Ura që rënkoi për më shumë se gjysëm shekulli


Nga Selman Meziu

Materie e ngurtësuar dhe shpirtërore. Ura – mjet lidhës. I dy brigjeve përrenjsh, lumenjsh edhe vijash uji. Lidhje miqësore, urë lidhëse në mes popujve, kulturave, traditave…
Ura e Çikut lidhte dy brigje. Shullanet, brigjet rreskore (shiste argjilore S.M.) e fisit Lala. Në mes i ndante lumi Murra. Emrin thuhet se e mori nga fshati Qafë Murrë, nga ku fillojnë damarët e kaltër me burimet e tyre të saj. Ndoshta, muri, muraja, murale, ndoshta nga disa të tillë. Por kemi edhe qen i murrëm, i thirrnim “murro”’ lopë e murrme e thërrisnin “murre, murra”. Mundësi tjetër është se në qafën e Murrës frynë veriu e që quhet murlan. Prandaj qafa është e zhveshur nga bimësia shkurrore e drunore. Koha e përkundi në tallazet e saja.
Ura fillesën e saj nuk e ka më shumë se 70 vjet, edhe pse udha e makinave Peshkopi-Burrel ka filluar aty rreth vitit 1935. Kur vjen nga lagjia Hoxhe, Prençe, Kurte, pa hyrë në urë, ka kaluar një vijë uji. Diku mbi atë ka qenë mateca (fillimi i vijës ku hynte uji në shtratin e Murrës) i vijës së mullirit të Zyber Hoxhës. Ajo, si ndërtesë, ka qenë e vendosur afërsisht në qoshen më lindore të parkut me plepa “Dine Doda”.
Aty ku bashkohen udha këmbësore Fushë-Muhurr, shpella Zgjorgj, kroi i Heres, Bufull, ka qenë një çezëm, uji i pijshëm për banorët. I sjellë aty me tuba xinkati, e ndërtuar rreth viteve 1975. Marrë nga burimi, kroi në kurtin e Avdi Mëziut në Bushei. Të dyja këto u zhdukën në kohë të ndryshme. Tani i erdhi radha Urës mbi lumin Murra, e thirrur si “Ura e Çikut”. Ndoshta ky emërtim erdhi ngaqë shtëpitë e fisit të tyre, zbritur nga Shqathi që i kishin në afërsi të saj.
Para viteve 1970 ajo ka qenë me këmbë e shtroje prej hekuri, si ato të urës mbi lumin Drini i Zi. Rreth viteve 1970-1975 u ndërtua ura prej çimentoje e hekuri. Nuk vonoi dhe lumi Murra i lëvizi njërën këmbë. Dhe në gjithë këto 10 vjeçar, ajo herë pas here e godiste fort, duke i prishur, herë këmbët e herë bazamentin. Deri sa prej shumë vitesh u kthye në gjysmë urë betoni, gjysmë urë me dërrasa e panela hekuri. Klima, koha po brente jetën e saj me ngadalë, si krimbi drurin. Derisa me datën 16 dhjetor 2022 i dha goditjen përfundimtare, shkatërruese. Edhe shteti, pushteti i krahinës së Muhurit, në dhjetë vjeçarët e Partisë së Punës edhe ky i demokracisë pas viteve 1990 e dinin dhe e përfytyronin se një ditë ky lum do të bënte hatanë mbi këtë urë kamthyeme. Ajo nuk u mirëmbajt dhe riparua kurrë nga ajo kohë deri sa vdiç.
U shprehëm kështu, sepse aty kanë lëvizur, ece e jake, nënat me fëmijë të vegjël mbajtur për dore; nxënës shkollash fillore, tetëvjeçare, të mesme, karroca me bukë misri e gruri, miell e grurë; fshatarë nga Selishta edhe me thesin e kripës e të miellit; mijëra makina me dru zjarri për qytetin e Peshkopisë, edhe makina me gurë, tulla, tjegulla, zhavorr e rërë; autobus e mikrobusa me banorë të moshave të ndryshme; kuaj, mushka e magjer me gjeth, bar, ngarkuar me dru zjarri e kashtë misri; tufat e dhive, lopëve e deleve. Një mizëri lëvizjesh në kohë e hapësira të gjëra. Gjithçka u shua, vërshimet e lumit Murra, shkatërruan urën, rrjedhimisht u shuan këto lëvizje që buisnin gjallëri, jetë.
Po sjellim një dëshmi mjaft kuptimplotë dhe kokë fortë, mbi të cilën duhet të nxjerrim shkaqet dhe të mësojmë. Lexojmë:
“Kompaktësimi 2018’, FA rehabilitojnë 16 km rrugë rurale në Dibër, Xhaçka (Olta Xhaçka, Ministre e Mbrojtjes S.M.) u shpreh: “Ndihmojmë komunitetin nëpërmjet stërvitjeve.”
