Të ndërtosh jetën mbi profesionin e berberit


Të kesh një profesion do të thotë të mos mbetesh kurrë pa bukë. Me këto fjalë populli duket sikur justifikon çdo “zanatçi” të çdo profesioni që i shërben njerëzimit. Çdo profesion ka benefitet dhe vështirësitë e tij, duke qenë se perfeksioni nuk ka kufi e çdo gjë vjen drejt përmirësimit dhe evoluimit. Profesionisti, përtej çdo vështirësie, dashuron me të vërtetë atë punë që bën, ndryshe nuk do ta bënte kurrë atë profesion. I tillë është Hasan Bodi, që prej gati tri dekadash ushtron një profesion shumë fisnik dhe që nuk del kurrë nga moda, siç është profesioni i berberit. Hasan Bodi lindi në fshatin Kishavec të njësisë administrative Kastriot dhe kreu studimet e mesme në gjimnazin “Gjergj Kastrioti” po në Kastriot të Dibrës. U largua fare i ri në qytetin e Tiranës për të studiuar në shkollën profesionale të berberëve dhe në vitin 1992 kthehet për ta ushtruar këtë profesion në qytetin e tij të lindjes, në Peshkopi.
– Ishte viti 1992, – shprehet Hasani, ku me shokun tim Shpend Danin vendosëm të hapnim një vend pune, duke ndjerë nevojën që çdo i ri ka për të punuar. Ishin vitet e para të tranzicionit në Shqipëri dhe shumë gjëra nuk ishin në vendin e duhur. Pas shumë vështirësive hapëm një berberhanë dhe nisëm të punojmë. Për shtatë vjet rresht udhëtoja në këmbë nga Kishaveci, duke u nisur në orën 5-së për të kapur në Peshkopi orën 7-të. Punoja me orar të zgjatur, – shton zoti Bodi, dhe në orën 9-të duhet të kthehesha në shtëpi në këmbë plot frikë e ankth. Me kalimin e kohës gjërat erdhën drejt përmirësimit dhe lindi nevoja të specializohesha për të qenë më afër shijes dhe modës e cila evoluonte çdo ditë. U trajnova nga specialistët me të mirë shqiptarë dhe të huaj si mjeshtri i madh Ardi Borova dhe specialist italian Savero Palma.
Profesioni i berberit apo stilistit mbetet gjithmonë një profesion që vrapon pas së bukurës, pas shijeve dhe luhatjes së rrymave të modës duke e bërë atë gjithmonë të pranishëm mes nesh. Si çdo gjë tjetër me kalimin e kohës dhe ky profesion bëhet me i lehtë, sepse vetë mjetet janë modernizuar ndjeshëm. Përfitimet ekonomike nga ky profesion në Shqipëri nuk janë në shkallën e kolegëve në shtetet europiane për vete faktin se çmimet në vendin tonë janë shumë herë më të lira. Çdo ditë po shohim të rinj që me pasion mësojnë në shkolla dhe praktikojnë këtë profesion kaq fisnik dhe të bukur.
Vetë zoti Bodi pohon se ka nxjerrë nga akademia e tij rreth 50 nxënës, një pjesë e madhe e tyre punojë suksesshëm në tregun e profesionistëve.
– Në shtator bëj plot 25 vite në këtë profesion dhe tashmë ndihem me të vërtetë i plotësuar.
Ai shton se klientët që prej vitesh i ka tashmë janë kthyer në miqtë e tij, përfshirë këtu njerëz të rëndësishëm dhe kuadro të rrethit të Dibrës. Koha ka ndryshuar dhe modelet kanë avancuar me hapa galopantë. Çdo pranverë dhe vjeshtë ka teknika të reja në punë. Çdo vit hyjnë në sallon teknika për prerjen, stilimin e flokut për të rritur dhe fëmijë. Që të punosh në profesion duhet të njohësh shumë mirë veglat dhe të dish rëndësinë për këto të fundit. Kohët e fundit janë futur produkte stilimi që duan vëmendje të veçantë në përdorim, sepse kanë efekte pozitive dhe negative ndaj flokut dhe fytyrës, – përfundon zoti Bodi.
Profesor Hasan Bodi, siç e quajnë tashmë një pjesë e madhe e njerëzve, tashmë ka sallonin më të madh dhe më modern në qytetin ku ai e nisi mes vështirësive të shumta. Ai e do shumë këtë profesion, saqë ka menduar ta trashëgojë dhe te fëmijët dhe nipërit e tij që tashmë punojnë bashkë me të dhe njihen si profesionistët e rinj në këtë profesion. Vajza e Hasanit ndjek shkollën në artin e parukerisë, djali dhe dy nipërit e tij tashme duket se kanë marrë rrugën e këtij profesioni kaq të bukur dhe kaq të nevojshëm për të gjithë ne.