Xhadeja fatale


Qyteza ku jam rritur ishte vend i çuditshëm Ai ishte një vend diku në Kufi, përcaktuar gjeografikisht thuajse perfekt, sipas shpjegimeve që jep Amin Maluuf në librin: “Tronditja e botës”. Maluf thotë se vendet që janë kufitare kanë prirjen të kenë njerëz më të mirë disi, sepse këta nuk paravendosin si gjë qendrore centrizmin që “unë jam më i miri”, egon e fortë, etjen për të shkatërruar tjetrin, por paraqitën më të dashur duke mirëkuptuar edhe çdokënd që është ndryshe nga ata. E unë jam rritur në një vend sa të ngushtë aq të izoluar, por edhe global njëkohësisht. Jam rritur mes pallatesh të vegjël, ndërtuar ashtu nga sistemi i kaluar. Nëse je i huaj ose e viziton atë vend, të ngjan se është sa i izoluar, aq edhe i hapur. Kjo sepse Doganën me shtetin tjetër e kishim vetëm pesë kilometra larg.
Mund të them se ajo qytezë ku jam rritur, e cila është më e vogël në përmasa se fshatrat përreth, ka më pak banorë, ngjan e gërshetuar me shumë aspekte. Aty gjen ndërtesa që janë aty që në kohën e komunizmit në vend, gjen edhe kapitalizmin e skajshëm me ndërtesa e biznese, njerëz të emigruar në katër anë të globit e hera-herës sikur aty bie hija e madhe që lëshon qyteti historik që shtrihet aty pranë, tej kufirit, Dibra e Madhe. Duke qenë se është afër me ish-kufirin jugosllav, ngjan sikur ka edhe hijen e qyteteve që dikur kanë qenë nën juridiksionin e Jugosllavisë. Sidoqoftë, qyteza pranë Drinit ka jetë, brenda saj qarkullojnë thashetheme, ajo gëlon nga jeta. Dikur qyteza ka qenë mua më duket më “moderne”, sikur të jetë qendër urbane, me një qendër të sajën, me një lapidar dhe me makina që kalonin aty dhe iknin drejt qytetit të Peshkopisë. E tillë ka qenë Maqellara siç e mbaj mend unë dhe me disa lagje të vetat, që ndryshonin për nga karakteristikat.
Ekzistonte një lagje lart rrugës nacionale, e cila ndodhej në një vend sapo kaloje Maqellarën e furgonat drejtonin turinin drejt Peshkopisë, një lagje tjetër ishte e Gjonallarëve që e kishte emrin kështu për shkak se aty jetonin kryesisht një fis me mbiemrin Gjoni dhe lagjjia ku kam jetuar përafërsisht për pesëmbëdhjetë vite dhe që quhej Lagjja e Pallateve. Kjo e fundit për hir të realitetit dhe duke mos errësuar aspak lagjet e tjera kishte njerëz disi më të arsimuar, më qytetarë në tërësi, disa ishin kuadro, kurse në lagje të tjera varfëria dhe pamundësia ishin thuajse totale. Pas shpërbërjes të sistemit komunist, edhe banorët e Pallateve filluan të lëvizin, të ikin prej andej, kryesisht të vinin në Tiranë, në qytete të mëdha shqiptare apo jashtë shtetit.
E në këtë bllok pallatash të vjetra, bllok kaq i vogël në përmasa, me histori tepër, kanë ndodhur shumë ngjarje dramatike, herë qesharake, që jeta i mbart “brenda” vetes. Sapo dilje nga Pallatet, qëlloje që të “plaseshe” direkt e në rrugë të madhe, që ne i thoshim xhade, rrugës nacionale që kalonte aty pranë. Në atë cep rruge nacionale kanë ndodhur disa aksidente të tmerrshme, shpesh fatale, Më së pari personalisht kam qenë viktimë në vogëli, pasi një mjet më ka përplasur në moshën 2 vjeç, kur kishte pak kohë që kisha nisur të eci, por shpëtova mrekullisht, pasi mora mjekimin e duhur në spital, kuptohet.
Mbaj mend turbullt fort se isha me babanë, mamanë dhe se do të gjenim furgon për të ikur në komunën ngjitur ku kishim gjyshen dhe xhaxhallarët. Babait i ra shamia, ia mori era dhe pikërisht shamia shkoi përtej rrugës. Unë, ngaqë isha i vogël “u rrëmbeva” përnjeherë, shkova për të marrë shaminë, kur në mes të xhadesë më palosi një makinë tip “Benz” e cila ka gjasa se përdorej për taksi. Ndoshta është mrekulli që sot e kësaj dite jam ende gjallë. Siç më kanë thënë, se kam qenë vetëm 2 vjeç e njeriu në atë moshë nuk mban mend, kam shkuar në spital për kurim dhe nga i shëndoshë që kam qenë, u dobësova fort e me ilaçe më sollën në jetë. Më jepnin edhe mjaltë, turlifarë mënyre më gjenin që vetëm të shëndoshesha, pasi kisha humbur shumë gjak.
Kjo rrugicë, xhade fatale do ta quaja nuk ishte e tillë vetëm për mua. Edhe një djalë tjetër, bashkëmoshatar me mua, por se kur ishte diku 10 vjeç u përplas nga makina dhe ndërroi jetë. Kurse vetëm pak ditë më parë, javë më saktë, jo në këtë xhade, por në oborr të Pallateve, shumë pranë pra, është si të thuash se janë organe të të njëjtit trup, ndërroi jetë tragjikisht një djalë i vogël në moshë. Por aksidenti këtë herë nuk ka ndodhur në xhade, por diku pranë. Përtej rastit të afërt, ngjan se ajo xhade sikur kishte një fat disi të zi. Kjo ishte rruga nacionale që lidhte Dibrën e Madhe me Peshkopinë, Shqipërinë me Maqedoninë.
Kjo udhë, xhade, sikur kishte njërën këmbë në Europë e nëse merrje udhën tëposhtë ikje në Greqi e në daç në Afrikë apo tutje larg në Lindjen e Mesme. Mbaj mend se në atë zonë, shpesh rrotulliseshin edhe turistë. Që kalonin tranzit. Turistët me siguri që do të vizitonin Dibrën, qytetin historik të fjetur disi, Kalanë e Grazhdanit, Koxhaxhikun, apo Vajkalin. Por ata ndoshta nuk e dinin se në rrugën që kalonin, aty “fshehur” nën beton kishte gjak rinor, jetë të humbura, lot e dhimbje të tmerrshme. Aty në xhade ka pasur edhe një pemë, si flamurtare e madhe e kësaj tragjedie e që poshtë saj kishte edhe lule të kuqe, simbol i jetëve me dashuri të flakta, që Zoti a natyra vendosi t’i merrte në gjirin e vet, në moshë të njomë.