Ilmi Murati, themeluesi i kompanisë “Riu-Mermer”, që po konkurron denjësisht në tregun europian


Sa herë që nis e shkruaj për vendlindjen time, qoftë edhe pak radhë, më kaplon një ndjenjë e ligjëshme malli e nisin e trazohen kujtimet mia të cilat rrjedhin si valët e Drinit plak. E ky prag viti më përplasi pikërisht në Shumbat, tek ata njerëz të mirë, fisnik e bujar, puntor e të besës. Gjithmonë kam patur pranë vetes miq e dashamirë të mirë, kam kërkuar që të bëj zgjedhjen më të mirë dhe deri tani nuk kam qenë i gabuar . Këtë radhë dua të veçoj një nga djemtë më të mirë të Shumbatit tim, Ilmi Muratin.
I dalë nga një familje e njohur atdhetare, puntore e mjaft bujare, u rrit dhe brumos me vyrtytet më të mira njerëzore. Ilmiu, si merakli i madh e mjaft i përmalluar për vendlindjen dhe shokët e moshës së tij, mbetet një shans që nuk përsëritet dy herë. Shpluhurimi i kujtesë time sot nuk vijnë si fakte për tu kapardisur por si një realitet i ndjeshëm, dëshmim e zgjim burimesh fuqi dhënëse. Eh ç’mi ndeze edhe njëherë urët e mallit o djalë i Shumbatit?
Sa kafe e duhan, sa ujë e bukë, sa muhabet Dibre është bërë në atë konakun e Fiqiri Muratit në Shumbat, në atë kullë të madhe e me gurë të gdhendur? Dera e avllisë rrinte e çelë e dritat nuk fikeshin, se konaku priste e përcillte mysafirë, të njohur e pa njohur. Ishte dhe mbeti shtëpi bujare Fiqiri Murati.
E sot udhëtimi i kujtimeve të mia për shokun, mikun dhe bashkëfshatarin Ilmi Murati sikur të merr rrjedha e kujtimeve para e të shpie atje ku ka lindur, në atë vatër që mban të ndezur ende zjarrin e mirësisë, bujarisë e atdhedashurisë, në Shumbatin e bukur që me të drejtë e quajnë si kurora ma e bukur e të gjithë Ujë e m’Ujës.
Ilmiu u lind në Shumbat më 29 tetor 1976 në një familje me taban patriotik e atdhetar ku puna dhe bujaria ishin karakteristika të veçanta të kësaj familje të njohur jo vetëm në Shumbat por edhe jashtë sinorit të fshatit. Shkollën fillore e tetëvjeçare i mbaroi në Shumbat. Shkollën e mesme e përfundon në Sllovë.
Dalja në jetë dhe shkollimi periferik, shpalosi tek Ilmiu botëkuptimin e ri për të hedhur themelet e vetë jetës. Në mendimet e tij filloi të rrjedhë e zërë vend gjykimi gjithmonë e më racional. Sa herë që e çonte mendimin në vitet që linte pas, befas diçka e ngacmonte. Ishte vetë jeta, duhej projektuar e ardhmja. Rrinte e mendonte mbrëmjeve të gjata, pastaj gjumi bënte të veten. E kjo po kthehej gati në ritual të vazhdueshëm. Ajo që e mundonte më së shumti ishte kalimi nëpër mend se çfarë kishte bërë.Analizonte e ballafaqonte veprimtarinë e ditës, të pëlqyeshmet me të diskutueshmet, çfarë kishte bërë dhe çfarë kishte mbetur ende pa bërë. Çfarë duhej korigjuar e çfarë duhej bërë më mirë.
Mendimet rridhnin si uji i rrëmbyeshëm i Drinit me gurgullimën magjike të vetë ëndrave të tij. Ky leitmotiv që kërkonte nga vetja, në një kohë që ende ishte një djalosh i ri por merrte vazhdimisht përsipër obligime dhe përgjegjësitë rriteshin vazhdimisht, përbënte thelbin e meditimeve të tij. Dhe e kishte një ide të ngulitur në mendje, se kur njeriu vret mendjen nuk vret veten. Si hije e ndiqte nga pas gjithmonë novatorizmi shpirtëror. Objektivi i tij ishte: i mirë dhe i zoti për vete e familjen, i zoti dhe i vlerësuar e nderuar nga të tjerët.
