Në trojet e Kastriotëve


Grupi nismëtar për vitin e Skënderbeut, kishte pak kohë që ishte krijuar, por akoma nuk ka marrë trajtën përfundimtare. Profesor Murat Koltraka, ish myftiu dhe mësuesi, Ahmet Çaushi, të tjerë mësues si Haki Përnezha nga Çidhna, apo Qemal Cenaj, nga Mati, janë vetëm një pjesë e grupit. Shumë shpejt pritet te bëhet një takim me intelektualë të tjerë nga Dibra e Madhe, apo më gjerë akoma, në mënyrë që grupi të jetë i përfaqësuar nga të gjitha trojet, ku Skënderbeu, heroi ynë kombëtar pati aktivitetin në ato vite të lavdishme.  Falë kontributit të këtij grupi të sapokrijuar u sensibilizuan dhe organe shtetërore e qeveritare, që kulmoi me takimin hapës të datës 17 Janar 2018, në mjediset e hotel “Veri”, nën kujdesin e kryetarit të qarkut, z. Hajri Laçit.

Ditën e parë të shkurtit, u nisëm për një vizitë në trojet e Kastriotëve. Shumë është folur e vazhdon të flitet për trojet reale të Skënderbeut. Bullgarët thonë se është i  yni, italianët po të njëjtën gjë, e po kështu shumë shtete të tjerë. Më tej vijojnë pretendimet nga brenda trojeve shqiptare, nga Kruja, Lezha, Gjirokastra, Mati e të tjera rrethina. Por burime të shumta historike, dokumente e plot toponime, këtu në Kastriot të Dibrës, që dhe sot janë të gjalla, kanë emra që lidhen pazgjidhshmërisht me emrin e madh të Kastriotëve dhe kryetrimit të shqiptarëve, Skënderbeut.

Pjesë të grupit, por dhe drejtues të mjetit, me të cilin lëvizëm, kishim kolegun tim të nderuar,Hajrulla Nikollin. Pas një kafje hyrëse në qendër të komunës, u drejtuam te shkolla e mesme e Kastriotit, që jo rastësisht mban emrin e Heroit tonë kombëtar. Por dhe vizita jonë aty, nuk ishte e rastësishme. Dy pjesëtarët e grupit tonë të vogël, profesorët e nderuar, Murati dhe Ahmeti, kishin qenë dikur, jo vetëm pjesë e stafit pedagogjik të kësaj shkolle, por dhe drejtorë të saj. Sa e sa kujtime kishin nga ato kohë të hershme. Vizita e kinezeve te kjo shkollë, ishte vetëm një nga episodet e shumta, që ka në historinë e saj. Mos harrojmë, që shumë pranë kësaj shkolle ka qenë internati i famshëm i Kastriotit, që nxori aq shumë breza njerëzish të ditur.

Nxënësit i gjetëm në pushimin e gjatë, kurse mësuesit në këshillin pedagogjik. Pasi u përshëndetëm dhe u prezantuam,  u shpjeguam me pak fjalë qëllimin e ardhjes tonë. Shpresonim që mësuesit dhe nxënësit e kësaj shkolle, krahas detyrës parësore të mësimit, do ishin një faktor shumë i rëndësishëm në veprimtaritë  e këtij viti jubilar. Vajtja jonë atje, ekspozimi i shpejtë i projekteve tona, e bënë si me krah kolektivin e mësuesve. E ndjenë që nuk ishin vetëm, se do të kishin aleatë që do ti ndihmonin sadopak. Nëndrejtori, Arseni dhe ish drejtori Qamil Neziri, na përcollën deri tek dera e oborrit. Në fasadën e shkollës ishte pikturuar mjeshtërisht, portreti i Skënderbeut, nga Gëzim Shini, ish nxënës i kësaj shkolle. Oborri i shkollës ishte i madh, por që kishte nevojë për sistemim dhe mbjellje të pemëve dekorative. Premtuam që do të ishim aktivë dhe në këtë drejtim, duke e ndihmuar shkollën me bredha, pemë, lule e shkurre zbukurimi. U ndamë për tu takuar sërish, u ndamë duke menduar se kishim firmosur në mendjet dhe zemrat tona një memorandum bashkëpunimi të ndërsjellë, për plot gjëra të bukura në të ardhmen.

