100 vjet shkolla e Allajbegisë


 

Festa e shkollës në Allajbegi të Maqellarës u kthye në një manifestim të bukur popullor. Në lëndinën para shkollës, erdhën banorët e fshatit të veshur mirë e pastër, lanë punët e përditshme e bashkë me fëmijët atë ditë ia kushtuan shkollës së tyre. 14 maji për shkollën qe i veçantë, shëndriste më shumë mes atij ambienti të bukur, rrethuar me gjelbërim e lule. Çdo vizitor që vjen në këtë fshat nuk mund të mos mahnitet me bukuritë e këtij fshati buzë Drinit me rrugë të pastra,shtëpi të reja lyer me gëlqere me pastërti ku shendrit gjithçka dhe kurdoherë. Fëmijët, nxënësit e shkollës 9-vjeçare, të rinjtë e fshatit me vallet nën tingujt e muzikës, e bënë më të këndshme e interesante festën. Në sytë e të gjithëve shkëlqente gëzimi i ligjshëm për shkollën, të gjithë sjellin ndermend kujtime per mësuesin, klasën, bangën e shkollës, nëpërmjet së cilës kanë kaluar më shumë se tre breza.
Allajbegia është vendbanim 7000-vjeçar, në krah të djathtë të rrjedhës së Drinit Zi, në një pozicion të përshtatshëm, me një bukuri të rrallë e të begatë, një nga fshatrat më të pasur të Dibrës. Aty jeton një popull punëtor, patriot, me kulturë e shumë arsimdashës. Zbulimet akeologjike kanë vërtetuar se fshati është një vendbanim i lashtë Ilir në trevën e Dibrës. Institucioni më i vjetër është xhamia, ndërtuar në vitin 1585, ndër më të vjetrat në Ballkan, e cila u ruajt pjesërisht si monument kulture, nga prishjet e vitit 1967. Pranë xhamisë, në kohën e osmanëve u hap një shkollë turke.
Ka më se një gjysëm shekulli që fshati njihet me emrin Burim, një gjetje që i përshtatet këtij vendi, ku toka, natyra, kushtet klimaterike,pozita gjeografike, janë burim i të mirave materiale për njerëzit që banojnë aty. Prej shekujsh ata janë mjeshtër të punës, bujq të dalluar , blektorë e kultivues të perimeve e të pemëve frutore me një kulturë të hershme e tradicionale. Atje buron bujaria, pastërtia shpirtërore, besimi, mikpritja, patriotizmi i transmetuar nga njëri brez në tjetrin. Shkolla e Allajbegisë u hap zyrtarisht më 1916-1917, në kohën e pushtimit austro-hungarez 102 vjet më parë. Ishin të pranishëm banorë të fshatrave të Maqellarës, mësues veteran, ish-nxënës e ish mësues që kanë mësuar e punuar në këtë shkollë, mori pjesë kryetari i Bashkisë Peshkopi z.Muharrem Rama, drejtoresha e Arsimit zj.Margarita Markja, punonjës të administratës së Bashkisë, Njësisë Administrative Maqellarë e të ftuar të tjerë.
Sipas programit, klasa e parë e shkollës ishte përgatitur për Festën e Abetares. Nxënësit tashmë kanë mbaruar mësimin e shkronjave, lexojnë vjersha e libra. Emocione krijuan recitimet, këngët, skeçet, e valet e bukura të fëmijëve.Mesazhi i tyre ishte amaneti I Rilindasve “ Ruani Abetaret në çdo shtepi e familje.” Mësuesja Fatbardha Xhili kishte punuar me kujdes jo vetëm për repertorin e shfaqjes, por edhe për veshjen e fëmijëve në bashkëpunim me prindërit. Materiali figurativ i bollshëm, reklamuar në hyrje të shkollës, bashkë me përgatitjen e shkronjave e mjeteve të tjera, ishte mjaft I gjetur ,përgatitur enkas për Festën e Abetares.
Midis nxënësve u shquan Ejona Asllani, Ajdin Xheleshi, Mira Asllani, Armanda Dançe etj. Nxënësit e klasës parë morën çertifikata për mbarimin e Abetares, ndërsa shkolla e Burim) mori Çertifikatë Nderi nga Bashkia Dibër, të cilën e dorëzoi drejtoresha e Arsimit. Ajo përshëndeti pjesëmarrësit, uroi Festën e Fëmijëve, mësuesit e nxënësit, komunitetin e fshatit të gjithë ata që punuan pa u lodhur për zhvillimin e mbarëvajtjen e arsimit në zonën e Maqellarës. Për përmirësimin e punës me librin, shkollës iu dhuruan disa libra me përralla e lexime për fëmijë nga Bashkia Peshkopi dhe Zamira Xheleshi, mësuese bijë e këtij fshati.
