Ç’kemi asaj Dibre


 

Ministrja Balluku shkoi te kantieri i Rrugës së Arbrit, se e thërriste detyra, te punishtja e jufkave, se e kishte porosi nga ministri i Bujqësisë dhe te një punishte e punimeve me grep, ngaqë është… grua. Po të ishte burrë, do të kishte bërë edhe një vizitë në galeritë e Bulqizës, meqë atje po aksidentohen e vdesin minatorë…

Shkurt 2019 – Në fillim të muajit na nderoi me praninë e saj në Dibër ministrja Balluku. Ajo shkoi te kantieri i Rrugës së Arbrit, se e thërriste detyra, te punishtja e jufkave, se e kishte porosi nga ministri i Bujqësisë dhe te një punishte e punimeve me grep, ngaqë është… grua. Po të ishte burrë, do të kishte bërë edhe një vizitë në galeritë e Bulqizës, meqë atje po aksidentohen e vdesin minatorë…
Një masiv shkëmbi u shemb në minierë. Iku në botën tjetër një minator… Tre të tjerë u përcollën për mjekim të specializuar disa ditë më pas… Por “specialistët” që mbajnë përgjegjësi për aksidentet, nuk kapën kurrë. Fajin, si gjithmonë, e kanë viktimat…
Uji vazhdon të mungojë në Peshkopi. Dhe kur mësohesh pa ujë, nuk të ngacmojnë as protestat për ujin. “Punë bulqizakësh: ngrenë kokën për ujin, mbyllin sytë për kromin…”
Këtë muaj kemi mbjellë pemë. Njëqind në filan fshat e njëqind në filan katund. Pesëdhjetë në këtë mal e njëzet në atë rrugë… I numërojmë pemët që mbjellim, i numërojmë hektarët që djegim.
Dibra është e bukur. Na e tregoi Ecovolis në mes të shkurtit. Me foto, me video, me mbjellje pemësh… Por, ca mbjellin pemë, ca mbjellin qese… Dhe vjen një i huaj e na i mbledh në Lurë, duke na nxjerrë erzin fejsbukëve të botës… S’kemi as ndonjë tenor dibran që të na përmirësojë imazhin me koncerte rreth botës… Ndaj na rrofshin rrahjet e gjoksit dhe mburrjet në facebook “O sa mirë me qenë dibranë”…
Ca kanë marrë lopatat e kazmat të mbjellin pisha, por ca të tjerë kanë kapur sëpatat të presin mollët… Përderisa kokrrat kalben në magazina, pse të mos i presim edhe drurët në ara… Në fund të vitit të njëjtin rezultat kanë…
Ky muaj ishte plot me protesta. Dhe protestaxhinjtë e Peshkopisë, kur arritën në Burrel, ia mbushën mendjen vetes që do ta rrëzojnë kryeministrin. Kur arritën në Tiranë, rrëzuan kërpudhën…
Ariu u mundua ta bllokonte lëvizjen e lirë të protestuesve – dhe qytetarëve, por rroftë Arusha që i solli protestuesit në Tiranë… dhe provuan shijen e gazit…
Dy deputetë na i dorëzuan mandatet. Por pa deputetë nuk mbetemi. Një besnike e LSI nuk e pyeti Monikën tonë, ndërsa u është hapur oreksi partive të vogla mos u vjen radha të marrin mandatin e Gjunkshit…
Qentë kanë msy në qytet. Pa leje dhe të pavaksinuar. Për t’i vrarë, nuk i vrasim dot, se nuk na lejojnë kafshëmbrojtësit, por plane për t’i hequr nga rruga kemi plot…
Shkurti u mbyll me një të mirë: na bëri edhe ne dibranëve me dosje. Na vunë edhe damkën 184. Tani mund të themi me krenari se jemi të vaksinuar nga virusi i vjedhje-blerjes së votës, si gjithë Shqipëria…