NË MANASTIR, KU LINDI ALFABETI I GJUHËS SHQIPE DHE “QYTETI I KONSUJVE”


 Që kur ishim në gjimnaz, në vitet e 60-ta, për profesor të gjuhës shqipe kishim Mahmud Hysën, një personalitet me plotëkuptimin e fjalës, ligjërues me të gjitha tiparet e që mund t’i ketë një pedagog i mirëfilltë , me njohuri te rralla. Në një orë mësimi, na sugjeroi, jashtë programit shkollor  për çdo ditë të mbajmë ditar. Me shumë respekt dhe dashuri u morëm vesht se do të veprojmë. Ditari lexoheshte, shpeshherë, nga nxënësit që mbanin numrin në regjistër dhe që përkonte me datën e asaj dite.

Dhe mua kjo mu bë shprehi. Edhe sot nuk mund t’i ndahem… Kështu veprova edhe më 22 nëntor të vitit të kaluar kur vizituam Manastirin, qytetin e hershëm shqiptar, i cili sot është tjetërsuar, qytetin ku u shkrua alfabeti me 36 germa te arta, Alfabeti i Gjuhës Shqipe.

Dy ditë para se të nisemi “delegacioni” i organizuar nga komuna e Dibrës, për në Akademinë kushtuar 109 vjetorit të Kongresit të Manastirit, lexova në gazetën 55, që botohet në Tiranë një artikull që më tërhoqi. Në faqen 12 më ra në sy një përurim i librit “ Malli për vendlindjen time” të autorit Klaudio Findiku nga Shijaku. Sipas shkrimit të autorit Mark Kalaj, Klaudio i ri po përjeton emigracion larg familjes, larg qytetit të lindjes, larg shokëve dhe dëshiron të kthehet e të jetojë në vendlindjen e tij të dashur. Sa Klaudio ka nga Shqipëria e trojet e tjera shqiptare që enden nëpër botë? Shumë. Shumë, saqë pushtetarët tanë nuk e dinë ose bëhen se nuk kanë informacion. Kështu tretet rinia jonë, thuajse në të gjitha kontinentet, gjer edhe në Japoni ku ka dibranë. Edhe unë e kam përjetuar të njejtin fat i dashur Klaudio. Si i ri, me shkëputje, kam punuar në Beograd, Gjermani, Greqi dhe së fundmi në Amerikën e largët, në shtetin më demokratik të botës, ku edhe jam qytetar i përhershëm. Atje kam gjakun t’im dhe me qindra e qindra të afërm… Të përgëzoj për dëshirën që ke. Qoftë dëshira tënde edhe për të rinjtë kurbetqarë… Kthehu, se unë nuk jam i zhgënjyer, sepse kurbeti, nëse mund ta quajmë ashtu, dashtë e padashtë, na çkombtarizon. E, ne kemi nevojë që rinia ta gjejë vehten në vendin e vetë, aty “ ku i ka rënë koka”, pavarësisht, e përsërisë, se pushtetarët nuk e thithin atë. Po na largohet truri shqiptar. Por, po ta kthejme kokën në te kaluarën sot jemi goxha më mirë. Dhe do të bëhet edhe më mirë!

I shkrova këto rreshta, sepse edhe Manastiri, qyteti i Konzujve dhe i Kongresit të Alfabetit ka qenë dikur i shqiptarëve, ku përbënin mbi 70% të popullsisë, duke i përfshirë edhe fshatrat në jug me Greqinë, si Megjitli, Ostrec, Llazhec, Drevenik, Stegovë, etj. Manastirasit bashkë me prespanët sot kanë “pushtuar” qytete në Australi, Kanda, Amerikë, etj. Sot në Manastir rrallë, ama shumë rrallë, mund t’i drejtohesh shqip, biles të shohin edhe me përbuzje…

Të shumtë janë shkrimtarë e historian që kanë shkruar për Kongresin e Manastirit që vendosi themelet e gjuhës shqipe të bukur. Edhe poeti emigrant Klaudio Findiku në librin “Malli për vendlindjen time” nuk e harron këtë datë historike, siç vepronin rilindasit në diasporë. Citojmë disa vargje: “Thurrën fjalë me germa ari/ Germa gjaku, germa loti/ Prej këtu buciti zëri/ Shqipërinë e çeli Zoti”.

