Përmirësimi dhe ndërtimi i rrugëve lidhëse me Rrugën e Arbërit të Njësive Administrative të Peshkopisë, Kastriotit, Çidhnës, Lurës, Dardhës, Reçit, Sllovës, Kalasë së Dodës, Tominit dhe Melanit – me rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë, turizmit malor e Historik


Në foto: Prof.dr. Vesel Hoxha duke mbajtur referimin.

 

Shënim: 
Ndalohet kopjimi i këtij materiali apo përdorimi i tyre, me çdo lloj apo mjeti, përveç rasteve kur shërben si burim referimi. 
Materiali i mësipërm është punë origjinale e autorëve ndaj çdo keqpërdorim i tij, pa miratimin e autorëve është i ndaluar.
Çdo shpërndarje përmes internetit duhet të ruajë linkun e botimit origjinal.

 

Konferenca shkencore me temë: “Përmirësimi dhe ndërtimi i rrugëve lidhëse me aksin kryesor të Rrugës së Arbërit për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe turizmit historik e malor në Qarkun e Dibrës“, thirret në momentin e duhur dhe historik. Problemet që do të lindin dhe përspektivat që do të hapen pas ndërtimit të Rrugës së Arbërit, do të jenë të mëdha e të shumanshme, realizimi i të cilave do ta zhvilloj më tej rajonin duke e ngritur në një stad të ri të përparimit ekonomik.
Duke sjellë në këtë konferencë gjendjen e rrugëve të brendshme brenda njësive përkatëse administrative, përmirësimet që kërkohen apo propozimet për ndërtimin e akseve të reja, aty ku ata mungojnë për t’u lidhur me aksin e Rrugës së Arbërit, do ti shërbehet e do ti paraprihet të ardhmes së zhvillimit të ekonomisë në tërësi, bazuar në pasuritë nëntokësore e mbitokësore të njohura dhe atyre që mund të gjenden si dhe pasurive ujore, pyjore, kullotave, tokave arë për prodhimet bujqësore e frutikulturën, zhvillimin e mëtejshëm të turizmit historik e malor duke evidentuar e propoganduar vendet historike të zonës, monumentet e natyrës dhe pejsazhet mahnitëse që natyra ja ka falur Qarkut të Dibrës e, veçanërisht, rajoneve që do të përfitojnë drejtpërdrejt nga ndërtimi i kësaj rruge jetike për ta. Rrugët sjellin zhvillim, zhvillimi përmirëson jetesën e popullatës dhe e bën më të gëzueshme jetën edhe në zonat më të thella malore.

***

Rajoni në studim përfshin Njësitë Administrative të Peshkopisë (qyteti i Peshkopisë), Kastriotit (Fshatrat: Kastriot, Brest i Sipërm, Brest i Poshtëm, Kishavec, Kandër, Kukaj, Vakuf, Fushë-Kastriot, Borovjan, Deshat, Limjan, Sohodoll, Sohodoll i Vogël, Vrenjt, Përgjegje), Lurës (Fshatrat: Fushë-Lurë, Borie-Lurë, Arth, Gurë-Lurë, Lurë e Vjetër, Arrëmollë, Krejë -Lurë, Pregjë – Lurë, Sumej, Vlashej), Fushë Çidhnës (Fshatrat: Fushë Çidhën, Blliçe, Laçes, Rrenz), Zall Reçit (Fshatrat: Zall-Reç, Bardhaj-Reç, Draj-Reç, Gur-Reç, HurdhëReç, Kraj-Reç, Ndërshenë, Qafdraj, Tharkë), Zall Dardhës (Fshatrat: Zall-Dardhës, Lashkizë, Lugjej, Menesh, Nezhaj, Qa, Soricë, Shënlleshën, Tartaj), Sllovës (Fshatrat: Sllovë, Kallë, Vleshë, Zall-Kalis, Dypjakë, Palaman, Sllatinë, Shumbat, Venisht, Trojak); Kalasë së Dodës (Fshatrat: Ceren, Kullas, Ploshtan, Radomirë, Shullan, Tejzë, Ujëmirë, Vasie). Tominit (Fshatrat: Tomin, Brezhdan, Cetush, Dohoshisht, Pilafe, Pollozhan, Rrashnapojë, Selane, Ushtelenxë, Bahute, Staravec, Shimçan, Zimur, Zdojan); Melanit (Fshatrat: Melan, Cerjan, Rabdisht, Zagrad, Begjunec, Trepçë, Grevë, Ilnicë, Bellovë, Pejkë, Pjeçë, Trenë);

Harta e pozicionit gjeografik e Bashkisë së Dibrës në hartën e Shqiperisë dhe pozicioni i Njësive Administrative në studim, në hartën e bashkisë në fjalë

