Mësuesi orator Haki Pahumi


Haki Pahumi lindi më 1915, në një familje të varfër qytetare të Dibrës Madhe. Fëmijëria e trishtë dhe e zymtë, nëna ndërroi jetë në moshë të re, duke lënë dy jetima të mitur, Hakiun pesë dhe Nazmiun tre vjeç. Abdullai, babai, mori djemtë dhe erdhi në Maqellarë, në familjen e Zabit Demës, daja i Hakiut. Për pak kohë familja u transferua përfundimisht në Vojnikë. Hakiu dallohej mes moshatarëve, ishte më i shkathët, i vëmendshëm, fliste rrjedhshëm, i kujdesshëm për veshjen, përpiqej të imitonte mësuesit, shoqërohej me më të mëdhenjtë. Shkollën fillore e mbaroi në Maqellarë, ndërsa atë unike në Internatin e Kastriotit me rezultare të shkëlqyera. Disa fëmijë të Internatit, midis tyre Hakiu, vizitonin shpesh pilotët italianë, që vinin në Kastriot me dëshirë të mësonin e komunikonin italisht. Internati i Kastriotit ishte fat për ato pak nxënës që vazhdonin në atë kohë. Shkollën e mesme e zgjidhi ndryshe Haki Pahumi.
Pothuajse çdo ditë ai me përshëndetje përcillte për Tiranë qiraxhinj, që vinin nga Dibra e Madhe dhe anasjelltas. Ëndërronte të bashkohej me njërin prej tyre për të ardhur në Tiranë. Me një karvan tregtarësh, herë në këmbë e herë në kalë në gjurmët e vjetra të rrugës së Arbërit erdhi në Kryeqytet. Ishte 13 vjeç, takoi ministrin e Arsimit dhe i kërkoi që t’i jepte mundësinë për të vazhduar shkollën e mesme. Ministri, i habitur për guximin dhe zgjuarsinë e djaloshit nga Dibra, i akoordoi bursë në gjimnazin e Shkodrës, të cilin e përfundoi me rezultate mjaft të mira. Në shkollë mësoi gjuhët frengjisht dhe italisht.
Pas shkollës së mesme, filloi punë si mësues në fshatin Shën-Pal të Mirditës, ku shpalosi njohuritë e fituara në shkollë të mesme, dolën në pah vendosmëria, puna e madhe edukative me nxënësit e prindërit, dashuria për profesionin e mësuesit. Dallohej për marrëdhënie korrekte e miqësore me fshatarët, duke dhënë një ndihmë të madhe për kulturën e jetesës, higjenën, ambientin në familjet mirditore e tjere.
Pasioni për profesionin e mësuesit e nxiti Hakiun të vazhdonte shkollën Normale të Elbasanit, të cilën e përfundoi më 1937. Përgatitja teorike- praktike për marrjen e provimeve të maturës, ra në sy të pedagogëve dhe drejtorisë së shkollës, prandaj i propozuan që të punonte si kujdestar konvikti në Normalen e Elbasanit. Detyrën e re e pranoi me kënaqësi, punoi aty deri më 1940. Me kërkesën e tij, erdhi në Vojnikë pranë familjes, filloi punën mësues në Maqellarë. Më 1942-1943 punoi metodist në zonën e Tetovës. Më 1943-1945 rikthehet në Maqellarë dhe Alajbegi si mësues. Gjatë kësaj kohe u aktivizua si veprimtar i Luftës Nacional-Çlirimtare në Frontin Demokratik, duke u zgjedhur në forumet më të larta të kësaj organizate. U martua me Nexhmije Adem Sharofin. Ademi ka punuar mësues në disa fshatra të Dibrës së Sipërme dhe të Poshtme. Tre fëmijët e Hakiut, djali Hekurani (merceolog) punoi në Durrës, ndërsa vajzat plotësuan dëshirën e të atit, u bënë mësuese të vlerësuara nga shkolla dhe Shoqëria.
Në vitet 1945-1947 emërohet n\prefekt i Qarkut të Dibrës dhe drejtues për arsimin në këtë qark. Haki Pahumi si një ndër kuadrot më të rëndësishëm të rrethit të Dibrës, dha një ndihmesë për luftën kundër analfabetizmit, shtrirjen e arsimit fillor, 7-vjeçar ,përgatitjen e kuadrit arsimor, sidomos në kurset e kualifikimit professional e metodik, hapjen e shkollës pedagogjike në Peshkopi etj.
