Kontributi i Ali Maliqit në Luftën Antifashiste


Albert Kotini: Ali Maliqi në historinë e Dibrës dhe Shqipërisë
Botimet Botart / 272 faqe, me fotografi.
ISBN: 978-9928-219-87-9
Çmimi: 1000 lekë
E gjeni në çdo librari

Në Dibër njihnin Maliqtë, Lleshët, Ndretë e Kaloshët, ndërkohë, nga ana tjetër, shekujt u lyen me bojën kuq e zi, ku ekzistonte edhe “lënda e errët” që karakterizonte antikomunistët. Tashmë “reaksionarët” treteshin në pa historishmëri, edhe pse populli i Dibrës e kishte të kyçur në memorien e tij shekullore të vërtetën, kur heshtën për Maliqtë, Kërçshtit, Kaloshët etj., dhe, po aq u fol aq shumë për Lleshët. Ja pse fillimisht u duhet zgjuar kujtesa edhe atyre pak dibranëve të moshuar, që dëshmia e tyre të mos merret me vete, por të rifitohet drejtimi i duhur kombëtar, domethënë atje ku u ndërpre më 8 nëntor 1941. Duke folur në emër të popullit, kombit, historisë së vendit, Dibrës, idetë janë po ato të 8 nëntorit të vitit 1941, kur u përvetësua e drejta për një pushtet, për të dënuar kundërshtarët “reaksionarë” antikomunistë në emër të së tërës; dhe ky spekulim ideor sajoi historinë që gjoja i përkiste Shqipërisë.
Bisedat e Avniut çuan në mënyrën e të menduarit për t’iu përqasur, me tërë thelbin e qenies ekzistencës së Maliqve të plagosur prej realitetit, dhe për realitetin duhej rrëmuar përtej vetë Dibrës. Asgjë s’do të më kishte lejuar të krijoja një pamje të qartë dhe komplekse rreth “amaneteve” të Maliqve, vetëm duke hapur një sërë shtigjesh që e afrojnë mjaft ndjeshëm te lexuesit. Kjo, me synimin për të ofruar disa të vërteta faktike të padiskutueshme. Nuk janë pak 50 vjet terrorizim për shpirtin njerëzor të ashtuquajtur “reaksionar”. Kompromisi i Lleshëve, Ndreve, Strazimirëve, Jegenëve me bolshevizmin sllav e serb, që përpiqet të na mbushë mendjen dibrane në Dibër, merr fund nga qëndresa stoike dhe përpjekja jashtëzakonisht e thellë e Maliqve për ta vështruar në thelbin e këtyre pozicioneve të ndryshme se kush ishte atdhetar. S’ka pikë dyshimi që e tërë historia e luftës, e lidhur me Lleshët, nënkupton për Dibrën e më gjerë, në vetvete, një shtrembërim të fakteve. Informacioni serb në jetën shpirtërore shqiptare është më i kahershëm sesa ardhja e Enver Hoxhës, Koçi Xoxes dhe Haxhi Lleshit në pushtet. Dibranët i kanë vuajtur në kurriz bëmat serbe dhe kanë legjitimitetin historik në integritetin e mohimit të vëllazërimit që iu imponua gjatë luftës.
Maliqtë, pas vitit 1945 praktikuan një heshtje mrekullisht të qëlluar e të mençur e nuk folën hapur ndaj akuzave bajate, se e dinin stisjen e tyre amorale, ku Sigurimi i Shtetit krijonte menjëherë modelin e “vdekjes së individit” brenda kuadrit ligjor. Avniu jetoi për të treguar si mund të dekonstruktohen shpifjet dhe struktura e atij sistemi të dështuar që në lindje. Janë tipike tre qëndrime të parisë dibrane në Luftën II Botërore, por nuk ka pikë dyshimi që trajtimi i njëanshëm haset edhe në vulgaritete e zhvleftësime të padrejta. Këto tre grupe të parisë dibrane e kanë të vështirë edhe sot e kësaj dite të pohojnë prishjen shekullore të miqësive e krushqive të tyre për Lleshët – Ndretë – Kaloshët – Maliqtë nga anarkia që solli lufta për të zgjedhur rrugët e tyre, por, nga ana tjetër, koha provoi se cila pari ishte më fisnike e më atdhetare. Në këtë pikë, para interesave të vendit nuk mund të dilnin dot lidhjet farefisnore apo krushqish, për të cilat lexohen këndvështrime të ndryshme, por e vërteta u mbetet Maliqve e Kaloshëve. Lleshët, Strazimirët, Ndretë janë të djegur tashmë e të pabesueshëm për veprën e tyre, të paktën ndaj Dibrës.
