kastriotit me Sulltanin të prezantuara nga Barleti (1508) duket qartë qëndrimi i një diplomati të nivelit të lartë. Në një prej përgjigjeve të para drejtuar Muratit I, në mes të tjerash Kastrioti thoshte: “Mbretërinë atërore ma rrëmbeve, vëllezërit m’i vrave dhe mua vete,…më kishe taksuar…për vdekje mizore…. Prandaj, ne nuk kërkojmë këshilla nga armiku për ç’ka duhet të bëjmë,…ne me ndihmën e perëndive fitoren e kërkojmë” (Barleti, 1508, f. 91). Skënderbeu pra, kërkonte vetëm që Arbëria të jetë e lirë dhe në asnjë mënyrë nuk e pranonte nënshtrimin apo ndonjë shërbim prej vasali ndaj sulltanit.
Niveli i lartë diplomatik i Gjergj Kastriotit vërehet edhe në fjalorin dhe terminologjinë e zgjedhur dhe mënyrën e përgjigjes ndaj kërkesave, ofertave dhe kërcënimeve të sulltanit. Kastrioti ishte i patrembur nga kërcënimet e sulltanit dhe asnjëherë nuk pranoi ofertat dhe nuk lakmoi dhuratat kolosale të tij. Skënderbeu ishte i pa kompromis me tiranin si në fushëbetejë, ashtu edhe në procesin e negociatave të shumta të cilat ai i zhvilloi gjatë gjithë asaj periudhe përmes delegacioneve dhe letërkëmbimeve. Atdhedashuria dhe vizioni fisnik për çlirimin e vendit dhe krijimin e shtetit kombëtar ia trasuan rrugën dhe i dhanë forcë shpirtërore e fizike për realizimin e qëllimeve të larta kombëtare.

2.4.6 Këshillat e Gjergj Kastriotit

Gjergji Kastrioti ishte i lindur me dhunti natyrore- ai ishte hyjnor. Aftësitë e tij mbinjerëzore i mundësuan ta parandiejnë fundin e jetës se vet. Në janar të vitit 1468 Skënderbeu thirri një Kuvend në Lezhë dhe po atë ditë papritmas u sëmur nga ethet. Kastrioti e kuptoi keqësimin e gjendjes së tij shëndetësore dhe në mënyrë krejtësisht normale e pranoi veprimin e ligjeve të natyrës. Kryetrimit nuk iu ligështua zemra e as nuk iu dridh zëri kur e pa se nuk mund të shkonte në fushëbetejë me ushtarët e tij. Skënderbeu i shtrirë në shtrat, thirri trimat epirot dhe të birin e tij dhe ngadalë e me kujdes u dha këshilla shumë të vlefshme. Vetëm një njeri me veti hyjnore mund të jetë në gjendje që në momentet e fundit të jetës të japë këshilla e thotë fjalë aq kuptim plotë. Ato këshilla të shtrenjta do të mbeteshin përgjithmonë të freskëta në kujtesën e arbërve.
Në këshillat e tij të fundit ilustrohen më së miri virtytet e jashtëzakonshme të Kastriotit si një udhëheqës dhe mbret dinjitoz, ku në mes të tjerash thotë: “Jam në prag të varrit”. Më tutje ai potencon: “Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj…Duhet të jetë virtyti themel i fronit…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…” (Zannovich, 1779).
Në këtë fjalim vërehet shumë qartë morali i fortë njerëzor i një mbreti me dinjitet të lartë. Ai i këshilloi bashkëluftetarët e vet që të jenë të vendosur në përballjen e vështirësive dhe të qëndrojnë të pa lëkundur kundrejt armikut qoftë kur ai kërcënon dhe sulmon me mijëra ushtarë, qoftë kur ofron pozita të larta apo dhurata me vlerë marramendëse. Mbi të gjitha Kastrioti këshillon që komandantët e ushtrisë së arbërit gjithmonë duhet të jenë të virtytshëm dhe të jenë të pakompromise me armikun. Ai sugjeronte se nëse ju ndërtoni një lidership mbi themelet e virtyteve humane, Mbretëria Arbërore mund t’i përballojë dallgëve të luftës. Udhëheqësit dhe sidomos komandantët duhet të veprojnë me dinjitet dhe të sillet në bazë të normave dhe moralit tradicional arbëror, këshillonte Kastrioti.
Rëndësia e moralit dhe humanizmit të Kastrioti shihet veçanërisht në rastin e këshillave të cilat Skënderbeu i dha të birit, ku thotë: “O biri im Gjon, të jesh i mirë, mos vë gjë para mirësisë dhe virtytit!… Respekto para se gjithash drejtësinë… Mos e duro qetësinë qull dhe plogështinë e zhburrnuar…Plogështia është burimi i të gjitha të këqijave…Ushtarët e tu mos i lër të kalben në plogështi, por ushtroi me punë;…mos i përdor ata si shërbëtorë, por si shokë e bashkëluftëtarë…Ji i duruar në mundime dhe i patrembur në rreziqe…Fatin më të keq duroje…s’ka më keq për një kapedan… se sa t’ia zbulojë tronditjen e shpirtit fytyra…Largoju pabesive, largoju dhelpërive të njerëzve të pabesë: përbuze miqësinë, dhuratat e tyre…Të marrësh gjithmonë këshilla nga këshilltarë të njohur besnikë dhe të dashur” (Barleti, 1508, f. 487-490).
Në këta rreshta shihet qartazi se virtyti, dinjiteti dhe drejtësia janë ato veti të cilat i mundësuan Kastriotit të qëndrojë heroikisht para tiranit shumë herë më të fuqisht ushtarakisht dhe të korrë fitore të lavdishme në çdo betejë. “Virtyti” ishte bazamenti mbi të cilin u ngrit dhe krijua personaliteti i Kastriotit. Virtyti, drejtësia dhe respekti të trashëguara nga edukata e lashtë arbërore ishin mjetet kryesore me të cilat Kastrioti përgatiti ushtrinë e tij. Skënderbeu i trajtonte ushtarët e tij jo si robër por si bashkëluftëtarë dhe mbrojtës të lirisë së Epirit. Vërtetë ushtria osmane ishte shumë e madhe në numër dhe e përforcuar me teknikë luftarake, por ushtarëve osmanë u mungonte virtyti dhe morali njerëzor në fushëbetejë. Mungesa e moralit njerëzor ushtrinë osmane e shoqëronte çdo herë, kjo vërtetohet sidomos me barbarinë e shfrenuar të ushtarëve osmanë ndaj robërve të luftës sidomos të plagosurve. Kjo më së miri argumentohet me aktet barbare të ushtrisë osmane në betejën e Beratit në korrik të vitit 1455 kur ata pa fije turpi i masakruan robërit dhe të plagosurit e paaftë dhe të pambrojtur.
Me tutje Gjergji vazhdoi ta këshillojë të birin e tij Gjonin, me këta fjalë: “Këto janë o drita ime, o biri im, porositë dhe mësimet që unë vetë i kam marrë e kam mësuar nga prindi im, mësuesi më i merituar “ (Barleti, 1508, f. 490). Madhështia e figurës së Kastriotit qëndron në të vërtetën që ai tregoi se ato këshilla të shtrenjta i kishte marrë nga prindërit e tij. Pra vlerën dhe rëndësinë e edukatës dhe kulturës arbërore Kastrioti ia atribuon jo vetvetes por paraardhësve të tij. Kastrioti me të drejtë potencon se mësimet e jetës i mori nga prindërit e vet. Skënderbeu vërteton se edukata dhe kultura arbërore është universale në aspektin kohor dhe i ka rrënjët thellë në historinë e lashtë të popullit arbëror. Edukata dhe kultura e lartë humane ishte transferuar nga prindërit te fëmijët me shekuj e milleniume nga gjenerata në gjeneratë.
Rëndësia e këtyre fjalive qëndron po ashtu në atë se si Gjergji e porosiste të birin e tij jo vetëm që këto këshilla t’i zbatojë në jetë, por ato t’i transferojë te fëmijët e tij në të ardhmen. Kështu këto këshilla të çmueshme sugjeronte Kastrioti, duhet të barten nga një brez në tjetrin me qëllim jo vetëm që gjeneratat e reja të edukohen por mbi të gjitha, që kultura dhe edukata tradicionale e popullit tonë të lashtë të mbijetojë duke u transferuar nga prindërit te fëmijët e tyre.
Skënderbeu ishte një njohës shumë i mirë i dinakërisë osmane dhe gjithashtu jep këshilla shumë të vlefshme për arbërit duke porositur se strategjia politike osmane para së gjithash mbështetet në formulën “përçaj e sundo”. Kastrioti i jep një vend të posaçëm kësaj strategjie famëkeqe dhe potenconte se osmanët para së gjithash janë të prirur në mbjelljen e përçarjen në mes princave të krishterë dhe i gjithë suksesi i tyre është rezultat i kësaj politike degresive. Në fund Kastrioti dha porosinë e cila ishte mësim mbi mësimet për arbërit: “Luftoni gjithmonë të bashkuar” (Barleti, 1508). Kjo porosi ruhet e freskët në mendjen e popullit shqiptar dhe kujtohet me respekt të veçantë. Kjo këshillë është një porosi e shenjtë e lënë nga heroi ynë, e cila u bart me krenari ndër shekuj nga një brez në tjetrin deri në ditët tona. “Jeni të bashkuar” është formula e vetme e cila u mundësoi jo vetëm shqiptarëve por të gjithë popujve liridashës të mbijetojnë dhe arrijnë fitoren e lirisë. Në jetën reale kjo formulë shumë herë është vërtetuar se vetëm kur një komb është i bashkuar dhe lufton e punon drejt një qëllimi ai arrin jo vetëm të mbijetojë por edhe mund të bëhet një faktor i rëndësishëm vendimmarrës në përmasat rajonale e më gjerë.
Pas përfundimit të dhënies së këshillave epokale, më në fund më 17 Janar 1468, Gjergj Kastrioti kaloi në përjetësi! Më 17 Janar të vitit 1468 Kastrioti u shndërrua në engjëll dhe fluturoi mbi Krujën legjendare. Engjëlli u ngrit lart në qiell dhe me krahët e tij vigan mbuloi gjithë Arbërinë. Vepra e lavdishme e Kastriotit u fut thellë në mendjet dhe zemrat shqiptare dhe do të jetojë për jetë të jetëve. Zoti e bekoi përjetësisht Kastriotin tone te Madh!

3. Vepra e Kastriotit Bazament
i Vetëdijës Kombëtare

Kombi shqiptar ndihet krenar jo vetëm se i ka rrënjët në lashtësinë e epokave iliro-pellazge por mbi të gjitha sepse vetëdija kombëtare është krijuar, ndërtuar dhe kultivuar mbi veprat e sublimet e figurave më të njohura të historisë së njerëzimit që nga Aleksandri i Madh e deri te Gjergj Kastrioti si dhe të dijetarëve më të njohur të antikës. Themelet e forta të vetëdijes shtet-formuese të skalitura nga dijetarët dhe gjeneralët më të njohur të historisë u mundësuan paraardhësve arbëror-epirot të bëjnë vepra të paharruara dhe stimuluan arbërit dhe shqiptarët t’i sfidojnë sulmet e shumta gjatë gjithë historisë deri në ditët tona.