Ilmi Murati përfitoi shumë, përfitoi shumë nga tradita dhe vyrtytet e prindërve, e babait të tij, Fiqiriut , ndaj duke e parë se ambiciet e dëshirat e tij ishin të mëdha, Shumbati i dukej i vogël për hapësira dhe ide që bluante që herët në kokë, ndaj nga fshati u largua herët, u largua në fillimet e para të viteve nëntëdhjetë dhe iu ngjit pas karvanit të madh njerëzor që kaluan kufirin pasi telat me gjemba ishin këputur për një jetë më të mirë, për të krijuar sado pak të ardhura për familjet, për të zbutur varfërinë e tejskajshme të atyre viteve që ishte ulur këmbëkryq në familjet shqiptare.

Kthimi nga emigrimi me ide
për investime
Ashtu si për shumicën e shqiptarëve stacioni i parë ishte Greqia, por Ilmiu nuk u largua që këtu. Vajti në Greqi në vitin 1991 dhe u largua që andej në vitin 2005. Punoi shumë, përfitoi shumë edhe nga ana profesionale. Greqia për Ilmiun u bë një shkollë e dytë. Duke punuar çdo ditë në një fabrikë mermeri përfitoi edhe profesionin e përpunimin e mermerit. Dhe kur iu mbush mendja se tani mund të kishte mundësi për të punuar dhe investuar në vendin e tij u kthye në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe së bashku me vëllezërit e kishte blerë tokën në Tiranë por ende nuk ishte larguar nga fshati. Babai i tij, Fiqiriu si një bujk i mirë që ishte e kishte shumë të vështirë të largohej nga fshati, ta braktiste tokën, ta linte shtëpinë e tij të bukur dy katëshe në fshat e të banonte në Tiranë. Ilmiu lëvizi drejt Tiranës vetëm në vitin vitin 2001 kur ndërroi jetë edhe babai i tij Fiqiriu.
Së bashku me ndërtimin e shtëpisë mendoi edhe për ngritjen e një linje, si fillim të vogël për përpunimin e mermerit në vend. Në ato vite ishin hapur mjaft linja të tilla por Ilmiu u fut shpejt në treg, u bë i njohur dhe filloi të konkuronte me shumë firma e kompani mermeri.
Nga ajo linjë e thjeshtë, me makineri tepër modeste sot “Riu-mermer” me administrator Ilmi Muratin është bërë një nga firmat më të njohur brenda e jashtë vendit. Vetë Dhoma e Tregtisë Amerikane duke vlerësuar punën, cilësinë dhe seriozitetin i ka dhënë çertefikatë mirënjoje si dhe vizë afat gjatë për të vizituar kompani prestigjioze mermeri dhe për të qenë i pranishëm në seminare e panaire të ndryshme që zhvillohen në botë.
Ilmiu është shumë njerëzor, natyra dhe formimi i ka dhuruar thjeshtësinë e njeriut model. Dëgjon e respekton më shumë se sa sugjeron. Më shumë kërkon të blejë se sa të rrëfejë vetë. Mbase kjo ia ka plotësuar atë boshllëk që i la mangut mungesa e shkollës. Ai është i lindur nga natyra të jetë i prekshëm dhe i ndjeshëm ndaj pa drejtësive dhe fenomeneve sociale e shoqërore. I dhemb në shpirt kur shikon se sa shumë vuajnë të tjerët, përpiqet me të gjitha mënyrat t’ju vijë në ndihmë, sakrifkon nga ekonomia e tij për të tjerët dhe kërkon nga të gjithë që problemet sociale tepër të theksuar të zbuten sa do pak në vendin tonë.