Dibra rregjistron 79 000 banorë rezident dhe rezulton me një sipërfaqe prej 938 km katror. Kjo bashki përbëhet nga 15 njësi administrative, të cilat janë: Peshkopi, Tomin, Melan, Kastriot, Lurë, Maqellarë, Muhurr, Luzni, Selishtë, Sllovë, Kala e Dodës, Zall – Dardhë, Zall – Reç, Fushë Çidhën dhe Arras. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Dibrës dhe qarkut të Dibrës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 141 fshatra. (faqja zyrtare e Bashkisë Dibër).
Shtrihet kryesisht në rajonin veri – lindor të Shqipërisë me një reliev përgjthësisht malor, pak kodrinor dhe me terrene fushore që përkojnë me terracat në Luginën e Lumit Drini i Zi.
Ky lum e përshkon bashkinë për së gjati pothuajse sipas drejtimit jug – veri duke e ndarë atë në dy pjesë, ku në lindje veçojmë Malin e Sorokolit, Kullën e Zyberit, Qafën e Rosnikut, Malin e Rosnikut, Malin e Korabit, Portat e Korabit, Majat e Bjeshkës së Shehut, Malin e Bardhë, Lakun e Xhipit, Bjeshkën dhe Malin e Gramës, Skërtecin, Majën e Plloçës, Majën e Visokës, Malin e Velivarit, Malin e Kërçinit etj. dhe në perëndim veçojmë Gurin e Kuq të Krejë Lurës, Nezhdën me Kunorën e Lurës, Majën e Rrasës, Majën e Batrave, Majën e Kështenit, Majën e Gjukshajve, Majën e Madhe, Lanë Lurën e Vëltushin, Malin e Xharxhishtit me Majën e Kacimares dhe Majen e Shqerrave, Qafë Kumbullën, Runjën e Lurës, Majën e Gjatë, Majën e Vogël, Majat e Zeza në Malin e Pllajut, Runjën e Vogël, Malin e Runjës, Malin e Pratit, Majen e Bataçes, Malet e Balgjajt,  Kodrën e Kalasë etj. Qendra e bashkisë është qyteti i Peshkopisë.
Teritori i saj ka një ndërtim gjeologjik tejet të komplikuar. Këtu takohen formacionet gjeologjike më të vjetrat e Shqipërisë. Herë pas here është prekur nga lëvizjet neotektonike ngritëse që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në formimin dhe modelimin e relievit. Lartësitë malore e kodrinore – fushore variojnë nga 340 m mbi nivelin e detit (në zonën e Reçit në luginën e lumit të Drinit të Zi), e deri në lartësinë 2754 m (2764 m, jepet dhe kjo shifër lartësie në disa harta sidomos ato të Maqedonisë së Veriut) në Majën e Korabit, majën më të lartë të vendit tonë.
Ajo bën pjesë në zonën klimatike mesdhetare malore dhe mesdhetare para malore, si pjesë përbërëse e Pellgut të Lumit të Drinit të Zi. Ka një hidrografi të pasur me burime mbitokesore dhe ujëra nëntokësore, ku arteria kryesore është lumi Drini i Zi. Në të derdhen shumë përrenj malor si ato të Veleshicës, Mallës së Lurës, Setës, Blliçes (Gramës), Murrës, Gjelagjoshtit, Llixhave, Melanit, Maqellarës etj. Dibra dallohet për shumëllojshmërinë e tokave të cilat, për shkak të relievit malor, shprehen qartë. Në të takohet brezi i tokave aluvionale rreth lumit të Drinit të Zi (terracat), ato të kafejta, të murrme pyjore dhe ato livadhore malore. Takohen breza pyjorë si: brezi i dushqeve, i ahishteve, i hormoqit (në Dibër ky brez përfaqësohet nga rrobulli, arrneni e bredhi i bardhë) dhe kullotave alpine.

A jemi në kohë  për të pritur “Rrugën e Arbërit”?