Dhe, ne të organizuar nga Kuvendi Komunal i Dibrës së Madhe, u grumbulluam pranë tij, më 22 nëntor, u nisëm për atje ku i “thurrën fjalë me germa ari”, në Manastirin që në vitin 1908 mbylli një epokë të tërë në historinë e kulturës shqiptare, ku mendjet më të ngritura të kombit shqiptar bënë një alfabet sa më të përshtatshëm për gjuhën shqipe dhe të përbashkët për gjithë shqiptarët anë e kënd botës.

Ora dymbëdhjetë… Ulemi në autobus…

-Nisemi, se kemi goxha rrugë- thotë Bashkim Mashkulli, Kryetar i Këshillit të Kuvendit Komunal të Dibrës, udhëheqës i grupës, ish i burgosur politik, si student i Prishtinës, pjesmarrës në demostrata për të drejtat e shqiptarëve e që vuajti 6,5 burg në sistemin komunist.

Lamë pas godinën e komunës si një nuse në ditën e martesës dhe përballë saj nivelin zero të Fabrikës së Qilimave, ku punonin 1080 punëtor, më shumë femra, nëna e goca te reja, siç na ka njoftuar ish drejtori Ramazan Ballanca… Nuk ka familje në Dibër e rrethinë që nuk hëngri bukën e këtij kombinati. Por, politika destruktive me një dorë të zezë, grupe grupe i flaku puntorët në rrugë. Mallkimet, sidomos e nënave që i ushqyen fëmijet me qumësht nga mundi e djersa në këtë kombinat, dëgjoheshin deri në kupë të qiellit…

Le t’i kthehemi përimtimit. Nëse Tirana ka 4 rrugë kryesore, të Durrësit, Elbasanit, Kavajës dhe ajo e Dibrës, Dibra e Madhe ka 3 rrugë dhe 3 lagje. Lagjen e Inqarit, Bajrambegut dhe Dervish Mustafa , ndërsa rrugët, ajo e Peshkopisë, Gostivarit dhe Strugës. Ne marrim këtë të fundit. Pasi dalim nga parku i kuvendit, kalojmë të unaza aty pranë  dhe drejtohemi Bulevradit Iliri, me dy drejtime dhe dy korsi, i cili i dha një frymëmarrje qendrës të qytetit. Në fund të bulevardit, te unaza e dytë, aty pranë Xhamisë së Sahatit, Xhamia e Ruzhdi Latës dhe furra e Lutfi Nuredinit marrim përsëri majtas, pra në drejtim të Strugës.

Në të dalë nga qyteti, te Stadiumi i “Korabit”, ku është ngritur një mëhallë me shtëpi të reja moderne, me nga tre e katër kate, ndër të cilat edhe nga “amerikanët”, që ose nuk u hapën dyert asnjëherë, ose u kyçën për t’u hapur vetëm gjatë sezonit verorë, për disa ditë. Fatkeqësi! Kalojmë mbi digën e liqenit, aty ku dikur ishte Ura e Spiles, e “përqafoheshin” Drini I Zi me Radikën plakë, nga erdhi Hajredin Pasha për në Gjuricë, por nuk i doli mirë… Me Konferencën e Londrës famekeqe këta dy lumenj ndajnë trojet shqiptare gjer te Reshani. Nga diga, në të djathtë si në pëllëmbë të dorës duken disa fshatra të Gollobordës, të cilat edhe sot nuk mund të lëvizin në rrugën më të shkurtër për në Shehër. Nga këtu, një përpjetë e lehtë e rrugës, uturin autobusi në asfaltin e ri të Malit Vrabiç, i cili edhe ky nda kufirin në mes Gollobordës dhe Zhupës, ku dikur në fshatin Koxhaxhik behëj pazari i gjësë së gjallë nga të dy anët. Kur permendëm Koxhaxhikun na u kujtua Kalaja e Svetigradit, Kalaja e Skënderbeut… Dhe fillon biseda

-Kemi të drejtë të mburremi ne  dhe të jemi kryelartë me figurën e Skëndërbeut, sepse ai është dibran, hero kombëtar, por në Dibër zhvilloi disa beteja nga të cilat 17 i fitoi,- thotë, prof. Qeram Lleshi. Kompozitori, Nazim Kaba na jep disa shembuj të këngëve që kendohen për krietrimin tonë legjendar, ndërsa dr. Afrimi, që kishte punuar në Zhupën e Epërme, ku përfshihen tetë fshatra, me nostalgji kujton shtatë vitet e punës. – “Unë e kam vizituar disa herë kalanë, i shërbeva atij komuniteti turk që kam kujtimet më të mira. Përvoja e mjekut të vetëm atje, më ndihmoi në specializim. Kam miq e shokë që sa herë vijnë në Dibër më vizitojnë”- shprehet me krenari.