Në një mënyrë thuajse fatale, pavarësisht se në mënyra dhe forma që tani për tani vazhdojnë të mbeten ende të errëta e të padepërtueshme, shoqëria shqiptare e Dibrës u dramatizua nga faktori sllavo-komunist deri nën një tension të skajshëm psikologjik, si p.sh. Haxhi Lleshi heshti ndaj dënimit të Dali Ndreut brenda llojit dhe Ali Maliqit në anën tjetër klasore, edhe pse me fije të lidhura familjare. Deri në ato momente krahina e Dibrës ka qenë e bashkuar fis më fis, pari më pari, në një përballim ndaj çdo okupatori. Ndërsa e vetmja luftë që i gjen të përçarë ishte ajo partizane dhe “reaksionare”. U hodh baltë mbi të vërtetën, nën nofkën e bashkëpunimit me okupatorin, kur koha vërtetoi përsëri se armiku kombëtar ishte Serbia, e cila mori territore, hoqi identitete e toponime dhe i sllavizoi ato si maqedonase apo si shtrati i saj i vjetër. Pavarësisht nga vitet e kaluara traumash dhe patologjish të pashpjegueshme në çdo aspekt, në fund të fundit, mësimi – amanet i të paktën tre brezave të Maliqve, ka qenë: një Dibër e bashkuar dhe harrimi i përçarjes, si një vetëvrasje e së kaluarës, drejt një vështrimi të ri kombëtar. Që të flasësh për Maliqtë, duhet patjetër të zbulosh memorien shekullore dibrane, për të qenë me të vërtetë i hapur dhe një zë që rrahu të shprehë rrugën e vet. Ali Maliqi mund të flasë për këdo në emër të Dibrës së vet, që aq shumë e donte.

Shtëpia e Agollëve në Kërçisht, bazë e rezistencës antifashiste

Ndër të tjera, Avni Agolli kujton: “Nuk më shlyhet nga kujtesa dita e 7 prillit 1939, kur atë ditë erdhën nga Fushë-Kruja në Dibër babai dhe Feriku, të cilët u pritën në shtëpi nga tërë farefisi. Isha në klasën e dytë fillore kur, sapo mora çantën e po shkoja në dhomën time dëgjova që po qanin nëna e gruaja e xhaxhait, ndërsa gjyshja thoshte për mua: “Shyqyr, është i vogël e nuk di gjë!”. Aty kuptova se kishte ngjarë diçka e rëndë. Të nesërmen babai shoqëroi në kufi Abaz Kupin dhe Myftar Kaloshin, ndërsa për vete nuk u largua. “Jo,- u tha babai,- kufirin ja ku e kam e në çdo kohë mund të largohem”. Ai qëndroi në Shqipëri për të luftuar ndaj pushtimit fashist. Italianët filluan të sillen mirë, por arrestimi i babait dhe i Ferikut u bë për të evituar ndonjë kryengritje prej tyre. Mbas lirimit të Aliut dhe kur u kthye në shtëpi, kujtoja se kishte të njëjtat mendime me Dali Ndreun, Esat Ndreun, Haxhi Lleshin, Ahmet Jegenin, Shaban Strazimirin etj. Mirëpo kur mbas disa ditësh në shtëpinë tonë erdhën edhe Pajo Islami, Zoi Themeli, Ramadan Çitaku, Sotir Vullkani, Qazim Prishtina, si të thuash, delegatët e parë të PKSh-së në Dibër (janar 1942) dhe ndenjën 10 ditë e pastaj ikën, aty filloi debati i hapur me nacionalistët.
