Kujtime të fshatit tim
Kafe në Athinë me një zdojanak të ri


Zdojani është vendlindja ime.
E saktë!
Ndokush do të më kujtojë Brezhdanin si vendlindja ime.
E saktë!
Në regjistrin themelor të gjendjes civile të Brezhdanit më shkruan prindërit më 11 maj 1941, plot 62 ditë pas daljes në jetë.
Kohë lufte…
Brezhdani ka qenë që herët katundi më i madh dhe më i populluar i Dibrës. Treqind shtëpi numëroheshin.
U nda në dy katunde, në Brezhdan dhe Zdojan përmes një vije ndarëse hequr nga lindja në perëndim.
Ashikët, lagjja e parëkur hynë në katund nga Peshkopia, mbeti me Zdojanit, emër i lashtë i lidhur me një lagje, me toponiminë e një kishe, me një përrua e me disa burime uji të gjallë.
Zdojani do ti jepte emër një plantacioni me mollë, “Sektori i Zdojanit”, me qendrën administrative të ekonomisë së bashkuar, shtëpinë e kulturës, centralin telefonik, shkollën tetëvjeçare që u shndërrua në shkollë të mesme, shtëpinë e kulturës, qendrën shëndetësore, maternitetin, klubin, njësinë tregtare…
Në vitin 1989 Brezhdani kishte 1487 banorë mbledhur në 296 familje kurse Zdojani kishte 1712 banorë mbledhur në 326 familje
Të dy bashkë kishin 3199 banorë mbledhur në 622 familje.
Mbase nuk duhet të ndaheshin, por i ndanë për të mos mundur me i ndarë asnjëherë në të folmen e përditshme, sepse edhe mua edhe të gjithëve na ka pëlqyer dhe na pëlqen të themi “Jam prej Brezhdani”…
Më mungon vendlindja, vendi ku kam kujtimet më të bukura të fëmijërisë time, vendi ku kam trojet e mija, ku kam nënë e babë, tash pranë e pranë poshtë mermerit të bardhë në përtej jetë…
Është kjo nostalgji për vendlindjen time që sa herë më fton dikush në bisedë online i përgjigjem, sa herë dikush më fton në takim shkrihem si sheqeri në kafe e udhëtoj me Të atyre rrugëve me pluhur në verë e me baltë në dimër në kërkim të të gjallëve e të vdekurve në mallin e dashurinë për ta.
Kjo më ndodhi do ditë më parë e nuk mundem pa e shkruar për tu çliruar shpirtërisht nga malli duke i hedhë “një grusht ujë Drini” që në vend që ta shuaj, e këndell më shumë…
Doshi, më tha se e quajnë në një komunikim në efir. Lavdosh e kishte emrin e plotë. Më tha se ishte djali i Him Sefullait dhe se banonte në një lagje të Athinës. Dëshironte që të më takonte për të përcjellë një porosi nga babai i tij. I dhashë numrin e telefonit, adresën dhe trolein 11 që e sillte drejt e tek lagjja ime.
U gëzova për shokun tim të fëmijërisë e të katër klasave të shkollës fillore, për Himin, emrin tonë të dytë që na thërrisnin të gjithë, në shkurtim të emrit Abdurahim…
Udhëtova vetëm nëpër Brezhdan-Zdojan për të udhëtuar një mbrëmje vetë i dytë me Doshin e me kujtimet që bashkoheshin tek njerëz që në kujtesën time ishin të gjallë.

Nuk mund ta heq nga mendja atë kryqëzim rrugësh nga lindja në perëndim e nga jugu në veri që mblidhet nyje pikërisht tek dera e madhe e avllisë me dy sofra anash e Himit për tu ndarë teposhtës drejt Gjeceve, Vojkeve, Degjoneve, Skureve…, rrafshës me shtëpinë e AisheHajrullait, simbol i qëndresës dhe trimërisë së gruas dhe familjes dibrane, Tonuzeve me histori të lashtë e bëmash ndër shekuj, Gjizeve…, djathtas tek Kaliset e pas shpine Sefullajt e Tuket.
