Jordan Daci, dibrani që dëshiron të bëhet Avokati i Popullit


Qysh se është formuar shoqëria njerëzore, u vu re se i forti e rrihte të dobëtin, se njeriu që kishte pushtetin bënte çfarë të donte me të papushtetshmin dhe se kishte shumë padrejtësi të kësaj natyre. Atëherë, kryesisht filozofët e lashtësisë menduan se duhet instancë e drejtësisë, që të vendosë balancat, që të dënojë të fortin në rast se abuzon me të dobëtin, mos të letjohet padrejtësia, mos të shkatërrohet natyra, mos të preken liritë themelore të njeriut. Kohët kanë evoluar në dekada e në shekuj dhe se edhe sot e kësaj dite ekziston një institucion, që mendon për shtresat e margjinalizuara të shoqërisë, për të diskriminuarit dhe për të pamundurit. Ky institucion quhet Avokati i Popullit dhe se mendon për shtresat në nevojë. Në krye të institucionit në fjalë dëshiron të vijë një dibran dhe se ai quhet Jordan Daci, avokat. Ky i fundit ka paraqitur kandidaturën me një CV të lavdërueshme, është i pajisur me doktoraturë, sikundër ka edhe përvojë në mësimdhënie.
Jordani rrjedh nga një familje me tradita të Dibrës, nga ato familje nga të cilat pritet që pasardhësit të dalin njerëz të zotë dhe të arsimuar. Detyra që dëshiron të marrë z.Jordan Daci nuk është vetëm post publik, politik apo institucional, por është në radhë të parë përgjegjësi njerëzore ndaj shtresave më të pamundura të shoqërisë, më të harruara, më të lëna në hije, e se urimi për të është që jo vetëm ta fitojë si një post, por të ndjejë thellësisht e moralisht se mundet të jetë “babai” i mbrojtjes të të drejtave të njeriut të të pamundurve, të lënë në cep, në katakombet e shoqërisë.
Doktoratura e fituar nga ana e Jordan Dacit është shkalla më e lartë e pjekurisë arsimore të individit e se kur kjo gradë fitohet në fushën e drejtësisë, nënkupton njohje të thellë të ligjeve e të neneve të ligjeve të Republikës së Shqipërisë.
Shpresa e madhe është që Jordani të mos njohë ligjet ashtu ftohtë, por të përpiqet mbi të gjitha të jetë njerëzor në trajtimin e çështjeve e se këta të fundit do ta bënin atë një Avokat të Popullit ndryshe, njerëzor, shumë njerëzor. Ia urojmë z.Daci të zgjidhet Avokati i Popullit, një rrugë e vështirë në mbrojtje të individëve dhe të drejtave të tyre themelore.