Ramazan Ilnica, ish drejtues shkolle, studiues i Arsimit në Maqellarë, foli për historikun e shkollës Allajbegi. Ai u ndal kryesisht në të dhënat e burimeve arkivore për mësimin e shqipes, që trgojnë se aty nga viti 1891, sipas raporteve të Ministrisë Arsimit të Perandorisë Osmane, në fshatin Allajbegi kishte shkollë turke. Aty shërbenin klerikë muslimanë shqiptarë, qe ndihmuan fshehurazi të mësohej alfabeti dhe gjuha shqipe. Në Allajbegi kanë punuar mësues nga Shkodra, Gjirokastra, Kukësi, Dibra e Madhe etj, si Jahe Demnori, Shemsi e Drita Zhulali, Hasan Palushi. Qemal e Nebi Agolli, Haki Sharofi, Halil Golja, Jonuz Shehu. Shumë mësues vendës kanë kontribut jo vetëm në këtë shkollë, por edhe më tej, si Haki Pahumi, Baudin Strazimiri, Skënder Sala, Tefta Shehu, Demir Osmani, Ramazan Ilnica, Ramazan Piku, Rremzi Sala, Hajri Xhili etj. Këtu kanë punuar mësiesit e Merituar Jahe Demnori e Haki Sharofi, kanë qënë nxënës të kësaj shkolle mësuesit e merituar Shefki Shehu e Skënder Pahumi.Gjithë fshati ka kontribut për shkollën, në mënyrë të veçantë Kadri Demiri e Azem Markja. Nga Allajbegia kanë dalë 40 mësues, 51 kuadro me shkollë të lartë të specialiteteve të ndryshme etj.
Referuesi u ndal në detyrat që i dalin shkollës sot, duke bërë me dije se pas pak ditësh do botohet ky historik, që u prit me dorëtrokitje nga të pranishmit. Me mendimin se fëmijët dhe rininë e fshatit mund t’i bënte të lumtur, Arbana Osmani, si bijë me origjinë nga Allajbegia, ishte ftuar për të marrë pjesë në këtë gëzim. Babai i saj, Demir Osmani u premtoi se Arbana do jetë e pranishme në një të ardhme të afërt .Demiri falenderoi organizatorët për ftesën, si bashkëfshatar dhe mësues, në shkollën e mesme të Maqellarës. Gjithashtu ai tha se fshati ynë ka njxerrë akademistë si Shehat Tonuzi, (kreu studimet në Itali), Mjeshtin e Madh, shkencëtarin e pemtarisë Aqif Xheleshi, normalistin Mexhit Asllani e shumë kuadro të tjerë qe punuan në katër anët e atëdheut .
Gjallëri i dhanë festës këngët vallet si ajo e Tropojës dhe të krahinës , interpretuar nga nxënësit e shkollave të mesme Peshkopi e Maqellarë. Me interes e kureshtje për të pranishmit ishte shfaqja që dha cirku i Peshkpoisë, që drejtohet nga Agron Strazimiri, (nga Pucesti i Maqellarës). Agroni është akrobat i apasionuar i cirkut, e ka nisur këtë profesion në vitet 1970 në Bulqizë. Për më shumë se një gjysëm ore numrat akrobatike, ushtrimet individuale dhe në grup, tërhoqën vëmendjen e ngjallën emocione, duke u dorëtrokitur gjatë.
Vizita në shkollë ishte pjesë e programit të veprimtarisë . Në Kopësht ishte edukatore Violeta Xhemali, 33 vjet në profesionin e mësues dhe edukatores, pastaj në klasë të parë takuam mësuesen Fatbardha Xhili, Brikena Fikun, të klasës II dhe III, Evangjeli Mullameti, te klases se katërt. U njohëm me shumë mjete mësimore, të përgatitura nga vetë mësueset, çdo gjë në vendin e vet, të vendosura me kujdes. Materialet e ilustruaratë afishuara me rregull, nga hyrje e shkollës. Kudo mbizotëronte rregulli dhe pastëria. Një shkollë model me një eksperiencë shumë të mirë në proçesin mësimor edukativ në rrethin e Dibrës. Sot në shkollë frekuentojnë rregullisht 25 fëmijë në kopësht dhe 65 nxënës nga klasa I-IV.
….
Për mësuesit, të ftuarit artistët e cirkut të ardhur nga Peshkopia, u dha një koktel. U bënë përshëndetjet dhe urimet për festën, për organizatorët etj. Mësuesi veteran Neki Osmani, ish drejtor i shkollës mesme në Maqellarë, tha: Allajbegia ka nxjerrë burra e gra kuadro që kanë shërbyer ne gjithë Shqipërinë. Këtu ka ardhë Abdyl Frashëri, Bajram Curri, Vebi Agolli, Elez Isufi, Ismail Strazimiri, Haxhi Lleshi, Abaz Kupi, Aleksader Meksi etj. Në Allajbegi janë organizuar kuvende me rëndësi locale e kombëtare. Ne mësuesit veteranë ndjejmë kënaqësi kur tradita vazhdon. E vlerësoj punën e Osman Xhilit, si organizator i festës së shkollës, si veprimtar e punëtor i palodhur, shkruan e boton, deri tani ka botuar tetë libra. Gjithashtu vlerësoj Ramazan Ilincën shumë aktiv në veprimari të ndryshme”
Me shume konsiderata folen Ahmet Qushi e Murat Koltraka. Aqif Ademi-regjizor dhe aktor i njohur, recitoi pjesë nga krijimtaria e Haki Sharofit.
Osman Xhili falenderoi të ftuarit, të gjithë bashkëpunëtorët për ndihmën që dhanë në pasqyrimin sa më mirë të 102-vjetorit të shkollës dhe uroi që festa të tilla të organizohen sa më mirë e më shpesh. Ndonëse festa zyrtarisht përfundoi, diskutimet mes shokësh e miqsh vazhduan deri në orët e mbrëmjes. Me përshtypjet më të mira të një dite të bukur Maji, u larguam nga Allajbegia, duke marrë me vete respektin, dashurinë e kolegëve, njerëzve të mirë, bujarë e fisnikë të Allajbegisë, për të cilët jemi mirënjohës.

Allajbegi, 14 maj 2018