Nuk mund të lë pa përmendur edhe Zhuzhet e Brezhdanit ku u rrita nën kujdesin e gjyshes time Aishes e me të u ula mbrëmjeve në të gjitha odat e asaj lagjeje që kishte një emër që nuk lidhej me emrat e asnjë fisi, Lagja Rrahmane…
Nuk di në se ka odë të asaj lagjeje që nuk kam hy e jam ulur e pirë një gotë me dhallë.
Aishe Hajrullai e kishte shtëpinë në kënd të kryqëzimit. Një shtëpi në dy pode me një pemëtore prapa e një tjetër përballë, në anën tjetër të rrugës. E kishte piketuar dhe mbjellë më kultivarët më të mirë të pemëve frutore të kohës i biri, Mehmet Hajrullai, një ikonë e madhe e pemëtarisë dibrane. Halla Aishe, siç i thërrisnin, jetonte në përdhesen e shtëpisë. Sipër, me dalje nga rruga, vite më vonë do të ishte dyqani i fshatit.
Tonuzet, siç thashë më përpara ishin më të njohur e të fismë. Më vjen mend Elezi me të shoqen, një grua që erdhi nga larg për tu bërë simbol i emancipimit të gruas në fshat. Me kërshëri kush kalonte rrugës për në kishën e Rrahmane shihte miskat siç u thoshim gjelave të detit, ngrehjen e tyre tek gurgullonin, diçka e rrallë jo për fshatin por edhe për krahinën…
Me Tonuzet më lidhte edhe gjaku i hedhur në gotë uji dhe i pirë nga nëna ime Defe Zhuzhi dhe Sheme Tonuzi që në jetë do të merrnin mbiemrin Ashiku dhe Shehu. Me Shemen do të lidhesha vite më vonë kur do të krijoja familje e do të pija kafe me të shoqin, Babë Shehun, Myslimin e tre djemtë: Uken, Astritin dhe Flamurin dhe vajzën Dozen, gjak i fëmijëve të mi.
Motër nëna ime ishte edhe me RabieTrukën Selxhaferrin që gjithë jetën i kemi thirrë teze e që nuk u ndanë kurrë me njëra tjetrën si ti kishte bërë një nënë e një baba.
Tek Tonuzet kam pas një shok, Hamdiun, një njeri ikja e të cilit më ka dhembur si të ikte një ndër katër vëllezërit e mi.
Ramazanin e kam në një fotografi me traktorin e tij me të cilin lëvroi tokat kudo nëpër Dibër.
Ismetin e kujtoj me mall në takimet në fshat dhe si dajë në dasmat e tre nipërve dhe të mbesës në familjen Shehu në Peshkopi…
Nuk e di se nga erdhën e u ngulën në Brezhdan Kaliset. Njoha ndërta Rexhepin në shtëpinë e të cilit hyri nuse e u trashëgua një kushërirë imja nga fisi i Ndregjoneve, Xhilisfia E kam njohur si njeriun më punëtor e të ndershëm që e kalonte kufirin e fshatit. Një pamje punëtori dhe njeriu familjar kishte edhe i vëllai,Zeqiri…
Por ai që më ka mbetur në kujtesë e nuk e harroj është Elmazi, Elmaz Kalisi. Kishte lindur sakat Elmazi, sakat në gjymtyrët e poshtme, por atë që ia kishte marrë natyra poshtë ia kishte dhënë me bollëk lart: mençurinë, humorin, aftësinë e aktrimit. Dhe po qe se do të ndiqte shkollën ai do të ishte një aktor i shkëlqyer deri në Teatrin Popullor.
Isha në një klasë me Elmazin. Më kujtohet njëherë kur erdhi në klasë me një palë pantallona në dy krahët e të cilëve kishte dy xhepa të mëdhenj, xhepa në të cilët kishte futur librat dhe fletoret, ato pak libra e mjete mësimore që atë kohë kishim e që zëvendësuan pllakën e gurtë ku bënim detyrat e drejtshkrimit dhe të aritmetikës që i shuanim me një topth lecke sapo merrnim notën nga mësuesi. Atë ditë çantat tona prej bezeje me rryp varur përqafe na u dukën të rënda.
