Objektet arkitekturore të Dibrës, mundësi për zhvillimin e turizmit kulturor


Kisha e Shen Dhimitrit

Arkitekturë tradicionale është arkitektura e së kaluarës me zbatim kohor relativisht të gjerë. Monumentet arkitekturore janë pjesë e trashëgimisë kulturore materiale dhe vlerësohen për realizimin dhe ndërtimin e tyre në arkitekturë të veçantë e artistike. Rrethi i Dibrës dallohet për punime arkitekturore origjinale dhe karakteristike. Kjo pasi dibranët njihen në mbarë vendin si mjeshtra në fushën e ndërtimit. Monumentet arkitekturore përbëjnë trashëgiminë më të pasur materiale të rrethit të Dibrës.
Mjeshtëria ndërtimore dibrane është e lashtë dhe dëshmohet nga kërkimet arkeologjike në trevën dibrane. Ndërtimit të kalave, veç krahëve të shumtë të punës, i nevojiteshin edhe mjeshtra të talentuar ndërtimi me njohuritë përkatëse që kërkonte teknika ndërtimore e kohës. Punimet për zgjerimin e rrugës automobilistike në vitin 1983 rreth kalasë së Grazhdanit dhe pastrimi i mureve rrethuese nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, nxorën përdorimin e blloqeve kuadratikë të lakuar, dëshmi kjo e punimit të gurit që në periudhën qytetare ilire, shek. III-II p.e.s. Blloqet dëshmojnë për mjeshtra të talentuar të skalitjes së gurit. Shkallë të lartë njohurish ndërtuese dëshmojnë edhe materialet e ndërtimit si: tulla, tjegulla etj., të cilat dallohen për një teknologji të lartë punimi, që është për t’u admiruar. Mjeshtëria ndërtimore në Dibër duket se u trashëgua gjatë shekujve deri në ditët tona, duke u pasuruar edhe me përvojën e vendeve fqinje ku punuan ndërtuesit dibranë. Dibranët janë njohur si mjeshtra ndërtimi të gdhendjes së gurit e të drurit jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj në Bullgari, Greqi, Serbi dhe Turqi.
Stili i ndërtimit të banesës në Dibër është mjaft i kristalizuar, megjithatë në zona të ndryshme vërehet edhe trajtimi i ndryshëm arkitektonik e konstruktiv me elementë të veçantë që kushtëzohen nga faktorë të tillë si: relievi, klima, materialet rrethanore, ndikimet e krahinave fqinje etj. Ajo që në përgjithësi e dallon banesën në krahinat malore nga ajo fushore të Dibrës është materiali që përdorej për ndërtimin e saj. Në malësi si në Reç, Lurë, Selishtë, Çidhën, Cerjan, Bellovë, etj., si material kryesor është përdorur guri, rrasa, furda, ndërsa në fushë si Maqellarë, Kastriot, etj., qerpiçi e tjegulla. Dibra është e njohur për arkitekturën karakteristike të ndërtimit të shtëpive në Shqipërinë e Veriut, që janë kullat. Kullat janë të përhapura në të gjithë territorin e saj. Një pjesë e tyre kanë statusin e monumenteve të kulturës pasi ruhen nga shteti.
Dibranët kanë pasur një shije të hollë artistike për ndërtimin e banesave të veta, të cilat qenë shumë funksionale për kohën. Për ndërtime kanë shfrytëzuar materiale rrethanore. Këto materiale ndryshojnë në viset malore, me ato në vise fushore. Janë përdorur vazhdimisht për zbukurimin e banesës dibrane edhe elementë zbukurimi si arkitrarë prej guri të gdhendur, tavane dekorative prej dërrase të zdruktuar, daljet në formë ballkoni të formave të ndryshme etj. Shtëpitë dibrane ishin njëkatëshe e dykatëshe dhe rrallë, edhe trekatëshe. Shtëpitë e të varfërve, që përbënin shumicën dërrmuese ishin vetëm një katëshe, ndërsa të bejlerëve, agallarëve etj., ishin kulla dykatëshe dhe trekatëshe.

