“Brenda 2-3 viteve në do të fillojmë të lëvizim në Rrugën e Arbërit bashkë me potencialet ekonomike që Dibra mban brenda”


Ndjehem tepër i nderuar që në emër të Kryesisë së Shoqatës LID t’ju uroj mirëseardhjen.
Sot këtu do fliste kryetarja e shoqatës, zonja Edlira Haxhiymeri, por për shkaqe shëndetësore ajo nuk mund të jetë e pranishme sot. Duke ju përcjellë përshëndetjet dhe falënderimet e saj, i urojmë të gjithë së bashku shërim të shpejt dhe kthim mes nesh, plot energji e vitalitet, si më parë.
Kjo Konferencë Shkencore që po mbajmë sot, nuk është caktuar rastësisht. 13 vite më parë, shoqata jonë nisi hapat e parë. Që atëherë, edhe në bashkëpunim me simotrat e tjera, kemi kryer disa veprimtari, çdo vit, duke u përpjekur kështu të bëjmë sadopak përpjekje për më të mirën për Dibrën. Me këtë rast, falënderojmë gazetën Rruga e Arbërit për pasqyrimin e të gjitha veprimtarive tona gjatë këtyre 13 viteve.
Ndërkohë, njëra nga ëndrrat shekullore të dibranëve, Rruga e Arbërit, duket se po bëhet realitet. Me gjithë vështirësitë e deritanishme, raporti nga terreni tregojnë se mbi 30% e punimeve ka mbaruar, kështu që duket se nuk ka kthim pas. Brenda 2-3 viteve në do të fillojmë të lëvizim në atë rrugë, e bashkë me të edhe potencialet ekonomike që Dibra mban brenda.
Pikërisht për këtë fakt, për të orientuar investimet e ardhshme publike dhe private në ekonominë e Dibrës, zhvillohet kjo Konferencë Shkencore, më qëllimin e mirë, argumentimin e domosdoshmërisë për përmirësimin dhe ndërtimin e rrugëve lidhëse me aksin kryesor të Rrugës së Arbërit për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe turizmit historik e malor në Qarkun e Dibrës.
Kemi dëgjuar shpesh, por veçmas këto ditë, se kjo veprimtari e shoqatës është në mbështetje të qeverisë.
Do të ishim të kënaqur që në këtë veprimtari, apo edhe në të tjerat në të ardhmen, jo vetëm shoqata jonë, por të gjithë shoqatat e tjera të kishin bashkëpunim me qeverinë apo institucionet qeveritare. Kjo nuk është mëkat, përkundrazi, tregon vullnetin e mirë se kur jemi bashkë, pavarësisht bindjeve, mund të bëhen gjëra të mira për vendin.
Por fatkeqësisht, në këtë veprimtari nuk ka asnjë ndikim qeveritar. Në këtë konferencë është vullneti i mirë i anëtarëve të saj, i kryesisë së shoqatës, për të zhvilluar një konferencë shkencore për të vënë pikat mbi “i” mbi atë se ku duhet të përqendrohen investimet qeveritarë, që Dibra, qytetarët e saj dhe gjithë shqiptarët, ta ndjejnë menjëherë përfitimin ekonomik.
Kjo Konferencë Shkencore, përveç të tjerash është edhe dëshmi e vitalitetit të intelektualëve tanë, e vetëdijes së tyre profesionale, e përkushtimit atdhetar dhe e idealeve të tyre kombëtare. Në të, jo vetëm marrin pjesë, por japin dhe ndihmesën e tyre të vyer, specialistë nga Tirana, Dibra e Madhe, Mati, të cilët do të përcaktojnë pikat kyçe se ku duhet të përqendrohen investimet në rajon. Këto materiale, të cilat do të botohen në gazetën Rruga e Arbërit dhe onlinë, do të jenë një burim i mirë informacioni për qeverinë vendore dhe qendrore, majtas e djathtas, që e duan vendin e tyre të zhvilluar ekonomikisht.
Ne shpresojmë dhe besojmë, se materialet e kësaj Konference, të shërbejnë për sensibilizimin dhe ndërgjegjësimi e mëtejshëm, gjithëpërfshirës, të shoqatave, deputetëve, pushtetarëve, intelektualëve e biznesmenëve dibranë, duke praktikuar me efikasitetin e duhur të gjitha rrugët dhe mjetet demokratike.
Anëtarët e shoqatës sonë kanë qenë të shqetësuar për standardet e ndërtimit të rrugës, dhe për këtë janë përpjekur të krijojnë gjithmonë një rrugë komunikimi me institucionet përgjegjëse qeveritare. Raporti i specialistëve tanë për devijimet e projektimit, pikat kyçe ku duhej ndërhyrë në projekt për përmirësimin e cilësisë së rrugës, e cila u është dërguar zyrtarisht këtyre institucioneve 6 vite më parë, nuk u mor parasysh.
Ne shpresojmë që një pjesë të atyre problematikave t’i kenë gjetur dhe përmirësuar inxhinierët e kompanisë që po ndërtojnë rrugën.
Duke përfunduar, duam të theksojmë se organizmi i këtij tubimi shkencor, përbën një ndërmarrje serioze dhe nuk mund të realizohej pa ndihmën e madhe të të gjithë anëtarëve të kryesisë, sidomos biznesmenëve Latif Miha, Musa Riçku e Shaban Bitri. Por, duhet veçuar dhe falenderuar puna e profesor Bashkim Lleshit, i cili ishte ideatori dhe kontributori kryesor për realizimin e kësaj konference.
Gjithashtu, kjo konferencë nuk mund të zhvillohej pa ndihmën e inxhinierëve dhe specialistëve, profesorëve tanë të nderuar, të cilët kanë përgatitur materialet e këtij kuvendi që do t’i ndjekim në vazhdim.
Në emër të kryesisë së LID, duke ju falënderuar të gjithëve, i urojmë kësaj Konference punë të mbarë!
* Nënkryetar i shoqatës LID.

