Shkolla pedagogjike Peshkopi, një nga shkollat më të mira të Republikës


Në shtator të këtij viti do të festohet 70 vjetori i hapjes së shkollës pedagogjike të Peshkopisë, sot gjimnazi ‘’Said Najdeni’’. Për këtë jubile të rëndësishëm arsimor e kulturor është ngritur një komision i posaçëm i kryesuar nga ish drejtori i kësaj shkolle e ish nxënës i saj shoku Shemsi Manjani dhe zv/kryetar z. Hilmi Cami. Puna përgatitore dhe kontaktet me ish nxënësit e saj, kuadro të arsimit e të kulturës, sot shumica në pension, ka filluar që 2-3 muaj. Është hartuar dhe një program pune i detajuar.
Në kuadrin e këtij eventi të rëndësishëm kulturor, edhe unë si ish nxënës i kësaj shkolle desha të paraqes në këtë shkrim disa mbresa e kujtime personale nga jeta në këtë shkollë, që na përgatiti për jetën, na bëri kuadro e edukatorë të brezit të ri. Dihet se Shqipëria doli nga Lufta e Dytë Botërore e shkatërruar dhe e prapambetur në të gjitha fushat. Nga statistikat e vitit 1938, kur sundonte mbreti Zog, dihet se 90 % e popullit tonë ishte analfabet, ndonëse Shqipëria atëherë kishte rreth 1 milion banorë. Dihen rrethanat historike-shoqërore të vendit tonë në këtë drejtim që nisin që nga sundimi pesëshekullor turk. Në këtë gjendje të prapambetur doli Shqipëria nga Lufta NCL. Kur vendet e Europës si Italia, Franca, Gjermania, Zvicra, Çekia etj., kishin ngritur universitetet e tyre që në shek.XIII apo të XIV, Shqipëria jo që s’kishte universitet e shkolla të tjera të larta, por dhe shkollat e mesme të hapura në qytet kryesore të vendit numëroheshin me gishtat e dorës. Për të përmbysur këtë gjendje të mjeruar të vendit e të popullit, qeverisë popullore, e dalë nga Lufta NÇL i dilnin detyra të shumta e të vështira, sepse s’mund të ecej përpara kur analfabetizmi mbretëronte në 90% të popullatës. S’mund të ecej përpara me një popullsi analfabete. Qeveria e re demokratike i shpalli luftë analfabetizmit. Për këtë, që me 1945 u hapën në çdo rreth, krahinë e fshat të vendit kurse kundër analfabetizmit, ku shkonin djem e vajza, burra e gra të moshës deri në 40 vjeç të mësonin shkrim e këndim, madje këto kurse funksionuan që në vitet e luftës çlirimtare, ku partizanët tanë heroik krahas luftës kundër pushtuesve fashistë bënin në kohë të lirë, në brigada e batalione dhe kurse kundër analfabetizmit. Krahas luftës kundër analfabetizmit që bënte Partia e pushteti popullor në atë kohë e që zgjati rreth 10 vjet, deri më 1955, qeveria hapi shkolla fillore në çdo fshat të Shqipërisë ku s’kishte shkolla dhe bëri arsimin fillor të detyrueshëm për të gjithë brezin e ri dhe vite më vonë bëri të detyrueshëm për të gjithë shtetasit tanë dhe arsimin 8-vjeçar.