 

Të bazuar në mësimet dhe praktikat e lashtësisë, princat arbëror të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti u mblodhën në Kuvendin e Lezhës, më 2 Mars të vitit 1444 për të vendosur për fatin e vendit. Me “besë-lidhjen kombëtare” si akti më sublim kombëtar u arrit bashkimi i pjesës dërrmuese të princave epirot me qëllim që të bashkëpunojnë në çdo fushë për çlirimin e vendit, ndërtimin e shtetit dhe mbrojtjen e etnisë arbërore. Kuvendi i Lezhës vuri bazamentin historik në të cilin do të krijohet, kultivohet dhe ngrihet vetëdija individuale dhe kolektive kombëtare shqiptare.
Veçoritë kryesore evetedijës kombëtare shqiptare janë atdhedashuria, besnikëria (besa-besë), uniteti, urtësia, drejtësia, largpamësia dhe mençuria. Këto virtyte të larta njerëzore mundësuan bashkimin e princave arbëror në një front të përbashkët i cili solli çlirimin e vendit, krijimin dhe ndërtimin e shtet-mbretërise arbërore në tokën e lashte iliro-pellazge. Fryma e tolerancës, bashkëpunimi ndërprincor, vurja e interesit kombëtar mbi atë personal e rajonal ishin fondamenti kryesor i strategjisë kombëtare në kohën e Gj. Kastriotit. Vetëdija e lartë kombëtare e princave epirot mundësoi që ata të pajtohen dhe unanimisht njëri prej tyre të zgjedher udhëheqës i të gjithë princave. Pajtueshmëria dhe besueshmëria reciproke në mes të princave epirot mundësoi bashkimin e të gjitha forcave nën një komandë të përbashkët të udhëhequr nga kryetrimi Gjergj Kastrioti. Kur princat arbëror arritën të vejnë interesin e përgjithshëm kombëtar mbi atë lokal dhe individual atëherë u arrit jo vetëm të çlirohet vendi por edhe të krijohet shtetit si institucion kryesor i etnisë shqiptare në kohën e re.
Princat epirot arritën që t’i ulin interesat e tyre personale e rajonale në të mirën e interesit të përgjithshëm kombëtar. Mendja racionale e udhëheqësve të principatave arriti që interesat e tyre personal t’i vejë në shërbim të interesit të lartë të atdheut. Vetëm një nivel i lartë i vetëdijes arriti që në periudhën e mesjetës t’i sakrifikojë interesat personale e rajonale të princave epirot dhe t’i vejë nën shërbim të interesit sublim kombëtar. Atëherë kur vetëdija e prijësit arrin të udhëhiqet nga një arsye a lartë aty kemi një harmonizim të interesave personale e rajonale me interesat e përgjithshme kombëtare. Në këso rastesh interesi personal është një interes racional dhe është në pajtueshmëri të plotë me interesin e përgjithshëm. Besueshmëria reciproke dhe konvergjenca e interesave në mes të princave arriti t’i eliminojë të gjitha infomatat asimetrike brenda pushtetit shtetëror si atij qëndror, atij rajonal dhe lokal. Eliminimi i informatave asimetrike në hierarkinë vertikale shtetërore (ndërmjet dikastereve të ndryshme) dhe atë horizontale shtetërore (në mes të lokaliteteve dhe rajoneve) i mundësoi Mbretërisë Arbërore të funksiononte me sukses për më se tri dekada e gjysmë.
Në Kuvendin e lavdishëm të Lezhës kemi për herë të parë në historinë tonë dhe më gjerë kalimin nga praktika e ndërtimin e modelit të trashëguar të principatës rajonale si formë e shtetit në atë të “shtetit-komb” me një qendër të vetme, kësaj radhe në qendrën e Kastriotëve në Krujë. Kruja u be epiqendër gravituese e të gjitha nën-qendrave dhe principatave të tjera epirote. Kruja u bë qendra e parë kombëtare e cila arriti ta përfaqësojë interesin e përgjithshëm të viseve të çliruara dhe atyre të cilat mbetën jashtë kontrollit të Mbretërisë Kombëtare. Në Krujë u vendos administrata qëndrore shtetërore përfshirë strukturat ushtarake, politike, diplomatike, administrative, ekonomike dhe kulturore. Aty qëndronte Mbreti, Kuvendi i Fisnikëve, aty marshonte Garda Mbretërore, aty ishte Arka e Shtetit dhe në Portën e Kështjellës së Krujës valonte flamuri kombëtar “kuq-e- zi”, simbol i shtetit të lirë Arbëror. Për 25 vjet me radhë nën udhëheqjen e Kastriotit dhe 10 vjet të tjera nën udhëheqjen e Lek Dukagjinit në Krujë do të hartohen planet strategjike ushtarake, politike, e diplomatike për avancimin e çështjes kombëtare shqiptare. Administrata shtetërore e përqendruar në Krujë do ta iniciojë, hartojë dhe harmonizojë strategjinë kombëtare dhe administrojë të gjitha punët dhe veprimet për realizimin e planeve dhe kryerjen e detyrave në raport me interesin e gjerë kombëtar.
Në Epokën e Kastriotit u arrit një avancim i vetëdijes shoqërore e cila shënoi një ngritje në një shkallë më të lartë nga ai lokal e rajonal në atë kombëtar. Kështu u arrit të krijohet shteti si një mjet mbrojtës i interesave për të gjithë pjesëtarët e etnisë shqiptare. Me kalimin e kohës do të arrihet që të krijohen ligjet, kodifikohen rregullat dhe zakonet e etnisë shqiptare në aktin më të lartë zakonor, i njohur si “Kanuni i Lek Dukagjinit”. Në “Kanun” fare mirë shtjellohet vija, rruga dhe shkalla e krijimi të kombit shqiptar duke filluar nga familja (e përbërë nga anëtarët e saj), farefisit, flamurit e më gjerë. Andaj, kombi shqiptar mund definohet si një bashkësi shoqërore e individëve të bashkuar në familje e vëllazëri të cilët e kanë një gjak, një gjuhë, doke dhe kulturë historike të njëjtë dhe jetojnë në një atdhe të shtrirë në një territor kompakt gjeografik të trashëguar nga periudhat e hershme historike dhe parahistorike (iliro-pellazge).
Vetëdija kombëtare e ndërtuar mbi bazën e konceptit të ‘familjes si qelizë’ fillestare e kombit shqiptar arriti që me sukses t’u rezistojë fortunave të ashpra historike duke ruajtur, kultivuar dhe zhvilluar kulturën kombëtare dhe mbrojti me sukses qënien etnike shqiptare. Familja është ‘qeliza’ fillestare e shoqërisë shqiptare e cila i ka rrënjët thelle në historinë iliro-pellazge. Familja ishte vendi ku paraardhësit tanë krijuan, kultivuan dhe zhvilluan fuqinë punëtore, forcën luftarake dhe intelektuale gjatë epokave të ndryshme të historisë. Në familjen arbërore krijohej edukata bazuar në kulturën tradicionale e cila edukoi luftëtarët më të mëdhenj të historisë si Aleksandri Madh, Pirro i Epirit, Gj. Kastrioti, M. Boçari, L. Bubulina, O. Kuka, I. Boletini, D.Gj. Luli, Shote e Azem Galica e deri te Adem e Hamzë Jashari. Në familjen shqiptare u ruajt dhe kultivua mësimi dhe kultura arsimore kombëtare nga e cila dolën shkollarët e njohur si M. Barleti, P. Bogdani, rilindësit e mëdhenj, doli Gj. Fishta e F. Konica e deri te Ferid Murati, I. Kadare dhe dijetarë të tjerë të cilët sot punojnë dhe kontribuojnë në institute, universitete dhe akademi të ndryshme rreth e rrotull globit tokësor.
Kultura kombëtare e mbështetur në “familjen e fortë” arriti t’u parballojë dallgëve të egra të shekujve dhe u mundësoi shqiptarëve të mbijetojnë në trojet e tyre jashtë shtetit shqiptar. Familja e shëndoshë shqiptare ishte faktori kryesor e cila u mundësoi shqiptarëve jashtë atdheut të mbijetojnë ndër shekuj si Arbereshët në Itali dhe shumë shqiptarë të tjerë në Turqi, SHBA, vendet Europiane dhe kontinentet tjera. ‘Familja e fortë’ ishte faktori kryesor i cili u mundësoi çamëve dhe arvanitasve të mbijetojnë nën pushtetin grek. Arvanitasit janë shembull i shkëlqyeshëm i trimërisë dhe krenarisë shqiptare të cilët kishin rolin kryesor të luftës nacionalçlirimtare të 1821-shit (Llala, 2011; 2019). Ata pavarësisht dhunës dhe persekutimit të gjatë duke i falenderuar kulturës së lashte dhe familjes së shëndoshë arritën ta ruajnë substancën e vet kombëtare deri në kohën tonë. Familja e shëndoshë arbëreshe dhe arvanitase lindi dhe rriti luftëtarë dhe intelektualë patriotë të shquar si De Rada, Z. Serembe, Dh. Kamarda, J. Diogardi, L. Bubulina, M. Boçari, A.Kryezi, T. Kollokotroni, A. Kola, e shumë të tjerë.
Shqiptarët vërtete nuk patën fat në ruajtjen e shtetit kombëtar pas Epokës së Kastriotit por duke kultivuar vetëdijen dhe kulturën e ruajtjes së familjes si qelizë kryesore të shoqërisë dhe forcimin e saj brenda fare-fisit dhe rajonit arritën me sukses të mbijetoje gjatë periudhave dramatike ndër shekuj deri në ditët e sotme. Familja pati rolin kryesor në ruajtjen e kombit shqiptar në diktaturën komuniste dhe nën pushtimin barbar serb. Ta marrim një shembull konkrete, gjatë periudhës së pushtimit të egër serb në shumicën e rajoneve dhe lokaliteteve ku jetonin shqiptarët, në lagje, fshatra e më gjerë gati se mbi 80% deri në 90% e familjeve shqiptare ishin të shëndosha, të rregullta, bënin një jetesë të organizuar, zhvillonin një jetesë normale, ishin shumë kompakte dhe moralisht të pastra. Nëse 80-90% e familjeve shqiptare bënin një jetesë të organizuar, ishin të shëndosha dhe të forta atëherë rrjedh se mbi 90% e pjesëtarëve të kombit shqiptar ishin në gjendje të rregullt dhe normale. Nëse rreth 90% e pjesëtarëve të kombit bënë një jetesë të organizuar, të harmonizuar dhe të ekuilibruar do me thënë se ai popull vërtetë është i fortë dhe mund t’u përballojë valëve të egra të kohës.
Kultura tradicionale e ruajtjes së familjes mundësoi ndërlidhjen ndërmjet e regjioneve ku jetonin shqiptarët dhe u bë elementi kryesor i cili realizoj bashkëpunimin e fortë dhe shume funksional të të gjitha veprimeve ndërmjet popullsisë pavarësisht ndarjes dhe copëtimit të rajoneve dhe krahina të ndryshme me kufijtë artificial që bënë armiqtë tanë. Bashkëpunimi dhe bashkë-koordinimi i aksioneve dhe veprimeve në mes të familjeve të shëndosha në aspektin regjional dhe krahinor u mundësoi shqiptarëve të operojnë me sukses në nivel të përgjithshëm dhe t’i tejkalojnë periudhat dramatike të historisë.
Bashkëpunimi dhe bashkë-koordinimi i aksioneve për interesa të gjera çdo herë është bërë në bazë të vijës së gjakut dhe fisit duke i funksionalizuar ndarjet e ndryshme jo vetëm rajonale por edhe dallimeve kulturore e fetare. Edhe pse shqiptarët u detyruan të marrin dhe zbatojnë besimet e ndryshme fetare ata çdo herë ishin të lidhur në mes vete në bazë të vlerës së etnisë shqiptare. Shqiptarët kanë jetuar si vëllezër pavarësisht ndarjeve fetare dhe do të jetojnë kështu gjithmonë, duan apo jo armiqtë e tyre potenconte Sami Frashëri (Frashëri, 1878). Organizimi i jetesës në bazë të principeve të kulturës kombëtare mundësoi që aspekti fetar te shqiptarët vazhdimisht të jetë në shërbim të interesit të përgjithshëm kombëtar. Shpesheherë gjatë historisë sonë pati përpjekje nga agjenturat e ndryshme që t’i shfrytëzojnë besimet e ndryshme fetare si instrument perfid për të krijuar ndarje dhe përçarje në popull. Ndarjet fetare të popullit tonë çdo herë në mënyrë të vetëdijshme u tejkaluan duke i dhënë përparësi çështjes kombëtare në relacion me çështjen fetare.
Shqiptaret arritën t’i tejkalojnë problemet e ndarjes dhe përçarjes sepse ishin te prirur nga porosia e Kastriotit “të jeni gjithmonë të bashkuar” në luftë për çlirimin dhe mbrojtjen e vendit. Andaj Skënderbeu definitivisht u shndërrua në simbolin e bashkimit, pavarësisht nga besimi fetar (Repishti, 2004). Një rëndësi të jashtëzakonshme në ruajtjen dhe kalitjen e bashkëveprimit kombëtar do të luajnë sidomos mësimet monumentale të rilindësve tanë të shenjtë. Dijetarët e Rilindjes Kombëtare i kushtuan një rëndësi të veçantë edukimit të popullit në frymën e Kastriotit duke i vënë interesat e përgjithshme në plan të parë. Kështu që porosia e P. Vasës, “feja e shqiptarit është shqiptaria” u bë një moto jetike dhe shëndrrua në një mjet shume efikas në forcimin e unitetit ndërshqiptar për çdo individ dhe bashkësi individësh apo familjesh kudo që ata jetojnë dhe punojnë.
Për shembull, shqiptarët në territoret e tyre të pushtuara nga jugosllavet vërtetë ishin të shtypur, të diskriminuar dhe të privuar nga e drejta e ndërtimit të shtetit të vet kombëtar. Vetëdija kombëtare shqiptare u ndërtua mbi konceptin e ‘familjes së fortë’, u kultivua dhe kalit në konceptin e kulturës së lashtë kombëtare, duke funksionalizuar dallimet regjionale dhe diversitetin fetar. Arritja e harmonisë dhe ndërlidhshmërisë brenda kombëtare pavarësisht këtyre ndarjeve administrative (të instaluara nga armiqtë) u mundësoi shqiptarëve në këtë anë të Drinit, siç do të thoshte shkrimtari i nderuar D. Agolli, të qëndrojnë historikisht, ta ruajnë substancën etnike dhe te avancohen si faktor i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit të sotëm. Si rezultat i kësaj qëndrese shekullore sot në hapësirën Ballkanike po funksionojnë dy shtete etnike shqiptare. Po ashtu është për t’u veçuar fakti që shqiptarët në hapësirën e Maqedonisë, Luginës së Moravës dhe rajonit të Tivarit, Ulqinit, Tuzit e te tjera çdo ditë po forcohen si element shtetformues.