Rrugët e reja apo të përmirësuara me standard që do të lidhin njësitë e Bashkisë Dibër me Rrugën e Arbërit, mendohet të tërheqin shumë turistë e investitorë vendas e të huaj. Kur themi kështu mendja na shkon se çfarë do t’ju ofrojmë atyre në këto zona.
Ata kërkojnë të shikojnë monumente e peisazhe natyrore të spikatura, gjeomonumente e biomonumente, rrugë malore mes pyjesh, e anash tyre të shikojnë një bujqësi të zhvilluar etj., pa përmendur këtu pritjen bujare dhe shumëllojshmërinë e ushqimeve tradicionale të zonave të ndryshme.
Rruga duhet ti gjej dibranët të përgatitur, e jo të presin të shkojnë kur ajo të këtë mbaruar. Banorët e zonave nga do kalojnë rrugët lidhëse me Rrugën e Arbërit, duhet të nxitojnë për të punuar e për t’ia ndryshuar asaj pamjen me projekte konkrete të familjeve, të bizneseve apo të qeverisë. Lugina e Drinit të Zi, një “hambar i drithit dhe frutikulturës” jo vetëm për Dibrën por dhe për krahinat rreth saj, ndoshta është braktisur në pritje të një hidrocentrali të madh apo disa hidrocentraleve të vegjel?
Shteti duhet ta qartësojë realitetin e kësaj legjende gati 60 vjeçare që t’i hapet rruga e investimeve, që të trasohen rrugët e çelen perspektivat zhvillimore. Kjo ka shkaktuar e vazhdon të shkaktoj një stres dhe një pengesë të madhe zhvillimore për Dibrën e Poshtme në tërësi, duke e mbajtur atë peng. Pritet të vazhdoj mbjellja e pemëve frutore (mollë dhe dardha vendi, arra dhe lajthi, etj.) që zona e Dibrës i ka traditë. Pa harruar kulturat e tjera që zona i kultivon prej shekujsh e me emër siç është fasulja shoqëruese, misri gushtak, perimet jashtë sezoni etj. Nëse arrihet që vizitori ti vjel vet produktet në pemtore dhe në kopsht, besueshmëria dhe kërkesa do rritet nga viti në vit.
Kjo mund të thuhet dhe për zhvillimin e blegtorisë së zonës.  Është koha për të menduar për biznes në bujqësi me mundësitë që do të afrojë “Rruga e Arbërit” dhe magjistralet lidhëse me të.
Jemi në kohë nëse fillojmë të punojmë për të rritur vlerat e pasurive të Dibrës, për të zhvilluat ekonominë, turizmin malor e historik, që përpjekjet të mos ngelen vetëm në letër.

***

Për rrugë ka nevojë çdo skaj i atdheut. Rruga sjell zhvillim. Pa rrugë, zhvillimi nuk duhet pritur. Bashkia e Dibrës është një nga bashkitë me territorin më të madh në rang vendi, por banorët e saj janë të izoluar për shkak të rrjetit të amortizuar rrugor, e në shumë raste, me mungesën e tyre totale, pa folur këtu për lidhjet e fshatrave me qendrat e njësive apo bashkisë.
Dibra ka nevojë për shumë rrugë që duhet të ndërtohen për tu vënë në shërbim të përshpejtimit të vënies në qarkullim ekonomik të pasurive te saj mbitokësore e nëntokësore. Para se të përfundoj ndërtimi i Rrugës së Arbërit, dibranët duhet të mendojnë për hapat e mëtejshëm të ndërtimit të akseve të tjera rrugore për të garantuar një zhvillim të shpejt e të qëndrushëm, për të bërë realitet përspektivat zhvillimore që ofrojnë pasuritë natyrore të saj në të gjithë territorin e bashkisë, të mbitokës dhe të nëntokës. Si aksin më emërgjent, mendojmë Rrugën e Lurës, një aks me ndikim në ekonomi dhe turizëm, një rrugë për të cilën nuk justifikohet mosndërtimi i saj prej më shumë se një shekulli nga drejtuesit e Lures, ato të Dibrës e deri tek autoritetet qendrore që kanë peshën kryesore, duke penguar me ose pa qellim zhvillimin e kësaj krahine aq të dëgjuar në të gjithë Shqipërinë.

AKSI RRUGOR KASTRIOT – ARRAS – LURË – LIQENET E LURËS

Duam të nënvizojmë në fillim një fakt. Edhe pse ka pak kohë që ka përfunduar rruga Kastriot -Arras, kanë filluar të ndihen avantazhet pozitive dhe të jepen frytet e para gjallëruese zhvillimore në zonë. Në këtë aks mund të vizitohen shumë objekte historike por kjo nuk përjashton dhe mundësitë e shijimit të panoramave të shumta që shpalosen në anët e luginës së Drinit të Zi.
Lura, një krahinë e tërë pa rrugë lidhëse me qendrën e saj historike e administrative gati një shekullore Peshkopinë, një krahinë që ndër shekuj ka bërë emër të mirë në gjithë Shqipërinë për bëmat e saj në historinë tonë të vjetër e të re, një krahinë aq e njohur për turizmin malor, për bukuritë natyrore madhështore, ndër më të bukurat e vendit tonë, pa harruar pasuritë minerale etj. që vetëm sa janë gërvishtur nga kërkimet gjeologjike apo turizmin historik.
Lura turistike me emrin e saj të njohur edhe jashtë vendit, duhet të ishte sot një destinacion praktikisht i arritshmëm e me infrastrukturë të ngritur, jo vetëm për 14 liqenet akullnajorë me bukuri të rralla, por edhe për hapsirat e tjera pyjore që po ringjallen bashkë me ato livadhore të pa fundme me gjithfarë lulesh, me morfologji terreni befasuese e mahnitëse, me Lanë Lurën e famshme dhe monumentet e tjera të natyres së saj.

