Nerilda Meda: Ëndrrat ndiqen duke punuar fort!


– Je një zë premtues në fushën e gazetarisë dhe marketingut. Për një publik që të njeh më pak, kush është Nerilda?

– Nerilda është një vajzë shumë kërkuese, ambicioze dhe punëtore. Një vajzë që do ta dashuronte letërsinë edhe pse në moshën 12 vjeçare do të kthehej në atdhe pa njohur mirë gjuhën shqipe.

U rrita me një kulturë tjetër, me një kulturë ku trashëgimia ishte e shenjtë, traditat ruheshin me fanatizëm dhe gjithçka përcillej te fëmijët me pasion e dashuri. Por prindërit e mi u kujdesën që krahas punës këmbëngulëse të mësuesve grekë, të punohej edhe në shtëpi fort që të ushqehej dashuria për atdheun, për  kulturën, për gjithçka që i përkiste Shqipërisë. Të vendosura në një peshore, fitorja ju takonte prindërve, të cilët vendosën që të ktheheshim përfundimisht në Shqipëri.

Kështu, do të ishte viti 2006 që do të bënte një kthesë rrënjësore në jetën time. Marrja përsipër e riskut për t’u ndjerë e barabartë në një mjedis ku 98% flitej shqip e unë e njihja shumë pak gjuhën time, ose atë pak gjuhë që flisja, e flisja në dialekt, ishte një sfidë.

Ah, gjuhën shqipe e mësova brenda tre muajsh, më ndihmoi anglishtja… Ironike, por e vërtetë.

Më pas u dashurova marrëzisht pas librave, pas letërsisë dhe erdhi dita ku shkëlqeva. S’do  ta harroj kurrë ditën kur mësuesja ime e letërsisë më lartësoi me komplimente në prani të nënës sime, duke theksuar nivelin e lartë që kisha arritur. U emocionova, por më shumë u prek ime më, të cilës iu mbushën sytë me lot.

Aty thashë, ah, unë mund të bëhem gazetare si daja, të cilit prej vitesh ia adhuroja profesionin.

  Fol pak për karrierën tuaj (si e nise, kush ishin vështirësitë, si shkoi ajo?

– Isha nxënëse e Gjimnazit “Sami Frashëri” kur m’u dha mundësia që të shkruaja pranë një gazete të përmuajshme. Eh gazeta e dibranëve, (buzëqesh) gazeta juaj, gazeta jonë. Gazeta “Rruga e Arbërit” do të mbante mbi faqet e saj një shkrim timin, çfarë emocioni, po komunikoja me dibranët e mi për herë të parë. S’do ta harroj kurrë atë moment.

Më pas duhet të zgjidhja profesionin e të ardhmes, çfarë vendimi i vështirë, sa gjatë i menduar, i konsultuar. Ju largova paksa ëndrrës me premtimin e heshtur që do t’i rikthehesha një ditë dhe zgjodha Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, dega “Ekonomiks”. Nga një vajzë që dashuronte librat letrarë u shndërrova në një vajzë që do të bënte analiza ekonomie, do të studionte politika makro dhe mikro-ekonomike. E sfidova veten dhe ia dola, por teksa po përfundoja ciklin e parë të studimeve, m’u zgjua dëshira për të përmbushur premtimin e heshtur.

Por si? Nuk është e lehtë të bëhesh pjesë e televizionit. Për këtë më ndihmoji motra ime, e cila pati një ide brilante për të më bërë një surprizë te një nga emisionet e Agon Channel. Kisha qenë shpesh në studio televizive si e ftuar, por si atë ditë nuk më janë “dridhur gjunjët” asnjëherë tjetër. Kisha në krahë Sonila Meçon, një ndër gazetaret më të mira në vend. Po Ambra kishte të drejtë, që kur hyra në atë studio, nuk më lanë të ikja më.