Më pas zbritëm poshtë në fshatin Kuke, që është dhe vendlindja e profesor Murat Koltrakës. Fshat i vogël, por me shumë histori. Pesë gjeneralë të mëdhenj të Skënderbeut, janë nga ky fshat, secili me histori speciale, që ndoshta do ti trajtojmë në shkrimet e tjera. Nga kodra e Çanakëve pamjet përreth ishin të mrekullueshme, romantike dhe historike në të njëjtën kohë. Aty ku ndodheshim ne, fermerët kishin krijuar ca blloqe të bukura pemësh, me mollë të varieteteve të ndryshme. Vetëm pak kohë ju duhet atyre për të shpërthyer lulëritë e bardha dhe rozë, për ti kthyer më vonë në kokrra, aq të shijshme. Vetë profesor Murati, ka bërë gati fidanët për të mbjellë dy dynymë me arra. E dimë që arra do kohë për të hyrë në prodhim, por dhe shëndeti i tij premton jetë të gjatë. Pastaj, në fund të fundit, le të hanë të tjerët dhe ta kujtojnë me ndonjë dua e rahmet njeriun që i mbolli dhe u shërbeu. Poshtë hapej një luginë e bukur, ku gurgullonin ujërat e përroit të Kuke, që më sipër quhet përroi i Kastriotit dhe akoma më lartë buron nga bjeshkët e Gramës dhe Korabit. Përpara kemi Blliçen, një fshat dhe ky me shumë histori, me njerëz të ditur, punëtorë e luftëtarë. Në afërsi të fshatit një kodër, çuditërisht, ka emrin Kodra e Pareve. Të ketë pasur vërtet thesare? Ndoshta kanë gërmuar mjaft, të intriguar nga emri që ajo mban. Diku pranë saj janë ca varre dhe këto me emër të çuditshëm, “ Varret e dragonjve”. Shumë të mëdha pllakat e gurit të vëna aty, por dhe eshtrat e të vdekurve, thuhet se janë shumë të mëdha. Vështrimi tretet pastaj më tej, sipër, te” Livadhet e Shkahut”. Mezi dallohet një gur me emrin “ Guri i Hajatit”. Mësues Ahmeti na tregon se guri shumë i madh, në një farë lartësie, gati sa një bojë njeriu, ka një pjesë të nxjerrë. Gocat e dikurshme shkonin pak si fshehur dhe mateshin tek ai gur, nëse e kishin arritur moshën për martesë apo jo.