Kjo rrugë nuk u ndërtua gjatë 46 viteve të kohës së socializmit enverian dhe 28 viteve të demokracisë laramane, që për shumë arsye të pa arsyeshme, po vonojnë së tepërmi vendin drejtë përparimit e zhvillimit, të paktën të ishim të krahasueshëm me fqinjët.
Në vitet e largëta të socializmit, u ndërtua një rrugë traktori 2. 5 m e gjërë ose një rrugë ushtarake për makinat e ushtrisë, makina të larta e me tek goma, që ishin në gjendje të kalonin në rrugë të tilla për të transportuar artilerinë e luftës për në repartin ushtarak në Qafën e Tajanit.
Rruga është domosdoshmëri për Lurianët edhe sikur ajo të hapet vetëm për të lidhur Lurën me qytetin e Peshkopisë, ku ata kanë qendrën e bashkisë së tyre me të cilën e lidhin hallet dhe problemet. Pas dy viteve pritet të përfundoj ndërtimi i Rrugës së Arbërit, e cila do ta afroj Tiranën me Peshkopinë në rreth 85 km, nga 170 km që është sot dhe Lurën me Tiranën nëpërmjet Peshkopisë në rreth 120 km. Deri në Arras ajo tashmë ka ardhur, duke shkurtuar distancën Peshkopi – Arras rreth 10 km. Kësisoj rruga Peshkopi – Arras – Lurë do të këtë një gjatësi totale rreth 34 – 36 km, nga 45 km që ka qenë sipas variantit nga Rruga e Rinisë nëpërmjet Muhurrit. Mbetët për tu ndërtuar 18 apo 20 km rrugë, qoftë dhe më gjërësi 5 apo 6 m e asfaltuar, për të cilën mendojmë se nuk do të këtë kosto të lartë falë dhe faktit se gjysma e gërmimit është bërë nga ushtria dekada më parë.