Sipas të dhënave të vitit 2016 nga DRKK Shkodër, sektori Dibër, në rajonin tonë të studimit janë të listuara dhe ekzistuese këto monumente kulture me vlera arkitekturore:
Banesa e Tashko Markos, fshati Herbel, NJA Maqellarë.
Banesa e Mudë dhe Sali Kadrisë, fshati Bellovë, NJA Melan.
Banesa e Selman Tollës, fshati Fushë Lurë, NJA Lurë.
Banesa e Zef Doçit, fshati Fushë Lurë, NJA Lurë.
Banesa e Reshit Zunës, fshati Sohodoll, NJA Kastriot.
Banesa e Vehap Isakut dhe Ramadan Hysës, NJA Peshkopi.
Kulla e Dine Hoxhës, fshati Muhurr, NJA Muhurr.
Kisha e Shën Sotirit, fshati Kërçisht, NJA Maqellarë.
Kisha e Shën Dhimitrit, fshati Kërçisht, NJA Maqellarë.
Kisha e Shpërfytyrimit fshatin Herbel, NJA Maqellarë.
Xhamia e Allajbegisë, fshati Burim, NJA Maqellarë

Banesa e Selman Tollës është shpallur monument kulture me datë 18.12.1987, nga Komiteti i Kulturës dhe Arteve. Kjo banesë e tipit kullë, ndodhet në qendër të fshatit Fushë Lurë dhe dallohet për vlera të mëdha arkitektonike. Ndërtesa është trekatëshe, tipike për zonën dhe ndahet në tre ambiente. Kati i parë është për të qëndruar shërbëtorët, kati i dytë për familjarët dhe kati i tretë për miqtë. Kulla është ndërtuar me teknikën vendase të kohës me gurë dhe llaç gëlqeror. Në cepet e mureve dhe përreth derës e dritareve, janë vendosur gurë në forma katrore, që i japin pamje të bukur objektit.
Banesa e Zef Doçit është shpallur monument kulture me datë 27.07.2006, nga MTKRS. Kjo banesë e tipit kullë është trekatëshe dhe me strehë guri. Ndryshe nga kullat dhe banesat e tjera, pamjen ballore e ka nga ana e veriut. Banesa është ndërtuar me teknikën vendase me gurë e llaç gëlqeror dhe ka elemente tipike të kullës së Veriut, karakteristike për zonën. Çatia e saj është e mbuluar me furde, diçka e rrallë në vendin tonë. Banesa e Zef Doçit ndodhet në qendër të fshatit Fushë Lurë, buzë rrugës së asfaltuar.
Banesa e Mudë dhe Sali Kadrisë është shpallur monument kulture me 18.12.1987, nga Komiteti i Kulturës dhe Arteve. Kjo banesë është trekatëshe me një planimetri të thjeshtë. Dritaret e saj janë ndërtuar me materiale druri dekorativ dhe frengji ndërsa dyert prej druri të punuar mirë dhe me hark nga sipër me punim guri. Çatia e banesës nuk është uniforme ku një pjesë e saj është e mbuluar me llamarinë, ndërsa pjesa tjetër me tjegulla vendi. Materialet e ndërtimit janë gurë, llaç dhe breza druri. Tavanet janë prej dërrase dekorative ndërsa dyshemeja është prej betoni. Teknika e ndërtimit të banesës është unikale në llojin e saj.
Banesa e Reshit Zunës është shpallur monument kulture me datë 08.01.1977, nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës. Kjo banesë e tipit kullë ka një planimetri të thjeshtë katërkëndëshe me përmasa 7×7.7 metër dhe lartësi 11 metër. Kulla ka 7 dritare me përmasa 1×0.7 metër ndërsa porta e kullës ka përmasa 0.96×1.60 metër. Është ndërtuar me gurë dhe gëlqere ku gjerësia e murit është 1 metër. Katet nga i dyti e lart kanë frengji me hekura të shumta. Teknika e ndërtimit është e veçantë në llojin e saj.
Banesa e Tashko Markos është shpallur monument kulture me datë 08.01.1977, nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës. Kulla është dykatëshe dhe ka dy lloje dritaresh, të mëdhaja dhe të vogla ndërsa gjerësia e murit të kullës është 0.5 metër. Planimetria e saj është e thjeshtë, në formë katërkëndëshe. Banesa është ndërtuar me gurë, baltë e breza druri dhe rrethohet me avlli. Porta e banesës është e madhe me punim druri ndërsa çatia është mbuluar me tjegulla vendi.
Banesa e Vehap Isakut dhe Ramadan Hysës është shpallur monument kulture me datë 08.08.1980 dhe 25.10.1980, nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës. Kjo banesë është trekatëshe e ndërtuar me gurë, llaç gëlqereje, shtuf dhe breza druri. Hyrja në katin e parë bëhet nëpërmjet tre portave në formë harku. Ndodhet në lagjen “Treg” në qytetin e Peshkopisë.
Kulla e Dine Hoxhës është shpallur monument kulture me datë 17.05.2010, nga MTKRS. Kjo kullë trekatëshe është ndërtuar në vitin 1929 me gurë, llaç dhe breza druri. Secili kat është i ndarë në një ambient të vetëm, kati i parë për të qëndruar shërbëtorët, kati i dytë për pjesëtarët e familjes dhe kati i tretë për miqtë. Qoshet e mureve të kullës janë ndërtuar me gurë të punuar, ndërsa çatia është mbuluar me tjegulla vendi.
Kisha e Shën Sotirit (Sveti Spas) shpallet monument kulture me datë 30.05.1970, nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës. Muret e saj janë të ndërtuara me gurë të lidhur me llaç gëlqereje. Në këto mure ruhen afreske me përmasa 7×3.2 metër, por që janë të dëmtuara. Çatia është e mbuluar me rrasa guri. Kjo kishë është ndërtuar në vitin 1270.