Kishim dhe një pjesë tjetër, jo pak interesante për të vizituar, një kodër me emrin “Gështenjas”. Po para se të shkosh atje, një tjetër toponim i hershëm të del para, një mulli, mulliri i Gjonit, babait të Skënderbeut, tamam aty ku rruga që le pas Kastriotin, merr një kthesë të fortë, për t’ju afruar Blliçes. Deri vonë kanë qenë gurët e mëdhenj të mullirit e sot nuk janë më. I jemi afruar kodrës, që kishim si destinacion. Dikur, një masiv i dendur gështenjash mbulonin kodrën dhe tani ajo është pothuaj e zhveshur, si një kokë pa flokë. Një vreshtë disa hektarshe shtrihej dikur, ngjitur me kodrën. Dhe ajo pësoi fatin e gështenjave. Dhe pse doktor Hajrullai ishte i operuar për gjurin në Itali, kurse dy profesorët janë 80 vjeçarë, nuk e patëm të vështirë ti ngjitemi kodrës. I dolëm nga ana lindore dhe profesor Murati, që bën dhe rolin e ciceronit, na thotë se në pjesën e ngushtë, ka qenë porta e kështjellës. Aty kanë qenë dhe disa gurë të mëdhenj, por u morën në kohën e kooperativës dhe u përdorën për ndërtim. Tashmë jemi ngjitur në majë të kodrës. Pikërisht, këtu mendohet të ketë banuar Gjon Kastrioti, pra familja e Skënderbeut. Poshtë kodrës, para nesh gjendet një pus, me emrin pusi i Gjonit, i mbuluar në kohën e kooperativës. Më tej janë muret rrethuese, që shkojnë rreth e rreth kështjellës, duke future brenda dhe kopshtin e dikurshëm, që mbante dhe ky emrin e Gjonit. Për të zbuluar pusin e Gjonit dhe një pjesë të murit rrethues, nuk duhen më shume se dy punëtorë, me kazëm e lopatë e të punojnë për nja dy tre ditë. Sa keq! Sa turp! Për dy treqind mijë lekë të vjetra, zbulohen dhe shohin dritën e diellit objekte të tilla të jashtëzakonshme, që indiferenca njerëzore i ka groposur për shekuj me radhë. Para dy muajsh bëra një vizitë disaditore në Stamboll. Nuk di pse, një grup turistësh të huaj prisnin në radhë, diku pranë Xhamisë  Blu. Halili, miku im nga Turqia, më shpjegoi se presin radhën për të vizituar depozitat e nëndheshme të ujit, të kohës së osmanllinjve. Duhej paguar 15 apo 20 euro për një vizitë. Vetëm këtu në Kastriot mund të jenë dhjetëra objekte që mund të kërkojnë një ditë të tërë për ti njohur. Sa e sa euro do të hynin në xhepat e shtetit të varfër shqiptar! Sa e sa turistë të huaj do tu tregonin miqve të tyre për heroin tonë kombëtar. Por nuk e di përse, arrij në një konkluzion të frikshëm, që ne shqiptarët, jo vetëm nuk duam të zbulojmë rrënjët e historisë sonë të lavdishme, por shpesh përpiqemi ti fshijmë ato me vetëdije të plotë. Më e pakta do të quheshim budallenj, në mos bëjmë lojën e dikujt tjetër. Profesori vazhdon të tregojë se shumë vite më parë një grup të rinjsh hapën një profil në këtë kodër. Shtresa e parë ishte prej bote, një lloj argjile e zezë, tjetra prej qymyri dhe më pas vinin materiale të tilla si tjegulla, enë qeramike e plot gjëra të tjera që tregonin historinë e një vendbanimi të vjetër. Vetëm kaq! Materialet u dërguan diku, gjoja për ti verifikuar dhe asnjë përgjigje nuk erdhi më. Nuk e di çfarë gjëra e thesare historike mund të fshihen aty, në brendësi të asaj kodre. Për çudi, në vend që të gërmojnë arkeologët, gërmojnë piratët, në kërkim të ndonjë thesari, që mund të dergjet nga thellësia e shekujve. Asnjë tabelë që të tregojë se është zonë historike, se është zonë që mbrohet nga shteti, apo që përbën një monument historik. Përkulesh pak dhe dallon ca lule të hapura të shpendrës, apo kukurekë, nga ato që mbledhin fëmijët për ditvere. Ndoshta është e shkruar që bashkë me stinën e pranverës së këtij viti, do të vijë një pranverë tjetër në jetën e shqiptarëve, në të menduar e të vepruar, për të pasur më shumë dinjitet, pasuri e vlerësim të njëri tjetrit.

Ka shumë e shumë gjëra të kësaj treve, për të parë, për të mësuar e për të shkruar. E kam zili profesorin kur vazhdon të tregojë për Tregurthit, që shërbenin si pikë vrojtimi, Gurin e luftës, për Fushën e Kalorësve, ku bëheshin gara me kuaj, apo kalanë shumë hektarëshe të Volezës, shumë më sipër nesh. Ky është viti i Skënderbeut dhe herë të tjera këto toponime, apo vendbetejat e shumta të heroit kombëtar, do ti bëjmë objekt të vizitave dhe të shkrimeve tona.