Kur Aqif Pasha kujdesej për Gollobordën


Fakte të panjohura dalin përditë e më shumë në lidhjet e hershme të Elbasanit me një nga krahinat më në zë të Atdheut, Gollobordës. Në arkivat britanike që mbajnë datën e 1 janarit të vitit 1914-të, nën një titull sa dhimbës dhe mjaft domethënës për kohën, thuhet se 30 mijë njerëz janë në rrezik për jetën e tyre. Thuhet se të gjithë këta njerëz janë në rrezikun e urisë dhe vdekjes nga mungesa e ushqimeve.

Uilliam Uillard Houard nga Nju Jorku, që ishte i njohur për punën e tij ndihmëse për armenët e pushtuar nga turqit, gjithashtu dhe negociues i Kubës dhe viktimave të urraganit Galveston, kishte lënë Parisin në një rrugëtim të tij prej 700 kilometrash udhë në malet e Shqipërisë, që pikëtakojnë dhe Gollobordën mes Elbasanit dhe Dibrës. Houard pos këtij udhëtimi të parë, ndoshta të një amerikani me një mision në atë zonë malore, ka raportuar se një luftë civile ka qenë gati në shpërthim midis përkrahësve dhe forcave të Esad Pashë Toptanit dhe përkrahësve dhe forcave të Presidentit të Qeverisë së Përkohëshme të Shqipërisë, Ismail Qemal Beut.

Për këtë ai shpjegon se kishte parë me sytë e tij në zonën e Sebishtit, një fshat ky midis Klenjës dhe fshatrave të tjerë Steblevë, Trebisht, Ostren dhe Zabzun, fshatra të cilat ai i kishte shkelë me këmbët e veta për disa javë, kishte parë se mjaft njerëz të Esad Pashë Toptanit kishin hyrë në këto fshatra dhe po kërcënonin njerëzit. Sakaq Houard në datën 12 dhjetor 1913 ka qenë vetë dëshmitar i vizitës së fortë dhe mjaft të rëndësishme që kishte bërë në atë zonë, duke filluar me Sebishtin, vetë Aqif Pasha, Guvernatori i Elbasanit, i cili i kishte nën administrimin e tij të gjithë këto fshtra. Houard sqaron se Aqif Pasha ishte jo thjesht një Kryetar i Elbasanit, por ai kishte tërë autoritetin dhe forcën të menaxhonte territorin e tij shqiptar të Gollobordës, gjë që ai e konsideronte pjesë të zonës së tij qeverisëse. Gjithashtu, mes bisedëss së Houard dhe Aqif Pashës mësojmë se Golloborda dhe Gegëria, që ndahen nga Lumi Shkumbin, rrezikohen nga orekset bullgare dhe serbo-malazeze.

Tre ditë më vonë, pikërisht më 15 dhjetor 1913, Hourad thotë se ka qenë dëshmitar i një debati të ashpër mes dy forcave në konflikt, përkrahësve dhe forcave të Esad Pashë Toptanit dhe përkrahësve dhe forcave të Presidentit të Qeverisë së Përkohëshme të Shqipërisë, Ismail Qemal Beut, që përfaqësosheshin nga Aqif Pasha, në hyrje të Llangës, mbi Shkallë të Lunikut. Në këtë mision të forcave të Aqif Pashait u pa një ushtrim force nga përfaqësuesit e Esad Pashë Toptanit. Por vetëm dy ditë më pas më shumë se treqind vetë, të udhëhequr nga vetë Aqif Pasha kaluan këtë zonë dhe shkuan deri në Dibër të Madhe, ku morën në dorë të gjithë zonën e Gollobordës.

Më datën 19 dhjetor një mbledhje e rëndësishme është bërë në dalje të Trebishtit, në kufirin me Trebishta-Reka, ku janë caktuar dhe drejtuesit në atë zonë. Me një marrëveshje të plotë Golloborda që mbante vulën zyrtare të Elbasanit dhe mbështetjen ligjore të Aqif Pashës, kishte diktuar se ishte në kundërshtim me deklaratat dhe misionin e Esad Pashë Toptanit, që kishte synim mashtrimin me ndihmën bullgare dhe serbe për ato fshatra dygjuhëfolëse.