Sotir Vullkani e Pajo Islami shkuan në Sllovë, Zoi Themeli, Qazim Prishtina e Haxhi Lleshi në Kërçisht, në shtëpinë tonë. Influenca e Dali Ndreut ishte për faktin se motrën e tij e kishte Feriku për grua, ndërsa halla ime, Nazmija, ishte martuar tek Ymer Lleshi dhe këto familje gjatë luftës italo-serbe (1941-‘43) u rreshtuan në anën e serbit. Mbas një arratie në Serbi, u kthyen në ilegalitet duke u strehuar në Kërçisht, te shtëpia jonë, për të luftuar bashkë kundër fashizmit. Gjatë luftës 7-ditore, më 5 prill 1941, midis serbëve dhe italianëve, për mua ka qenë e paharruar letra e Haxhi Lleshit, i cili më porosiste t’u thosha njerëzve të njohur të familjes në Dibër që të organizoheshin për t’u rënë trupave italiane nga mbrapa, në ndihmë të serbëve. Këtë ngjarje e kam treguar në “Bllokun e zi”, por, faktikisht, përgjigjen e letrës e shkroi motra ime më e madhe, Nike Agolli, që kishte mbaruar shkollën fillore. Ajo që unë gjykoj sot ka të bëjë me logjikën e drejtë që disa forca të zonës ishin pro italianëve kundër serbëve sesa e kundërta, si për shembull Halil Alia, S. Kaloshi, Beqir Sina e, mbi të gjitha, do ta pësonte e tërë Dibra nga divizioni “Firence”. Por Haxhi Lleshi nuk mori përgjigjen e kërkuar. Megjithatë, mareshal Zino, mbi 50 vjeç, i thinjur e çalaman, mbas mbarimit të asaj lufte më erdhi në shtëpi në Kërçisht. Ajo ngjarje dihet, se si 20 gjermanë i vunë përpara serbët. Nga gjithë kjo ndodhi me mareshalin italian, nuk më harrohet kur pas pëllëmbës së Zinos e shtyva përtokë dhe u largova me vrap, pastaj u fsheha mbi 4 ditë si i arratisur nëpër njerëzit e afërt të familjes sime. Të gjithë këtë e bëra që të mos dilte motra në skenë, se ne dibranët e kishim për turp, edhe pse dy vjet më e madhe se unë, ishte veçse 13 vjeçe. Mirëpo kur një ditë vjen një i deleguar i Haxhi Lleshit tek unë në shtëpi, se do të vinin me Ymer Lleshin, me sa më kujtohet më 12-13 prill 1941, për t’u strehuar nga arratia, i futëm natën, nga ora 2200 brenda. Aty ia tregoj Haxhiut ngjarjen e freskët, se kisha ngrënë një pëllëmbë. “Ç’ke ore ti, se do ta vras unë mareshal Zinon”, më tha serbes Haxhiu. Më hyri garant Haxhiu se do ta vriste, por kur kaluan 2-3 ditë, dy kushërinj të tyre nga Dibra e Madhe, Iljaz dhe Hysen Karameta, vrasin një maqedonas, i cili dikur u kishte vrarë babën. E vranë për gjakmarrje dhe erdhën edhe këta të dy në shtëpinë time. Pra, u bënë katër. Domethënë u erdhi mirë se u bënë një bërthamë. Kjo ishte si me thënë lëvizja e parë antifashiste, jo komuniste, asnjeri nuk e kuptonte komunizmin, asnjëri nuk e dinte çfarë ishte ai. Jo më ideal komunist, por vrasës, dhe të tjerët që u bënë bërthama e parë, domethënë gjeneza e asaj lufte. Unë atëherë u topita, sepse po grumbulloheshin shumë vrasës, si për shembull Gani dhe Lutfi Greva, që kishin vrarë një kushëri të tyre për prona në Grevë dhe erdhën aty. Lutfi Greva është vjehrri i Besnik Mustafait, i ka dhënë vajzën. Qazim Reçi po për gjakmarrje ka vrarë, shto dy mirditorë, Frroku e Zefi, që ishin karabinierë e vodhën armët, si dhe të tjerë të kësaj natyre të arratisurish, 20-22-vjeçarë të akuzuar, iknin se mos i arrestonin. Pasi erdhën edhe këta u bënë jo pak, por 40 e ca veta, që u strehuan nëpër stane, në shtëpinë tonë me 3-4 dhoma e në mal ku veronin bagëtitë. Jo vetëm kaq, por përditë u çonim ushqime e çdo gjë. Ndërsa, nga ana tjetër, as mareshalin italian Zino nuk e vranë, derisa ai u larguan në Tiranë, edhe pse u lajmërua se do ta vrisnin. Kaloi viti 1941, kur na patën ardhur në shtëpi dy kalabrezë, Luixhi dhe Xhinoja, që dinin pak shqip, me origjinë të hershme shqiptare e që u larguan nga ushtria. Ne dyshonim për spiunllëk. Jo, ata e ndienin veten shqiptarë e silleshin shumë mirë. Nuk ishin si këta të parët, jo të një ideali komunist që, në fakt u bënë të tillë, nga vrasës, hajdutë, përjashtuar Haxhi Lleshin, që nuk njihej si i tillë.

