Josif Bageri i Rekës së Dibrës


 

Haki Stërmilli s’i mbeti borxh Dibrës në kohë të zisë

Dhe Dibra Haki Stërmillit po në të njëjtën masë.

Josif Bageri iu përkushtua me ashk e dashuri poezisë

Dhe për flamurin e Ismail Qemalit s’harroi të flasë1.

 

Un jom Shqypeja e Shqypënis

Sqohi, or zoqt e trimnis …

Un jom shpeza e furrikut,

Epni dërmën ma rrezikut.

Mjaft në t’errët, n’vorfuni,

Sqohi trima, zoqt e mi …2

 

I.

 

Unjoha për herë të parë me emrin, jetën dhe veprën e Josif Bagerit në vitin 1982, kur studentja shqiptaro-bullgare Natanjela Falli vendosi t’ia kushtonte tezën e saj të diplomës veprimtarisë atdhetare dhe krijuese të tij. Ishte viti i fundmë i studimeve tona universitare, të gjitha programet e studimeve për letërsinë ishin përfunduar, dhe emri i Josif Bagerit nuk na ishte shfaqur askund.

Ky qe rasti për të mësuar se as Kopësht malsori, vëllimi i vetëm me poezi që ai pati arritur të botonte3, as Shqypeja e Shqypënis, e përkohshmja që ai drejtoi për disa vite me radhë4, nuk gjendeshin në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Nuk gjendeshin apo nuk shërbeheshin, ishte dhe mbetet ende një pyetje pa përgjigje, por e sigurt është që Natanjela Falli, studentja e kursit tonë, i fotokopjoi të dyja në Bibliotekën Kombëtare të Sofjes dhe, pasi përfundoi tezën e diplomës, me vlerësimin shkëlqyer, na i dha për disa kohë ne, miqve të saj, në duar, edhe vëllimin Kopësht malsori, edhe koleksionin e gazetës Shqypeja e Shqypënis.

Vetëm një vit më pas do të kishim në duar të parën monografi kushtuar kësaj figure të kapërcyellit prej Rilindjes në periudhën e pavarësimit të shtetit shqiptar, Josif Bageri, shkruar nga Ruzhdi Mata. Një vit më vonë, më 1984, në Prishtinë do të mbrohej doktorata e parë dhe me sa dimë edhe e fundmja kushtuar gjuhës së Josif Bagerit5. Më pas do të rikthehej sërish një mënjanësi e gjatë dhe e frikshme. Nëse për periudhën deri më 1990 mund të supozohej si shkak ndikues, drejt a zhdrejt, në luhatjet e mëdha të vëmendjes shkencore ndaj veprës së Josif Bagerit fakti që ai qe drejtor i gazetës së Durrësit Ushtimi i Krujës (1914), e cila në një farë mënyre ishte zëdhënëse e qeverisë së Shqipërisë principatë, më pas kjo do të ndodhte për shkaqe që nuk lidheshin me studimet, por me pozitën e shqiptarëve ortodoksë të Rekës së Dibrës, numri i të cilëve që po shkonte duke u mpakur e shuar, për shkak të pamundësisë ligjore për t’u vetëshpallur si shqiptarë, për shkak të ngatërrimit të qëllimshëm të besimit me kombësinë dhe për shkaqe të tjera të ngjashme6.

Me themelimin e shoqatës kulturore Josif Bageri, nismëtarë të së cilës qenë intelektualët rekas Branko Manojlovski dhe Branislav Sinadinovski, nis një tjetër periudhë, llazariane mund ta quajmë, për interesimin shkencor rreth kësaj figure dhe për ringjalljen e vetëdijes shqiptare në gjithë bashkësinë e shqiptarëve ortodoksë të Rekës së Epërme. Figura e Josif Bagerit u shndërrua sërish në shenjën e identifikimit të shqiptarëve të atjeshëm në pikëpamjen etnike, fetare e kulturore7. Branko Sinadinovski do t’i kushtonte Josif Bagerit dhe një studim monografik8.

Në Shqipërinë shtetërore ishte Ruzhdi Mata që prej katër dekadash e pati lidhur emrin e vet me atë të Josif Bagerit. Ai ka qenë i pranishëm pothuajse në të gjitha veprimtaritë me karakter kërkimor e shkencor përgjatë dy dekadave të fundme dhe me sa duket shumë shpejt mund të paraqitet para lexuesit si përkujdesës e përgatitës për botim i veprës së plotë të Josif Bagerit.

(Ky studim nuk është i plotrë. Studimin e plotë mund ta lexoni në kopjen versionin e printuar të gazetës ose në librin “Pyetje të tjera në albanologji: autorë dhe teza”, i sapobotuar nga Shtwpia Botuese “Naimi” (www.botimenaimi.com). Çmimi i librit: 1000 lekë)