Natyrisht, kuadrot që drejtonin luftën kundër analfabetizmit s’kishin ndonjë arsim kushedi çfarë, po kështu dhe mësuesit e viteve të para të çlirimit. Shumica e drejtuesve të këtyre kurseve si dhe e mësuesve të shkollës fillore ishin me arsim fillor e 7-vjeçar, të trajnuar në kurse të shkurtra kualifikimi në rrethe apo në Tiranë. Shqipëria në këto vite të para të çlirimit kishte etje për dituri e kulturë, kishte në radhë të parë për kuadro jo vetëm në fushën e ekonomisë e të ushtrisë, por në radhë të parë në fushën e arsimit. Kjo qe arsyeja që pushteti popullor i asaj kohe hapi dhe shumë shkolla të mesme dhe Institute të larta ku përgatiteshin mësues, infermierë, mjekë, ushtarakë, specialistë, agronomë, ekonomistë e inxhinierë. Në këto rrethana u hap për herë të parë në qytetin tonë verilindor shkolla e mesme pedagogjike në shtator të 1948 që përgatiti kuadrot e para për mësues jo vetëm për rrethin e Dibrës, por për gjithë zonën VL të Shqipërisë. Në këtë shkollë studionin jo vetëm djem e vajza nga krahinat e ndryshme të Dibrës, por dhe nxënës nga rrethi i Matit, i Kukësit, i Pukës dhe i Tropojës. Shumica e nxënësve që mësonin në këtë shkollë ishin konviktorë me bursë nga shteti dhe vetëm një pjesë e vogël dibranësh ishin nxënës të jashtëm.
Që para se të hapej shkolla, u ngrit ndërtesa katërkatëshe e shkollës pedagogjike në qendër të qytetit, me një arkitekturë të përsosur. Shkolla edhe sot e kësaj dite, edhe pse kanë kaluar 70 vjet, qëndron e fortë dhe e bukur, e shndërruar në gjimnaz. Kati i parë i shkollës shërbente për kuzhinë e mensë për konviktorët e dhoma pune. Kati i dytë e i tretë shërbeu për klasa mësimi, kurse kati i IV shërbente për dhoma fjetje. Ngjitur me shkollën në krah të majtë të saj u ngrit dhe shkolla ushtrimore, ku bënin praktikë mësimore mësuesit e rinj, si dhe palestra e shkollës, kurse oborri i madh nga prapa kishte të gjitha këndet sportive dhe fushe volejbolli e basketbolli.
Edhe sot e kësaj dite kjo shkollë e ngritur në qendër të qytetit është krenaria e tij me gjithë historinë e kësaj shkolle. Sa herë kalojmë në bulevardin ‘’Elez Isufi’’, ne shikojmë shkollën pedagogjike me nostalgji e krenari, sepse kjo shkollë na bëri kuadro e na përgatiti për jetën, na dha dritë e dituri.
Nga dyert e kësaj shkolle kanë dalë rreth 2200 kuadro, djem e vajza, që çuan dritën e kulturën në gjithë krahinat e fshatrat e zonës verilindore të Shqipërisë. Nga dyert e kësaj shkolle dolën dhe kuadro të Partisë e të pushtetit popullor, dolën gjuhëtarë e profesorë, poetë e shkrimtarë, artistë, diplomatë e gazetarë të ardhshëm që kontribuan me punë e dituri në zhvillimin e vendit si: Xhelil Gjoni, Zenel Sula, Shemsi e Lutfi Manjani, Nuri e Femi Abdiu, Avni Fida, Abdi Baleta, Hajri Shehu, Xhezair e Hamza Abazi, Bashkim e Veli Rama, Abaz Disha, Tefta Cami, Zymbile Zeneli, Xhafer Martini, Naim Plaku, Besim e Suria Stafa e të tjerë e të tjerë.