Ndarja ideologjike me Haxhi Lleshin
Aty nga fundi i janarit 1942 më vjen një natë një grup prej 10 vetash nga Martaneshi, ndërsa Baba Faja ishte te shtëpia poshtë. Duke zbritur në stanet, vjen edhe Haxhi Lleshi. Rreziku nga italianët shtohej nga lëvizjet e tyre lart e poshtë, se mos përplaseshin. Fati e deshi që deri në atë moment nuk pati luftë. Italianët ruheshin po ashtu nga ndonjë përplasje pa dashje me armë. Kështu, ai grup prej 10 vetash, në fund të janarit 1942 u vu nën urdhrat e Ramadan Çitakut, Zoi Themelit, Pajo Islamit, Sotir Vullkanit, Qazim Prishtinës për të qenë në krahun e komunistëve serbë kundër italianëve në territorin e Dibrës. Si rezultat, Dali dhe Esat Ndreu, Nazmi Rushiti etj., vinin për t’u takuar me palët e mësipërme, kur edhe ata që ishin të implikuar si vrasës ordinerë dhe që përbënin organizimin e parë antifashist të PKSh-së në Dibër. Për një bashkëpunim me këto grupe erdhi edhe Baba Faja me 4-5 veta nga Martaneshi, pastaj këta shoqërues mbetën si ndërlidhës, ndërsa Baba Faja u largua në zonën e vet.
Siç e theksova disa herë, u bë organizimi në dy grupe, në Sllovë (Pajo Islami, Sotir Vullkani) te Dali Ndreu dhe tjetri (Zoi Themeli dhe Qazim Prishtina) te familja e Ali Maliqit. Këtu qëndronte edhe më shpesh Haxhi Lleshi. Siç e shihni, në farefisin dhe miqësinë tonë Ramadan Çitaku lëvizte sa në Dibër, Martanesh pastaj në Tiranë. Këtu për herë të parë dëgjoja se ç’ishte komunizmi, çfarë lufte do të bënim. Fillova aty nga klasa e pestë fillore të ndjek edhe unë mësimet e komunizmit, duke u pjekur në moshën 12-vjeçare me këtë propagandë marramendëse. Atë lloj teorie nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë e më pëlqente tema e barazisë etj. Grupi i parë më energjik ishte nga oficerë të çmobilizuar, si Esat Ndreu, Mehdi Ndreu, Bedri Spahiu dhe Dali Ndreu, të cilët flisnin dhe organizonin vrasje. Kur mendoj tani për ato që flisnin atëherë, se do ta bëjmë Shqipërinë ashtu e kështu, teori të pazbatueshme si filozofi, por që kënaqnin tërë diskutantët për ato që ëndërronin, të gjithë të mësipërmit dihet se ku i përfunduan ato ëndrra. Kur erdhi faza tjetër, ajo e lëvizjes antifashiste masive, sipas përvojës së Revolucionit të Tetorit, me të arratisurit e kthyer nga Jugosllavia apo të çmobilizuarit nga ushtria e të tjerë të mbledhur në atë zonë me kokrra për vrasje, filluan luftën ndaj italianëve. Të parët ishin ata që u larguan nga batalioni “Tomori” gjatë Luftës Italo-Greke, si Shaban Strazimiri, Ahmet Jegeni etj., që ikën nga izolimi në Shijak dhe u strehuan në Kërçisht, si dezertorë për italianët. Midis tyre erdhi edhe Prokop Murra, duke u bërë kështu 50-60 veta në shtëpinë time. Më 22 korrik 1942 në shtëpinë tonë u krijua çeta e parë e Dibrës me komandant Haxhi Lleshi, komisar Qazim Prishtina e zëvendëskomisar Zoi Themeli. E theksoj këtë fakt tani, në përfundim të jetës sime, se nga celulat e para me 2-3 veta e deri në këto aksionet e çetës së parë më 22-24 korrik 1942, kur u prenë shtyllat elektrike, edhe shtëpia jonë, përfshi mua 12-vjeçar, u aktivizuam totalisht kundër armikut të përbashkët. Atëherë të dyja motrat e Sul Bahollit, Qefsere dhe Sadoshe Baholli, u strehuan me nënën dhe gratë e familjes sime. Ndërsa nëna ime, me Shyrete Turkeshin kishte të bënte dhe të gjitha i trajtonte si vajza shtëpie, e jo si partizane. Shyretja më vonë u martua me Eqrem Çabjen. Një natë, më 24-25 korrik 1942, u bë alarm për prerjen e shtyllave telefonike në Maqellarë – Dibër e Madhe. E ndieja veten të organizuar; më thoshin se je anëtar i çetës e, për të ma bërë qejfin, më quanin komandant baze. Për moshën, mburresha me kënaqësi e më dukej vetja se po bëja diçka. U nisa me pushkën në dorë, të gjithë me nga një sëpatë dhe drejt e te shtëpia që dinim. Haxhi Lleshi m’u drejtua:
– Ku shkon?