3.1 PËRJETËSIMI I VEPRËS
SË GJERGJ KASTRIOTIT

Në bazë të këtyre diskutimeve të prezantuara në ketë studim mund të nxirret përfundimi se figura e Gjergj Kastriotit është sa komplekse, aq interesante dhe mbi të gjitha është shume e rëndësishme jo vetëm për popullin shqiptar por për të gjithë popujt liridashës. Kompleksiteti i figurës së Kastriotit rrjedh nga format shumëdimensionale të ngritjes dhe ndërtimit të karrierës së tij ushtarake, diplomatike dhe shtetërore. Roli i personalitetit të Kastriotit qëndron në mënyrat të cilat ai arriti të iniciojë dhe realizojë bashkimin e princave arbëror si dhe metodën e bashkëpunimin e suksesshëm gjatë tri dekadave e gjysmë në mbrojtjen, ngritjen dhe ndërtimin e shtetit kombëtar. Po ashtu një rol jashtëzakonisht i rëndësishëm i Kastriotit qëndron në iniciativat dhe kontributin e tij në krijimin e aleancave rajonale dhe europiane sidomos në krijimin e miqësive me mbretëritë e Italisë.
Figura e Gjergj Kastriotit del aq madhështore sidomos kur analizojmë sukseset e vazhdueshme në luftë për çlirimin e vendit, mbrojtjen e lirisë dhe ndërtimin e shtetit arbëror dhe sukseset e tij në arenën europiane e më gjerë. Kastrioti arriti suksese kolosale si në fushëbetejë, po ashtu edhe në fushën politike dhe atë diplomatike kundër një super fuqie ushtarake e cila ishte sa e fortë aq edhe dhelpnake edhe e paparashikueshme në veprimet e saj. Ushtria osmane ishe një superfuqi ndër më të mëdhatë në histori dhe nuk respektonte ndonjë kodhuman të luftës.  Ajo çdo herë sillej me dinakëri, agresivitet dhe barbari ndaj popujve të vegjël. Kjo ndikoi që ushtria e Kastriotit të ishte çdo herë vigjilente dhe të sillej me dinjitet si në fushatat luftarake ashtu edhe në periudhat paqësore.
Vlerën e figurës së Kastriotit e ngriti edhe më lartë gjithashtu vrulli i paparashikueshëm i rrjedhës së ngjarjeve në ato vitet e katrahurës në të cilat sollën shembjen e dy perandorive më të mëdha të historisë (Romake dhe Bizantine). Perandoritë e krishtera për shkak të divergjencave dhe mos harmonizimit të veprimeve në mes tyre ato nuk qenë në gjendje t’i përballojnë sulmeve agresive të forcave osmane. Forcat osmane shpejtë arritën ta pushtojnë tërë territorin e perandorisë së Bizantit si dhe një pjesë shumë të rëndësishme të Perandorisë Romake.
Fitoret e njëpasnjëshme të ushtrisë maqedono-epirote të udhëhequra nga Kastrioti dëshmuan se lufta e drejtë e një populli të vogël mund të fitohet kundër një superfuqie ushtarake vetëm kur ai popull është unik dhe kur të gjithë udhëheqësit dhe komandantët e tij luftojnë së bashku për të çliruar dhe mbrojtur atdheun. Ushtria arbërore bëri një luftë gjigandeske, me përmasa europiane për mëse njëzet e pesë vjet nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit dhe për një dekadë tjetër nën udhëheqjen e Lek Dukagjinit. Fitoret epike të ushtrisë epirote arritën ta shndërrojnë Gjergj Kastriotin në simbol të luftëtarit për liri me përmasa globale! Në shenjë respekti, busti i heroit tonë qëndron krenar në shumë qendra të botës si në Gjenevë, Londër, Në York, Bruksel, Romë, Miçigan, Budapest, etj.
Gjergj Kastrioti ishte heroi më i madh në histori dhe askush, as në historinë e vjetër dhe as në atë të renë, nuk mund të krahasohet me të (Holberg, 1739). Andaj mund të thuhet se vërtetë ai ishte pasardhës i denjë i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë dhe Pirros së Epirit. Vepra e Gjergj Kastriot shkëlqeu si rreze dielli dhe ndriçoi rrugët e lirisë jo vetëm të popullit tonë por të të gjithë popujve liridashës. Madhështia e veprës së Kastriotit do të bëhet faktor stimulues për të gjitha shtresat e shoqërisë në të gjitha periudhat historike që të luftojnë për çlirimin e vendit dhe krijimin e shtetit kombëtar shqiptar.
Gjergj Kastrioti krijoi Epokën më të lavdishme historike jo vetëm për popullin tonë por për gjithë popujt liridashës të Europës dhe më gjerë. Epoka e Kastriotit ishte shembull i mrekullueshëm i qëndresës së arbërve (Andoni, 1982). Kjo epoke u shëndrrua në një faktor motivues për çlirim kombëtar në të gjitha periudhat e mëvonshme kohore dhe për të gjitha gjeneratat duke përfshirë Gjon e Gergj Kastriotin e Ri, Pjetër Bogdanin, Ali Pash Tepelenën e Balshajt e Shkodrës, Sylejman Vokshin e Micë Sokolin, Marko Boçarin e Oso Kukën, Bajo e Çerçiz Topullin, Dedë Gjo Lulin, Isa Boletinin dhe Idriz Seferi, Shote e Azem Galicën, Shaban Polluzhën, Hysen Terpezën e Xhemë Gostivarin, dhe Adem e Hamzë Jasharin.
Epoka e historike e Kastriotit jo vetëm se arriti ta mbjellë përjetësisht ndjenjën e krenarisë kombëtare të populli shqiptare por edhe u shndërrua në një burim të pashtershëm për shollaret e të gjitha niveleve dhe të gjitha lëmive të cilët do krijojnë vepra me vlera të larta artistike dhe shkencore gjatë të gjitha periudhave të historisë. Andaj, siç thoshte shkrimtari Godo, po mos të ishte rezistenca historike e Kastriotit, shqiptarët do të ishin kthyer në një popull të nënshtruar. Rrezistenca titanike e Kastriotit mbolli thellë në ndërdijen e popullit tonë vetitë luftarake dhe krenarinë kombëtare e cila mundësoi që shqiptarët jo vetëm të mbijetojnë ndër shekuj por edhe të arrijnë të themelojnë dhe ndërtojnë dy shtete të pavarura në fillim dhe në fund të shekullit njëzet.
Rëndësia e Epokës së Skënderbeut duhet analizuar nga dy perspektiva kryesor të në atë luftarake dhe politike e cila u realizua në dy rrafshe, në atë kombëtare dhe ndërkombëtar. Në rrafshin kombëtar, rëndësia e e jashtëzakonshme veprës së Kastriotit qëndron në atë se ajo jo vetëm se arriti të krijojë shtetin e parë shqiptar por edhe se ajo u shndërrua në një fanar të pashuar e cila udhëhoqi mendjet e ndritura dhe luftëtarët e lirisë gjatë gjithë historisë sonë. Rëndësia e veprës së Kastriotit në aspektin kombëtar qëndron tri çështje:
Themelimin e “28 Nëntorin Historik”- ditës së Flamurit Kombëtar.
Themelimin e Kuvendit si institucion themelor shtetëror.
Krijimin e Mbretërisë/Shtetit Modern Shqiptar.
Në planin ndërkombëtar, rëndësia e veprës së Kastriotit qëndron në atë se fitoret në luftërat e panderprera dhe humbjet katastrofale të ushtrisë turke në Epir arritën të ndalin hovin e otomanëve drejtë Europës. Arbëria e Gjegj Kastriotit u bë një digë mbrojtëse për popujt e liridashës të Ballkanit e më gjerë. Me të drejtë Papa Kaliksi III thoshte se “si një pendë a patundshme, Gjergj Kastrioti ndaloi furinë e sulmeve turke dhe e pengoi të zaptonte Europën Kristjane”. Kastrioti ishte njohës i mirë i forcës ushtarake osmane dhe me qëllim që ajo forcë të mposhtej Ai apelonte në krijimin e një armate nën një komandë të përbashkët e cila do të krijohej nga vendet europiane. Andaj krijimi i aleancave të Kastriotit me vendet e ballkanike dhe europiane duhet konsideruar si pararendës të Aleancës Perëndimore të kohës së re.
Epoka historike e Kastriotit u bë një faktor stimulues dhe do të përjetësohet nga shqiptarët në të gjitha periudhat e historisë si në fushë-betejë ashtu edhe në fushën administrative, diplomatike, politike dhe krijuese. Gjergj Kastriotit u shëndrrua në figurë motivuese për luftëtarët e lirisë, burrë-shtetasit, ushtarakët, diplomatët, politikanët, dhe shtet-ndërtuesit qëndror e lokal. Figura e Kastriotit u bë mburojë e fortë kundër valëve të asimilimit për shqiptarët që emigruan jashtë atdheut. Krijuesit në të gjitha periudhat kohore në Epokën e Skënderbeut gjetën një burim të pashterrshëm frymëzimi për të krijuar kryeveprat e tyre në fushën e letërsisë, historisë, politikës, filozofisë dhe artit. Siç thotë profesor Xhufi, Gjergj Kastrioti është një emblemë në historinë tonë. Prandaj mund të konkludohet se, vepra epokale e Kastriotit mbolli përjetësisht ndjenjën e krenarisë kombëtare dhe u bë bazament i vetëdijes kombëtare shqiptare!