Më datën 21 dhjetor në një udhëtim të gjatë Houard është gjendur në zonën e Shkodrës, në një territor ku lakmitë e fqinjëve puqeshin me dëshirat dhe synimet e Esad Pashë Toptanit. Atje ai shënon se kishte tashmë me fakte se ishin mbi nëntë mijë refugjatë në Tiranë, pesë mijë në Shkodër, tre mijë në Elbasan dhe disa mijëra të tjerë nëpër fashtra, që tashmë kishin frikën dyfish, nga sllavët dhe nga forcat e Esad Pashë Toptanit.

Houard kishte takuar qindra refugjatë në vende të ndryshme. Më së shumti ata që linin Gollobordën dhe nuk pranonin të shkonin në territoret sllave, por me plot gojën e tyre dëshironin të ishin në territorin shqiptar të komanduar nga Ismail Qemal Beu. Mjaft prej tyre kërkonin me ngulm të takoheshin me Aqif Pashain. Houard thotë se Aqif Pasha ishte gati të shkrinte të gjithë pasurinë e tij për të ndihmuar këta njerëz, “vëllezërit e mi”, sikurse ai ishte shprehur para tij.

Në shënimet e tij, tashmë të arkivuara, thuhet se ai kishte takuar pikërisht ata njerëz që kalonin malet drejt Elbasanit, për të marrë sadopak nga ndihma e Kryetarit Aqif Pasha, që në fakt ishte dhe mbeti i vetmi i atyre ditëve në ndihmë të asaj zone. Në Steblevë, në përpjetën malore që të shpie shkurt drejt Fushë Studnës, Houard kishte takuar një nga krerët e Trebishtit, që kishte grua nga Dibra e Madhe, dhe me të kishte biseduar gjatë. Ai i kishte thënë se fshatarët kishin rezerva ushqimesh, por ishin të pasigurtë, pasi hajdutë të ndryshëm, sidomos sllavë të ardhur nga fshatrat përreth bënin kërdinë, duke vjedhur ushqimet e tyre. Kjo të paktën ishte në realitet, pa harruara se ata kërcënoheshin dhe nga përkrahësit e Esad Pashë Toptanit.

Ekspedita e Houard ishte mbajtur gjallë nga një fisnik shqiptar në Zabzun, që i kishte hapur konakët e dy shtëpive të tij për të ndihmuar ata në nevojë. Ai nga ajo qëndresë në Zabzun, pa se shumica e fshatrave ishte bastisur dhe ata rrezikonin të mbeteshin pa ushqime. Me këtë rast ai kishte gjetur mbështetjen e Aqif pashës dhe disa tregëtarëve të tjerë nga fshtrat dhe qyteti i Elbasanit të dërgonin ushqime dhe veshmbathje në mjaft fshatra më në nevojë.

Gjatë kalimit të tij në një fshat të vogël, Vërvicë, që ndodhet mjaft afër Trebishtit dhe në kalim të lehtë për në Dibër të Madhe, dhe pse gjuha ishte mjaft e pastër me fqinjët, ku shumica flisnin dhe ishin shkolluar në gjuhën bullgare, kishte mësuar se dhe ata nuk pranonin të kishin influencë nga të tjerët, por nga Elbasani dhe nga forcat e Aqif Pashës. Arsyet ishin të thjeshta, dhe ai kishte mësuar se ata lidhjet i kishin të gjitha shqiptare, pavarëisht nga e folmja e tyre. Disa familje me ekonomi të mirë nga ky fshat kishin dhënë vullnetarisht ndihmë për disa gra të veja, disa jetimë dhe mjaft të tjerë kishin afruar ndihmë duke shkuar në rregjistrin e Kishës. Houard kishte asistuar vetë duke u ndarë ndihmat atyre që ishin më në nevojë.

