Ç’kemi asaj Dibre


Janar 2019 – Shkruajnë shpesh miqtë dhe lexuesit se na mungon rubrika “Ç’kemi asaj Dibre”. Edhe mua më ka munguar, por nuk është shumë për t’u shqetësuar. Se nuk është as bukë, as ujë…
Gjatë kohës që kam munguar, nuk ka pasur asgjë të re. Si zakonisht, shëtitje në bulevard dhe thashetheme për fushatën e ardhshme…
Kanë dalë kandidatë për kryetarë, të propozuar dhe vetëpropozuar, por kryetarët e vërtetë pritet të dalin një muaj para zgjedhjeve: gjysmë analfabetë, gjysmë biznesmenë, gjysmë partiakë, shërbëtorë e puthadorë të shefit, si deri më tani… Sepse Partia e do kandidatin … sa më injorant.
Bora e zbardhi këtë janar. Në kohën tonë, kur binte, thoshim “me bereqet”. Tani e përdorim bardhësinë e borës për t’u sharë e për t’u mburrur: shaj qeverinë se nuk hedh kripë e mburr buldozerët se si hapin rrugët… Ndërsa mburrjen më të madhe e kanë pasur të rinjtë, u mbushën plot lajke në Facebook që hapën rrugën për të komshiu… për të luajtur domino…
Bora e pati edhe një të mirë, na solli ujqërit te dera. U bëmë aq e nuk kishim parë ujk me sy… Se për pak desh kujtuam se ujqër janë ata që dalin te Fevziu…
Ç’është e vërteta edhe u bllokuan ca rrugë, por me statistika kemi qenë mirë: rrugët e bllokuara nuk e kaluan 30 për qindshin…
Meqë jemi te statistikat, ne dibranëve na turpnoi këtë muaj INSTAT-i. “Dibra ka burra… të virgjër”. Në një anketim ca muaj më parë na nxori të varfër, kësaj radhe të virgjër… Herës tjetër e ka lënë të na nxjerrë… kopila…
Peshkopia vazhdon të jetë pa ujë. Pa ujë në verë, pa ujë në dimër. Verës ia pi toka, dimrit ia ngrin bora. Ama e ka një të mirë: do bëjmë një projekt të ri për ujin në Peshkopi e do t’i fitojmë 2 a 5 milionë euro e dollarë.
Por ç’e duam ujin në çezma, kur kemi ujin e llixhave… Burojnë ca litra akoma, sa për të na kujtuar se kanë mbetur edhe ca vende ku mund të vjedhim akoma… me ligj.
Uji na mungon, por debati hiç. Debat për të ftohtin, debat për të ngrohtin, debat për Zërin e Amerikës. Ky i fundit zbuloi se janë vjedhur zgjedhjet në Dibër tre vite më parë… Flakë merr debati mes pozitës dhe opozitës, për një gjë që në Dibër e dinë të gjithë, të rinj e pleq: Që nga ‘96 zgjedhjet veç janë vjedhur. Zgjedhje kanë bërë veç kryetarët e partive…
Andej nga Dibra e Madhe kemi pas probleme. Janë zënë gjithë muajin për… karriken e kryetarit. Njëri akuzon për korrupsion, tjetri për shpërdorim… Ama, detyrën ia lëmë njëri-tjetrit në kafe, si burrat…
Lajme për Rrugën? Nuk kemi këtë muaj. Zëdhënësin e kemi pas të zënë me një grevë studentësh…

Ra bora e u bëmë bashkë… për të pastruar rrugët e fshatit… / Foto e marrë nga Facebook/Golloborda-Albania