3.1.1Themelimi i“28 Nëntorin Historik”– Ditës së Flamurit Kombëtar

Kthesa historike në Nishin e Dardanisë, aty ku Gjergj Kastrioti i tha lamtumirën e fundit sulltanit, do shërbejë si një udhërrëfyes për patriotët shqiptarë të mesjetës dhe sidomos për ata të Rilindjes Kombëtarësi Abdy Frashëri, Sylejman Vokshi, Ymer Prizreni, Ismail Qemal Vlora, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, e të tjerë. Rilindësit e lavdishëm duke ndjekur rrugën e Kastriotit, thanë Jo-në historike, lanë parlamentin e Stambollin dhe u kthyen në atdhe për t’u vënë në ballë të lëvizjes për çlirimin e tokës së lashtë iliro-pellazge.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) e udhëhequr nga A. Frashëri, ishte lëvizja e parë me përmasa gjithëkombëtare e organizuar në aspektin arsimor, kulturor, politik, ushtarak, adminstrativ dhe social. Qëllimi i kësaj lëvizje gjithëkombëtare ishte çlirimi atdheut dhe krijimi një shteti të pavarur shqiptar të bazuar në konceptin kombëtar të Skënderbeut. Përsëri, me 1899 u organizua Lidhja e Pejës nën udhëheqjen e Haxhi Zekës. Edhe pse Perandoria Osmane shtypi kryengritjet shqiptare të shekullit 19te të udhëhequra nga Lidhja e Prizrenit dhe e Pejës ajo nuk arriti ta shuajë aspiratën e popullit për liri. Siç thoshte A. Frashëri “fara u mbuall” dhe rezultatet do të korren në të ardhmen e afërt!
Luftërat e përgjakshme shekulloret e popullit tonë arritën ta kurorëzojnë porosinë e Gjergj Kastriotit dhe idenë e Rilindjes Kombëtare për çlirimin e atdheut me “28 Nëntor 1912”, kur Ismail Qemali me patriotët shqiptarë ngriti Flamurin e lirisë në Vlorë. Ngritja e flamurit të Kastriotit në Vlorë më 1912 përfaqëson fitoren kombëtare të të gjitha trevave shqiptare, prej Tivarit e Sjenicës në veri, deri në Artë e Prevezë në jug, prej brigjeve të Adriatikut e Jonit në perëndim, deri në Manastir, Shkup, Kumanovë në lindje dhe Luginën e Moravës deri në Nish në verilindje. Patriotët e të gjitha regjioneve shqiptare dhanë ndihmë kolosale për çlirimin kombëtar dhe ngritjen e Flamut Kuq e Zi në Vlorë.
Ashtu si vepruan dikur princat arbërore në krye me Kastriotin, ashtu edhe patriotët e Rilindjes si: Qemajli, L. Gurakuqi, I. Boletini, H. Prishtina, Çerçiz e Bajo Topulli, M. Grameno, D. Gj. Luli, B. Currit e shumë të tjerë shkrinë tërë pasurinë e tyre dhe dhanë gjithçka që patën për çlirimin e Shqipërisë. Por “Nëntor i Dytë“ arriti të çlirojë vetëm një pjesë të atdheut dhe fatkeqësisht mbi gjysma e vendit dhe popullit tonë u pushtua nga forcat greke dhe sllave të ndihmuar nga Rusia imperialiste.
Dita e Flamurit, “28 Nëntori” u shndërrua në një festë të dhembjes krenare për popullin tonë. Nga viti 1912 brenda kufijve të Shqipërisë politike, “28 Nëntori” festohej duke bërë organizime të shumta shtetërore dhe kulturore për të përkujtuar heroizmin e popullit ndër shekuj dhe për të analizuar dhe gëzuar për sukseset vitit. Fatkeqësisht, pjesa tjetër e kombit, shqiptarët në tokat e tyre të pushtuara nga sllavo-greket, “28 Nëntorin” e festonin me demonstrime e kryengritje të përgjakshme në shenjë kujtimi të kaluarës së sonë të lavdishme dhe duke shfaqur hapur aspiratat e tyre për liri. Kremtimi i Ditës së Flamurit çdo herë do të jetë faktor inspirues si për Tiranën, Prishtinë, Shkupin, e qendrat tjera deri sa të arrihet porosia e Kastriotit- çlirimi përfundimtar i atdheut dhe bashkimin e të gjitha trojeve në një shtet të vetëm kombëtar.
Kthesa historike e Gjergj Kastrioti në Nish u bë forcë frymëzuese edhe për patriotët e Luftës së Dytë Botërore si Abaz Kupi, Shaban Polluzha, Hysen Terpeza, e të tjerëve. Abaz Kupi bashkëluftëtar i Bajram Currit, Elez Isufit e luftëtarëve patriotë të tjerë, më 7 prill të vitit 1939 si edhe herëve të tjera pa hezituar fare i pari i doli zot atdheut dhe ndezi luftën në Portin e Durrësit kundër pushtuesit italian. Majori patriot nga Kruja e lashtë e Kastriotit në atë mëngjes prilli siç pohon Gjoka (2019) organizoi mbrojtjen e Portit të Durrësit dhe u shëndrrua në ikonë të kryengritjes kombëtare. Porti i Durrësit ishte pjesa më e rëndësishme e Shqipërisë dhe njëheri ishte dhe vendi i vetëm në të cilin u organizua një mbrojtje e rëndësishme kundër invazionit italian (Fisher, 1943).
Të frymëzuar nga shembulli i Kastriotit, në vitin 1944 patriotët shqiptar në Kosovë, i thane jo tradhtisë serbo-komuniste dhe me luftëtarët e lirisë vendosen t’i mbrojnë trojet e atdheut. Në betejat epike kundër sllavo-komunistëve u ngrit djalëria shqiptare në Drenicë e udhëhequr nga Shaban Polluzha, në Ana-Morave nga Mulla Idrizi dhe Kosovën Jugore (në Ferizaj) nga Hysen Terpëza, Riza Goga, e prijës të tjerë. Po ashtu heroikisht luftuan kundër sllavo-komunistëve edhe grupet balliste të udhëhequra nga Xhemë Gostivari, dhe Mufailat kreshnikë në regjionin e Gostivarit, Kërçoves, Dibrës dhe Tetovës.
Pavarësisht rrethanave shumë të vështira të shekullit njëzet, lavdia e “28 Nëntorit” arriti të futet thellë në mendjen, dijen dhe ndërdijen e popullit tonë. Edhe pse dhuna dhe presioni i pushtueseve gjate historisë ishte shumë i vrazhdë, shqiptarët jashtë kufijve shtetëror çdo vit me krenari e festonin Ditëlindjen e Flamurit Kombëtar. Veçanarisht i rëndësishme është kremtimi i përgjakshëm i “Nëntorit të viti 1968” në Kosovë dhe viset tjera shqiptare i udhëhequr nga Metush Krasniqi e Adem Demaçi. Demonstratat e përgjakshme shqiptare kundër diktaturës serbo-komuniste të cilat ishin më të fortat në bllokun socialist pas Pranverës së Pragës i dhanë një shtytje përpara avancimit të faktorit shqiptar në strukturën konstituive të Federatës shumëkombëshe jugosllave të miratuar me Kushtetutën e vitit 1974.
Rezultatet e “Nëntorit të vitit 1968” do të kenë një shtrirje shumëdimensionale, duke përfshirë çdo sferë të shoqërisë në shumicën e trevave shqiptare. Një ndër sukseset epokale të shqiptarëve në trojet e Dardanisë antike ishte themelimi i Universitetit të Kosovës më 1970, Akadamisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës më 1975 dhe shumë Instituteve tjera shkencore, kulturore dhe shëndetësore. Universiteti i Kosovës, që unë do ta quaj “Shkolla e Prishtinës” luajti rolin kryesor në krijimin një forcë të pamposhtur intelektuale, kuadrove dhe eksperteve të cilët do ta orientojë me sukses arsimin, kulturën, artin, shkencën, politikën, ekonominë dhe shëndetësinë në tërë hapësirën shqiptare të ish Jugosllavisë. Shkolla e Prishtinës luajti rolin vendimtar në krijimin e vetëdijes kombëtare shqiptare mbi bazën e Rindjes Kombëtare dhe principet e Doktrinës së Gj. Kastritotit në këtë anë të Drinit.
Në dekadën e fundit të shekullit 20, luftëtarët e lirisë, të edukuar nga Shkolla e Prishtinës ishin ndër të parët që i thanë Jo- armatës jugosllave dhe u rreshtuan në radhët e çlirimtarëve kroat dhe boshnjak duke luftuar kundër pushtuesit serb. Kur në Kosove erdhi ora e lirisë, rinia patriote si Agim Ramadani, Xheve e Fehmi Lladrovci, Bekim Berisha e shumë e shumë të tjerë me fluturim u nisën drejt tokës së lashtë të Dardanisë duke thyer kufirin famëkeq ndërshqiptar për t’u vënë në altarin e lirisë së bashku me Adem e Hamzë Jasharin. Dita e Flamurit, “28 Nëntori” u bë motivuese për luftëtarët e UÇK-së të cilët u ngritën në këmbë për t’i çliruar trojet shqiptare nga pushtuesit sllavë. Komandanti legjendar Adem Jashari ndihej i nderuar që kishte lindur në “Ditën e Flamurit”. Festa e Flamurit- “28 Nëntori i Kastriotit’ i dha forcë dhe zemër çdo herë heronjve tanë. Është i rëndësishëm veçanërisht 28 Nëntori i vitit 1997 kur luftëtarët e lirisë me emblemë e UÇK-së në ballë i thanë Jo-ilegalitetit dhe me pushkë në dorë në Drenicën kreshnike dhanë kushtrimin e lirisë.
Populli ynë dhe sidomos diaspora shqiptare duke ndjekur shembullin e Kastriotit dhe Rilindësve tanë të mëdhenj ndanë djersën e ballit dhe grumbulluan shuma të mëdha monetare dhe mjete materiale për ta mbështetur luftën për çlirimin e Dardanisë dhe viseve tjera arbërore. Luftëtarët e lirisë ashtu siç këshillonte Kastrioti me ndihmën e aleateve perëndimore dhe sidomos SHBA-së arritën që më 10 Qershor 1999 ta çlirojnë Kosovën dhe në vitin 2001 ta konfirmojnë faktorin shqiptar në Maqedoni dhe Luginën e Moravës. Fatkeqësisht, edhe shumë treva shqiptare ende janë të pushtuara dhe “28 Nëntorin” historik edhe sot e festojnë me manifestime të përgjakshme.
Festa e “28 Nëntorit- Dita e Flamurit” është faktor kryesor i krenarisë kombëtare, e cila u mundësoi emigrantëve shqiptarë t’u rezistojnë dallgëve të asimilimit në kohëra dhe vende të ndryshme, siç janë arbëreshët në Itali, shqiptarët e emigruar në Rumani, Bullgari, Ukrainë, Greqi, Turqi, vendet perëndimore si në Itali, Zvicër, Gjermani, Angli, SHBA, dhe vendet e tjera. Arbëreshët e Italisë edhe pas 550 vjetësh e mbajnë të gjallë në kujtesën e tyre figurën madhore të Kastriotit. Festa e Flamurit Kombëtar për jetë e mot kremtohet me krenari nga shqiptarët kudo që ata punojnë dhe jetojnë në shenjë respekti për gjakun e derdhur dhe sakrificat mbinjerëzore të popullit tonë ndër shekuj.
“28 Nëntorit” i Gjergj Kastriotit si çdo herë edhe në vjeshtën e vitit 2019 u shëndrrua në faktor të unitetit ndërmjet shqiptarëve kudo që jetojnë dhe punojnë për t’u dalë në ndihmë vëllezërve të goditur nga katastrofa e tërmetit në Durrës dhe rrethinë. Shpirti solidar i popullit u vërtetua edhe këtë herë sidomos nga kosovarët të cilët ishin të parët që marshuan me ndihmë të llojlloshme drejtë Durrësit për t’u ndihmuar dhe lehtësuar dhimbjen vëllezërve tanë në ato ditë të vështira. Ashtu sikurse në kohën e Kastriotit, populli shqiptar anë e kënd botës hapi zemrat, hapi dyert për t’i strehuar të goditurit dhe hapi kuletat (dhe llogaritë bankare) për të mbledhur mjete monetare për ndërtimin dhe rindërtimin e shtëpive të rrënuara dhe dëmtuara. Yjet e kulturës si Rita Ora, Bebe Rexha, Dua Lipa, Emine Çunmulaj, e shumë e shumë të tjerë ishin të parët të cilat dolën publikisht duke ofruar ndihma të konsiderueshme. Qëllimi i tyre ishte që dëmet e shkaktuara të riparohen sa më shpejt dhe familjeve të goditura nga kjo fatkeqësi natyrore t’u ndërtohen shtëpitë dhe banesat e nevojshme dhe ata të kthehen në jetën normale.
Prandaj mund të thuhet lirisht së vështirë është të gjendet në ndonjë vend tjetër një festë aq e lavdishme siç është “28 Nëntori” i Gjergj Kastriotit. Në këtë ditë të gjithë pjesëtarët e kombit tonë anë e kënde botës bashkohen për të festuar një kremte sa të lashtë aq edhe madhështore. Kjo ditë pas pesë shekujsh është materializuar me sukses gjatë historisë sonë. Sukseset e “28 Nëntorit“ kanë vënë vulë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë në tërë hapësirën e Gadishullit Ilirik dhe gjithkund ku jetonte e veprojnë shqiptarët. Andaj mund të thuhet lirish se Gjergj Kastrioti është bërë “Ikonë e lirisë së popullit shqiptar!

3.1.2 Themelimin e Kuvendit si institucion

fundamental shtetëror

Themelmin e ‘Instituticionit të Kuvendit’ i cili është bazament juridik mbi të cilën ngrihet shteti është i një sukses tjetër i jashtëzakonshme e veprës së Kastriotit. Mënyra se si Skënderbeu iu qas thirrjes dhe organizimit të Kuvendit të Lezhës tregon se ai ishte jo vetëm një strateg i shkëlqyer ushtarak por edhe një arkitekt edhe ndërtues i përkryer i shtetit parlamentar. Bisedat paraprake me princat arbëror, shtruarja e çështjes së ndërtimit të shtetit dhe analizimi i rrethanave të brendshme e të jashtme tregojnë për një vizion largpamës i cili rezultoi me krijimin e Mbretërisë Arbërore. Atmosfera e tolerancës dhe e mirëkuptimit në mes të princave po ashtu ishte një faktor shumë i rëndësishëm e cila i siguroi sukses të plotë vendimeve të Kuvendit historik të Lezhës (Kristaj, 2018).