Eksperienca në Agon Channel me Sonila Meçon dhe stafin e përkushtuar dhe profesionist do të shndërrohej në eksperiencën më të bukur të punës deri sot. Isha më e vogla e stafit dhe më donin e më përkëdhelnin shumë. „Surpriza je ti“ do të bëhej shtëpia ime e dytë, e doja atë emision, i doja ata njerëz, i doja emocionet e  kështu punoja me shpirt pa parë orën, pa u shqetësuar a kisha ngrënë apo jo. Sonila u bë modeli i profesionalizmit që unë ndiqja, ajo thoshte që ne ngjajmë shumë dhe më jepte me kënaqësi gjithçka më duhej. “Zanati vidhet”, – thonë, ndërsa mua stafi im ma kanë dhënë me duart e tyre pa hezituar në asnjë moment. Më pas, pas suksesit tek “Surpriza je ti” do të bëhesha pjesë e “Kontratës”,  një emision që të bënte të kuptosh çdo të thotë t’i futesh punës me kokë. Kujtoj “Kontratën” me Irma Libohovën, Lorik Canën dhe me të preferuarën time atë me Ismail Ketën. Punë, përkushtim dhe në fund produkt cilësor dhe emocione.

Do të qëndroja pranë stafit deri në momentin që në Agon Channel u ndërpre energjia elektrike… ndërkohë që pranë stafit kam qenë në hapësira shoqërore, duke i pasur sot shokë të mirë. Para një jave festuam ditëlindjen e gjashtë të gocës Sonilës, ashtu së bashku, duke ndarë të njëjtën dashuri.

“Download” në Report Tv ishte një tjetër eksperiencë që do ta mbaj mend gjatë. Emisioni im. Çfarë kënaqësie kur e quaja kështu. Erdhi natyrshëm nga një sugjerim i disa miqve të mi e më pas u kontaktova nga drejtori i programacionit i cili më bëri propozimin për punë dhe më tha të bëja një provë në studio. Pas realizimin të 2-3 dublave, ia dola. Kështu do të niste një tjetër sfidë në Report Tv, ku nuk më mungoi në asnjë moment mbështetja e stafit tim, të cilët sot i kam miq të mirë.

Dhe pas Report Tv vendosa të përfshija veten në një tjetër sfidë, botën e biznesit, marketingun. A ishte e vështirë? Shumë. Ama sot jam menaxhere marketing pranë Revistës Who, një revistë prestigjoze dhe me një lexueshmëri të lartë në Shqipëri.

  Thate me sipër qe “Rruga e Arbërit” ka qenë pikënisja e karrierës tuaj, le të themi si gazetare. Kush do të ishte mesazhi qe do t’u përcillje lexuesve dibrane dhe jo vetëm?

– Unë jam dibrane vet dhe si çdo dibran, i kam pikë të dobët patriotët e mi. Nuk mendoj se është rastësore pikënisja në një gazetë që i “flet” Dibrës. Dibranët kanë vlera e vetëm duke qëndruar të bashkuar e duke mbështetur njëri-tjetrin mund t’i lartësojmë edhe më shumë vlerat tona.  Zgjuarsia fle në Dibër, por na duhet një pasqyrë e madhe për të pasqyruar këtë zgjuarsi përtej Korabit, pasqyra jemi ne, gjithë së bashku.

– Kush është Nerilda jashtë profesionit apo ekranit?

– Nerilda jashtë ekranit nuk ndryshon shumë, pasi gjithmonë kam tentuar që të përcjell origjinalitet tek publiku. Nerilda jashtë ekranit, (qesh) nuk di të ndalet.

Familja për mua është e shenjtë, prandaj përpiqem t’i kushtoj vëmendjen, përkujdesjen dhe dashurinë (në mënyrën time) që meritojnë.

Jam shumë e dashur dhe e shoqërueshme, kam shumë miq dhe më pëlqen që një pjesë të mirë të kohës ta ndaj me ata.

Jam shumë ekstroverte, më pëlqen të flas me njerëz, të udhëtoj, të njoh kultura të reja, etj., etj.

Mendoj që për të tjerat duhet të pyesni miqtë e mi dhe kolegët.

– E mban mend daljen e parë në Tv? Na përshkruaj pak emocionet.

– Dalja e parë ka qenë në Televizionin Publik Shqiptar, kur kam qenë fare e vogël, dy ose tre vjeç së bashku me dy kushërirat e mia, Ejonën dhe Lunën. Nuk mbaj mend asgjë, por mami më thotë që skam folur fare. Ouu, –  i kam thënë: Çuditem sa paskam ndryshuar.

Ndërkohë kam qenë e ftuar në disa emisione, nuk kam pasur shumë emocione në këto raste.  Pasi në pozicionin e të intervistuarit kishim qenë shpesh përballë kamerës së Defrim Methsanit, i cili na ka trajnuar deri në detaje që ne mos të mos na dridhej qerpiku fare para kamerës.