Gjithnjë interesohej për kulturën në përgjithësi e veçanërisht për kulturën popullore, kujdesej për mblodhjen e materialeve folklorike. Dallohej për një kulturë e formim të gjithanshëm, komunikonte bindshëm me të gjitha kategoritë e moshave, shquhej për oratori të ëmbël, që tregonte nivelin e tij kulturor e të gjithanshëm.
Në kohën kur Haki Pahumi kishte përveshur mëngët për të dhënë maksimumin e energjive në fushën e arsimit, papritur e ndërprenë, iu desh të përballej me disa akuza, si “qëndrim të butë ndaj elementëve të deklasuar”, shpërdorim fondesh në ndihmat për arsimin etj, që i kushtuan jo pak, por dy vjet privim lirie.
Me oratorinë dhe kurajon të tij, i rrëzoi akuzat, sa prokurori u detyrua të pohojë para gjyqtarëve se : “Hakiu ka një logjikë dhe një oratori të addmirueshme, prandaj nuk ka marrë as avokat”. Megjithatë ai u dënua. Në burg drejtoi disa kurse kundër analfabetizmit për të burgosurit. Pas daljes nga burgu, do të merrte pafajësinë, por ato vite lufte e përpjekje për të drejtën, lanë gjurmë në jetën e oratorit e mësuesit të apasionuar.
Më 1949 deri në vitin 1951punoi si mësues e drejtor shkolle në Maqellarë. Më 1952 deri më 1955 ishte drejtues i Arsimit në rrethin e Dibrës, ku konributi i tij ishte i madh. Tashmë pikësynimi i tij ishte dërgimi i sa më shumë nxënësve në shkolla të larta. Në biseda me prindërit e nxënësve, me strukturat në bazë e në rreth, Shumë të rinj e të reja shkuan në shkollë të lartë, prandaj i ishin mirënjohës Hakiut. Ndër ta ishin Nuri Abdiu-Mësues i Popullit, Tosun Xhemali, Allaman Isaku-pilot, Pervis Maksuti-avokat, Qamil Rama, Myrteza Rema etj.
Më 1955-1956 emërohet drejtor i shkollës 8-vjeçare “Demir Gashi” Peshkopi. Më 1957-1958 u ngarkua me detyrën e formimit të kooperativës bujqësore Vojnikë, detyrë që e realizoi me sukses. Më 1958 deri në mesin e vitit 1961 punoi në Kabinetin Pedagogjik të Peshkopisë. Gjatë kësaj detyre, njëkohësisht mbulonte atë të drejtuesit të shkollës së lartë të korespondencës në rrethin e Dibrës.
Burgosja dy vjet, përballja me ligësitë e disa personave, ishte një dukuri e injorancës, për të përbaltur intelektualët. Si një njeri me karakter por dhe I ndjeshem një sëmundje e pashërueshme ndikoi shumë në përkeqësimin e shëndetit. Brengat dhe stresi i vazhdueshëm krijuan efekte negative. Atij i krijohet një tumor, që nuk do kalonte pa pasoja. Shenjat u dhanë pas daljes nga burgu, që dalëngadalë do të gërryente organizmin e mësuesit patriot.
Në fillim të vitit 1961, sëmundja kishte avancuar, aq shumë, sa humbi shikimin.
Njohuritë që kishte, sidomos gjuhët e huaja frëngjisht e italisht, i kishin dhënë mundësi të studiojë dhe vet ekzaminojë sëmundjen, që u vëretua me analizat e dërguara në ato vite në Gjermaninë Lindore. Shteti e dërgoi në Gjermani, por gjendja e tij shëndetësore nuk e përballoi dot operacionin. Këtu u ndal zemra e mësuesit Haki Pahumi. Ai u nda nga jeta në moshë të re, duke lënë një trashëgimi të pasur dhe eksperiencë të përparuar në fushën e mësimdhënies në shkollë, në zgjerimin e Arsimit në rreth etj.
Hakiu ishte bashkëpunëtor i Mësuesit të Popullit Selim Alliu, mësues i dashur për qindra nxënës, shok e mik me dhjetëra mësues kolegë, prindër e drejtues të pushtetit të kohës, duke gëzuar respektin e tyre.
Në gjurmët e tij punuan si mësues nipi Skëndër Pahumi (Mësues i Merituar), mbesa Myzejeni dhe vajzat Teuta në (Peshkopi e Durrës) , Sanie (Batku)- një mësuese e dalluar, veprimtare, e organizatës se Gruas në rrethin e Dibrës.
Haki Pahumi bën pjesë në elitën e mësuesve të Dibrës, ndër më të vlerësuarit për kohën që punoi e jetoi. Do të ishte në nderin e organeve lokale, që të përjetësohejt, duke i vënë ndonjë shkolle, emrin e mësuesit orator Haki Pahumi.