Krijimi i “besë-lidhjes kombëtare” në Kuvendin e Lezhës do bëhet model për patriotët shqiptarë të periudhave të mëvonshme për thirrjen e Kuvendeve Kombëtare në të cilat do marrin vendime për organizimin kulturor, politik dhe ushtarak me qëllim që të mbrohet atdheu. Të gjitha kuvendet kombëtare të mbështetura në parimet kombëtare të shtruara në Kuvendin Lezhës dhanë suksese të jashtëzakonshme për popullin tonë pavarësisht vështirësive dhe rreziqeve në të cilat organizoheshin.

Duke ndjekur rrugën e Kastriotit, patriotët e Rilindjes Kombëtare më 10 Qershor 1878 organizuan një Kuvend në Prizren dhe më 1899 një tjetër Kuvend në Pejë për të vendosur për fatin e Shqipërisë. Ashtu si Gjergj Kastrioti në Kuvendin e Lezhës, po ashtu edhe Abdyl Frashëri në Kuvendin e Prizrenit do të ligjërojë para krerëve të krahinave shqiptare duke elaboruar ndryshimin e rrethanave në Ballkan dhe Europë pasi që Perandoria Osmane tani më ishte kalbur dhe një rrezik i madh i kanosej atdheut tonë. Duke ndjekur qëndrimet politike të Komitetit të Stambollit (Rizvanolli, 2005), A. Frashëri shpalosi platformën e luftës për çlirimin e atdheut dhe krijimit të shtetit shqiptar i cili do të mbulonte të gjitha trojet shqiptare të ndara në katër njësi administrative të njohura si Vilajetii Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës.

Kuvendarët shqiptarë në Prizren ia bënë me dije forcave të errëta Europiane të mbledhura në Berlin (13 qershor-korrik 1878) se Shqipëria është vendi i Gjergj Kastriotit dhe ata duhet t’i marrin në konsideratë kërkesat e tyre. Sami Frashëri potenconte se shqiptarët kanë lidhë ‘besë’ dhe do luftojnë deri sa të çlirojnë atdheun e tyre (Frashëri, 1878). Në Kuvendin e Prizrenit patriotët shqiptarë arritën të krijojnë shtetin me ushtrinë kombëtare dhe shumë departamente shtetërore të cilat operuan deri në vitin 1881. Vendimet e Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit krijuan një bazë të fortë mbi të cilin do të themelohet dhe ngrihet Shteti Shqiptar në Kuvendin e Vlorës, më 1912.

Në shekullin e njëzet do të mbahen shumë kuvende por vetëm ato kuvende kombëtare të mbështetura në mësimet e Kastriotit dhe Rilindjes Kombëtare do të jenë të suksesshme dhe do të vejnë vulë të pashlyeshme në historinë tonë siç është Kongresi i Alfabetit më 1908 në Manastir, Kuvendi Vlorës më 1912, Kongresi i Lushnjës më 1920, e tjera. Pastaj do të mbahen edhe Kuvende të tjera pas Luftës së II Botërore në frymën e kombëtare por Kuvendet të cilat do të mbesin në kujtesën e historisë kombëtare siç janë Mbledhjet e Kuvendit të Kosovës në vitin 1974, më 2 Korrik dhe 7 shtator të vitit 1990 dhe më 17 Shkurt të vitit 2008. Fatkeqësisht, gjatë kësaj periudhe pati edhe Kuvende në të cilat nuk arritën qëllimet kombëtare siç është rasti me dështimin e Kuvendit të Mukjes dhe disa kuvendeve të tjera.

Populli shqiptar nën udhëqjen e mendjeve të ndritura të Rilindjes të bazuar në mësimet e Kastriotit që nga Qershori historik i Prizrenit nuk do të pushojnë kurrë. Rilindësit tanë të mëdhenj do të luftojnë të bashkuar në të gjitha frontet për arritjen e qëllimit final. Më në fund me 28 Nëntor 1912 sikurse Kastrioti e A. Frashëri, mendjendrituri Ismail Qemali do të thirrë Kuvendin Historik në Vlorë, të shpallë Pavarësinë e Shqipërisë dhe do të formojë shtetin kombëtar. Rrugëve të Vlorës heroike për herë të parë do të marshojë Garda e Parë Kombëtare me plisa të bardhë nën komandën e kryekomandantit Isa Boletini. Garda Kombëtare ishte institucioni i parë ushtarak i shtetit të ri shqiptar, i cili me pushkë në dorë do të mbrojë pavarësinë e shpallur dhe lirinë e vendit. Edhe pse Kuvendi i Vlorës shpalli pavarësinë e Shqipërisë, rruga drejt finalizimit të shtetësisë qe e gjatë, me shumë mundime dhe plot rreziqe.

Në vitet më kritike për popullin dhe shtetin shqiptar, atëherë kur vendet vendim-marrëse të Evropës nën presionin e Rusisë po bëheshin gati ta miratonin planin e djallit për shthurjen e shtetit shqiptar dhe ndarjen e tokave tona në mes grabitqarëve greko-sllave, patriotët shqiptarë të inspiruar nga mësimet e Kuvendit të Lezhës dhe Kuvendit të Prizrenit do të organizojnë Kongresin e Lushnjës, më 1920.Vendimet e Kongresit çuan deri te finalizimi i shtetësisë së Shqipërisë (politike) e cila perfundimisht do të sanksionohet në Konferencën e Parisit dhe Londrës. “Kongresi i Lushnjës dhe përpjekjet e gjakta të Vlorës kurorëzuan veprën patriotike duke proklamuar botërisht dhe me bujë vullnetin e kombit…. Pas atyre ngjarjeve Konferenca e Paqës më nuk guxoi të vërë në bisedim cënimin e këtyre të drejtave” (Frashëri, 1920). Kuvendi i Lezhës do t’u japë zemër patriotëve shqiptarë gjatë të gjitha periudhave të mëvonshme. Në katrahurën e viteve të luftës së Dytë Botërore patriotët shqiptarë të udhëhequr nga Xhafer Deva, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Asllan Boletini, Musa Shehu, e të tjerë organizuan përsëri një Kuvend në Prizren në shtator të vitin 1943 (Hoti, 2005). Qëllimi kryesor i Lidhjes së II të Prizrenit ishte mbrojtja dhe çlirimi i të gjitha trojeve shqiptare nga pushtuesit fqinjë dhe bashkimin e tyre në një shtet të përbashkët.

Në vitet e mëvonshme përsëri do të organizohen edhe shumë mbledhje e kuvendime nga patriotët shqiptarë për të çliruar trojet e pushtuara shqiptare nga okupatori serb. Vendime të rëndësishme u morën nga Kuvendi i Kosovës më 1974 të cilat erdhën si rezultat i këndelljes së faktorit shqiptar pas tundjes së fortë që bënë Demonstratat e vitit 1968 nën udhëheqjen e heronjve të Kosovës Metush Krasniqit e Adem Demaçit. Në vitin 1974 Kosova arriti një avancim substancial të statusit kushtetues duke u bërë element konstituiv në Federatën Jugosllave. Ndryshimet pozitive juridike dhe ligjore sollën një zhvillim epokal të paparë ndonjëherë në historinë tonë.

Në periudhën më kritike për popullin shqiptar të pushtuar nga serbo-sllavët, atëherë kur krijesa artificiale jugosllave po shpërbëhej dhe Serbia gjakatare po bëhej gati për shthurjen e shtetësisë së Kosovës patriotët shqiptarë të inspiruar nga mësimet e Kuvendit të Lezhës, Kuvendit të Prizrenit, Kuvendit të Vlorës, e të tjerë do të organizojnë mbledhje historike të Kuvendit të Kosovës më “2 Korrik 1990” në Prishtinë dhe më “7 Shtator 1990” në Kaçanik.

Vendimet e Kuvendit të Kosovës të marra më 2 Korrik 1990 (ku Kosova shpalli pavarësinë nga Federata Jugosllave) dhe më 7 Shtator të vitit 1990 (ku u aprovua Deklarata Kushtetuese e Shtetit të Pavarur të Kosovës) u kurorëzuan me çlirimin e Kosovës në Qershor të vitit 1999 dhe shpalljen e Pavarësisë më 17 Shkurt 2008. .Pa dyshim, rol vendimtar në arritjen e suksesit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës e paten aktivitetet politiko-diplomatike të udhëhequra nga Dr. Ibrahim Rugova dhe pushka e luftëtarëve të UÇK-së, e koordinuar me operacionet ushtarake të NATO-s, të organizuar nga Shtetet Perëndimore dhe vendet tjera demokratike anë e kënd globit, të udhëhequra nga SHBA-ja.

Bazuar në këto diskutime shihet qartë se të gjitha kuvendet shqiptare të cilat u organizuan mbi bazën e Doktrinës Kombëtare të parashtruar nga Gjergj Kastrioti dhe të ripërtrirë nga Rilindja Kombëtare dhanë rezultate dhe quan përpara çështjen shqiptare. Por fatkeqësisht gjatë historisë sonë pati raste kur u organizuan kuvende të cilat iu shmangën bazamentit kombëtar dhe ato çdo herë dështuan. Shembulli me eklatant është dështimi i Kuvendit të Mukjes i vitin 1943. Kuvendi i Mukjes ishte inicuar dhe udhëhequr nga Mid’that Frashëri ku morën pjesë grupet me orientim të ndryshëm politik duke përfshirë Ballin Kombëtar, Legalitetin dhe Fronti Nacional Çlirimtar (FNÇ). Kuvendi i Mukjes ishte rezultat i bashkëpunimit të forcave progresive patriotike shqiptare të udhëhequra nga M. Frashëri dhe krahu demokratik brenda FNÇ (A. Kupi, Y. Dishnica, M. Peza, e të tjerë). Kuvendi vendosi krijimin e Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë me vështrim të posaçëm çlirimin e Kosovës dhe Çamërisë.

Por lidershipi komunist i hutuar nga platforma ideologjike e cila nuk kishte preokupim çështjen kombëtare dhe nën presionin e mentoreve sllave si Milladin Popoviqi, Dushan Mugosha e kriminel të tjerë shkelën vendimet e shenjta të Kuvendit të Mukjes dhe sollën realizimin e interesave të shovinistëve fqinje (Shatri, 2005). Komunistët shqiptar luajtën rolin e Kolit të Trojës duke i hapur derën elementit serbo-sllave të përzihet në vendimmarrje të çështjes shqiptare. Komunistët shqiptarë zbatuan ‘doktrinën bolshevike të luftës permanente civile’ (Courtois et al. 2004) duke e terrorizuar dhe likuiduar pjesën më vitale të popullit, familjet patriotike dhe shkollarët shqiptarë. Shkelja e vendimeve të Kuvendit të Mukjes mundësoj implementimin e pushtetit komunist në Tiranë, varrosi çështjen e Çamërisë dhe Kosovës dhe shkaktoi plagë katastrofale për kombin tonë të cilat edhe sot e kësaj ditë kullojnë gjak. Kuvendi i Mukjes do të jetë kujtesë e një katrahure të dhimbshme gjysmëshekullore brenda dhe jashtë kufirit shtetëror shqiptar.

Duke u mbështetur në këto argumente historike, lirisht mund të potencohet se Skënderbeun e Kuvendin historik të Lezhës vuri themelet e shtetësisë shqiptare të cilat u nguliten thellë në mendjen e popullit tonë. Prandaj, parlamentarët dhe shtet-ndërtuesit shqiptarë në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe viset tjera e kanë obligim historik të shfrytëzojnë mandatet e tyre parlamentare për të ndërtuar shtete dhe qeveri funksionale të cilat u shërbejnë interesave të popullit ashtu siç vepruan Princat Arbëror nën udhëheqjen e Skënderbeut.

Parlamentarët shqiptar e kanë obligim kombëtar t’i shfrytëzojnë mandatet e tyre në Kuvend për të ndërtuar shtetin shqiptar të bazuar në Doktrinën Kombëtare të Kastriotit. Një shtet kombëtar do të sigurojë një zhvillim ekonomik dhe do të mundësojë një zhvillim të përgjithshëm arsimor, shëndetësor dhe kulturor shqiptar. Shtet-ndërtuesit shqiptar duhet të punojnë “ditë e natë” që ta rikthejnë prestigjin e vendit tonë në Europë e më gjerë ashtu siç ishte dikur emri i mirë i shtetit të Kastriotit sepse Shqipëria e ka vendin në Perëndim dhe jo në Linje, siç këshillonte Naimi ynë i Madh. Prandaj, mund të konkludohet lirisht se Gjergj Kastrioti dhe Vepra Epokale e tij vendosi “Themelet e Shtetësisë Shqiptare!