Duke zbritur dyshezën janë fshatrat Xhepishtë dhe Otishan. Edhe këto të Gollobordës, por kufiri i nda.

-Këtu kam punuar si mësuese e fiskulturës,- thotë mr. Yllka Cemena, që tani është asistente në Fakultetin “ Nënë Tereza” në Shkup. Yllka është karatiste. Ka marrë disa medalje të larta në gara si në Maqedoni, Kosovë e më gjërë…

Ecim nëpër grykën e Drinit të Zi, i cili buron në Liqenin e Ohrit, mu në mes të Strugës, duke gjarpëruar nëpër një natyrë të mrekullueshme, piktoreske në mes maleve. Këtu është edhe udha e shkëputur nga ajo Via Egnatia që lidhte Stambollin me Durrësin. Nëpër ketë udhë erdhën  edhe disa delegatë për në Kongresin e Dibrës në vitin 1909. Nga kjo luginë shkuan edhe delegatët e Dibrës për atje ku jemi nisur ne. Në Kongres, nga treva e Dibrës,  muarrën pjesë Hasan Moglica, Haxhi Vildan efendi Dibra, Don Nikollë Kacori, Riza Beu Dibra etj. Ndaj, Dibra ka pse të mburret. Me të drejtë thotë historian i madh Kristo Frashëri: …pa historinë e Dibrës nuk mund të shkruet historia e shqiptarëve”. Ndërsa historiani i palodhur dibran Mois Murra, që ka dhënë një kontribut të vecantë për Dibrën dhe figurat historike të saj, këto ditë na dhurroi një libër voluminoz me titull “ Dibra nga Antikiteti në Munarki” që është për cdo lakmi. Shkëputëm disa fjali nga parathënia: “ Dibra është krahina që ka pësuar hemorragjinë më të rëndë të kombit shqiptar… Dibranët, ashtu si gjithë shqiptarët kanë bërë përpjekje mbinjerëzorë për clirim. Dibranët kanë arësye ta kthejnë kokën prapa, kudo që janë, sepse kanë një histori që shumë vende të botës po ta kishin nuk do të pushonin së krenuari…”

Dhe ndërsa autobusi përdredhonte luginën e Drinit të Zi unë meditoja për qëllimin e udhëtimit…

Rruga nga Dibra gjer në Manastir na u duk sa prej te Ura e Spiles, ne ende kështu i themi, atje te diga e liqenit,  gjer te Hani i Musës. Kompozitori Nazim, dr.Afrimi  dhe dr.Abdul Koleci na mbajtën gjallë me barcoleta e “muhabete dibrane”.