Sa e sa herë me Himin, babanë e Doshit, kishim shtyrë derën e avllisë dhe ishim ulur në odën poshtë të kullës e kishim bërë detyrat. Më vijnë në këtë moment fytyrat bujare të babait dhe të nënës por nuk më vijnë emrat. Sak më ngjan se i thërrisnin babait të tij e Shahin të vëllait.

Nuk më rrihet pa e zgjat rrugën e u ndalë tek Gjizet, pa e sjellë në kujtesë portretin e të parit traktorist e të parit elektricist të fshatit, Rakipit.
Në vjeshtë të vitit 1955 Brezhdan- Zdojani mori në çdo shtëpi dritë elektrike, një rrymë 110 voltësh që vuri në garë tërë fshatin se kush do të fuste në shtëpi radion më të madhe e më të bukur. Uji për furnizimin e hidrocentralit kaloi mes përmes trojeve të babait tim, u grumbullua në një auz në krye të vreshtit dhe zbriti me forcë për të vënë në lëvizje turbinën e për ta kthyer forcën fizike në rrymë elektrike. Centralist ishte Rakipi e më vonë RufatPrençi për ta mbyllë RustemGjeci me elektrifikimin e plotë të vendit…
Familje e madhe ajo që vinte pas një porte avllie e Sefullave, e Qamilit, Xhavitit, Islamit, Budinit e të tjerëve që tash nuk më vijnë në kujtesë. Poshtë shtëpisë së madhe me qerpiç për shumë vite, që në kohën e triskëtimit dhe reciprokut ishte dyqani i fshatit, i pari dyqan shtetëror ku gjeje produkte ushqimorë, veshmbathje, kinkalerie, misër, grurë, fasule, vezë e prodhime të tjera të fshatit në këmbim të produkteve industriale.
Islam Sefullajn e kam pas shokun më të mirë në udhëtimet drejt Peshkopisë në shtatëvjeçare. Asokohe (fillimvitet ‘50-të) megjithëse Brezhdani ishte fshat shumë i madh, me gishta numëroheshin ata fëmijëqë pasi mbaronin filloren udhëtonin për në Peshkopi më se dy orë vajtje e ardhje për të vazhduar shkollën. Para meje ishte AbdullaHakorja të cilin pasi mbaroi klasën e 6-të e morën në arsim, profesion që u bë pjesë e jetës së tij. Islami dhe unë ishim brezi i dytë i atyre që vazhduam shtatëvjeçaren. Pas nesh erdhën NexhmedinHidri, BasriHakorja, EqeremHakorja, MersimSopoti për të vijuar më tej të tjerë…
Tre të fundit do të vazhdonin pedagogjiken e do të ishin një jetë të tërë mësues kurse Nexhmedini të mesmen do ta mbaronte natën për tu bërë normist në sektorin e Zdojanit të Ndërmarrjes Bujqësore të Dibrës. Nexha iku shpejt pa iu gëzuar fëmijëve, iku duke më lënë një brengë që nuk më shqitet nga mendja. Basriu e di që jeton me fëmijët në Itali kurse ikjen e Mersimit e përjetova me dhimbje të madhe. E kisha shok fëminie, komshi 20 metra larg shtëpie, bashkudhëtarë drejt Drinit ku me dy kunguj ujëz lidhur për brezi hymë e mësuam notin tallazeve të Drinit.
Me Islamin na binte rruga gjithnjë së bashku. E prisja tek mulliri i Dikës dhe vazhdonim rrugën në një debat mësimor veçanërisht në matematikë, lëndë që ishte dashuri e jetës së tij. Në vitet e mëvonshme e takoja shpesh në SMT ku ai ishte mjeshtër i pazëvendësueshëm i riparimit të makinave shirëse dhe autokombajnave…
Me Munirin (Sefullaj) ndër të tjera ishim kufitar në zabelet e gështenjave, zabel që ai e administroi si nip i Hakës derisa u bashkua në kooperativë bujqësore. Një njeri korrekt në punë, veçanërisht në administrimin e blegtorisë në sektorin e grumbullimit në Çap të Brezhdanit. I vëllai ishte shofer, një ndër më të mirët e parkut të mallrave të Peshkopisë. Tuket ishin në krye të lagjes Rahmane. Kishin një shtëpi të gjatë pjesa e poshtme e së cilës ishte gati në tre poda ku banonte familja e Rremës kurse pjesa e sipërme ishte në dy poda ku banonte familja e Abdylit. Simin nga rridhnin e mbaj mend ashtu të kërrusur nga pleqëria.