Dhe ajo që e bën Ilmiun të jetë ndryshe, krejt ndryshe me të tjerët është pa dyshim lidhja e tij e ngushtë me nënën. Në fakt të gjithë janë të lidhur me nënën, të gjithë e pyesin dhe marrin këshilla prej saj, të gjithë e duan dhe e respektojnë shumë. Ilmiu ndryshon, ndryshon nga të gjithë se pas vdekjes së babait nëna e tij është gjithçka. Dhe siç shprehet edhe vetë: “Që në momentin e parë që unë u gjenda në këtë botë, që në frymëmarrjen time të parë, që në përpëlitjet e para të syve të mi, unë u gjenda në krahët e njeriut që e kam dashur dhe e dua më shumë se askënd tjetër. Çdo herë që qeshja, komikja ishte përsëri ajo. Sa herë që rrëzohesha, nëna vraponte e frikësuar për të më ngritur, sa herë që sëmuresha, nëna ime ishte e gatshme të sakrifikohej për mua. E pse të mos e dua unë një njeri të tillë, njeriun më të rëndësishmë për mua. Kur unë gjithë jetën e kam parë me sy admirimi, kur unë gjithë jetën jam përpjekur ti ngjaj sado pak, jam përpjekur të ec me hapat e saj. Nëna ime është njeri i thjeshtë por me karakter të fortë, herë herë autoritare dhe shpesh herë zemër butë, ashtu siç janë në të vërtetë të gjitha nënat. Ajo në pamje të parë të le përshtypjen e një njeriu me karakter të ashpër, por në të vërtetë është krejt e kundërta. Kjo ndoshta është edhe arsya e rrudhave që i janë krijuar në pjesën e syve dhe faqeve por thinjat tashmë sikur e zbukurojnë edhe më shumë, thinjat e shumta që i kanë dalë nga vitet që mbart por edhe nga hallet e problemet e shumta që i kanë dalë gjatë jetës së saj. Për mua nuk ka fare rëndësi se sa kohë do të kalojmë,sa rrudha ka nëna, sa thinja i kanë dalë dhe do të vazhdojnë ti dalin. Rëndësi për mua ka që më ka lindur, rritur dhe edukuar një nënë e përkryer ndaj po flas me fjalët më të mira”.
Ekonomia e tregut të krijon mundësitë, të hap oreksin për të ndërmarrë biznese të tjera. Dhe Ilmiu nuk mjaftoi vetëm me “Riu Mermer” që në saj të punës së madhe të administratorit Ilmi Murati është bërë një ndër firmat më prestigjioze në vend. Tregu kryesor që furnizohet është perëndimi dhe më së shumti Italia, ndaj cilësia dhe korrektesa ndaj klientëve ka bërë “Riu Mermer” të konkurojë me mjaft kompani të mëdha në vend. Dhe ambiciet e Ilmiut janë të mëdha pasi ai shikon larg. Para dy vitesh ndërton një ndërtesë të madhe katër katëshe, me një fasadë të bukur xhami për fabrikën e re të mermerit, për të futur edhe gatrin e madh me të gjithë aksesorët e nevojshëm, por duke qenë arsim dashës si fillim e dha ndërtesën me qera për një shkollë, e cila vazhdon edhe sot të funksionojë si shkollë, por Ilmiu kurrë nuk tërhiqet nga ideja për të ndërtuar dhe montuar fabrikën e re të mermerit.

Investimet në vendlindje: vështrim nga e ardhmja
Edhe pse kanë kaluar mbi 15 vite që atëherë kur u nda nga jeta babai i tij Fiqiriu, amanetin e tij që ua la para se të vdiste për të mos e braktisur kurrë tokën, vendlindjen e tyre të dashur, Ilmiu u kthye në Shumbat, u kthye por me projekte afat mesme dhe afat gjata.
Është një sipërfaqe më shumë se një hektar e e gjysmë që Ilmiu e ka mbjellë pemtore, duke iu kthyer edhe njëherë traditës së shumbatasve. Ka mbjellë pemë nga më të ndryshme si: kumbull të varieteteve të ndryshme, dardhë, mollë e lajthi. E gjithë kjo sipërfaqe e madhe e mbjellë është e rrethuar bukur, është bllok i madhe dhe i pa ndarë dhe të krijon përshtypjen e një miniferme nga larg. Të gjitha janë në prodhim por askush nuk pengohet të marrë kumbull, mollë, dardhë e lajthi për të ngrënë, qoftë nga fshati, qoftë edhe rrugëtar. Jo, kjo ka qenë ideja e Ilmiut që kur i mbolli dhe të gjithë fidanat që janë mbjellur anës rrugës, asnjëherë nuk i vjel Ilmiu për tregti por i ka lënë gjithmonë për konsum të udhëtarëve të ndryshëm.