3.1.3 Krijimi i Shtetit Shqiptar

Vepra e Gjergj Kastriotit do të shndërrohet në një lokomotive të fortë për patriotët shqiptarë dhe shteti arbëror do të shërbejë si një model për shtetformuesit dhe shtetndërtuesit shqiptar gjatë historisë sonë. Udhëheqësit shqiptar ndër breza si Ali Pashë Tepelena, Balshajt e Shkodrës, Abdyl Frashëri, Haxhi Zeka, Ismail Qemal Vlora, Mreti Zogu I, Dr. Ibrahim Rugova, e shumë të tjerë, duke ndjekur shembullin e Kastriotit u vunë në ballë të lëvizjeve patriotike me qëllim të çlirimit të vendit dhe krijimit të shtetit kombëtar.

Epoka e Rilindjes Kombëtare është periudha me ndritshme e historisë së re të popullit tonë. Rilindja Kombëtare arriti të rindërtojë bazën e pathyeshme mbi të cilën do të përtërihet vetëdija kombëtare dhe shtetërore shqiptare sipas Doktrinës te Kastrioti. Sikur dikur ftesës së Gjergj Kastriotit, po ashtu edhe thirrjes së Abdyl Frashërit më 10 Qershor 1878 iu përgjigjën krerët shqiptarë nga të gjitha krahinat që të kuvendojnë në Prizren. Delegatët prej të gjitha anëve u mblodhën në Kuvendin e Prizrenit, diskutuan kokë më kokë dhe vunë themelet e Shtetit Shqiptar. Qëllimi i shtetit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte të çlirohej vendi nga zgjedha shekullore osmane dhe të mbronte tërësinë tokësore shqiptare nga grabitqarët fqinje. Lidhja Shqiptare e Prizrenit pati një shtrirje territoriale mbarëshqiptare dhe u bë boshti kurrizor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ajo themeloi një front te përgjithshëm kombëtar, pavarësisht përkatësisë fetare, dhe dallimeve shoqërore, apo krahinore.

Që nga viti 1878 populli shqiptar do të veprojë pa ndërprerë në të gjitha frontet, atë arsimor, politike, diplomatike dhe ushtarake me qëllim që të realizohet porosia e Kastriotit. Më në fund patriotët shqiptar me Ismail Qemalin në krye me sakrifica të mëdha arritën që më 28 Nëntor të vitit 1912 të shpallin Shqipërinë “shtet në vete e të mosvarme”. Pas 469 viteve luftë e përpjekjeve titanike sidomos që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878, në Vlorë u arrit të shpallet shteti shqiptar i pavarur i cili u ngrit mbi themelet e veprës së Kastriotit. Patriotët shqiptar duke u bazuar në shembullin dhe mësimet e Skënderbeut vazhdimisht luftuan dhe punuan që Shqipëria të zë një vend të merituar në mesin e shteteve të Evropës Perëndimore.

Patriotët shqiptarë në shekullin 19 dhe të 20, në rrugën e tyre të shenjtë për ndërtimin e shtetit kombëtar duhej të luftonin jo vetëm kundër pushtuesve osmanë, por edhe kundër fqinjëve grabitqare. Për shkak të orekseve pushtuese të serbëve dhe grekëve si dhe pazareve të osmanllijve me Rusinë, dhe dredhive të disa shteteve europiane kjo fitore arriti të krijojë një Shqipëri të sakatosur. Kështu që jashtë kufijve të shtetit shqiptar mbetën shumica e territorit dhe popullit tonë.

Fatkeqësisht edhe pse Shqipëria u shpall shtet i pavarur më 1912, rruga e ndërtimit të një shteti kombëtar qe e gjatë, u dashtë të derdhet shumë gjak dhe të bëhen sakrifica te jashtëzakonshme që shteti shqiptar të mbijetoj. U dashtë të bëhen shumë punë dhe përpjekje diplomatike që të binden kancelaritë europiane, që Shqipëria të pranohet si shtet anëtar në Lidhjen e Kombeve. Vetëm kur patriotët shqiptarë u mblodhën në Kongresin e Lushnjës më 1920, Europa arriti të bindet për këmbëngultësinë e shqiptarëve dhe më në fund hapi derën për Shqipërinë. Pas një odisejade tetëvjeçare më në fund u mbyll procesin e sendërtimit të shtetit shqiptar.

Pas vitit 1920 pati shumë luhatje (të gabuar dhe të panevojshme) deri sa më në fund shteti shqiptar arriti të konsolidohet dhe stabilizohet. Gjatë një periudhe 15-vjeçare të qeverisjes së Mbretit Zog u arritën suksese të jashtëzakonshme në shumë fusha si në arsim, edukim, kulturë, shëndetësi, ligjislacion, ekonomi, shtetndërtim e lëmi të tjera. Një ndikim të rëndësishëm pati sidomos Normalja e Elbasanit në përgatitjen e mësueseve për shkollimin dhe emancipimin e popullit tonë. Ministria e Arsimit gjithashtu luajti një rol historik duke u ndarë bursa studenteve shqiptar që ata të shkollohen në qendrat e ndryshme universitare të Europës dhe SHBA-së.

Shkollarët shqiptarë si Ernest Koliqi, Eqrem Çabej, Vasil Andoni, Ahmet Gashi, Ymer Berisha, e shumë të tjerë ishin të parët të cilët u kthyen në atdhe për të ndihmuar në arsimimin e popullit gjatë Luftës së II Botërore. Arsimtarët e asaj periudhe rol të jashtëzakonshemë luajtën sidomos në shkollimin dhe arsimimin e popullsisë në Kosovë e viset tjera shqiptare. Ata mësuan, edukuan dhe këshilluan popullin shqiptar që mos të humbasin kohë por të përgatiten për një luftë të fortë me ish pushtuesit serb. Fatkeqësisht stuhia e çmendur e nazifashistëve u hapi rrugë dhe lehtësoi realizimin e planeve sllavo-mëdha. Në emër të një lufte ‘kundër boshtit’ Perandoria Sovjetike arriti ta aneksojë një sipërfaqe të konsiderueshme të Europës dhe pushtoi tërë trojet shqiptare. Në vitin 1945 Europa Lindore dhe trojet shqiptare ranë nën thundrën mesjetare sllavo-komuniste. Sovjetët arritën ta instalojnë në Tiranë një pushtet të egër komunist i cili ia nxiu qiellin Shqipërisë për gjysmë shekulli. Plagët nga ajo diktaturë e çmendur kullojnë gjak edhe sot e kësaj ditë.

Pavarësisht rrethanave shumë të vështira të gjysmës së dytë të shekullit njëzet, lavdia e “28 Nëntorit” shtohej çdo herë. “28 Nëntorit” arriti të mbjellë thellë në mendjen, dijen dhe ndërdijen e popullit tonë konceptin e shtetit kombëtar. Edhe pse dhuna dhe presioni i pushtuesve gjatë historisë ishte shumë i vrazhdë, shqiptarët jashtë kufijve shtetëror çdo vit me krenari e festonin Ditëlindjen e Shtetit Shqiptar. Kështu, “Nëntori i viti 1968” në trojet shqiptare të pushtuara nga sllavët u shndërrua një lokomotivë të fortë për faktorin shqiptar. Duke i falënderuar vrullit të “Nëntori të vitit 1968” në vitin 1974, Kosova arriti një avancimin të rëndësishmen të shtetësisë në Federatën Jugosllave.

Rezultatet e asaj periudhe avancuan vetëdijen shtetërore shqiptare në një shkallë më të lartë e cila do t’u bëjë ballë sulmeve brutale serbe për më shumë se dy dekada deri sa arriti të realizojë qëllimin final. Rrallë mund të gjesh në histori ndonjë rast aq të suksesshëm të shtet-ndërtimit siç është rasti me shqiptarët këndej Drinit i cili për një periudhe kohore 20 vjeçare, do të krijoj një bazë të pathyeshme intelektuale, administrative dhe ekonomike. Kjo forcë kombëtare me sukses do të udhëheqë Kosovën drejt çlirimit dhe krijimit të shtetësisë në fund të shekullit të kaluar. Sukseset e asaj periudhe do të finalizohen me çlirimin e Kosovës në vitit 1999, Pavarësinë e saj më 2008 si dhe sanksionimin e kombit shqiptar si faktor vendimmarrës në Maqedoni, Luginën e Moravës, Mal të Zi e më gjerë.

Por pavarësisht se u arritën suksese të rëndësishme në krijimin e shteteve shqiptare përsëri mbetën edhe shumë punë për shtet-ndërtuesit shqiptarë që të ndërtojnë shtete efektive të cilat do t’u shërbejë interesave të popullit. Duke falënderuar vetëdijen kombëtare udhëheqësit shqiptarë arritën të çlirojnë vendi (Shqipërinë e Kosovën e sotme) dhe krijojnë shtete kombëtare. Por, mosarritja e eliminimit të divergjencave absurde në mes grupeve politike hapi rrugën për ndërhyrjen e të huajve në punët tona teë brendshme, e cila jo vetëm se shkaktoi stërzgjatje e kompletimit të pavarësisë së Kosovës, por gjithashtu krijoi terren për lulëzimin e joeffikasitetit, korrupsionit dhe krimit në shoqërinë tonë.

Por, për shkak të nivelit të ulët të vetëdijes shtetërore liderët tanë dështuan në procesin e ndërtimit të shtetit funksional. Mungesa e vetëdijes shtetërore nxori në shesh kompleksitetin e ndërtimit të shtetit. Dështimi ndërtimit të shtetit funksional e demokratik në Tiranë dhe Prishtinë (por edhe në viset tjera shqiptare) dëshmoj se për të ndërtuar shtet efektive demokratik nuk është i mjaftueshëm vetëm vullneti por në rend të parë është e nevojshme aftësia profesionale e shtet-ndërtuesve si në nivelin vertikal po ashtu dhe në atë horizontal. Shtet-ndërtuesit në Tiranë, Prishtinë, Shkup e viset tjera duhet të ndjekin shembullin e Kastriotit, patriotëve të Rilindjes Kombëtare dhe dëshmorëve të luftës çlirimtare dhe të krijojnë shtete funksionale e demokratik edhe të zbatojnë një strategji të përbashkët ekonomike kombëtare. Një shtet demokratik e funksional e meriton çdo popull por atë shtet më së shumti e meriton populli ynë sepse për të kanë kontribuar gjenerata të tëra ndër shekuj. Një shtet ligjor e demokratik i ngritur mbi bazën e strategjisë kombëtare do të arrijë të përmbyllë odisejaden mbi njëzet vjeçare të shtetësisë së Kosovës e cila gradualisht do të shkojë drejtë shkrirjes në një shteti unik kombëtar.

Një shtet demokratik i organizuar mbi principet e pluralizmit politik dhe ekonomisë së tregut të lirë do të mundësoi krijimin e një bazë materiale e cila do të mundësoi përparimin e mirëqenies njerëzore. Në një vend ku vepron konkurrenca e lirë në të gjitha poret e shoqërisë, vlerat e mirëfillta materiale dhe jo materiale do të kultivohen dhe më tutje zhvillohen dhe jovlera dhe joefikasiteti nuk do të kenë mundësi të zhvillohen. Tregu i lirë me dorën e vetë të bekuar në mënyrë të padukshme do t’i integroje potencialet ekonomike në formë racionale me qëllim që të maksimalizohen të ardhurat e investitorëve (Halili, 2013). Ajo ekonomi e cila arrin t’i maksimalizojë të ardhurat e investitorëve padyshim do të jetë konkurruese në treg dhe do të arrijë të absorbojë shuma të konsiderueshme të fondeve për financimin e projekteve të saj. Pa dyshim një rol të konsiderueshëm në zhvillimin ekonomik luajnë investitorët e jashtëm të cilët kërkojnë një infrastrukturë efektive ligjore dhe administrative. Operacionalizimi i kapitalit kombëtar dhe internacional mundëson krijimin e një ekonomie konkurruese në treg dhe popullit i siguron një të ardhme të mirë. Në të kundërtën, në atë vend ku është prezent konkurrenca jolojale aty krijohet mundësia e degjenerimit të shtetit dhe strukturave të tij në nivelin horizontal dhe vertikal. Në aso raste, antivlera ia zënë frymën vlerës dhe kuantiteti i mallrave dhe shërbimeve dominojnë në treg. Në rrethana të tilla tregu i lirë nuk mund të funksionojë dhe projektet zhvillimore nuk kanë mundësi të gjejnë fonde për shkak se investitorët hezitojnë ta alokojne kapitalin në një vend të tillë. Mos funksionimi i konkurrencës së lirë hap rrugë për lulëzimin e nepotizmit, familjarizimit, korrupsionit dhe krimit të cilat rrënojnë në rend të parë ekonominë por edhe segmentet tjera shtetërore. Mund të pohohet lirisht se sot joefikasiteti dhe korrupsioni janë kancer shkatërrues i ekonomisë së shteteve tona dhe shoqërisë sonë në përgjithësi.

