Sali Jakup Hoxha – njeriu i kontributeve dhe sakrificave


 

Krahina e Matit, përveç veçorive dalluese fiziko-gjeografike, përbën dhe veçorinë dalluese të familjes së madhe patriarkale me shumë frymë. E tillë familje ka qenë dhe ajo e Jakup Hoxhës në fshatin Gërman në rrethin e Matit, me mbi 40 frymë. Në gjirin e kësaj famije bën pjesë edhe Saliu, i cili ishte djali i parafundit i Jakupit (Pas Hamitit, Mehmetit, Isufit, vetë Saliu dhe i fundmi, Xhemali) si dhe i tri motrave (Zela, Fatimja dhe Lutfija), gjithsej 8 fëmijë që përbënin këtë familje të madhe.
Saliu u lind më 3 maj 1929, në një familje me të shkuar e të tashme atdhetare e patriotike, një familje punëtore e bujare. Qysh fare i vogël, Saliu, shquhej për zgjuarsi e shkathtësi midis shokëve të tij. Edhe pse pak imcak, në lojrat popullore të kohës vazhdimisht dilte fitimtar. Vëllai i madh i tij, Hamiti, duke qenë se kishin mbetur jetim nga babai si fëmija më i madh, iu desh qysh fare i ri të kryente detyrën e kryefamiljarit të familjes së tij. Gjatë LANÇ, ai u lidh ngushtë me Lëvizjen dhe me LANÇ, duke qenë edhe kryetari i këshillit antifashist nacionalçlirimtar për fshatin, dhe shtëpinë e tij e pati kthyer në një bazë të rëndësishme të kësaj lufte, për të cilin kontribut ka fituar dhe statusin e veteranit të kësaj lufte. Edhe dajat e tij, Mehmet e Dërvish Molla, nga fshati Gërman, kanë qenë partizan të LANÇ. Edhe vëllezërit e tjerë, sipas mundësisë qenë të lidhur me LANÇ, por në veçanti, Saliu, qe ndër vëllezërit që u radhit në radhët partizane, efektiv i batalionit partizan “Mati”, i cili luftoi në të gjitha luftrat që ky formacion luftarak kreu kundër pushtuesit nazifashist gjerman.
Vetëm në krahinën e Matit ka qenë pjesmarrës në 13 beteja, ku së bashku me efektivin e batalionit ka dalë fitimtar mbi armikun. Më pas luftoi për çlirimin e Tiranës, Vorës, Krujës, Milotit, Lezhës dhe të Shkodres, në përbërje të Brigadës 23 sulmuese. Për veprimtarinë dhe kontributin e tij luftarak, në dobi të LANÇ, është dekoruar me medaljen e “Trimërisë” dhe atë të “Çlirimit” akorduar nga ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Pas çlirimit të vendit erdhi pranë familjes, ku për pak kohë u mor me punët e bujqësisë e të blegtorisë. Ka qenë pjesmarrës në aksionet kombëtare të rinisë për ndërtimin e veprave social-ekonomike të vendit. Më vonë u bë pjesë efektive dhe aktive në policinë e shtetit, ku ka punuar si punonjës policie në Ulëz e Shkopet në kohën kur ndërtoheshin dy hidrocentralet, respektivisht ai i Ulëz dhe i Shkopetit, si dhe në Rezervat e shtetit në rrethin e Matit. Më pas, me kërkesën e tij për arsye familjare lirohet nga policia dhe punon në ndërmatrrjen e grumbullim-përpunimit në Burrel, në detyrën e përgjegjësit.
Saliu ishte dhe një familjar e prind shembullor. Me krijimin e familjes së tij të re, me bashkëshorten Mihane, bijë e familjes së Ramkurtajve në Midhë, familje dhe kjo e dëgjuar për atdhetarizëm e patriotizëm, lindën, rritën dhe edukuan gjashtë fëmijë, djemtë Arifi, Jakupi, Kadriu, Skënderi, Agimi dhe vajza Nuria, të gjithë sot janë familjar dhe me kontribute të rëndësishme e respekt të veçantë në komunitetet e punës e të banimit të tyre.
Gjatë gjithë punës e veprimtarisë së tij, Sali Hoxha, ka qenë korrekt, i disiplinuar, i përkushtuar dhe i sjellshëm, kurajoz, si dhe një aktivist shoqëror me vlerë. Edhe pas daljes në pension, pavarësisht se humbi shikimin e tij, qe dhe mbeti një aktivist i dalluar dhe tepër human. Të gjendej në çdo kohë pranë, si në gëzime ashtu dhe në hidhërime. Si një njeri inteligjent me humor, të jepte kurajo dhe të relaksonte me ato shakatë e tij të kripura bukur. Gjatë aderimit në organizatën e veteranëve të LANÇ, deri në momentin që iu nda jetës, ka kontribuar në luftën për mbrojtjen e vlerave dhe idealeve të larta të LANÇ. Si veteran i abonuar rregullisht në gazetën “Kushtrim brezash”, e lexonte atë mendihmën e të tjerëve me dëshirë e pasion dhe e përdorte me efektivitet të lartë në punën propagandistike me antarësinë e organizatës dhe jo vetëm, sidomos me të rinjtë e fshatit. Por në moshën 80-vjeçare, dhjetë vite më parë, më 3 shkurt 2009, Sali Hoxha iu nda gjirit të familjes, miqve dhe shokëve të tij të dashur, duke lënë mbrapa një kontribut dhe emër të mirë, që në vazhdimësi kujtohet, por që edhe në të ardhmen nuk do të harrohet, sepse puna, veprimtaria dhe kontributi i tij kanë qenë me shumë rëndësi, që na bëjnë ta kemi këtë figurë të kompletuar, gjithnjë pranë në gjirin e shoqërisë tonë. Kur neve po ndërtojmë demokracinë e vërtetë, që edhe ai e deshi dhe dha kontribute me vlerë, na bie detyra që figura të tilla si Sali Hoxha, jo vetëm t’i vlerësojmë serozisht e me dashuri të veçantë, por dhe t’i promovojmë për t’i respektuar dhe për të mësuar prej tyre.