Ai shënon dhe një fakt mjaft domethënës, të pranisë së hajdutëve të ndryshëm, dhe mjaft pasigurive që vinin nga të gjitha anët. Në udhëtimin e tij drejt Durrësit me avulltoren italiane “Molfetta” atij i ishte hapur dhe vjedhur edhe valixhja.

Ai thotë në shënimet e tij, se ka qenë dhe një dëshmitar i përleshjeve në kufi. Në Nëntor të vitit 1913-të ai shkruan se kishte parë me sytë e tij betejën në Vërnicë. Kishte parë pastaj betejat në kufirin me Malin e Zi dhe për këtë thotë se ai i shkruajti një ankesë dhe Kolonelit britanik Phillips, i cili ishe në atë kohë Guvernatori i Shkodrës. Në të njëjtën kohë ai i kërkoi Carit Nikolla telegrafisht që të tërhiqte trupat nga territoret shqiptare. Me këtë rast në shënimet e tij Hourad fajëson pesë fuqitë e mëdha të kohës për injorimin e fateve të këtij populli, sidomos të atyre që për një mijë e një arsye kishin fatin të kishin dygjuhësi e që ndodheshin nën një rrezik të madh të zhdukjes masive. Ai kërkon ndihma konkrete në të holla, ushqime dhe veshmbathje për shqiptarët në nevojë.

Duke u përqëndruar më së shumti në zonën e Gollobordës, në një zonë ku udhëheqja e Aqif Pashës kishte përcaktuar mjaft fate të mohuara, natyrisht ajo që duhet theksuar është se mjaft shqiptarë nga ajo trevë u vendosën nën mbështetjen e vetë Aqif Pashës në qytet dhe kështu lidhjet u forcuan akoma më shumë. Houard, i pa këto lidhje nga afër dhe shënoi me të madhe, se Golloborda ishte më mirë dhe dukej mjaft e sigurtë në lidhjen me Elbasanin. Aqif Pasha kishte në atë zonë dhe ata që vunë në rrezik me jetën e tyre dhe të familjeve të tyre pjesëmarrjen aktive në shpalljen e Pavarësisë dhe nënshkrimit e Atkit historik të saj. 

Le të sqarojmë për lexuesit se Uilliam Uillard Houard (1860-1933) ishte pronar dhe redaktor i Uarren Ledger. Ai ishte një nga pesëmbëdhjetë korrespondentë të gazetave që u larguan nga Londra në dhjetor 1894, për të hetuar masakrat e armenëve në Turqinë lindore, madje ai ishte i vetmi që arriti, në rrezikun e jetës së tij, të depërtojë në brendësi të rajoneve të shkatërruara. Në vizitën e tij të dytë, ai shkoi si komisioner i ndihmës për të rregulluar shpërndarjen e fondeve të ndihmës. Qeveria turke e ndaloi atë të hyjë në vend dhe u detyrua të vinte një çmim në kokën e tij; kurdët e qëlluan atë, banditët e kapën, dhe shërbëtorë të tjerë të Sulltanit e bënin udhëtimin e tij të rrezikshëm.

Në një libër të vogël Houard flet nga njohuria e fituar nga gati një vit e gjysmë i vëzhgimit personal dhe hetimit të kujdesshëm në vendin e pikëlluar. Ai nuk është as armik, as misionar, dhe ai flet pa racë ose paragjykim fetar. Dëshmia e tij është dëshmi e një amerikani dhe njeriu të paanshëm të çështjeve që tani vjen drejtpërdrejt nga toka gjak e ngjyrosur, nga Armenia. Ky libër është i botuar në vitin 1895 dhe shënimet e mbajtura në Shqipëri prej tij janë mjaft domethënëse, sidomos kur sot “hale” dhe politika të ndryshme bëjnë dhe krijojnë etni dhe etnicitete pa kriter.