Shkolla pedagogjike ”8 Nentori” Peshkopi u hap në shtator të 1948 dhe u mbyll në korrik të 1967, për t’u rihapur më vonë në vitet ’70 të shek. të kaluar e më pas prapë u mbyll dhe prapë u rihap. Unë dhe moshatarët e mi dibranë, matjanë apo kuksianë i përkasim brezit të fundit të kësaj shkolle. E filluam vitin e parë të shkollës së mesme në shtator të 1963 dhe e përfunduam në korrik të 1967, ku u diplomuam për mësues të CU. Hyrja si nxënës në shkollën pedagogjike ishte për mua një gëzim i madh. Atëherë s’isha veçse 14 vjeç. Sapo kisha mbaruar shkollën 7-vjeçare ”Demir Gashi”. Fillova shkollën pedagogjike me gëzim e entuziazëm. Ajo do të na zgjeronte horizontin kulturor e shkencor e do na përgatiste për mësues. Shkolla ishte e bukur dhe e mirë me të gjithë hapësirat e nevojshme e mbi të gjitha me një staf pedagogjik të përgatitur. Në vitin e parë të pedagogjikes kishim drejtor të famshmin Zenel Sula. Ai në vitin e pare na jepte letërsi. Kishte mbaruar arsimin e lartë në Moskë. Kur na fliste për Tolstoin e madh e shkrimtarë të tjerë të mëdhenj, ne mbeteshim gojëhapur e vetëm dëgjonim të mahnitur. Vitin e dytë patëm drejtor shkolle z.Sami Ferizi nga Kukësi. Ne vitin e trete patëm drejtor shkolle z. Shemsi Manjani, i cili na jepte lëndën e rusishtes. Një vit më pas prof. Shema u bë shef i Arsimit në rreth dhe drejtor shkolle na erdhi pedagogu e oratori Mislim Koka. Sjell në kujtesë të gjithë mësuesit e shkollës pedagogjike, secili më i mirë se tjetri, të përgatitur, eruditë e me takt të admirueshëm pedagogjik. Kë të kujtoj: Profesor Saimir Hoxhën nga Gjirokastra, që rrinte gjithmonë i veshur ekstra e kravatë e në orën e mësimit me bluzë të bardhë, se na jepte kimi, Kadri Zhulalin – i qetë e i përpiktë, që na jepte matematikë e gjeometri, Mufit Trepçen, Osman Turren e Lutfi Hankun që na jepnin gjuhë e letërsi apo zonjush Nevrezin, që na jepte lëndën e gjeografisë. Nevrezi ishte mësuese e re. E ardhur nga Elbasani, e martuar në Dibër, por dukej si një dibrane e vërtete. Ishte gjithë energji e dinamizëm. Lëndën e re na e shpjegonte me pasion. Në orët e lira ose në pushim të gjatë znj.Nevrezi ulej e bisedonte lirshëm me nxënësit e klasës në kujdestari. I konsideronte ata si motra e vëllezër më të vegjël.
Kujtoj Durmish Shehun, mësuesin babaxhan të biologjisë, Lavdrim Kabën, mësuesin strikt e korrekt të historisë, Bajram Matën, mësuesin piktor të vizatimit, Esat Sadikun, mësuesin e edukimit fizik apo mjeshtrin Munir Shehu, që na jepte muzikën. Atëherë kishte rregull e disiplinë në shkollat tona. S’kishte celularë e kompjutera si sot. Vëmendja e nxënësve përqendrohej vetëm mbi mësimet e ditës. Burimi kryesor i diturisë ishin librat. Përveç mësimit bëheshin dhe aktivitete kulturore-artistike si dhe sportive të programuara nga drejtoria e shkollës për çdo muaj, mbrëmje tematike-dëfrimi si për festat e 28 e 29 Nëntorit, për Vitin e Ri etj. Kujtoj xha Veselin që i binte ziles sa herë që fillonte apo mbaronte ora e mësimit. Aspekt të veçantë të jetës në shkollë ishte dhe praktika pedagogjike që ne nxënësit e shkollës e bënim në shkollën ushtrimore ngjitur. Kjo praktikë pedagogjike fillonte në vitin e tretë e të katërt të pedagogjikes. Në shkollën ushtrimore punonin mësues të zgjedhur e të kualifikuar, me përvojë të mirë pedagogjike si Jolanda Rada, Hava Shehu, Sanie Zeneli e Remzi Prapaniku.