Rruga gjarpëron në një terren malor që nga ana gjeologjike ka përparësi, duke kaluar në formacione karbonatike të forta (kryesisht gëlqerorë).  Rruga Arras – Lurë duhet të ndërtohet një orë e më parë për perspektivat që do të hap në disa drejtime zhvillimore për krahinën, për të vijuar drejt liqeneve të Lurës. Për të vajtur në Lurë dhe tek liqenet e saj mund të ketë dhe variant tjetër si ai në drejtimin e Gur Lurës me tunele nga Çidhna që kërkon shpenzime më të mëdha. Rruga Arras – Lurë do të zhvilloj jo vetëm atë krahinë të lënë pas dore por, do të jetë në vetvehte dhe një rrugë panoramike e papame dhe jo vetëm kaq.
Kjo rrugë kalon fillimisht në territorin e Vendorigjinës së Kastriotëve. Këtu mund të vizitohen Kastrioti, Kisha e Gjonit, Zabeli i Kukës, Kulla e Gjonit, Ogradja e Gjonit, Guri i Luftës, Zabeli i Gjinit etj. Vijon më tej afër Kodër Laçes ku është lartësuar përmendorja në kujtim të zhvillimit të Betejës së Madhe të Torviollit midis Ushtrisë Osmane dhe Ushtrisë së Lidhjes së Lezhës, që komandohej nga Skenderbeu, si dhe luftrave të tjera për liri e pavarësi, dhe në vazhdim vizitohet vendi i quajtur Ferra e Pashës afër Urës së Lushës. Kalohet në Arras, aty ku filloj Kryengritja e Përgjithëshme e vitit 1912 kundër ushtrisë osmane me 26 – 27 mars dhe aty ku u formua Qeveria e Arrasit e vitit 1920. Në Sinë, vizitohet Muzeu i Kastriotëve, Hambarët e Skënderbeut pranë Arës së Trojës, Troja, Arat e Gjegjës etj.
Pasi kalon Urën e Përroit të Setës, rruga fillon ngjitjen drejt fshatit Çidhën, aty ku, në vitin 1466 u krye nga Sulltan Mehmeti i II masakra më e madhe në historinë tonë kombëtare, në territorin midis dy kalave të kësaj treve, ku i shkoj në thikë sipas Barletit, 8 deri 10 mijë burra, veç grave dhe femijëve.
Pra është një rrugë e mbushur me përmendore e lapidare që dëshmojnë dhe gjëmojnë për historinë, një vlerë tjetër e madhe kjo, në shërbim të turizmit dhe memories tonë kombëtare, shumë pranë Muzeut të Kastriotëve në Sinë.
Në këtë rrugë ka kaluar edhe dërgata e mbretit Maqedon Perseu në vitin 169 para Krishtit për bisedime me Gentin (mbretin ilir) kundër romakeve, pasi kreu masakrën mbi Oenen, kryeqendrën e Penestëve.
Në stacionin e parë të saj në Çidhën do të hap perspektiva turizmi veçanërisht për të vizituar gjeomonumentet e natyrës që ndeshen në Grykën e Setës nga Ura e Setës e Kepi i Xhitetit e deri ne afërsi të Gur – Lurës, me kanione të shumta të thella e magjepse, me shpella karstike interesante e ujëra që rrjedhin prej  tyre si kristali etj. Në vazhdim ndeshet me Luginën karstike të Pratit e cila në anën perëndimore ka Qafën e Tajanit. Tajani, një pikë dominuese ku shikohet si në pëllëmbë të dorës 70 % e Dibrës e më gjërë, ku në anën lindore vrojtohet Mali i Gjallicës, Malësia e Sorokolit, Malësia e Korabit, Malësia e Gramës, Mali i Velivarit etj., dhe në anën perëndimore Mali Xharxhixhtit, Mali i Pllajut, Mali i Runjës, Mali i Pratit etj. Në vazhdim kjo rrugë do të ndërpresë mes për mes Lanë – Lurën që të mrekullon që në shikimin e parë, një fushë e madhe karstike-tektonike me vlera të jashtëzakonshme nga të katër anët, e njohur në rang kombëtar e rajonal. Vazhdimi i saj drejt jugperëndimit – Luginës karstike-tektonike të Xharxhishtës apo drejt verilindjes, Majës së Madhe, e bënë atë më madhështore dhe piktoreske.
Pamja majtas: Guri i Kuq, Krejë Lurë. Në mes foto simbolike e Çekiçit të Gjeologut (mbi shkëmbinj të Masivin Ultrabazikë të Lurës), i cili duhet të vazhdojë të godasë shkëmbinjët e Lurës për të gjetur vendburime të dobishme mineralesh. Besojmë se kjo ka për tu realizuar nga brezat e tjerë, ndaj e shikojmë me shumë optimizëm ndërtimin e rrugës. Në të djathtë të fotos, pamje të Grykës së Madhe të Përroit të Mallës së Lurës.Pamja majtas: Guri i Kuq, Krejë Lurë. Në mes foto simbolike e Çekiçit të Gjeologut (mbi shkëmbinj të Masivin Ultrabazikë të Lurës), i cili duhet të vazhdojë të godasë shkëmbinjët e Lurës për të gjetur vendburime të dobishme mineralesh. Besojmë se kjo ka për tu realizuar nga brezat e tjerë, ndaj e shikojmë me shumë optimizëm ndërtimin e rrugës. Në të djathtë të fotos, pamje të Grykës së Madhe të Përroit të Mallës së Lurës.