Manastiri i bukur. Shtëpi ku pallatet gërshetohen me dy arkitektura. E vjetra më e bukur se kullat shumëkatëshe… Autobusi na ndalon përballë Shtëpisë së Kongresit. Ajo sot ka festë, si në vitin 1908. Vendi ku jemi ndaluar na nda lumi Dragoi, një lum i vogël, që lidhet me një urë, aty ku qëndrojmë. I afrohemi Shtëpisë… Është dita e fundit e ketij manifestimi, 22 Nëntori. Shumë njerëz të grumbulluar para Muzeut të Kongresit. Pershëndetemi me disa të njohur. Bashkimi me më shumë. Kishte nga të gjitha trojet shqiptare. I mbështetur për muri na bën me shenjë gazetari i palodhur i Manastirit, Qenan Hasani, që shërbeu për 35 vjet në gazetat “ Flaka e Vëllazërimit”, e cila më vonë u quajt “ Flaka “ , gjersa u ndërpre nga sllavo maqedonasit. Vazhdoi te “Fakti” dhe së fundmi te “Koha”. Mbron me ngulm të drejtën e shqiptarëve të Manastirit me rrethinë, për të qenë të barabartë e jo të diskriminuar. Ashtu sic shkruante ai vetëm Zoti e mbrojti… Nje pjesë të shkrimeve i zgjodhi për botim te libri “ Kronisti i vetmuar në qytetin e Konzujve” që u prit me shumë respekt… Bashkë me Qenanin i afrohemi pllakës përkujtimore të mermertë, e ngjitur para hyrjes, që flet për ato ditë të bujshme ku shkruhet: “Në këtë shtëpi prej 14 deri 22 Nentor 1908-ën u mbajt Kongresi i Manastirit  i atdhetarëve shqiptarë, në të cilin u pranua alfabeti i tanishëm shqip”. Pranë saj bëjmë nga një fotografi kujtimi. Ne dibranët, të pandarë, tani pa Qenanin, se ishte pak shëndetligë, futemi në Shtëpinë Muze, tre katëshe. Në të hyrë tingujt e violinave që luajnë disa goca, të emocionojnë… Si në ekran na shfaqet salla ku u tubuan delegatët e ardhur nga trojet shqiptare si dhe nga Turqia, Rumania, Greqia, Amerika e largët, Egjipti, Italia, etj prej datës 14 gjer më 22 Nëntor 1908. Në kongresë morën pjesë 50 delegatë. U shndërrua në kuvend mbarëkombëtar. 32 delegatë me të drejtë vote si: Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Mithat Frashëri, Shahin Kolonja, Dhimitër Buda, Ndre Mjeda, Gjergj K. Qiriazi, Bajram F. Topulli, Nyzhet Vrioni, Grigor M. Cilka, Nikollë Kacori, Fehim Zavaljani, Dhimitër Mole, Rrok Berisha, Thoma Avrani, Hilë Mosi, Akil Eftimiu, Adham Shkaba, Mati Llogoreci, Aziz Beu, Shefqet Frashëri, Simon Shuteriqi, Leonidha Naco, Zenel Glina, Sami Pujani, Refik Toptani, Milah Grameno, Hafiz Ibrahim efendiu, Emin Haxhiu, Rau Beu, Selahedin Beu.

Nismëtar për thirrjen e kongresit u bë “Klubi Bashkimi” i Manastirit. Delegatët ishin lëvrues të gjuhës shqipe, gazetarë, shkrimtarë, veprimtarë të levizjes kombëtare. Kongresi, nga gjiri i tij, zgjodhi një komision nga 11 antarësh i përbërë nga përfaqësues të tri alfabeteve kryesore që ishin në përdorim të kohës –alfabeti i Stambollit, alfabeti i Shoqërisë Bashkimi dhe i Shoqërisë “Agimi” të Shkodrës. Hil Mosi dhe Luigj Gurakuqi propozuan që të krijohet një alfabet i ri , i përshtatshëm për të gjithë e të mos i mbetet hatri askujt. Ky konstatim u përkrah edhe nga disa përfaqësues dhe cështja e alfabetit t’i besohej komisionit të zgjedhur nga Kongresi.

Ne i vizitojmë ambientet e Shtëpisë Muze, sallat ku janë bërë diskutime, ndonjëherë edhe të ashpra, për vendosjen e një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe që e kemi sot me 36 germa, alfabeti zyrtar, që e paraqiti Mjeda me variantin latin… Vazhdojmë vizitën. Bëjmë fotografi në sallën ku 11 anëtarët e komisionit janë derdhur në silikon të bazuar tek një fotografi e asaj kohe nga Kel Marubi. Bashkimi me Yllkën i nderojnë me nje buketë me lule në emër të pjesmarrësve nga Dibra. Duke shëtitur nëpër muze të bëhet zemra mal, lexojmë Vendimin e komisionit për alfabetin e gjuhës shqipe, shohim dërrasën e zezë ku Luigj Gurakiqi shkroi shkronjat shqipe dhe komisioni firmosi alfabetin e gjuhës shqipe. Këtu foli edhe Haxhi Vildan efendi Dibra që vlerësoi në mënyrë të vecantë vendimin e Kongresit. Ai thotë: “Shqiptari zgjodhi latinishten me disa shtesa për gjuhën e vet… Shkrimi është ai instrument për lartësimin e kombit, ndërsa feja është një gjë që i perket zemrës…Le të mos harrojmë, të gjithë jemi bij të Ademit, kemi një prind dhe një atdhe”.

