Dhimbja për djemtë kufomë-prishur të mbetur deteve


Promovimi i dy librave të shkrimtarit dhe publicistit Demir Rusi, në mjediset piktoreske të resortit “Merlin Park” u shndrrua në një manifestim të shkëlqyer kulturor. Jo vetëm për praninë e qindra intelektualëve, poetë, prozatorë, publicistë e personalitete të shquara të fushave të ndryshme: gjeneralë, kolonelë, juristë e mjekë, por dhe për mesazhet aktuale që përcolli kjo veprimtari promovuese.
I moderuar me mjeshtri dhe profesionalizëm të rrallë nga gazetari i talentuar, Defrim Methasani, ky promovim është ngulitur thellë në memorien e qindra pjesëmarrësve. Si rrallë herë, pa ndonjë skenar paraprak, ai do t’ia jepte fillimisht fjalën redaktorit Namik Selmani – gazetar dhe shkrimtar i njohur për të bërë një prezantim të shkurtër të dy librave mjaftë cilësorë të kolegut Rusi.
Nëse në librin e parë me titullin sinjifikativ “Djali që bleu vdekjen”, sipas recensentit Selmani, “Mbetet në gjithë sipërfaqen shkronjore dhimbja, mbetet drama, mbeten viktimat dhe fajtorët e një tragjedie që quhet kurbet i paligjshëm. Mbetet emocioni i rrëfimit…”, për vëllimin poetik “Ura e fjalës”, në pozicionin e redaktorit, ai pohon se “Poezia e Demir Rusit është trashëgimia e bukur që mund të gjesh në gjuhën shqipe”.
Në të njëjtën linjë e vlerësoi krijimtarinë produktive e cilësore të Demir Rusit edhe shkrimtari e publicist H. Rama, duke evidentuar kulturën e lartë gjuhësore, në ditaret, përshkrimet e poezitë e tij.
Për profilin e veçantë krijues të D.Rusit foli më pas dr.Hajri Mandri, poet, publicist e studiues.

Dhe ai që la mbresa te të gjithë pjesëmarrësit qe padyshim Gjeneral Rrahman Parllaku – Heroi i Popullit dhe Nderi i Kombit. Si një enciklopedi e gjallë që mbart peshën e 98 viteve jetë, pikërisht në kohën kur duket haptazi se ka humbur disi interesimi i brezit të ri për librin, duke rendur pas rrjeteve sociale, Parllaku do të evidentonte domosdoshmërinë e rikthimit tek libri. Midis të tjerash ai tha se janë dashuria për librin, e pandarë që nga fëmijëria e deri në këtë moshë, por edhe angazhimi për të lënë të shkruara si trashëgimi për brezat gjithë historinë e tij të lavdishme, të kohës kur drejtonte njësitë më të mëdha partizane dhe më vonë ato të ushtrisë shqiptare, si dhe kujtimet për shokët, që kanë ndikuar dhe ndikojnë në profilin e tij të admirueshëm intelektual e njerëzor.
Më pas, dy botimet dinjitoze të Demir Rusit u vlerësuan nga përfqësues të “Mendimit pozitiv”, që kishin ardhur nga Prizreni e Gjakova, por dhe nga personaliteti i jurisprudencës, Fehmi Abdiu, nga gjenerali në pension Ismail Shulku e nga disa miq e shokë të autorit. Një përshëndetje miqësore i drejtoi atij edhe kreu i Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bulqiza”, z. Bashkim Lami, ndërkohë që me vëmendje të veçantë u ndoq nga pjesëmarrësit edhe përshëndetja e vëllait të autorit, avokatit Baftjar Rusi.
Vlerësime inkurajuese për autorin bënë edhe Dr.Nazmi Koçi si dhe miku e bashkepunetori i tij i ngushte, Sokol Agolli. Ata evidentuan veçanerisht vlerat e familjes arsimdashëse e atdhetare RUSI, të brujtura e transmetuara me dashuri nga brezi në brez, për vite, dekada e shekuj të tërë.
E përbashkëta e këtyre vlerësimeve konsiston në dobinë më të madhe të rrëfimeve brilante te libri “Djali që bleu vdekjen”, rrëfime këto që mund të kthehen në një vlerë letrare në një novelë, në një roman, në një film, në një dramë a një cikël me poezi. Dhe “të latuara” mjeshtërisht në fazën e ribotimit nga redaktori Selmani, këto rrëfime marrin vlera shumëdimensionale. Kjo për faktin se Demir Rusi prezantohet si vëzhgues i mprehtë i realitetit shqiptar dhe atij italian. Në këtë botim produktiv dhe cilësor rrëfehet intelektuali që përjetoi strese të fuqishëm shkatërrues, por që nuk u tundua nga grishja për veprime aventurore në fushën e kontrabandës mafioze…,rrëfehet intelektuali i mirëfilltë që kishte shërbyer me devotshmëri si oficer dhe si publicist ushtarak e si kryeredaktor i gazetës “Minatori”, të cilin koha e gjykoi së mbrapshti, duke e dëbuar nga puna me motive krejt absurde dhe pa asnjë mbështetje, as juridike dhe as logjike.
Duke përshkruar si askush tjetër emigranët që i janë lënë rastësisë, të jetojnë ku të mundin e si të mundin, të fituar apo të humbur, të gjallë apo të vdekur, pa një mbrojtje juridike siç e kërkojnë Kartat Ndërkombëtare, D.Rusi shpreh njëherazi dhimbjen për djemtë e mbetur deteve, kufomëprishur, ushqim për peshqit!. Ndjeshmëria e mërgimtarit shprehet qartësisht sidomos në rrëfimin për hollësitë e asaj nate pus të zezë në Grykën e Otrantos.
Në librin “Djali që bleu vdekjen”, (si edhe në vëllimin poetik) autori dallohet dhe për gjuhën e pasur në përshkrimin e personazheve dhe sidomos të miqësisë së tij me profesorin e nderuar italian, Xhovani Karbone. Pikërisht kur shpreh admirimin, respektin e mirënjohjën për këtë personalitet të shquar italian, teksa ai e takon me një nga miqtë e tij që kishte shërbyer në Shqipëri gjatë luftës së lavdishme nacionalçlirimtare, evidenton edhe kontributin e partizanëve të batalionit “Antonio Gramshi” dhe veçanërisht heroizmin e Tercilio Kardinalit. Dashuri të pakufishme shpreh autori sidomos për nënat që janë njësoj në gjithë botën, që një emër dhe një zemër kanë.
Duke lexuar më vëmendje librin e D.Rusit “Djali që bleu vdekjen”, edhe më pesimisti gjen forca për t’u bërë optimist, pasi përvoja e tij jetësore na mëson se “njeriu duhet të bëhet i fortë dhe t’u bëjë sfidë vështirësive që i dalin përpara; duhet të jetë optimist nëse dëshiron t’i mposhtë pengesat…Edhe kur është keq, njeriu nuk duhet t’i nënshtrohet së keqes….”. Ndërkohë autori është mjaftë bindës në konkluzionin për ekzistencën e të gjitha mundësive që Italia dhe Shqipëria të kthehen në simbole të vërteta miqësie e solidariteti.