Vetëm konkurrenca e lirë mundëson jo vetëm mallrat dhe shërbimet me kualitet të lartë të dominojnë në treg por edhe kualiteti i lartë i fuqisë punëtore sidomos të forcës krijuese intelektuale të zhvillohet në një vend. Konkurrenca e lirë hape mundësinë për zhvillimin dhe kultivimin e vlerës dhe pamundëson depërtimin e antivlerës. Pa dyshim rolin kryesor në zhvillimin e ekonomisë së lirë dhe shoqërisë në përgjithësi e ka kapitali intelektual (Halili, 2013). Kapitali intelektual vendor është lokomotivë e ekonomisë dhe shtetit kombëtar. Kapitali intelektual mund t’i operacionalizojë me sukses të pesë llojet tjera të kapital, siç janë kapitali financiar, kapitali prodhues (manifaktural), kapitali human (fuqia punestore), kapitali social dhe kapitali natyror (Gleeson-White, 2014). Kombi ynë (brendi vendit dhe në diasporë) disponon me të gjitha llojet e kapitalit të potencuara më lartë. Unë këtij grupi të kapitaleve u kisha shtuar edhe pozitën e vendit ndaj tregut. Pozita udhëkryqe (lindje-perëndim dhe jug-veri) si dhe dalja në det i jep vendit tonë një përparësi të shkëlqyeshme ndaj tregut rajonal dhe më gjerë.

Kombi ynë disponon gati se më të gjitha llojet e kapitaleve e sidomos me kapitalin intelektual, financiar, natyror dhe pozitën e favorshme ndaj tregut të cilat janë faktorët kryesorë për një ekonomi të zhvilluar. Andaj është një absurditet ekstrem që populli ynë “të flejë mbi arin dhe të mos ketë ushqim të mjaftueshëm’, dhe ‘të flejë mbi gjithë ato burime energjetike (të ujit, erës dhe thëngjillit) dhe të mos ketë dritë”! Të gjitha këto resurse te kapitali e sidomos të kapitalit intelektual dhe financiar (me burim nga diaspora) premtojnë një zhvillim ekonomik dhe konkurrencë të fortë të produkteve dhe shërbimeve tona në treg. Andaj, për vendit tonë me gjithë këto begati sot o kurrë është e domosdoshme “një qeveri.. qe t’u hapte udhën e,… të vështrohet mire, …, mund të vejë shumë mbarë e t’ushqejë katër herë më tepër njerëz se sa ushqen sot” (Frashëri, 1899, fq. 42).

Një qeveri e cila do të hapte udhe mundëson të krijohet një force kualitative intelektuale kombëtare dhe funksionalizimin e cila do të bëhet promotor i zhvillimit të ekonomisë së vendit. Një ekonomi e zhvilluar do të ndërtojë një bazë të fortë materiale dhe sendërton një zhvillim të gjithëmbarshëm shoqërore. Baza materiale në fakt është determinanta kryesore e vetëdijes njerëzore qoftë asaj individuale apo kolektive të një vendi apo kombi. Domethënë, nëse ne si komb arrijmë ta krijojmë një ekonomi efektive dhe të zhvilluar ajo do të na ndihmojë të ndërtojmë një bazë të qëndrueshme materiale dhe do të ngrejë në një nivel më të lartë vetëdijen kombëtare të popullit tonë.

Një bazë e fortë materiale mund të arrihet vetëm atëhere kur një vend (komb) ndërton një strukture ekonomi të ekuilibruar në harmoni me shfrytëzimin racional të resurseve të saja njerëzore dhe natyrore në raport me kërkesat aktuale në tregu. Kështu projekteve të cilat shfrytëzojnë burimet vendore në harmoni me parametrat e tjerë ekonomik duhet t’u jepet përparësi, sidomos kur kemi parasysh një perspektive afatgjate potenconte profesori patriot Ismet Gusia në veprën e tij monumentale (1982). Një shtet efektiv ligjor e demokratik u hap rrugë zbatimit të proceseve efektive dhe do të mundësojë të krijohet dhe zhvillohet një ekonomi me një strukturë të qëndrueshme afatgjatë e cila do të jetë në gjendje ta bartë barrën e gjithë superstrukturës kombëtare. Një ekonomi e zhvilluar në principet e shfrytëzimit të resurseve natyrore dhe njerëzore në harmoni me interesat kombëtare do të ulë nivelin e papunësisë, mundësoi zhvillimin dhe përparimin e arsimit, shkencës, shëndetësisë, artit, kulturës së vendit tonë. Zhvillimi i përgjithshëm i vendit mundëson që të ngrihet niveli i mirëqenies individuale dhe shoqërore dhe populli do të ketë një jetë të lumtur dhe një të ardhme të sigurtë.

Kur ekonomia shqiptare do të zhvillohet dhe bëhet konkurrente në tregun rajonal e më gjerë atëherë do të arrihet pavarësia e vërtetë politike, juridike dhe ushtarake e kombit tonë. Derisa nuk arrihet një zhvillim i fortë ekonomik dhe një bazë e lartë materiale asnjëherë nuk do të ketë pavarësi të vërtetë të popullit tonë, sepse dihet mirëfilli se ‘pa pavarësi ekonomike- nuk ka pavarësi politike’ të një vendi. Duhet edhe një herë të potencohet se, për të arritur pavarësinë e plotë duhet të implementohet konkurrenca e lirë në nivel kombëtar dhe në të gjitha sferat e jetës dhe sidomos në ekonomi. Tregu i lirë kombëtar do të nxjerrë produkte dhe shërbime kualitative të cilat do të jenë konkurruese në tregjet tjera. Për të depërtuar në treg rajonal dhe më gjerë nevojitet një produktivitet më i madh, më cilësor, dhe duhet aftësi më të larta afariste, e për të gjitha këto duhet specialiste cilësor (Gusia, 1982). Vetëm atëherë kur ekonomia jonë arrin të plasoje mallra dhe shërbime dhe të jetë konkurruese në tregun e jashtëm atëherë do të arrihet një zhvillim i fortë ekonomik dhe procesi i pavarësisë do të sendërtohet. Për politikanët dhe shtet-ndërtuesit shqiptarë (lokalë dhe qendrorë) sot është obligim kryesor të këndellen dhe t’i ftojnë ekspertet e të gjitha lëmive (të vendit dhe nga diaspora) dhe të fillojnë nga e mbara procesin e zhvillimit ekonomik të vendit. Kjo është detyrë parësore sidomos në ditët e sotme jo vetëm për Tiranën e Prishtinën, por për të gjitha qendrat dhe rajonet tona të cilat po lëngojnë nga largimi i të rinjve të cilët nuk shohin të ardhmen në vendin tonë si pasojë e mos implementimit të politikave efektive ekonomike.

Një ndër detyrat parësore të liderëve tanë është ngritja e vetëdijes shtet-ndërtuese dhe vënia në funksion të zhvillimit të përgjithshëm të gjitha resurset ekonomike, sidomos atyre nga diaspora. Diaspora jonë fizikisht jeton jashtë vendit por shpirtërisht gjithmonë është në qendër të veprimtarive kombëtare. Diaspora shqiptare disponon me kapital vital financiar, teknologjik, social, humanitar dhe intelektual të cilët janë faktorë parësor të zhvillimit ekonomik dhe joekonomik të vendit në ditët tona. Në të vërtetë kapitali diasporës ishte faktori kryesor i cili mundësoi rezistencën kundër pushtuesve dhe ishte financuesi kryesor i luftës çlirimtare, zhvillimit të arsimit, edukimit dhe kulturës kombëtare gjatë gjithë historisë së re. Migracioni dramatik, i cili nuk po merr fund që nga fundi i viteve të 80-ta të shekullit të kaluar dhe sidomos sot ka marrë formën e një ‘mortaje’ të trishtueshme. Kjo ‘mortaje e bardhë’ në këto dy dekadat e fundit është pasojë e mos zbatimit të një politike efektive kombëtare nga qeveritaret tanë. Rinia sidomos shkollaret e rinj- kjo pjesë vitale e kombit nuk pranon të jetë ‘rob i skamjes dhe mjerimit’ në vendin e vet siç do të thoshte Sami Frashëri. Dukuria e shpërnguljes së rinise kërkon të merret masa urgjente nga qeveritaret tanë që të implementohen programe e projekte efektive të cilat do t’i krijojnë rinisë sonë mundësinë e punësimit dhe zhvillimin e biznesit të lirë. Hapja e vendeve të reja të punës në vendin tonë i çel rrugë rinisë drejt të ardhmes dhe mundëson të ndalet ky trend negativ dhe popullit e sidomos rinisë t’i kthehet dinjiteti shqiptar.

Sot lidershipi shqiptar e ka shumë më lehtë të veprojë se sa më parë; ata vetëm duhet të ndërtojnë institucione efektive shtetërore të cilat do të operacionalizojnë të gjitha resurset disponuese në mënyrë racionale në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. Vetëm një politike kombëtarisht e koordinuar sipas parimeve të Doktrinës së Kastriotit do të operacionalizojë forcën e punës, forcën intelektuale, kapital financiare dhe atë natyrore në funksion të mirëqenies së kombit. Një ekonomi e fortë do kthejë dinjitetin e popullit, do të faktorizojë elementin shqiptar në rajon dhe të rrisë prestigjin tonë në arenën europiane dhe ndërkombetare. Atëherë, shqiptarët definitivisht do të zënë vend të merituar në strukturat politike dhe ushtarake Ballkanike dhe Perëndimore ashtu siç kërkonte dikur Kastrioti ynë i madh.Gjaku i derdhur në Arbëri që nga Epoka e Kastriotit arriti ta mbjellë përjetësisht ndjenjën e krenarisë kombëtare dhe të kultivojë vetëdijen shtetërore të prijësve shqiptarë në periudhat e ndryshme kohore. Ashtu si Skënderbeu që kërkonte nga superfuqia osmane vetëm fitoren dhe lirinë e Arbërisë, po ashtu edhe patriotët shqiptarë të Lëvizjes së NDSH, Lëvizjeve të mëvonshme të udhëhequra nga M. Krasniqi, A. Demaçi, J. Gervalla e K. Zeka, Dr. Rugova e shumë të tjerë pavarësisht epërsisë ushtarake të Serbisë qëndronin të pa lëkundur në qëndrimet e tyre në luftë për çlirimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare. Për shembull, Dr. I. Rugova, nuk kërkonte“asgjë më pak se pavarësinë e Kosovës” dhe vazhdimisht potenconte se ‘pavarësia është kompromis” (Robelli, 2015).

Po ashtu edhe liderët dhe diplomatët e sotëm shqiptarë duhet të jenë të vendosur në qëndrimet e tyre të drejta dhe të mbrojnë me dinjitet dhe krenari interesat sublime dhe të drejtën natyrale të kombit tonë. Liderët tanë duhet ta dinë se “breznitë veprat i gjykojnë…, se jeta ma e mirë filloi prej nesh, me ne, …” (Mekuli, 1973, fq. 130). Ata nuk duhet të përulen para presionit të askujt por duhet të çojnë në vend porosinë e dëshmorëve të rënë ndër shekuj dhe ta materializojnë gjakun e derdhur rrëke për këtë tokë të lashtë që nga Epoka e Kastriotit. Qeveritarët shqiptarë ‘o sot- o kurrë’ duhet të këndellen dhe të punojnë sipas mësimeve të Doktrinës së Kastriotit për ndërtimin e një shteti funksional. Ata duhet të ndjekin shembullin e Kongresit të Lushjes (1920) dhe ti koordinojnë veprimet e tyre duke vënë interesat e tyre individuale e partiake në shërbim të atdheut.  Një mendje racionale dhe një vetëdije e lartë kombëtare shtet-ndërtuese eliminon divergjencat e pakuptimta dhe mundëson harmonizimin e të gjitha veprimeve të qeveritarëve tanë drejtë përmbylljes së procesit mbi njëzetëvjeçar të pavarësimit të Kosovës me anëtarësimin e saj në OKB.

