Kënga e Hajredin Pashës, “pasaporta” e çdo dibrani”


Thesari popullor i Dibrës është tepër i pasur dhe i mjaftueshëm për të zënë vend meritor në mesin e thesarit kombëtar. Në këtë thesar hyjnë vargje lirike, këngë historike, e shumë këngë me motive të tjera. Populli dibran njerëzit historik i ka gdhendur si të thuash në kujtesën e tij, një pjesë për të cilët ka thurrur dhe këngë. Këngët historike dibrane kujtojnë “motin e shkuar” apo betejat kundër pushtuesve të huaj, ku populli është larë me gjak për liri dhe për trimat kanë thurrur këngë. Madje, për disa ngjarje kulmore e me rëndësi të madhe historike, këngëtari popullor ka ngritur dy këngë, mbase edhe më shumë: “Hajredin Pasha po vjen Radikës”, “Elez Isufi arusha e malit”, pastaj edhe “Luftën Dibra seç e nisi”, “Ç’po i bjen era retë e zeza”, e të tjera varg…
Si kurorë e gjithë historisë së lavdishme dibrane, dashtë e pa dashtë qëndron kënga e Hajredin Pashës. Kjo ndodh për vetë motivin, melodinë që është e kapshme dhe për një fëmijë të vogël, e kjo falë mjeshtërisë së “gdhendur” nga artisti shekullor Hazis Ndreu. Ishte viti 1957 kur i ndjeri tashmë Hazis Ndreu, e redaktoi tekstin, punoi muzikën me një orkesër prej 6 çiftelish, të kësaj kënge që e rregjistroi në Radio Tiranën. Pra, i pari dhe ai që i dha origjinalitetin kësaj kënge himn, është i vetmi, mjeshtri i madh Hazis Ndreu, nën përcjelljen e çiftelisë që i përgjigjet çdo shkronje të tekstit të këngës, e mbi të gjitha që të mbush me emocion të padeshifruar brendësisht.
Fillin e luftës së rrëfyer në këngë e gjejmë menjëherë pas përfundimit të kryengritjes në Kosovë e në Pollog. Ushtria osmane, në vjeshtën e vitit 1844, u përqëndrua në sanxhakun e Dibrës, sepse populli dibran ishte hedhur në kryengritje kundër zbatimit të reformës ushtarake dhe vetëqeverisjes lokale të krahinës. Meqë forcat e komanduara nga Rexhep pashë Tetova u thyen nga kryengritësit në fushën e Mavrovës, Stambolli hodhi në këtë krahinë ushtri të shumta, të komanduara nga Hajredin Pasha me 12 mijë ushtarë. Në nëntor 1844, përfaqësuesit e nëntë maleve të Dibrës: Çidhën, Reç, Dardhë, Lurë, Muhurr e Selishtë, Luzni, Grykë e Vogël, Grykë e Madhe dhe Bulqizë, me në krye Sheh Mustafa Zerqanin, u thirrën në kuvend në një kullë të fushës së Gjoricës. Në kuvend u vendos që me kryengritje të mbroheshin të drejtat lokale, që popullsia i gëzonte prej kohësh. Rrugëtimin e ushtrisë së Hajredin Pashës përreth lumit Radikë që derdhet në Drinin e Zi, na e përshkruan këngëtari popullor:
Hajredin Pasha po vjen Radikës,
pëjt: Ku jen malet e Dibrës?
Nga dy vargjet e para vërehet qartë se komandanti turk nuk ka hasur në pengesa nëpër Rekë, meqenëse kryengritësit dibranë e matjanë, të komanduar nga Cen Leka, u zunë rrugën ushtrive osmane pikërisht në grykë të Radikës. Komandanti turk, pasi e hetoni qëndresën e kryengritësve, shpalli se të gjithë ata që do të dorëzonin armët, do të liheshin të lirë dhe se nuk do të rekrutonte nizamë.:
-Moj Gjuric’, moj kasaba,
çon pasha e t’bon rixha:
pë rixhaja s’i osht ndëgjo
i thkej topat me lufo.
Ky premtim nuk zuri vend te shumica e krerëve, të cilët e vazhduan qëndresën, e bënë luftime të ashpra plot pesë ditë e pesë netë në fushën e fashatit Gjoricë, ku krahas burrave luftuan edhe gratë e fëmijët. Pastaj këngëtari popullor vazhdon:
Hajredin Pashë o mër hutaç-e,
S’rëjfet Dibra me kërbaç-e!
Pra, dibranët e bënë me dije pashain turk se nuk është e kollajshme lufta me dibranët, ashtu siç ishte me të tjerët, kur dijmë se para se të hynte në Dibër, ai hapi rrugë dhe e mori Selanikun, e deri në Prilep, që na e dëshmon edhe kënga:
Hajredin Pasha, tha, mër krejshënëjk,
nuk osht Dibra Selanëjk.
Selanëjk e as Përlep-e
çish gërkove, në Dibër xhete.
Luftimet përfunduan me humbje të mëdha për të dyja palët, sidomos për ushtrinë osmane, e cila u detyrua ta përjashtojë krahinën e Dibrës nga reforma ushtarake. Kjo luftë e vendosur e popullit dibran pati jehonë në viset e tjera shqiptare. Pas 6 muajsh, në maj të vitit 1845 rreth 2 mijë malësorë të krahinës së Gjakovës me kryengritje e detyruan qeveritarin e saj të largohej, me çrast filluan kryengritjet dhe u çliruan edhe Reka, Bytyqi, Gashi, Tropoja, etj. Sulltani, për ta qetësuar gjendjen i liroi mbi 2 mijë shqiptarë të burgosur në Stamboll dhe e ndaloi për disa vjet zbatimin e sistemit të ri në Shqipërinë Veriore.
Nga e gjithë kjo nënkuptohet ajo më e rëndësishmja, se krerët e të dy anëve të Dibrës, agallarë, pasanikë e gjithë shtresat e tjera, kur bëhej fjalë për kombin e fatet e tij, zinin pozicionin kundër pushtuesve dhe luftonin krah më krahë. Çdo dibran identifikohet me bëmat e qëndresën e paraardhësve të vet, me këngën origjinale nga vetë artisti – hero Hazis Ndreu, por jo nga ata që e huazuan dhe e shfrytëzuan këtë këngë për të bërë emër. Historia e kultura dibrane është aktualizuar kurdoherë me “sokolat” e saj të ardhur nga nderi, mençuria e heroizmi. Ky himn i dibranëve që mban gjallë historinë e lavdinë dibrane, idealin e gjithë atyre që krah më krah e një për një lidhën besën për liri e vatan, do të qëndrojë si i tillë sa të frymojë shqip edhe vetë kombi.