Ambasadori i vogël i Dibrës


Engjëll Nikolli është vetëm 11 vjeç dhe vazhdon klasën e gjashtë në Bruniko të Italisë, një qytet i Bolzanos, ne krahinën autonome të Alto Adixhes. Jeta e familjes Nikolli ndahet mes komunës së Luznisë, ku ajo i ka rrënjët e vjetra, qytetit të Peshkopisë, ku u vendos pas viteve nëntëdhjetë dhe Italisë, ku familja e tij punoi për mbi 15 vite dhe akoma i kanë lidhjet me të. Pas shumë peripecish e problemesh nga më të çuditshmet, Zoti e bekoi familjen Nikolli me një djalë dhe emri Engjëll, dukej se i shkonte më së miri.
Djali lindi në Itali, qëndroi atje deri në moshën gjashtë vjeçare dhe filloi klasën e parë në qytetin e Peshkopisë. Doktor Hajrullai me të shoqen, u kujdesën jo vetëm për rrobat e ushqimin, por akoma më shumë për edukatën, të mësuarit dhe nivelin e njohurive. Engjëlli duhej të ishte më i miri në të gjitha drejtimet dhe koha po e provonte këtë. Bashkë me kushërirën e tij, Kejsin mbaruan klasën e pestë në Peshkopi dhe rezultatet e të dyve ishin të shkëlqyera. Asnjë nëntë nuk gjendej në dëftesën e djalit. I jati, mjek veteriner me profesion, por që unë i them doktor Hajrullai, u kënaq pa masë dhe normalisht, ca komplimenta e përgëzime i dolën natyrshëm nga goja. Për çudi djali nuk u ndje shumë i kënaqur nga fjalët e të jatit. – Ti baba, ke frikë se nuk po dal me dhjeta, këtu në Shqipëri?! Ky nuk përbën ndonjë problem të madh për mua. Ti e ke pasur dhe e ke ëndërr, që unë të bëhem dikush në jetë. Ti e din më mirë, vazhdoi djali, por unë gjykoj që duhet të studjoj në Itali dhe pse nuk di gjermanisht e nuk e shkruaj mirë italishten.
Babai i Engjëllit u mendua për një çast. Më mirë të themi u mendua dhe njëherë akoma, sepse kushedi sa herë argumentat pro dhe kundër vajtjes së djalit për studime në shtetin fqinj, ishin përleshur në kokën e tij dhe të bashkëshortes. Ndoshta kishte ardhur momenti të thoshte atë fjalën “ po “, si një pashaportë diplomatike, pas së cilës, djali do të vazhdonte klasën e gjashtë në shtetin fqinj. Stafi i mrekullueshëm i shkollës së atjeshme, mësimi i tre gjuhëve të huaja, anglisht, gjermanisht, italisht, kushërinjtë që kishte atje, ishin argumenta të mjaftë për vendimin e marrë.

Bruniko, Itali.
Të gjithë ata që kanë punuar e jetuar në Bolzano, e dine, që kjo zonë njihet si hambar I kultivimit të mollëve, që shpërndahen anembanë botës, se është në kufi me Austrinë dhe se gjuha e folur është gjermanishtja. Doktor Hajrullai me djalin për dore, futen te sekretaria e shkollës. Në fakt, ajo nuk ishte një shkollë e thjeshtë, por një kompleks shkollor, që nga shkolla fillore, deri në universitet. Më pas, studentët që mbarojnë shkollën e mesme me rezultate shumë të mira, përfitojnë bursa studimi, në universitetet më të mira të Austrisë.
Zonja që regjistronte nxënësit e porsa ardhur, pa dëftesën e shkollës me të gjitha dhjeta dhe tha: – Djali qenka i shkëlqyer. Do të bëjmë përpjekjet maksimale, që ai ta mbajë këtë ritëm dhe këto nota, në të kundërt, përgjegjësia do të jetë e jona. Tha kështu, por brenda vetes kishte një dyshim dhe një frikë të vogël, pasi shumë nxënës të huaj kishin braktisur studimet, duke mos qenë në nivelin e lartë të kërkesave të kësaj shkolle. Por Engjëlli kishte ardhur me një qëllim të qartë e të përcaktuar mirë. Atë shprehjen e babait, “ të bëhej dikushi në jetë “, djali e përkthente, të ishte më i miri i klasës dhe në përfundim të shkollës së mesme, të përfitonte një bursë studimi në Vjenë të Austrisë.
Loja kishte nisur dhe Engjëlli po luftonte për topin e parë. Në anglisht, falë dhe kurseve të kryera, ishte pothuaj më i miri, italishten e fliste pasi deri në moshën gjashtë vjeçare kishte qenë në kopështin e fëmijëve aty, kështuqë i mbetej të luftonte fort për gjermanishten. Djali luante mirë futboll dhe kjo e miqësoi mjaft me fëmijët e tjerë . Shumë shpejt, secila skuadër do të dëshironte ta kishte në formacionin e saj dhe kjo bëri që të mësonte shumë fjalë e shprehje të gjermanishtes. Vetëm pak muaj më vonë, Hajrullai shkon sërish në shkollë, i ftuar prej stafit, në një takim me prindër. Profesorët folën fjalë shumë të mira për sjelljen dhe perparimin e djalit. Mesatarja e notave të tij, deri në atë moment, ishte 9, 65 dhe po të vazhdonte me atë ritëm, thanë profesorët, gjërat do të bëheshin akoma më të bukura.