Prandaj mund të konstatohet se Epoka e lavdishme e Skërnderbeut çdo herë do të shërbejë si udhërrefyes për shtet-ndërtuesit shqiptarë në të gjitha etapat kohore. Skënderbeu mbetet gjithherë epiqendra e kryenaltësisë kombëtare shqiptare, dhe personaliteti kryesor që bashkoi dhe vazhdon të bashkojë të gjithë shqiptarët (Repishti, 2004). Doktrina e Skënderbeut është udhërrefyesi më i mirë për forcimin e unitetit të kombit në rrugën për çlirimin e vendit dhe ndërtimin e shtetit kombëtar. Prandaj, mund të pohohet lirisht se doktrina e Kastriotit është bazament i vetëdijes shtetërore dhe Gjergj Kastrioti është “Emblemë e Shtetit Shqiptar”!

3.2 Vepra e Kastriotit inspiruese për krijuesit

Pas 17 Janarit të vitit 1468 për popullin tonë do vijnë shekujt të rëndë por siç thotë profesor Jorgaqi (2018) shëmbëlltyra e heroit e bartur brez pas brezi nga fjala shqipe asnjëherë nuk do te humbi shkëlqimin e vet. Vepra e Gjergj Kastriotit çdo herë do të shkëlqejë dhe do të bëhet burim i pashtershëm për krijuesit e të gjitha fushave si shkrimtarët, poetët, këngëtarët, piktorët, skulptorët, historianët, filozofët, psikologët, politikologët, gazetarët dhe analistët në periudhat e ndryshme historike. Krijuesit shqiptarë e të gjitha periudhave historike në Epokën e Kastriotit çdo herë do gjejnë inspirim të pashtershme për të krijuar kryeveprat e tyre.

Shkrimtaret e mesjetës si M. Barleti, F. Bardhi, Gj. Muzaka, Dh. Frangu, M. Baçikemi, Anonimi Tivarit, e të tjerë na japin shkrime me vlerë të çmueshme për Epokën e lavdishme të Kastriotit. Pa dyshim Barleti, një intelektual patriot me 1508 (ose 1510) publikoi veprën monumentale e cila do të jetë bazë e të gjithë studiuesve shqiptarë dhe europianë të cilët do shkruajnë me epitete të larta për Epokën e heroin tonë. Kjo vepër do të botohet shumë herë dhe do të përkthehet pothuajse në të gjitha gjuhët e Europës. Lexuesit edhe sot e kësaj dite i lexojnë dhe studiojnë me zell këto kryevepra të letërsisë klasike shqiptare.

Epoka e lavdishme e Skënderbeut do të bëhet një forcë inspiruese edhe për shumë krijues të vendeve tjera Evropiane e më gjerë. Autorët e huaj si Jost Amman (1578), Franciscus Blancus (1636); Antonio Vivaldi (1718), William Havard (1733), George Lillo, (1735), Thomas Whincop, (1747), François Francoer (1763), Zannovich, (1779), Çarls Bajroni (1819), e shumë e shumë të tjerë krijuan vepra të shkëlqyera në të cilat pasqyrohej lufta heroike dhe figura e madhore e heroit tonë të lavdishëm.Shkrimtaret e Rilindjes Kombëtare si Naim e Sami Frashëri, De Rada, G. Dara, J. Vreto, A.Z. Çajupi, P. Vasa, e tjerë do t’i kushtojnë vargjet dhe veprat më të mira Gjergj Katriotit. Duke ndjekur shembullin e shkrimtarëve të mesjetës dhe të Rilindjes Kombëtare pendat më të shkëlqyera të fillim viteve të shekullit njëzet si F. Noli, F. Konica, A. Plasari, A. Gegaj, Gj. Fishta, A. Asllani, H. Stërmillit, do shkruajnë vargje, vepra dhe analiza të shkëlqyeshme për Epokën e ndritur të Gjergj Kastriotit. Veprat e tyre do të shërbejnë si udhërrëfyes për edukimin e brezave të rinj. Për shkrimtarët e kohës së re si Gj. Zhej, I. Kadare, S. Drini, S. Godo, etj, Kastrioti do të jetë një figurë e veçantë e cila do t’i motivojë ata të shkruajnë vepra të përkryera. Për shkak të vlerës së lartë artistike dhe shkencore të këtyre veprave lexuesit do të shprehin një interesimit të jashtëzakonshëm dhe kështu ato do të ribotohen disa herë. Këto vepra gjithashtu do të përkthehen edhe në shumë gjuhë të tjera dhe do lexohen me endje nga lexuesit e huaj. Për shembull penda e talentuar e Kadaresë do t’ia kushtoj heroit tonë kombëtar një ndër kryeveprat e tij. Vepra “Kështjella” e Kadarese është një poemë epike me tone madhështore, epope magjike e luftës për liri, rrëfimit dhe afreskut historik” (Jorgaqi, 2018).

Epoka e lavdishme e Gjergj Kastriotit do të zejë kapitullin më të rëndësishëm në historiografinë shqiptare. Historianët e të gjitha periudhave pavarësisht vështirësive do t’i rreken hulumtimit të arkivave dhe studimit të literaturës në periudhat e ndryshme kohore në Europë e më gjerë për të ndriçuar veprën e heroit tonë. Vend të posaçëm do të zënë studimet dhe hulumtimet e historianeve si A. Ermenji, T. Zavallani, A. Buda, A.Hadri, K. Frashëri, J. Kastrati, A. Plasari, P. Xhufi, F. Hadrit, M. Zeqo, V. Kule, e të tjerë. Është shumë interesant dhe i rëndësishëm veçanërisht qasja pasionuese e studiuesit të madh arvanitas A. Kola dhe atij arbëresh Dh. Kamarda për luftën e Skënderbeut. Në veprën e tij monumentale kushtuar arvanitaseve krijuesi patriot A. Kola (1983) e vlerëson shumë lartë rolin dhe rëndësinë e veprës së Gjergj Kastriotit në krijimin e vetëdijes dhe krenarisë kombëtare.

Gjithashtu, krijuesit e tjerë si piktorët dhe skulptorët shqiptarë dhe europian kaluan muaj e vite të tëra në laboratorët e tyre në mënyrë që të portretizojnë në një formë sa më sublime figurën e Kastriotit. Busti i Kastriotit i punuar nga Odhise Paskalit, Janaq Paço, Andrea Mano e të tjerë rrinë krenar në sheshet e shumë qyteteve shqiptare e më gjerë. Portretet madhështore të piktorëve tanë për heronjtë qëndrojnë me dinjitet dhe lëshojnë rreze drite në zyrat e institucioneve shtetërore dhe kulturore të vendit tonë. Figura e Kastriotit është çdo herë një inspirim i veçantë për krijuesit e rinj shqiptarë të cilën që në vitet e hershme u munduan t’i kushtojnë atij krijimet më të bukura.Krijuesit muzikorë, këngëtarët, operistët, dhe sidomos rapsodët e të gjitha periudhave kohore këngët më të bukura ia kushtuan heroit tonë të madh. Rapsodët tanë me krenari të veçantë nën tingujt e lahutës dhe çiftelisë përshkruajnë fitoret e lavdishme të Gjergj Kastriotit. Këngët homerike kushtuar Kastriotit gjatë shekujve me endje këndohen e dëgjohen edhe sot nga gjeneratat e reja. Kënga “Fryne murlani me stuhi…,” është kënga kreshnike e cila me dekada këndohej me krenari nga nxënësit e shkollave në Kosovë. Andaj vepra e Gjergj Kastriotit është burim i pashtershëm i krijuesve shqiptare.

Në bazë të këtyre diskutimeve dhe argumenteve të cilat janë produkt të kësaj analize kritike mund të nxirret konstatimi se Gjergj Kastriotit është një figurë komplekse dhe shumëdimensionale e përmasave globale. Kompleksiteti dhe madhështia e veprës së Kastriotit bëri që fytyra e tij të mbetet e freskët në kujtesën e shqiptarëve dhe njerëzve liridashës në përgjithësi deri në ditët tona. Personaliteti i Kastriotit u reflektua me sukses dhe ka pasur një ndikim signifikant te të gjithë patriotët tanë të cilët gjeten frymëzuesin, ideatorin, strategun dhe udhërrefyesin e aspiratave për çlirim të vendit. Ngritja e flamurit në Krujë, organizimi i Lidhjes së Lezhës, çlirimi i vendit dhe ndërtimi i Mbretërisë së Arbërisë do të jenë jo vetëm motivim por edhe udhërrëfyes për të gjitha brezat se si duhet të fitohet liria, si të mbrohet atdheu dhe si duhet të ndërtohet shteti. Po ashtu krijimi i aleancave të Skënderbeut me Huniadin dhe mbretin e Napolit, Venedikut, Raguzen, e the do të jenë paraprirëse të Aleancave Perëndimore të kohës sonë. Gjergj Kastrioti u bë simbol i unitetit për çlirimin dhe ndërtimin e shtetit kombëtar në të gjitha periudhat kohore. Andaj mund të konstatohet se lavdia e Epokës së Kastriotit vuri bazat mbi të cilën u krijua dhe ndërtua vetëdija jonë kombëtare Gjergji Kastrioti është “BABA I KOMBIT SHQIPTAR!

4. Përfundim

Ky hulumtim i qaset studimit të jetës dhe veprës së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut nga një pikëpamje tjetër. Qëllimi parësor i këtij studimi është që t’i plotësojë disa zbrazësi të literaturës shkencore rreth Epokës së Lavdishme të Skënderbeut. Ky hulumtim analizoi në mënyrë kritike një gamë të gjerë të publikimeve të llojllojshme të shkruara gjatë periudhave të ndryshme kohore. Kjo analizë synon të arrijë tri qëllime kryesore: së pari, bazuar në literaturën e publikuar ky studim ka për qëllim të dokumentojë se arbërit si pasardhës të iliro-pellazgeve kishin një rol kyç dhe ndikim sinjifikant në periudhën e mesjetës në Gadishullin Ilirik të cilët krijuan një bazë të forte mbi të cilën u ngrit mbretëria e Gj. Kastriotit. Së dyti, qëllimi i studimit është që duke analizuar literaturën e shkruar të shndrisë sukseset e jashtëzakonshme të veprës së Gjergj Kastriotit kundër një superfuqie botërore të kohës në fushë-betejë dhe rolin e tij në bashkimin e princave arbërore cila u kurorëzua me krijimin e Mbretërisë së Epirit. Së fundi, qëllimi i këtij studimi është të paraqesë reflektimin e Epokës së Gjergj Kastriotit në të gjitha periudhat e mëvonshme të historisë shqiptare në raport me organizimin e lëvizjeve çlirimtare dhe krijimin e ndërtimin e shtetit kombëtar.

Bazuar në metodën analitike hulumtuese, ky studim dokumenton se vepra e Kastriotit duke trasuar rrugët e lirisë dhe krijimin e shtetit shqiptar është përjetësuar në të gjitha periudhat historike të popullit shqiptar. Duke u mbështetur në argumentet praktike ky hulumtim e vërteton hipotezën se Epoka e Gjergj Kastriotit është hallka kryesore e cila ndërlidh etapat e reja historike të popullit tonë me periudhën e mesjetës e cila gjithashtu ka rrënjët thellë në epokën iliro-pellazge. Mbi të gjitha Epoka e Gjergj Kastriotit është bazamenti mbi të cilën u krijua dhe u ngrit vetëdija shtetërore dhe kombëtare shqiptare. Andaj mund të konkludohet lirisht se Gjergj Kastrioti është “BABA I KOMBIT SHQIPTAR”.

Një qëllim tjetër po ashtu shumë i rëndësishëm, i këtij hulumtimi është që t’i stimulojë studiuesit e fushave të ndryshme të kohës sonë që ta studiojnë dhe analizojnë Epokën e Kastriotit nga perspektivat e ndryshme me qëllim që të arrihet të pasqyrohet figura e Kastriotit në mënyrë sa më të kompletuar. Duke analizuar këtë Etape historike sa të lavdishme, aq të rëndësishme, komplekse dhe interesante krijuesit arrijnë të shohin se të shkruash për figurën markante të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut është sikur se të hedhësh ‘një pikë ujë në oqean’!