2018, një vit me prodhim, por pa treg


Iku edhe një vit. Në fund të tij, secili bën një analizë të thjeshtë: çfarë bëri, çfarë dha, çfarë mori, çfarë fitoi e çfarë humbi. E thënë në aspektin ekonomik, finalja e gjithë këtij bilanci është, se sa para ka në dorë njeriu për t’u përballur me vitin që vjen.
Fermerit dibran nuk i duhet shumë kohë për të bërë një analizë të tillë, sidomos atyre që merren me frutikulturë.Pranverën e vitit të kaluar ata pësuan një goditje fatale. Në dy tre net, mes datave 20 dhe 23 prill u shua gjithçka e bukur që ata mendonin se po arrinin. Ata miliona lule të kthyera në kokrra dhe që zmadhoheshin çdo ditë e më tepër, u shkrinë papritur, duke e lënë në ankth fermerin e ngratë. Hektarë të tërë me molla, qershi, kumbull e plot fruta të tjerë u kthyen në gjendje të mjeruar. Në shkrimin e bërë atëkohë vlerësuam një dëm prej të paktën dhjetë milionë dollarë. Shpresuam që qeveria do të vinte dorën në zemër. Menduam që do të hidhte pak para, aq sa për të kompensuar shërbimet e bëra deri atëherë, apo dhe të tjera që duheshin bërë në vazhdim. Të bënte jo më shumë se sa Kosova dhe Maqedonia, që janë shtete më të vogla, por ndihmojnë fermerin e tyre shumë më tepër. Asnjë sinjal nuk erdhi që andej dhe faturat e borxheve të fermerëve në shumë raste mbetën të pashlyera tek tregëtarët e pesticideve apo për kategori imputesh të tjera.
Ky vit nisi i mbarë. Sërish pemët e bekuara u ngarkuan me lule e fruta. Sytë e fermerëve qëndronin gjithë ankth e frikë nga qielli, se mos katastrofa përsëritej si një vit më parë. Po përsëri në verë, një ciklon breshëri që nuk ishte parë kurrë më parë, si në madhësi, ashtu dhe në kohëzgjatje goditi pemët dhe fermerët e pambrojtur. Në disa zona të Maqëllarës dëmet ishin të pariparueshme.
Fruti i parë për treg, si zakonisht ishte qershia. Mbi 400 hektarë me këtë frut të mrekullueshëm ishin gati për tu vjelur dhe prodhimi ishte fantastik. Por këtë rradhë ishte tregu ai që godiste me gjithë fuqinë e tij. Asnjë marrëveshje, asnjë kontratë, asnjë derë e hapur, asnjë alternativë për të bërë përpunimin industrial të këtij fruti, për ta kthyer në reçel, komposte, lëngje, apo të tjera si këto. Shpesh frutat mbetën të pavjelura në pemë, pasi 30 lekë, sa ishte vlera e tregut, i duhej fermerit vetëm për ta vjelur dhe për ta transportuar deri në pikën e shitjes. Dy kompani të interesuara, një kosovare dhe një me qendër në Tiranë, u sollën dhe u mbështollën për të tërhequr prodhimin, por pa ndonjë rezultat konkret.
E njëjta situatë u përsërit me mollën. Ai prodhim masiv akoma qëndron në kavaleta, nëpër dhoma dhe shtëpi të pabanuara dhe në rastin më të mirë në dhoma frigoriferike. Pak, vetëm pak është shitur. Shpesh ke shitës frutash që kanë vënë etiketat e çmimit mbi mollë, ku thuhet se tre, katër, apo pesë kilogramë kushtojnë 100 lekë. Faji mbetet gjithnjë pezull, i vetë fermerit, i tregut, i shtetit, i pafuqisë blerëse, i asaj konsumuese, i çorganizimit tonë, apo i kujt tjetër mund të jetë.