Tek varrezat, fare pranë shtëpive të tyre kam parë e prekur tuba qeramike. Thuhej se ata ishin pjesë e një ujësjellësi që merrte ujin e Sulnarit për tërë lagjen. Mes përmes zabelit të gështenjave të familjes sime, fare pranë burimit, kam parë vijën e një kanali që vazhdonte. Nuk e di në se janë bërë kërkime arkeologjike për të hedhë më shumë dritë mbi kohën e ndërtimit të ujësjellësit.
Shokë klase kisha Hamzën. Gjuriu apo sic e thërrisnin me tjetër emër, Besniku, ishte polic për shumë kohë, derisa doli në pension.
Më poshtë, me pamje që shihte tërë Brezhdanit ishte kulla e babait të Metit që më ka dalë nga kujtesa si emër por jo si figurë, në kufi me Gjecet.
Një rrugë e ngushtë këmbësore me shkallasijë zbriste poshtë për në Mëhallë të Poshtme, rrugë të cilën e kam bërë disa qindra herë për të zbritur në trojet e hallës time NaileGjeci e tek fisi i madh i Gjeceve.
Nga Gjecet dua të veçoj Ramazan Gjecin, doktorin që megjithëse me shkollë të mesme, nga përvoja e gjatë në shërbim të të sëmurëve në luginën e Drinit të Zi, kryesish, u jepte ujë në shpinë të lugës mjekëve me universitet. Mund të përmend edhe të tjerë, Sinanin, shokë klase në fillore që me një këmbëngulje të jashtëzakonshme arriti të mbarojë shtatëvjeçaren, të mesmen dhe të bëhej avokat. E takova disa muaj më parë në Përmet dhe u gëzova që ishte po ai Sinan i gjallë dhe plot respekt.Shukriun, Hazizin, Rrahimin, XhevatGjecin që vihesh “pendë” me Mentor Karasanit se kush ia kalonte shoqit në punë…
Harrova Zyberin, Zyber Priftin që nuk e di pse kishte këtë mbiemër kur ishte i vetëm mes fisit të Gjize. Zyberi ishte nga ata njerëz që çfarë i shihte syu ia bënte dora. Zyberi ishte i pari dentist në fshat. Dentist në një kohë kur në tërë Dibrën a kishte apo s’kishte një të vetëm në Peshkopi. Kishte një palë darë dhe ua shkulte njerëzve dhëmbët pa narkozë e pa dezinfektantë. Kujt i dhimbe dhëmballa kujtonte Zyberin…
Ne fëmijët e kishim frikë…
Harrova? E si të mos harroj. Fytyrat e fiksuara në fëmijëri më vijnë e më ulen përkarshi. Emrat nuk më vijnë.
Disa m’i kujton Doshi.
Disa po i kujtoj tash që po shkruaj.
Disa do të mi kujtojnë ata që do të lexojnë këto rreshta.
Duke më korrigjuar e duke shtuar.
Më vjen keq se jeta më largoi dhunshëm nga vendlindja, nga Brezhdan-Zdojani im. Do të desha që të ulesha mes fshatit e të shkruaja një fletë të gjerë për ata njerëz dhe për ata vende që malli më vjen në grykë e nuk e kapërdij dot.
Të faleminderit Doshi, djali i shokut tim të fëmijërisë Abdurahim Sefullaj që erdhe dhe më hodhe një kovë me ujë nga “Kroi i Vokës” mbi prushin e këndellur të mallit dhe dashurisë sime për vendlindjen.
Të faleminderit Adash që ma dërgove djalin. Kafe më të shijshme nuk kam pirë ndonjëherë, larg, me ty dhe të tjerë.
Athinë 30 maj 2017