Vlerësime për Naim Plakun


ENVER HYSA: Naim Plaku ishte një njohës shumë i mirë i të folmeve të Dibrës në përgjithësi, po dhe i të folmeve të shqipes. Naimin e karakterizonte serioziteti dhe ishte tipi i studiuesit që i përcillte njohuritë në sistem e jo në mënyrë të shkëputur. Po në fushën e gjuhësisë shqiptare, Naim Plaku mbeti, siç thotë Migjeni, një “kangë e pakëndueme”, sepse, me gjithë dhuntitë mjaft të mira që kishte, nuk arriti ta zbrazte gjithë bagazhin gjuhësor, që kishte grumbulluar. Emri i tij jeton sot në qindra e qindra skeda në kartotekat gjuhësore të leksikut e të toponimisë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, që mund të mjaftonin, ndoshta për të bërë një fjalor dialektor për trevat e vendlindjes. Kjo se ai arriti të gjurmonte fjalën e gjallë shqipe jo vetëm nga bisedat me të moshuar, po dhe me dijet e gjera që zotëronte vetë, për të folmet e zonave të tij të vendlindjes.

SHABAN SINANI: Unë e kam njohur Naimin në mesin e viteve 70’, kur isha nxënës në shkollën e mesme pedagogjike të Peshkopisë. Në atë kohë kishte shumë pak shkrimtarë në Dibër. Prej asaj kohe unë e kam ndjekur në një mënyrë të vëmendshme veprimtarinë e tij dhe do të doja të veçoja, përveç shumë punëve të bukura në krijimtari, atë çfarë ai i ka kushtuar traditës gojore të popullit të Dibrës, traditës etno-zakonore dibrane, studimeve me karakter historiografik dhe etnologjik, krijimtarinë letrare në përgjithësi, sidomos poezinë. Por jo vetëm poezinë, ka edhe… publicistikë, tregime, folklor, ku të gjitha gjinitë letrare i ka shumë të vlerësuara.

XHAFER MARTINI: Naim Plaku na bashkoi me jetën, me këngën, por na bëri bashkë edhe me vdekjen. Këtë nuk e bëri thjesht, pse qemë, pse u mblodhëm për një qëllim, por pse qëllimi u pasurua me përmbajtje të re, me gjendje të re emocionale nga ato që krijojnë vetëm arti dhe artisti i madh.

ALI AHMETI: Mua dhe shokëve të mi, kur luftonim për të drejtat e popullit shqiptar, na jepnin zemër dhe na hidhnin në flakën e betejave këngët e mrekullueshme që këndonin Arif Vladi, Liri Rasha, Qerim Sula dhe të tjerë këngëtarë. Por në atë kohë unë nuk e dija që tekstet e tyre aq të fuqishme i kishte bërë Naim Plaku!

SHKURTE FEJZA: … Ai i përket një plejade të artë të poetëve shqiptarë. Poezia e tij ka shpirt dhe i jep motiv kompozitorit, që të kompozojë, por edhe këngëtarin e frymëzon për të kënduar me shpirt. Ndoshta edhe vetë Dibra me historinë e saj, ka bërë që të jetë një vatër e madhe dhe mjaft e suksesshme artistësh të mëdhenj, të cilët kanë dhënë shumë për kulturën shqiptare. Në mesin e tyre shkëlqen emri i Naim Plakut.

FEJZULLA GJABRI: Në vëllimet e Naimit ka frymëzim vendlindor, dibran dhe gjithëshqiptar. Aty është lashtësia, aty burojnë mesazhet, aty ngrenë krye hulumtimet. Shkenca do t’i grupojë në: frymëzime poetike që këngëtari e ka të lehtë t’i kthejë në jone, gjuhëtari në toponomastikë, etnologu në etnologji e etnografi, dikush në histori, gjeografi, folklor etj. Të gjitha i gjen në veprën e botuar e të pabotuar të Naim Plakut.

Elegji për një bilbil

Nga Ilir Spata (SHBA)

Dibrës së lashtë maja, maja,
Një vaj gjame vjen së largu.
Me yrnek të Mide Dodës.
“Paska vdekun Naim Plaku!?”
Ç’paskan kangët që lotojnë?!

Nëpër buzë pse dridhet vargu?
Pushoi zani i bilbilit,
Që jehoi në mal e fushë.
Bama brezash, atdhetarësh,
U këndoi sikur askush.
Këngë dasme e hareje,
Zjarre t’shueme t’ue përpushë.

Kangë djepi stërgjyshore,
Turrë trimash si rrufe,
Fjalë e lot si vajtimore,
I përzieu gjak e dhé.
Plagë përgjakun zgjoj kreshnikët:
Azem Bejta hej ku jeee!

Ambëlsi e fjalës shqipe,
Ja shoqëroi çdo strofë e varg.
Me hir nusesh si prej Dibre,
Dritë e rreze lëshoi larg.
Fjalë zemre dashurie,
Si ai askush si pat.

“Paska vdekun Naim Plaku!”
Ujë e m’Ujën e ka lanë,
Çdo prag dere të Sllatinës,
Fjalë e ngrime vjen si gjamë.
Lisa, gurë zanë e përloten,
Britma kuje në Tiranë.

Shamibardhat zunë kujën,
Kanga m’vishet në të zi,
Grykës Drinit hapet kuja,
Lot e dhimbje tu i përzi.
Pikojnë strofat helm e lot,
Dhimbja vargjet i përpi.

Trup i lodhun i poetit,
Do pushojë në Tiranë.
Kangët e tij të pavdekshme,
Trojeve shqipe anembanë.
Do t’i ndezin trimat prapë,
Skuqin gjak trollin ku ranë.

Ç’paska kanga që asht mekun?
Ç’ka sot Dibra që loton?
Naim Plaku paska vdekun!
Za bilbili ma nuk rron.
Dibrës lashtë maja, maja,
Si ai nuk ka kush i këndon.

Dibrës lashtë maja, maja,
Naim Plaku hee ku jeee!
Pse m’i lae n’gjysëm kangët?
Trimat vorresh kush i ngre?
Kangë e shpirt përjetësisë,
Trup i lodhun njësh me dhé.