– A jemi partizanë,- pyeta unë.
– Jemi. Po ti,- më tha,- je për në bazë, jo atje.
– Po mirë,- i thashë,- ju merrni femrat, e jo mua për në aksion. Po unë?
Ma mbushën mendjen që me 3-4 shokë të mbroja bazën se mos vinin italianët. Pas 3-4 orësh u prenë shtyllat. E çfarë ishte? Një aksion i marrë. Në gusht 1942 më thotë një mik se Azis Kaloshit i vdiq nëna, i cili me këtë shkak mori 15 ditë leje nga internimi në Ventotene, e nuk u kthye më. Këtë metodë e shfrytëzuan për babanë, kur më vdiq gjyshja. Erdhi Ferik Maliqi. Mirëpo, theksoj se kur vinin në ato anë italianët, nuk i ngacmonim. Edhe ata po ashtu. Secili në postet e veta. Ky qëndrim asnjanës deri në dhjetor 1942, sa u kalua në ilegalitet dhe u organizuan disa grupime. Grupi i Myftar Kaloshit, grupi i Sllovës me Esat Ndreun, grupi i Haxhi Lleshit në Kërçisht, i Ferik Maliqit në Kërçisht. Të gjitha forcat, së bashku fillimisht përbënin deri në 2000 vetë. Të gjithë bënin kujdes të mos dilnin në skenë, për sa kohë Ali Maliqi mbahej në kështjellën Korpo – Darencia të Italisë. Ishte kjo gjendje e nderë, kur qarkkomandant ishte major Verdi, ndërsa prefekt ishte Vehip Runa. Ky i fundit ndërhyri: “Pse të vriteni? Sa armë doni me leje?”. Për të arritur në marrëveshje u vu kusht lirimi i Ali Maliqit nga internimi në Itali. Myftari, Feriku e Haxhi Lleshi i thanë:
– Ne bëjmë paqe, po të lirohet Ali Maliqi.
Palët ranë dakord. Armët, italianët i donin t’i kishim me leje. Ishte janar 1943 kur e sollën babanë, sipas marrëveshjes, me dy oficerë italianë, duke e dorëzuar me shkrim në familje. Ky moment për mua do ngelet i gjallë deri në fund të jetës sime, sepse aludoja që kishte ndonjë ndryshim pas internimit në të gjitha bisedat me grupet komuniste të Dibrës. Në veçanti, debati me Zoi Themelin, kur i tha babai:
– Dëgjo ti, Zoi, mua s’më vjen keq për ty,- dhe nisi t’ia numëronte tërë pasojat e Revolucionit të Tetorit në Rusi. Pastaj, duke përmendur emrat e Haxhi Lleshit, Daliut e Ahmet Jegenit, mjaft dibranëve u tha:
– Këtyre do t’ua hajë kokën, në veçanti këtyre intelektualëve ish-oficerë, ose do të bëhen baltë e komunistëve. Por edhe ju proletarëve do t’ju vijë radha, kur s’do i hyni më në punë.
