Zyberi u flet të vdekurve


Të parët e një katundi u grindën se cili do të bëhej kryeplak. Njëri kërceu e tha:
Më mirë të bëjmë kryeplak Zyberin, se kështu nuk i ngelet hatri asnjërit.
Zyberi ishte më i humburi i katundit. E thirrën dhe i thanë:
Zyber, prej sot je kryeplak.
Unë nuk mund të drejtoj shtëpinë time, jo më katundin me treqind shtëpi.
Po paria e katundit nxori vulën e ia dha, duke mos pranuar asnjë kundërshtim nga Zyberi. Ky nuk pati ç’të bënte, por një kusht ua vuri: të kishte të drejtën që çdo njeriu që vdiste, para se ta futnin në dhé, t’i çuçuriste në vesh nja një minutë.
Të vdekurve folu sa të duash, – i thanë ata dhe kjo punë mori fund.
Vazhdoi Zyberi të ishte kryeplak dhe t’u fliste te veshi atyre që shkonin në atë dynja. Kjo gjë u bënte përshtypje njerëzve, por Zyberi nuk u tregonte çfarë u thoshte. Paria e thirri prapë dhe ca me lutje, ca me dredhi, ia nxori Zyberit sekretin. Zyberi u tha:
– Ata që kanë shkue me kohë në botën tjetër, duan të dinë për këtë botën tonë. I porosis ata që vdesin t’u thonë se Zyberi është bërë kryeplak, të tjerat i marrin vesh vetë…
(Marrë nga libri “Tregime alegorike” i Xhafer Martinit, Botimet M&B, Tiranë, 2019)