Në momentin që vëmendja ishte tek unë, pra, dola vetë para kamerave si gazetare, siç ju thashë edhe më parë “më janë dridhur gjunjët”. Por kalon, më pas të duket shumë e natyrshme dhe ambientohesh me të folurit në publik apo para kamerës.

Të gjithë lexuesit e rinj që aspirojnë të bëhen pjesë e televizionit apo botës së medias, mos nguroni, nuk ka asgjë të pamundur. Ja bërë disa dubla unë në fillim, u mërzit pak operatori e montazhieri, e çfarë pastaj mësohesh. Emocionet të bëjnë mirë.

Vini pudër po dolët në kamera, se e sigurt që do të skuqeni nga sikleti. (qesh)

– Lidhjet tuaja me Dibrën? A e vizitoni shpesh?

– Përpiqem të jem sa më afër Dibrës. E dua atë vend, por edhe më dhimbset.

Pothuajse çdo vit e vizitoj, pasi atje kam gjyshërit, hallat, xhaxhain dhe tezen. Sa kohë do të jetë një pjesë e familjes sime atje, sigurisht që do e vizitoj shpesh. Pak më sipër shpjegova rëndësinë që ka familja për mua. Karakteristikë e dibranëve janë të bashkuar e të dashur me familjarët. Jam e sigurt që ata do të jenë të parët që do e lexojnë edhe këtë intervistë, sepse i kam pranë, edhe pse janë disa kilometra larg.

Do doja shumë që një ditë të jepja kontributin tim për atë vend, pasi edhe pse nuk kam jetuar atje, e dua.

– Kush do ishin tre arsyet pse do i ftoje miqtë e tu në Dibër?

– Ah, pyetje e bukur. Së pari, të provonin shijen e ëmbël të mikpritjes dibrane. Kam vizituar shumë qytete, disa shumë më të bukura në pamje, por si mikpritja jonë nuk ka.  Të presin me dashuri dhe pastërti. Si të rrish një natë, si një javë, janë të qeshur po njësoj.

Së dyti, të provojnë sheqerpare nga duart e gjyshes sime. (qesh) Jam e sigurt që çdo gjyshe do ta qante një sheqerpare për miqtë e nipit apo të mbesës. Ajo ëmbëlsirë në Dibër të shijon më shumë se në çdo vend. Lëre pastaj po të kesh ngrënë jufka me pulë më parë.

Së fundmi, për t’u ulur në një “konak” me dibranë. Zërë se kanë bërë një master për një natë.

Unë fatmirësisht e kam edhe një gjysh në Tiranë, kështu sa herë mblidhemi, më bën ndonjë leksion të vogël, që të trashëgohen gjithë vlerat.

– Librat, filmat, muzika juaj e preferuar?

– Librat letrarë dhe profesionalë, profesionalë kur më duhet të zgjeroj njohuritë, letrarë kryesisht romane kur dua të çlodhem. Librat janë së pari ushqim për shpirtin e më pas për mendjen.

Filmat përgjithësisht në zhanër komedi dhe romancë, duhet gjetur gjithmonë kohë për një film të mirë me shoqërinë. Ndërsa për sa i përket muzikës, më pëlqen shumë muzika qytetare shqiptare, greke dhe latine.

S’dua të ndalem në specifikime, se atëherë do të duhet të rrimë shumë gjatë këtu.

– Planet e tua në te ardhmen? Në gazetari apo në marketing?

– Hmmm, akoma nuk e di. Komunikim janë të dyja, kështu që do të jem në një formë apo një tjetër pranë publikut. Me ndihmën e Zotit dua të bëhem gjithmonë e më profesioniste e të ngjis shkallët e suksesit.

Le të realizojmë një intervistë tjetër pas 5 vitesh dhe shohim kë kam zgjedhur. (qesh)

– Ndonjë mesazh për të rinjtë?

– Ndiqni ëndrrat! Por jo duke fjetur gjumë, por duke punuar. Mundësitë duhen kërkuar e kur nuk i gjeni, krijojini. Sfidoni veten, pa e provuar nuk mund ta dini çfarë doni.

Ah, edhe diçka, mos u dorëzoni pas një eksperience të keqe pune apo pas ndonjë rrëzimi. Unë nuk e përmenda më lart, por një mësim shumë të vlefshëm e kam marrë në eksperiencën time të parë si marketiere, nuk rezultoi e suksesshme, ama, ja ku jam sot menaxhere marketingu.