Këto e të tjerat, që i kam shkruar në “Bllokun e zi”, më dalin tani përpara si një bilanc për jetën time, se sa të drejtë paska pasur babai im. Koha e vërtetoi edhe për mjaft biseda të tjera, të cilat gjatë diktaturës, po t’i ballafaqoje me të vërtetën, të përlanin për agjitacion e propagandë e drejt e në burg. Madje, për herë të parë dëgjova në ato vite të luftës, nëpër këto debate për bolshevizmin, se edhe Fane Kapllani, atentatorja e vetë Leninit, ishte vajza e vet ilegale. Edhe tani pyes se ku i dinte babai im këto fjalë që janë akoma herezi për komunistët.
Këtu është momenti i parë i ndasisë së Aliut nga grupi i Haxhi Lleshit. Çështje tjetër e ndasisë midis tyre dhe babait tim, që unë e analizoj aktualisht nga debati midis tyre, ka të bëjë kryesisht në qëndrimin pro dhe kundër serbëve titistë. Dibra e dibranët e njihnin mirë serbin, prandaj Aliu u tha: “Në qoftë se ju do të bashkoheni me serbët, do shkoj e shkëputem për të gjetur shtresën time. Në asnjë mënyrë bashkë me serbët”. Pastaj ky debat politik i ndau, prandaj Aliu krijoi grupin e vet atdhetar. Pra, ndarja ideologjike e Dibrës i çoi të dyja palët të ngrihen kundra traditave shekullore të farefisit në miqësi e në një qëndrim ndaj okupatorit dhe të lidhej “besa e internacionalizmit në njërën anë e tjetra e nacionalizmit”. Mirëpo masa e popullit përtypte më tepër propagandën e re të bolshevizmit që e bënte të ardhmen si një sistem ku do të plotësoheshin tërë dëshirat e tyre. Ndërsa propaganda nacionaliste këtij populli i kujtonte të kaluarën, ku mangësitë e sistemit feudal ndikuan shumë në dyshimin ndaj parisë së tyre.
Me sa më kujtohet,- vijon më tej Avniu,- aty nga fillimi i korrikut arritëm të nxjerrim, nëpërmjet miqve, një akt vdekjeje për gjyshen (nënën e Aliut) dhe së bashku me një lutje – kërkesë ia përcollëm Ministrisë së Drejtësisë të njoftonte të bijtë se nëna u kishte vdekur. Kështu iu mundësua Ferikut, aty nga fillimi i gushtit 1942, të vinte 15 ditë me leje, me kusht paraqitjeje çdo ditë në karabinierinë e Maqellarës. Arrestimi i Ferikut ishte tronditës për ne, jo vetëm si i burgosur, por nga nevoja e familjes në shtëpi për të qenë një burrë në drejtim të ekonomisë. Kjo, sepse edhe gjyshe Hajrija ishte në moshë të thyer, një grua me shumë përvojë; e përplasur në jetë me shumë dallgë e vështirësi, përsëri e tregoi veten zonjë fisnike për të qenë në krye të familjes pa u trembur nga mungesa e burrave. Ajo diti t’i bënte ballë asaj situate, por shqetësimi për bijtë e saj, meraku i fatit të tyre e hante çdo ditë. Edhe pse i vogël, mbaj mend se gjyshja tregonte se tri herë kishte parë shtëpitë e djegura nga serbët, pa llogaritur ndjekjet e reprezaljet e shumta, porse në moshën që kishte, shqetësimi për të bijtë në tokë të huaj e brente çdo ditë. Italianët, përveç arrestimeve, na vendosën edhe një tabelë ku shkruhej: “Familje armiku, askush nuk duhet ta vizitojë”. Gjyshja më kujtonte se isha zot i gjithë kësaj pasurie, prandaj të hapja sytë se mund ta shpërdoronin. Kështu, me dashje apo pa dashje, tek unë filloi të lindte përpjekja për mbijetesë. Gjyshja vinte nga derë e madhe e në zë për Dibrën; ishte bija e Llan Kaloshit dhe e rritur në dallgët e jetës. Po ashtu, edhe aty ku kishte ardhur e ishte ndeshur me ato furtuna. Burri i saj, Maliqi, pas vdekjes së shpejtë kishte lënë jo vetëm atë, por edhe fëmijën e parë, Aliun 13 vjeç. Kjo fatkeqësi tek ajo kishte formuar një karakter të pathyeshëm dhe burrëror. Në këtë periudhë e në këto kushte që u krijuan për ne, gjyshja ngjalli tek unë një formim të parakohshëm, ndoshta siç kishte bërë edhe me bijtë e vet. Më ka quajtur zot shtëpie, ku do të bëja jo vetëm mikpritje, por edhe vizita dhe rite të tjera familjare për dasmë apo fatkeqësi. Duke përfaqësuar respektin e familjes, si i pari i saj, u poqa që në moshë të vogël.