Dalim nga Shtëpia e Kongresit Muze me mbresa të thella. Përgjatë kohë nuk do të harrohen ato momente kur nëpër mure sheh fotografi dhe pikturat e delegatëve që vulosën Alfabetin e Gjuhës Shqipe. Në të dalë, para se të marrim rrugën për te Shtëpia e Kulturës, atje ku do të mbahet Akademia kushtuar Kongresit, një shoqërues i Hasanit na përshëndetën në gjuhën maqedone, Kirijas Risto, banor i Manastirit dhe nip i Kristo Qiriazit nga Tirana. “Më vjen keq që ne e humbëm gjuhën shqipe, sepse rrethanat na diktuan ashtu, po mburrem që jam shqiptar, sepse kam edhe gjak shqiptari. Të afërmit e mi janë në Tiranë… Shtypshkronja e Manastirit, që nuk dihet ku ka përfunduar, ishte pronë e Klubit “Bashkimi” të shtëpia jonë…”- thotë Ristoja. Qenani nxjerr nga çanta librin e posabotuar dhe disave nga ne na dhuroi nga një libër. Autografet i kishte bërë që në shtëpi. Na sugjeron të lexojmë disa vargje nga vjersha e poetit Nuhi Vinca, përfshi në reportazhin “ Shtëpitë i dogjën, por jo edhe historinë e qytetit”. Më vonë, gjatë Akademisë në Shtëpinë e Kulturës e lexova reportazhin, ku Vinca e kishte titulluar vjershën “Pëllumbat e Abetares”. Ja disa vargje: “ Një pëllumb në abetare/ të gjallë e pash vetë/ nëpër faqe me dritare/ hapet fletë e fletë…”.

U nisëm për në sallën e Pallatit të Kulturës në qendër të Manastirit ku mbahet akademia solemne për Kongresin e Manastirit. Salla e pallatit e stolisur, tamam për një festë. Një ambient fantastik. Në skenë artistët e Akademisë së Arteve të Muzikës nga Tirana që entuziazmuan të pranishmit. Salla e mbushur plot me të ftuar. Funskionar nga më të lartët të shtetit. Ishte këtu kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaevi, që përshëndeti të pranishmit me fjalë të ngrohta. Duartrokitjet nuk munguan. Folën edhe nënministri Hazbi Lika, kryetarja e Tetovës prof. Teuta Arifi, e cila falenderoi kryetaren e Manastirit, Natasha Petrovska për përkujdesin e muzeut. Ndër të tjera ajo tha, se edhe ne femrat mund të bëjmë punë të mira si kryetar të komunave. Në sallë është edhe lideri i BDI-së dhe komandanti i përgjithshëm i UÇK-së në vitin 2001, z.Ali Ahmeti.

Kur bisedonim me Qenanin na informoi se për momentin në godiën e alfabetit punojnë gjashtë punonjës bashkë me drejtorin Noer Arsllani. Kongresi i Manastirit është vula e gjuhës shqipe që hapi dyert e institucioneve arsimore e kulturore kombëtare, gjuha që i bashkoi edhe më tepër shqiptarët, pa dallim feje e krahine. Më 20 Nëntor u hap tribuna shkencore kushtuar 109 vjetorit të kongresit dhe 10-vjetorit të themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ku për drejtor është një puntor shkencor i nderuar , dr.Skënder Asani. Në tribunën shkencore foli edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta, ku ndër të tjera theksoi: “ Kongresi i Manastirit është një ngjarje shumë e rëndësishme, sepse e përshpejtoi mbajtjen e ngjarjes akoma edhe më të rëndësishme, pavarësinë e Shqipërisë. Me këtë Alfabet u shkrua dokumenti i Pavarsisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, u nënshkrua deklarata e Pavarsisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, me këtë Alfabet u shkrua shqip edhe Marrëveshja e Ohrit e 13 gushtit të 2001…”

Manastiri sot frymoi shqip si para të pesëdhjetave të shekullit të kaluar kur filloi të praktikohet plani i Çubrilloviqit për dëbimin e shqiptarëve në Turqi nga trojet e tyre etnike. Ndaj, sot Manastiri është i cunguar në të katër anët për shqiptarët…

Rrugës në të kthyer nga erdhëm, aty pak para mesnatës, komentojmë përshtypjet dhe mbresat që na i la vizita.