Jo vetëm kaq por në projektet afat mesëm dhe afat gjatë të Ilmiut është edhe agro turizmi në Shumbat. Kërkon edhe nga djem të tjerë të Shumbatit që ta kthejnë fshatin në një nga mrekullitë e gjithë Dibrës, sidomos tani që po zgjatet dita ditës traseja e rrugës së Arbërit. Dëshira e tij është që pse jo në mes të parcelës, aty ku pemtorja e tij tashmë është rritur dhe zbukuruar të ngrejë e dhe shtëpiza të vogla prej druri, të vijnë edhe turistë të huaj e vendas, të shikojnë nga afër resurset e rralla të Shumbatit ku jo vetëm klima por edhe frutat, perimet, bulmeti të gjitha janë bio.
Gjithë qenja e tij njerëzore lëshon vetëm mirësi e asnjëherë ligësi. Shihemi kur takohemi drejt në sy, në fytyrë mirësi rrezaton, vetëm çiltërsi ka në shpirt. i tillë është brumosur qysh fëmijë dhe kështu është ende sot që është bërë vetë prind. Kur rri dhe bisedon nga afër me Ilmi Muratin , ai flet qetë, me zë të ulët, me fjalë të kursyera, por me vend. Fjala e tij peshon por ja që nuk e thotë shpesh, e kursen. Është e gjitha kjo në natyrën e tij që shumë kush e kërkon këtë vyrtyt të bukur njerëzor por nuk e kanë, sidomos në kafen e mëngjesit kur e rrufit qetë qetë e biseda rrjedh vetë dashje pa dashje edhe tek politika që në fakt është bërë më se e zakonshme kohët e fundit. Ilmiu të dëgjon me vëmëndje, nuk të ndërpret kurrë e kur shikon se biseda merr rrjedhë krejt ndryshe ul kokën mendueshëm e hesht. Hesht aq shumë sa edhe ti që e ke përballë e kupton fare qartë se tashmë e ke shkelur disi në bisedë. Ai e ka qëmtuar fjalën si mendim, në jetë, e ka përkëdhelur atë dhe e ka vendosur në funksion të shprehjes së mendimit, të botës emocionale e shpirtërore që ka.
Sa më shumë inteligjent e largpamës të jesh, aq më shumë duhet të mësosh dhe lexosh. E për Ilmiun të arsimohesh do të thotë të jesh i aftë për të kuptuar jetën, për të qenë i gatshëm në përballjen me sfidat që ajo të afron, në rrugët nga do të ecësh që shpesh nuk kanë vetëm lule por kanë edhe gjemba.
Në këtë kuptim hapi i parë për të arritur gjërat që dëshiron në jetë është që njeriu duhet të vendos vetë se çfarë do e kërkon. Vlera që merr diçka që ke fituar, nuk ka të bëjë vetëm me atë që ju afron, por dhe me çfarë është sakrifikuar për të arritur atë. E Ilmiu duke e ndjerë veten të pa arsimuar mirë por që kishte një përvojë të gjatë nga vetë shkolla e jetës dhe e do shumë arsimin punoi e mendoi mjaft në arsimimin e fëmijëve. Vajza e tij Suela vazhdon studimet e larta në degën e stomatologjisë . Djali Azemi vazhdon në degën e bukur të informatikës, kurse i vogli që mban emrin e gjyshit, Fiqiriu është në shkollën nëntë vjeçare.
E Ilmiu e ka të qartë se sot është gati e pa mundur që të kryesh mirë ashtu si duhet, që të jesh plotësisht i sukseshëm, të kapësh më të mirën pa qenë i mençur, i ndershëm dhe i drejtë. Suksesin në biznes, në jetë dhe kudo Ilmiu e ndan së bashku me bashkëshorten e tij, Ismeten se ashtu siç shprehet dhe vetë: “pa ndihmën e përkushtimin maksimal të saj, ndoshta nuk do të kisha arritur deri këtu”.
Ilmi Murati, ky djalë Shumbati që sot na vërviti larg e larg me kujtime të bukura ishte “pronar” i denjë i vyrtyteve më të bukura njerëzore, i atyre vyrtyteve që i thamë dhe më lart, i merituar plotësiht për të bërë vetëm punë të mira. I lumtur është ai njeri që gjatë gjithë jetës së tij bën më të mirën e mundëshme dhe mbetet gjithmonë i nderuar dhe respektuar ata që njohin.