Ditari i Isuf Luzajt: Si i njoha vëllezërit Agolli në Ventotene
… Në Cortonë gjeta edhe tre të internuar shqiptarë: Ali e Ferik Agolli nga Dibra dhe Ali Klisurën, siç e shkruante ai vetë emrin e tij. Ali Agolli, një burrë shumë i zgjuar e fisnik në shpirt; Ferik Agolli, një djalë shumë besnik; Ali Klisura, një shqiptar i mirë, orator shumë i mirë, burrë energjik e trim, me një kulturë relative me kohën e me jetën e movimentuar të tij, në mes të politikës e imigracionit.
Aliu e Feriku jetonin në të njëjtin pension ku jetoja unë, ishin në katin e sipërm, në një dhomë të vogël, për arsye se kishin një radio klandestine për të dëgjuar lajmet e luftës drejt e nga Londra, për pesë a gjashtë orë në ditë rresht.
Ali Klisura jetonte në Udhën e Jezuitëve. Ishte me gruan e me vajzën e vogël, Bubushin. Kur i lexova Ali Klisurës procesverbalin e Partisë Socialdemokrate, të themeluar në Ventotene, refuzoi të merrte pjesë, “megjithëse jam,- tha,- me mish e me shpirt qind për qind me programin e saj shumë të mirë”.
Më pohoi se bënte pjesë në një organizatë nacionaliste të formuar prej Koculit, në të cilën bëjnë pjesë edhe shumë personalitete të tjera, që sot janë fashistë me emër, por që në shpirt janë me ne,- më tha. Përmendi Mehdinë e Mit’hatin, Çobën – plakun, dom Ndre Nikajn, Lef Nosin, Isuf Agallinë nga Kosova e shumë të tjerë. Më pyeti, nëse unë isha në korrent a në kontakt me këtë organizatë, që do të quhej Fronti Nacional i Lirisë, e unë i thashë të drejtën. Përballë një sinqeriteti të thellë, është vështirë që njerëzit të jenë shumë misteriozë. Atëherë, më puthi me lot në sy.

***
Jetën time të përditshme në Cortona e rregullova kështu: Që prej orës 7 deri më 12 të drekës – mësime private, latinisht, frengjisht, inglisht, arithmetikë, fizikë, kimi, studentëve të gjimnazit. 5 orë të përditshme.
Prej orës 12 deri më 13 pushim. Prej 13 deri më 14 drekë në restorant; 14 deri në 16 pushim. 16 deri në 19 studime private psikologji e sociologji italiane, që njihja shumë pak, për arsye të programeve universitare franceze, që ishin shumë franceze. 19 deri 20 restorant; 20 deri 21 ose 22 shëtitje me shokët shqiptarë në bisedime politike, shoqërore, miqësije e tjera. 22 deri 24 lajmet me radio me të dy vëllezërit Agolli. Prej orës 00 deri 6.30 të mëngjesit gjumë.
Një jetë e rregullt lë kohë edhe për argëtim; një jetë e rregullt pasuron shumë magazinën e memories me njohuri të reja kulturore; një jetë e rregullt është kënaqja më e mirë e jetës, qoftë edhe pse artistët e mëdhenj thonë: me riprodhue me memorie njoftime të mësuara nuk është punë e madhe. Punë e madhe është me krijue gjëra të reja e vepra të panjohura prej mendjes së njeriut. Pas mendimit tim modest, mëndja më fisnike e njeriut është me njoftë, me shkue në thellësi të problemeve; me shtrue e me zgjidhë probleme, me kërkue me kureshtje të etuar misteret e natyrës, me zbulue sekretet e natyrës e gjithnjë me njoftë, me njoftë e me njoftë.
Tre muajt e Ventotenes më vlejtën me njoftë shoqërinë italiane, opinionin inglez, sepse ishin më se 50 inglezë të internuar dhe leximin e bluarjen (përvetësimin) e pothuaj njëqind volumeve të filozofisë italiane moderne…

Marrë me lejen e botuesit nga libri “Ali Maliqi në historinë e Dibrës dhe Shqipërisë”, botim i Shtëpisë Botuese BOTART.