Historitë me Skënderbeun
Një ditë, mësuesi i vizatimit, u thotë nxënësve të klasës se duhet të vizatojnë një objekt historik, që të personifikojë diçka. Djali konsultohet me babain e tij dhe i thotë atë që kishte në mendje. Nuk e kuptonte përse aq shpejt e kishte kapur një mall për shokët e shoqet, për miqtë e të afërmit që kishte lënë në Shqipëri. Histori të reja e të vjetra i erdhën në mendje e në zemër dhe ai donte që vizatimi i tij të kishte patjetër lidhje me Shqipërinë. Përkrenarja e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, ishte një mundësi e artë, që i plotësonte të gjitha konditat. Hajrullai ra dakort, nuk kishte asgjë të keqe në zgjedhjen që kishte bërë vetë djali. Pas dy ditësh, mbi tavolinën e Engjëllit, në klasën e tij, qëndronte një fletë vizatimi, që tregonte përkrenaren e heroit tone kombëtar, Skënderbeut. Mësuesi i vizatimit e kundroi për një çast pikturën . Ajo ishte punuar mire artistikisht, por mbi të gjitha, dukej sikur djali i kishte dhënë jetë nga shpirti I tij. Nuk ishte nevoja të pyes më tepër, pasi pak më poshtë ishte shkruar në italisht : Il nostro heroe nacionale. Nxënësit e tjerë u afruan paksa të shohin vizatimin e Engjëllit. Vështrime dashamirëse e mirënjohje për shokun e tyre shqiptar, për heroin kombëtar të vendit të tij. Jo shumë larg që aty, ndodhet një vend që quhet “ Kampi i Skënderbeut “, në kujtim të një beteje mes forcave turke të udhëhequra nga Skënderbeu dhe atyre austro – hungareze.
Pak kohë më vonë, një tjetër mësues, ai i historisë, u kërkon nxënësve të tregojnë me shkrim një legjendë, apo një histori të vjetër. As vetë nuk e dinte përse, Engjëlli ju rikthye sërish figurës së heroit tonë kombëtar. Tashmë historia i referohej periudhës së fundit të jetës së Heroit, kur ai po jepte këshillat e fundit nga shtrati I vdekjes. Teksa u fliste për bashkimin dhe unitetin që duhet të kishin mes tyre, për të përballuar pushtuesin, Skënderbeu i thotë një djaloshi të fuqishëm të thyente një deng thuprash të lidhura. Djaloshi e provon, por nuk mundet. Kur urdhërohet ti thyej një nga një, kjo ishte shumë e lehtë për tu realizuar. Mesazhi i Skënderbeut ishte shumë i qartë, thuprat e ndara e të thyera do të ishin shqiptarët e përçarë me njëri tjetrin. Engjëlli e kishte përshkruar historinë në gjuhën gjermane, me detajet më të vogla dhe mësuesit i bëri shumë përshtypje. I kërkoi ta interpretojë para klasës dhe djali nuk nguroi ta bëjë këtë, i sigurtë në vetvete. Më pas, mësuesi, i mrekulluar nga gjithë kjo histori, i thotë klasës, se duhej ta bënin diktim në gjuhën gjermane historinë e Engjëllit, djalit nga Dibra e Shqipërisë.
Ka pak kohë që djali ka mbaruar dhe semestrin e dytë. Notat dhe vlerësimet për të, rriten e rriten çdo ditë, për të kulmuar tek dhjeta. Gjermanishten e ka nëntë, por kjo është çeshtje kohe. Djali ka akoma në mendje porosinë e të jatit, se duhet të bëhet dikushi në jetë, por unë pyes veten, mos ndoshta ai e ka arritur këtë gjë. Ai është që tani një ambasador i vogël i vlerave më të mira të Dibrës e më gjerë, duke fluturuar në kohë dhe hapësirë, si një engjëll i vërtetë.