Një dite vjeshte të vitit 1966 tre klasat paralele të maturës i dërguan në spitalin e qytetit për të dhuruar gjak sipas grupit. Nuk ishin pak, por 120 maturantë. Nga 120 maturantë që dhuruan gjak, vetëm mua e Idajete Qoses (Daci) na ra të fiket, sa na morën 50 gram gjak. Nuk na ra të fikët se ishim të dobët fizikisht, por se ishim të ndjeshëm. U ndërpre dhurimi i gjakut dhe kuzhinier Ejupi nxitoi të na jepte diçka për të ngrënë, por në atë gjendje që u bëmë ne, të zverdhur si limoni, s’mund të hanim asgjë. Na shtrinë në krevat, na vunë serum, pushuam dhe pastaj shkuam në shtëpi.
Në shkurt-mars të 1967 kur ne ishim maturantë, tri klasat paralele të maturës, na çuan në Lushnje, në aksion për ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë – Fier. Ne ishim në turnin e parë të aksionit. Përveç nesh kishte dhe nxënës e të rinj nga rrethe të tjera të vendit. Ne aksionistët e Dibrës na përqendruan në sektorin e Gradishtës-Lushnje. Të gjithë ne maturantët kishim hyrë në moshën e 18 vjetëve. Ishim gjithë energji e forcë. Vajtja në aksionin e rinisë ishte udhëtimi ynë i parë jashtë rrethit. Kur udhëtonim rrugës me autobus që nga Peshkopia në Lushnje, shikonim me kërshëri luginat, malet, lumenjtë, fshatrat e qytetet që na dilnin përpara si Burrelin, Laçin, Durrësin, Kavajën, Rrogozhinën, etj. Pamë fushën e pamatë të Myzeqesë. Pasi u sistemuam në kapanonet e ngritura apostafat nga qeveria për të rinjtë aksionistë, me 3 shkurt 1967 u bë inaugurimi i fillimit të punimeve të hekurudhës së rë.
Edhe aksioni na mësoi shumë gjëra. Na mësoi si ta duam punën, si të punojmë me energji e disiplinë për të realizuar detyrën. Na mësoi e na kaliti me vështirësitë e punës dhe me thellimin e erës së detit në mëngjes që të priste në fytyrë si me brisk. Edhe në aksion punonim me turne. Mbaj mend që atëherë se edhe unë me shokë kam punuar 6-7 net në turnin e natës. Hapeshin themelet e këmbëve të një ure të rëndësishme. Unë me shokë nxirrnim ujë me kova nga këmba e urës dhe e hidhnim jashtë, pasi aty do të shtriheshin hekurat e do të hidhej beton. Atëherë s’kishte mjete mekanike si sot, pompa, betonuese etj., dhe shumë procese pune bëheshin me krahë. Nga fundi i shkurtit 1967, duke punuar në trase e shtypur dheun me tokmak apo mbartur dhé me karrocë, mua dhe një shokun tim të klasës, i quajtur Gjon Zefi, na kapi gripi nga thellimi i erës së detit. Të nesërmen nuk shkuam në punë se ishim të sëmurë dhe e bëmë pushim pranë kapanonit. Për fat atë ditë shkurti kalon në sektor një fotograf lushnjar. Unë dhe Gjoni dolëm në fotografi për kujtim të ditëve në aksion. E ruaj këtë fotografi me Gjonin që 50 vjet, si kujtim të atyre viteve të bukura të rinisë, por Gjonin e ri e simpatik, të cilin po ta shoh tani, nuk mund ta njoh, se s’jam takuar që 50 vjet e nuk e di fatin e tij se ku banon e jeton.
Ruaj kujtime të pashlyeshme nga aksioni në hekurudhën Rrogozhinë-Fier.
Theksoj se kam qenë nxënës i jashtëm, se po të isha konviktor, do të ruaja më tepër kujtime e mbresa. Atëherë ishim të rinj dhe nuk mbanim dhe ditar.
Lavdi shkollës pedagogjike Peshkopi!
Me 8.07.2018