Dritëro Agolli: “Njeriut që i peshon më shumë truri se trupi”


Shaban Sinani është kontributori kryesor për promovimin dhe ndërkombëtarizimin e vlerave kulturore dhe morale të kombit shqiptar përmes tre projekteve të mëdha shkencore, të certifikuara ndërkombëtarisht: pranimi, ruajtja dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri; ideimi, hartimi dhe dorëzimi i dosjes për t’i shpallur Kodikët e Beratit si “pasuri botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s; dhe, së treti, ideimi, hartimi dhe depozitimi (bashkë me prof. Zymer Neziri) të dosjes për “Këngët e kreshnikëve”, eposin e Veriut në UNESCO.

Shaban Sinani, lindur më 16 prill 1958, në Ndërshen, një nga fshatrat e Lurës piktoreske të Dibrës, është një nga njerëzit dhe studiuesit e rrallë të kulturës dhe shkencës shqiptare. Për të janë bërë plot vlerësime dhe karakterizime, por mund të veçohen tri prej tyre.
I pari është vlerësimi i prof. Shaban Demiraj, gjuhëtar e albanolog i njohur, për shumë vjet shef i katedrës së gjuhësisë në universitetin e Tiranës. Duke e njohur studentin e tij, prof. Demiraj kërkoi me ngulm që Sh. Sinani të emërohej menjëherë pas përfundimit të studimeve si pedagog në këtë katedër. Por, ndërkohë Sh. Sinanin e kërkonte edhe gazeta me e madhe e asaj kohe, “Zëri i popullit”, madje, kryeredaktori i saj, Arshin Xhezo, kishte firmosur edhe emërimin. Ky rivalitet institucionesh vazhdoi disa kohë derisa çështja shkoi tek kreu i shtetit, Ramis Alia. Kjo është një histori e gjatë që Shabani e tregon mjaft bukur në librin “Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe”, libër që i kushtohet pikërisht profesorit të njohur me dedikimin prekës: “Prof. Shaban Demirajt të parit – pas prindërve të mi – që besoi në punën time, me mirënjohje, Ia kushtoj”. Ky libër nuk ishte veçse tema e diplomës e studentit që kishte befasuar profesorin në vitin e largët 1983, por që do të botohej si libër pas 30 vjetësh.
Vlerësimi i dytë, edhe ky i bërë shumë vite më parë, është nga Dritëro Agolli, i cili duke ndjekur shkrimet e Shaban Sinanit, por edhe duke e njohur nga afër në biseda këtë djalosh të imët e trupvogël do të shprehej në stilin e tij: “Këtij njeriu i peshon më shumë truri se trupi”.
Edhe vlerësimi i tretë i takon asaj kohe kur Shaban Sinani nuk kishte bërë akoma “një krah me libra”. Teodor Keko, poet dhe moshatar, shok fakulteti, do të shkruante e botonte asaj kohe një poezi që e profetizonte Shaban Sinanin si anëtar të Akademisë së Shkencave: “Akademia me siguri Shabanin do e marrë”. Dhe Shaban Sinani, më 6 mars 2017, përmes një votimi të fshehtë u përzgjodh me shumicën e votave që në raundin e parë si anëtar i Akademisë së Shkencave. Ndonëse me shumë vonesë, autori i më shumë së 30 veprave shkencore albanologjike, zuri vendin e merituar. Dhe nuk është një vlerësim dhe nder që iu bë atij, por, siç e cilësuan shumë personalitete albanologjike kur morën vesh lajmin, Akademia u nderua dhe fitoi prestigj. Si rrallë kush, për të mos thënë askush, nuk mund të krahasohet me kontributin e Shaban Sinanit në studimet dhe aksionet madhore albanologjike. Shaban Sinani është kontributori kryesor për promovimin dhe ndërkombëtarizimin e vlerave kulturore dhe morale të kombit shqiptar përmes tre projekteve të mëdha shkencore, të certifikuara ndërkombëtarisht: pranimi, ruajtja dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri; ideimi, hartimi dhe dorëzimi i dosjes për t’i shpallur Kodikët e Beratit si “pasuri botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s; dhe, së treti, ideimi, hartimi dhe depozitimi (bashkë me prof. Zymer Neziri) i dosjes për “Këngët e kreshnikëve”, eposin e Veriut në UNESCO, projekt që mori çmimin special “Europa Nostra” të BE, si projekti më i mirë shkencor për trashëgimi popullore.

31 mars 2017