Ishte fat për fermerët që kishin blloqe me dardhë këtë vit. Kërkesa ishte e lartë,çmimi mjaft i pëlqyeshëm dhe në fund ata mbetën shumë të kënaqur. Por, ishin pak të tillë. Këtu do të theksonim dhe njëherë anomalinë dhe anarkinë e tregut dibran dhe atij shqiptar në përgjithsi.
Nëse do të jetë një vit i mbarë për pataten, po ta marrim si shembull, vitin tjetër ajo qëndron stok dhe e pashitur. Në vitin pasardhës ulet ndjeshëm kultivimi i kësaj kulture. Kështu ngjet me qepën, fasulen dhe të tjera perime. Por dhe për pemët frutore ka një kaos të vërtetë. Skemat kombëtare të qeverisë shtuan hektarët e mbjellë, kryesisht me mollë e qershi. Mjaft fermerë, të zhgënjyer nga rezultatet dhe të ardhurat, janë gati t’i presin e t’i shkulin ata pemë, që i rritën plot kujdes e dashuri. Disa e kanë bërë këtë veprim e ca të tjerë janë gati. Po dhe nëse e bëjnë këtë veprim radikal me se do ti zëvendësojnë hapësirat e boshatisura? Asgjë nuk është e sigurtë. Pastaj, a ka kohë dhe para të mjaftueshme njeriu i shkretë të bëjë eksperimente të tilla, kur një pemë do disa vite për të hyrë në prodhim?
Ne folëm për frutikulturën, por kaosi mbretëron dhe tek fermerët që mbarështojnë blektorinë, qoftë në të imta, apo dhe për të trashat. Vitin e kaluar nuk ju dhanë subvencionet e premtuara dhe ata organizuan një grevë para drejtorisë së bujqësisë. Këtë vit skema u ndryshua disa herë. U premtua aplikim me zero dokumenta, por dardha e kishte bishtin prapa. Diku penalizonte pronësia mbi tokën, diku siguracioni që kushtonte mbi gjysmën e asaj që përfitohej dhe të gjithë faktorët sëbashku bëjnë që të bjerë çdo vit interesi për subvencionet e qeverisë shqiptare në bujqësi.
Duhet përmendur puna e mirë e fondacionit “Sared”, kooperim i qeverive gjermane, daneze e shqiptare, me koordinatorin Dali Horeshka për qarkun e Dibrës. Falë menaxhimit mjaft të mirë të këtij projekti, mjaft fermerë përfituan zetorë të fuqishëm të markave të mira, projekte frutikulture, apo për përshtatje bujtinash për të pritur vizitorë vendas dhe të huaj.
Fermeri dibran është në panik dhe pasiguri të plotë. Dhe kur arrin të prodhojë mallin me përpjekje titanike, ai nuk di ku ta tregtojë. Nuk di ku të shesë frutat, patatet, qepën, fasulet, qumëshin, por dhe për mishin është në siklet. Ose duhet ta presë viçin në rrugë si dikur, ose duhet ta çojë në Lezhë, ku nuk ja vlen barra qiranë.
Bagëtia po pakësohet, fshatrat po shpopullohen, shpresa po vritet. Nëse për njerëzit e për kafshët ka akoma mjekë, po për bujqësinë vallë, a gjendet dikush që ti bëjë derman, ta shërojë e ta nxjerrë nga kolapsi?

Foto fakt:
Një viç i therur në një fshat të Dibrës. Banorët e vazhdojnë traditën e therjes së bagëtive në prag të festave, duke siguruar kështu një shitje të menjëhershme të mishit. Prej më shumë se një viti, është e ndaluar therja e bagëtive në kushtet private apo në baxhot e qytetit, pasi ato nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare. Tani , ose duhen dërguar bagëtitë në një thertore të licensuar në Lezhë, ose bagëtitë theren në mënyrë klandestine. Dhe blektorët dibranë kanë zgjedhur të dytën.
(Foto: Ketumblidhendibranet/Facebook)