Kisha e Shpërfytyrimit është shpallur monument kulture me datë 30.05.1970, nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës. Është ndërtuar para pushtimit turk, me një teknikë të thjeshtë trefaqeshe. Teknika e ndërtimit është artizanale, kulturë bizantine, periudha mesjetare e hershme. Muret e saj janë të ndërtuara me gurë dhe llaç gëlqereje. Megjithëse numri i besimtarëve ortodoksë është i vogël, kisha respektohet dhe mirëmbahet nga popullsia e zonës.
Xhamia e Allajbegisë është shpallur monument kulture me datë 30.05.1970, nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës. Xhamia është ndërtuar në vitin 1585, ka formë kubike me kupolë si dhe sallën e lutjeve me përmasa 6.4×6.27 metër. Minareja e saj ka bazament shumëfaqesh dhe 10 dritare me korniza guri. Teknika e ndërtimit është artizanale, sipas kulturës shqiptare.
Kisha e Shën Dhimitrit është shpallur monument kulture me datë 25.09.2007, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kjo kishë është ndërtuar nga muratorë vendas në vitin 1892, me gurë e llaç gëlqereje dhe anon nga kultura bizantine. Çatia e saj ka konstrukt druri të mbuluar me rrasa guri ndërsa tavani është i zbukuruar me afreske.

Literatura:
Bashkia Peshkopi, Guidë turistike, Tiranë 2010.
Bunguri, A., Prehistoria e Dibrës, Tiranë 2010.
Cena, F., Natural and cultural heritage of Dibra district, The 4-th International Multidisciplinary Conference in Integrating Science in New Global Challenges, Dubrovnik, Croatia 2015.
Cena, F., Turizmi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në rrethin Dibër, Studime gjeografike 19, Tiranë 2015.
Cena, F., Turizmi në rrethin e Dibrës.Studim gjeografiko-turistik. Disertacion, Tiranë 2017.
Daci, F., Enciklopedia e Dibrës, Vëll. I, Tiranë 2006.
Grupi Lokal i Veprimit “Deshati”, Mirësevini në vargmalin Korab-Deshat.
Kaca, I., Rrugët e vjetra të Dibrës, Tiranë 2003.
Shini, Xh., Një vështrim mbi banesën karakteristike e ndërtimet tona të sotme, Dibra dhe dibranët, Vëll. I, Peshkopi 1981.
Të dhëna nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër, sektori Dibër.
Të dhëna nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.
Ligj nr. 93/2015 “Për turizmin”.
Ligj nr. 9048, datë 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore”.
Ligj nr. 10352, datë 18.11.2010 “Për artin dhe kulturën”.
Ligj nr. 7867, datë 12.10.1994 “Për mbrojtjen e pasurisë kulturore të luajtshme dhe të paluajtshme”.
Ligj nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.