Kjo rrugë do të jetë rruga që do të rilind jo vetëm Lurën por dhe zonën ku kalon në çdo kilometër të saj. Jemi tejet të bindur se ndërtimi i kësaj rruge jetike edhe pse tejet e vonuar, do të tërheq shumë investitorë vendas e të huaj të interesuar për turizmin malor, atë historik, pejsazhet (në zonën e Lurës vizitohet Kisha e Krejës e Dom Nikoll Kaçorrit, Fusha e Krejës, Guri i Kuq, Gryka e Madhe e Përroit të Mallës së Lurës etj.) pse jo dhe për pasuritë nëntokësore të saj, për kerkimin, zbulimin dhe shfrytëzimin e disa mineraleve që mund të gjenden në Lurë, që për shumë e shumë arsye kërkimet gjeologjike që u realizuan në kohën e monizmit, vetëm sa “e kanë gërvishtur”atë.
Midis shume arsyeve, mungesa e rrugës padyshim ka pjesën e luanit. Mineralet e Kromit, të Bakrit, apo disa minerale të Aluminit e Manganit etj. (objektet Dodaj, Krejë Lurë, Blaç, Përroi i Ftujës, Pregjë Lurë, Arrëmollë etj.), si dhe minerale të tjerë jo metalorë që natyra nuk i ka kursyer (si lëndë e parë për infrastrukturë në gjithë territorin), kanë perspektiva në Njësinë Administrative të Lurës e cila, kurrsesi nuk duhet llogaritur vetëm si një vend ku mund të zhvillohen turizmi malor e historik, blegtoria, ajo pak bujqësi apo ndonjë investim tjetër prodhues me leverdi etj.
Pjesa më panoramike do të jetë pjesa e rrugës nga qendra e Lurës drejt Liqeneve të saj. Aty ku pishat kanë filluar të ripërtrihen dhe liqenet po shtojnë bukuritë. Kjo rrugë nuk i kalon 16 – 17 km, ku që në kilometrin e 7 -të takon liqenin e parë e më tej vazhdon gjarpërimin me ngjitje të butë për afro 10 km, duke qarkuar të gjithë liqenet akullnajorë deri në Fushën e Pelave.
Vazhdimi i saj drejt jugut do të hap perspektiva të reja duke u lidhur në të ardhmen edhe me zonën e Vanave e Selishtës. Lidhja me rrugë të rregullt e zonës së Liqeneve të Lurës dhe vetë fshatrave të Lurës midis tyre, do të jetë një gjë madhështore, do të krijojë kushte për investime serioze në turizëm dhe në disa fusha të tjera të kësaj krahine shumë të largët. Rruga do ta rilind Lurën bashkë me malet e liqenet aq të njohur në gjithë shqipërinë.
Rruga e Arbërit do ti jap frymëmarrje Dibrës në të katër qoshet e saj.
Po ashtu duhet thënë e verteta se “Lura ndodhet midis dy rrugëve” për faktin se ajo ka edhe një drejtim tjetër për tu lidhur me kryeqytetin nëpërmjet Mirëditës veç variantit të lidhjes së saj me Rrugën e Arbërit që trajtuam më lartë dhe për të cilën gjykojmë se ky aks do ta lidh më shpejt me Tiranën, edhe pse është një rrugë që disa muaj edhe mund të bllokohet nga dëbora.

A është Lura e gatshme të presë vizitorë vendas e të huaj pas lidhjes me Rrugën e Arbërit?

Aktualisht gjendja në Lurë nuk është shumë optimiste në shumë drejtime të zhvillimit ekonomik. Brenda vetë Lurës duhet të ndërtohen e riparohen rrugë të brendëshme midis fshatrave që të mund të krijohen kushtet për investime në funksion të turizmit malor.

Disa foto të kampioneve të ndryshme mineralesh metalorë e jo metalorë, ku dominojnë ato të kromit të masivëve ultrabazikë të Bulqizës dhe të Lurës. Në foton e sipërme djathtas, mund të dallohen disa minerale të Hekur Nikelit dhe ato të Boksideve etj. Një pjesë e kampioneve janë mbledhur në rajon me ndihmën e Prof. N. Mekshiqit dhe inxhinierit të apasionuar e të talentuar të minierave z. B. Hoxha.

Ndihet mungesa e ujit të pijshëm në çdo familje, pasi gjendja është jo e mire për të mos thënë e mjerueshme. Furnizimi me energji elektrike është larg çdo norme dhe lenë shumë për të dëshiruar. E shikuar ndryshe, në Lurë ka mundësi të mëdha për hipodrome garash ndërkombëtare, pista dimërore për gara skish për aktivitete ndërkombëtare etj. si në dimër, pranverë, verë dhe vjeshtë, etj. Krahina e Lurës është e mbushur me dëshmi arkeologjike të lashtë dhe të vonë, me pllaja, lugina, kanione, ujra sipërfaqësore e nëntokësore, me pyje të shumëllojshme që shpejt do të ripërtrihen më të bukura se më pare etj.
Historia e lashtë, e vonë, e mesm edhe e tanishme e Lurës është ndër me të lavdishmet në Dibër dhe gjithë Shqiperinë, kërkohet të prezantohet me profesonializëm ashtu sikurse kultura dhe arti, etnosi gojor dhe i kultivuar, këngët dhe vallet, veshjet e grave dhe burrave të cilat janë perlat e këtij vendi të gërshetuar me histori të lavdishme pa përmendur këtu bujarinë, mikpritjen dhe guzhinën tradicionale mjaftë cilësore.

AKSI RRUGOR PESHKOPI – KASTRIOT – KALA E DODËS, ME DEGËZIMET
CEREN – RRAFSHI I SOROKOLIT DHE SLLOVË – LIVADHI I GJATË – GRAMË

Nëpërmjet këtij aksi do të jenë lehtësisht të vizitueshme Korabi, Sorokoli e Grama, tre perlat e pa njohura të Dibrës pothuajse të virgjëra me bukuri e pejsazhe të rralla. Në këto venda të nalta të natyrës dibrane midis të tjerave mund të vizitohen një numër i madh gjeomonumentesh (Shiko listën e gjeomonumenteve).