kronika e konferencës

Më 12 maj 2019 Shoqata e LID në Tiranë zhvilloi Konferencën shkencore “Përmirësimi dhe ndërtimi i rrugëve lidhëse me aksin kryesor të Rrugës së Arbërit për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe turizmit historik e malor në Qarkun e Dibrës”. Në konferencë përveç anëtarëve të kryesisë së LID: Shaban Bitri, Musa Riçku, Latif Miha, Shpëtim Cami, Bashkim Lleshi, Enver Hysa, Nazmi Koçi, Miranda Goleci, Demir Osmani e Shaqir Skarra, muarën pjesë shumë intelektualë, studjues e qytetarë dibranë dhe të ftuar të tjerë nga shoqata të ndryshme të Dibrës dhe të ftuar nga Peshkopia, Bulqiza, Mati, Tirana, etj. Konferencën e hapi anëtari i kryesisë së LID Demir Osmani i cili ia dha fjalën zv/kryetarit të LID Shaban Bitri i cili përshëndeti të pranishmit në emër të kryesisë së LID.
Pas një dokumentari të shkurtër televiziv për eskursionin e datës 20 prill në aksin e Rrugës së Arbërit nga Ura e Vashës në Shupenzë e Gjoricë të përgatitur nga gazetari Dëfrim Methasani u mbajtën referatet e konferencës:
1. “Ndjekja nga LID dhe Gazeta “Ruga e Arbërit” e punës së kryer për ndërtimin e Rrugës së Arbërit gjatë viteve 2007-2018 dhe Ecuria e punimeve të ndërtimit të kësaj rruge në periudhën 2018–prill 2019.” përgatitur nga: Bashkim Lleshi, Musa Riçku, Bujar Karoshi, Hysen Uka e referoi Bashkim Lleshi.
2. Vazhdimi i Rrugës së Arbërit në teritorin e Maqedonisë dhe përmirësimi i rrugëve lidhëse në zonën e Maqellarës dhe Dibrës së Madhe (Koxhaxhik, Mavrovë, Rekë për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe turizmit të kësaj zone.” përgatitur nga: Shaban Bitri, Qeram Lleshi, Shuip Marku, Demir Osmani e referoi Demir Osmani.
3. “Përmirësimi dhe ndërtimi i rrugëve lidhëse me Rrugën e Arbërit të njësive Administrative të Peshkopisë, Tominit, Kastriotit, Lurës, Çidhnës, Reçit, Dardhës, Sllovës dhe Kalasë së Dodës” përgatitur nga: Vesel Hoxha, Bashkim Lleshi, Hajredin Toca, Ali Hoxha, Mustafa Tola, Bardhok Rajta e referoi Vesel Hoxha.
4. “Përmirësimi dhe ndërtimi i rrugëve lidhëse me Rrugën e Arbërit të njësive Administrative të Selishtës (4 Grykëve) Muhurit e Luznisë për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe turizmit të kësaj zone” përgatitur nga: Osman Miha, Agim Totraku, Elmas Lala e referoi Agim Totraku.
5. “Përmirësimi dhe ndërtimi i rrugëve lidhëse me Rrugën e Arbërit të njësive Administrative të Grykës së Vogël e Gollobordës për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe turizmit të kësaj zone” përgatitur nga: Zabit Lleshi, Shehat Cami, Nazmi Koçi, Mehdi Dema e referoi Zabit Lleshi.
6. “Përmirësimi dhe ndërtimi i rrugëve lidhëse me Rrugën e Arbërit të njësive Administrative të Bulqizës, Zerqanit dhe Martaneshit për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe turizmit të kësaj zone.” përgatitur nga: Sefedin Shabani e Naim Karaj e referoi Naim Karaj.
7. “Përmirësimi dhe ndërtimi i rrugëve lidhëse me Rrugën e Arbërit të njësive Administrative të Bashkive të Klosit e Burrelit për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe turizmit të kësaj zone.” përgatitur nga: Ramazan Ceni, Sali Bushi, Zenel Hysa, Agim Shenjatari e referoi Sali Bushi.
Pas referimeve diskutuan: Xhafer Martini, Hysen Uka dhe Dëfrim Methasani të cilët vlerësuan punimet e kësaj konference.