“Forcat e Armatosura kanë nisur stërvitjen ‘Kompaktësimi 2018’, ku edhe testuan kapacitetet për reagime të menjëhershme në rastet e emergjencave civile. Njëkohësisht FA përmirësuan infrastrukturën rurale në zonë duke rehabilituar rrugën rurale nga Muhuri në Selishtë prej rreth 16 km. (Shqiptaria.com. 11 Nëntor 2018).
Shembja e kësaj ure me 18 m. gjatësi, 3 m gjërësi e 24 m lartësi (vërtetë ajo nuk është as 2 m lartësi, (S.M.) marrë në një hartë ushtarake botuar në vitin 1985), ka një varg gabimesh të mbledhura nyje. Që nga projektimi, me kambë me hapësira të ngushta dhe mjaft e ulët. Kjo rezultat i mos dijes, e mos matjes të prurjeve kulmore e me të ulta të prurjeve, mbi të cilat të mund të kryheshin llogaritjet e përmasave. Goditja e herë pas hershme nga prurjet e shumta të lumit Murra, nuk i “shqetësoi” pushtetin në bazë e deri në Peshkopi për t’a rregulluar e korrigjuar gabimet inxhinierike ndërtimore. Pas viti 1990 e njëjta situatë, veçse më e keqësuar. Kjo për arsye se koha po e shkallmonte nga që u prenë para kohe dhe pa baza silvotetknike pyjet e rinj të ahut në Pratin e Selishtës dhe kudo në përrenjtë, luginat e shpatet e ujëmbledhësit, deri dhe kurorat e gjelbërta të liqeneve të Kacnisë. Sigurisht, të gjitha këto janë të dokumentuara. Këto të çojnë rrjedhimisht në shtimin e prurjeve të lumit në fjalë. Sepse vetë pyjet, qoftë dushkajat apo pyjet trungishte ah, pishnaja janë një sfungjer biologjik natyral për reshejt e lëngëta e të ngurta e vërtetuar shkencërisht në shekuj.
Tanimë, vetë Fushë Muhuri, mbarë fshatrat buzëdrinas, kanë mbetur të vetmuar, të kërcënuar nga shpatat e qeverive të pas vitin 1990 që ua mbajnë mbi koka: ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Zhdukjen makabre të gjithçkaje. Populli jeton me frikë i trullosur. Atij i ka humbur e ardhmja në “Gijotinën e politikanëve shqiptar” e së fundi fatkeqësisht te qeveria “Rama 3”, e cila ngulmon në këtë “mathauzen për pellgun e lumit Drini i zi”. Kjo ka çuar, mendok unë, që edhe Arma e Xhenjos të Ushtrisë shqiptare dhe vetë Ministria e mbrojtjes të mbyllin sytë te ura e sakatosur mbi lumin Murra në Fushë-Muhur.
Ky kërcënim bukhenvaldian ka sjellë boshatisjen e fshatrave, bombarduar psikologjikisht e moralisht, fshatarë, bujqër e intelektualë në fshatrat buzëdrinas, natyrisht edhe muhurakët. Së shpejti një katastrofë e ngjashme e pret urën mbi lumin Drini i Zi me përmasa: 183 m e gjate, 3 m e gjerë dhe 15 m lartësia. Mjerisht, kësaj i ka mbaruar garancia prej 50 vjetësh, sepse ajo është përuruar në vitin 1946. Edhe ajo do të këputet diku. E fatkeqësitë e vuajtjet do të përlotin, gjakosin, muhurrakët, selishtasit, sinjanët etj.
Udhëzgjidhjet janë të shumta. Kundërshtimi me forcë e energji të reja në vazhdimësi i ndërtimit të pellgut ujëqelbur të Skavicës. Intelektualë, pushtetarë, opozitarë, i gjithë populli i krahinave të Muhurit, Katër Grykëve, Luznisë, t’i dërgoi peticione qeverisë të sotme për ndërtimin urgjentisht të urës mbi lumin Murra dhe projekte e plane për rindërtimin e urës mbi lumin Drini i Zi në Fushë-Muhurr. Vetëm të bashkuar e me veprime energjike duhet dhe mund t’i riparojmë e dalim nga dana e fatkeqësive që janë të pranishme sot e do të vijnë duke u shtuar në pafundësi.
Riparimi i përkohshëm me mbushje me zhavorre të urës së rënë në formë V është zgjidhje e përkohshme, e realizuar me datën 19.01.2023, se vete lumi Murra përsëri do të hakmerret, ndoshta me dëmtime edhe më të rënda.