Është e vertet se ky aks deri në Kala të Dodës mendohet se është i ndërtuar e i asfaltuar por ne, nuk do të mendonim ashtu. Jo vetëm që ky magjistral është ndërtuar pa ndonjë standard të lartë por ajo më shqetësuese është fakti i ndërtimit pa studime gjeologo-inxhinierike.
Mjafton të udhëtosh në këtë rrugë për ta parë me sy realitetin. Sapo kalon fshatin Kastriot ndesh në dukuritë e para rrëshqitësë tek Kodra e Gështenjave, pastaj në vjimësi, në afërsi të rrugës së fshatit Blliçe, ku ajo degëzohet me rrugën kryesore, në shpatin pa vajtur tek Ura e Mullirit të Kapçit, midis Shumbatit e Trojakut, pa hyrë në Sllovë, midis Sllovës e Vleshës në zonën e Përroit të Botës, midis Vleshës dhe Urës së Veleshicës etj.
Po ashtu urat në këtë rrugë janë ato të ndërtuara vite e vite më parë. Kësisoj disa prej tyre e kanë domosdoshmëri ndërhyrjen duke filluar nga Ura e Përroit në Miravec, afër Kastriotit, e me rradhë. Si rrugë të reja veç asaj Ceren-Rrafshi i Sorokolit (4 – 5 km), në këtë aks rekomandojme rrugën Sllovë-Livadhi i Gjatë- Varri i Sejmenit – Gramë (12 km, ose 10 km nga fshati Sllatinë).

Pamje të ndryshme nga Liqeni i Zi (ne veri të fshatit Tejs).

Edhe degëzimi Ceren -Tejs ka nevojjë për një përmirësim total, si Porta Pritëse e Korabit.
Në tërësi aksi Peshkopi – Kastriot – Kala e Dodës kalon në një zonë me pasuri të shumta minerale metalore e jo metalore, që mund të vihen në shfrytëzim. Rrugët e reja dhe përmirësimet që kërkohen të bëhen, mund të ndikojnë në gjallërimin e kërkimeve të mëtejshme. Këtu mund të përmendin një numër vendburimesh Gjipsi, Anhidriti e Seleniti, të cilat hëpërhë janë të penguara nga Parku Natyror Korab Koritnik, po ashtu dhe disa minerale të tjera metalore e jo metalore si mermeret e Korabit, disa shkëmbinj magmatikë acid në Presh e bazik në Sorokol që mund të priten e latohen si gurë veshës dekorativ të cilësisë së lartë; mermere të varrosura në rrjedhjen e sipërme të Veleshicës me ngjyra nga më të bukurat, mineralizimet e Hekurit në Sorokol etj., Manganit në Gramë e Rr. Korabit etj., Polimetaleve në Veleshicë etj., Arsenikut në Trojak, Dipjakë, Varri i Sejmenit, Stanet e Preshit-Gjipsi i Kellës, Qafa e Rritheve, Izvir, Rrafshi i Korabit, Kepi i Stogjit, fillim Rrafshi i Korabit e deri në Qafën e Rosnikut; atyre të çmuarve etj. Në këtë zonë mund të vizitohen 10 liqene malor akullnajorë, nga Grama, Bjeshka e Shehut, ajo e Preshit e deri tek Liqeni i Zi mbi Tejzë (shiko fotot ilustruese në vijim).

Pamje nga Parku Natyror Korab – Koritnik të realizuara kryesisht ne zonën ku përhapen evaporitet, ku bien në sy format interesante qe ka skalitur erozioni në shpatet evaporitike në jug të Majës së Pelpanikut, Majës së Malit të Bardhë.

Turizmi malor dhe ai historik do ti sjellin gjallërim ekonomisë së zonës në tërësi. Për mineralet do të krijohen lehtësira e mundësi për intensifikimin e kërkimeve nga firmat vendase e të huaja.  Në njësitë në fjalë janë zbuluar një numër i konsiderueshëm venburimesh mineralesh jo metalore. Mund të cilësojmë ato të Argjilave: Shkolla e Kastriotit, Zbinec etj; të Pirofilitit në Sohodoll, të Kuarciteve në Përruan e Kaut Sohodoll, Sorokol, Ceren etj, të Travertinave në Vleshë, Dipjakë, Sopanikë – Çidhën etj.; Bojrave të Dheut në Blliçe, Rrenz, Përruan e Miravecit, Përruan e Kaut Sohodoll, Varri i Kaurrit (Topuze) etj.

Disa përshkrime të shkurtëra me foto ilustruese të disa gjeomonumenteve të njësive në fjalë

Burimi i Ujit të Ftohtë në fshatin Vleshë

Ky burim gjëndet pranë fshatit Vleshë, 810 – 830 m mbi nivelin e detit dhe 800 m në jug të tij. Kur udhëton nga Peshkopia për Kala të Dodës, 500 m pa vajtur në Vleshë, tek Përroi i Mullirit, në krahun e djathtë rreth 300 m larg ndodhet burimi në fjalë.
Ai del prej formacionit gjipsor, kryesisht i lloit gjips – anhidrit me ndërmjetësime lentore dolomitesh dhe materiali organik të përzier me atë argjilor me ngjyrë të murrme në të zezë. Sipas studimit (Hoxha, 2001) ky është një burim tipik i lloit karstik në formacionin evaporitik të gjipseve në Njësinë e Dibrës, që mendohen si pjesë e Zonës tektonike të Krujës. Me prurjet e tij të mëdha, ujin pastër dhe shumë të ftohtë, burimi krijon mjedis tërheqës, me vlera gjeoturistike dhe mjeksore.

Fusha e Panairit (Punajrit)

Pamje nga Parku Natyror Korab – Koritnik të realizuara kryesisht ne zonën ku përhapen evaporitet, ku bien në sy format interesante qe ka skalitur erozioni në shpatet evaporitike në jug të Majës së Pelpanikut, Majës së Malit të Bardhë.

Pamje nga Parku Natyror Korab – Koritnik të realizuara kryesisht ne zonën ku përhapen evaporitet, ku bien në sy format interesante qe ka skalitur erozioni në shpatet evaporitike në jug të Majës së Pelpanikut, Majës së Malit të Bardhë.Ndodhet në Malësinë e Korabit, 1.5 km në VL të majës më të lartë të Korabit ose Piramidës nr. 4, me lartësi mesatare rreth 2100 m mbi nivelin e detit.
Ngjan me një amfiteatër gjigand, me shpate të pjerrëta dhe fund të sheshtë me gjatësi rreth 700 m e gjërësi 230 m. Ka formën e një grope të madhe ndërmalore. Ajo përbën një cirk të madh kompleks glacialial të vendosur mbi gëlqerorët e Devonianit, rreshpet e Silurian – Devonianit dhe, të disa daljeve të serpentiniteve.
Në të takohen dukuri të erozionit karstik duke krijuar një peisazh të rrallë malor. Ujërat që dalin në pjesën e sipërme të saj nga burime karstike me debite të bollshme si dhe ato që burojnë nga gropat akullnajore, humbasin në hapsirat karstike në fundin verior të fushës dhe në planet tektonike për tu rishfaqur pas 5 – 6 km si një burim i madh uji në zonën e Izvirit.
Nga burimet e Izvirit merret më shumë se 50 % e ujit që furnizon aktualisht qytetin e Peshkopisë dhe shumë fshatra përgjatë aksit ku kalon ujësjellësi. Si rregull këto ujëra duhen shfrytëzuar vetëm në peiudhën e dimrit.

Majtas: Gjipsi i Kellës (Pulla e bardhë në fotonë VP të Staneve të Preshit–Korab) dhe Burimi i Preshit ku marrin ujë Peshkopia dhe disa fshatra. Djathtas: Liqeni i Gramës.

Në anën veriperëndimore gjeomonumenti rrethohet nga kreshta me lartësi 2524 m, në anën lindore-verilindore rrethohet nga Maja e Rosnikut me lartësi 2569 m (Piramida nr. 3) dhe anën perëndimore – jugperëndimore rrethohet me majën më të lartë të vendit tonë, 2754 m (Piramida kufitare kryesore nr. 4). Është një gjeomonument gjeomorfologjik kompleks, karstik e tektonik me vlera shkencore gjeologjike, gjeomorfologjike, kulturore, ekologjike dhe gjeoturistike.

Bjeshka e Zonjave në Bjeshkën e Gramës

Cirqet dhe liqeni i saj janë të lloit gjeomorfologjik kompleks, akullnajor etj. Cirqet e Bjeshkës së Zonjave me liqenet akullnajore, gjënden në Bjeshkë të Gramës, 1700 – 2000 m mbi nivelin e detit. Këtu.janë formuar cirqe, morena dhe liqene akullanojre. Liqenit në foto rreth viteve 1959 – 1960 i është vendosur digë dhe i është rritur niveli për tu përdorur për vaditje. Cirqet më të bukura e të spikatura janë formuar në shpatin e Bjeshkëve të Zonjave.

Disa janë kthyer në liqene akullnajore në pjesët e tyre të poshtme. Ky cirk përbën një shpatullim akullnajor në rreshpe, 1000 metra i gjatë, 100-180 m i gjërë dhe me pjerrësi të madhe drejt Malit të Gramës dhe Malit të Bardhë. Në formën e një katërkëndëshi të çrregullt dhe të një ballkoni të madh natyror me kullota alpine. Ai ka vlera shkencore gjeomorfologjike, ekologjike, didaktike, gjeoturistike.

AKSI RRUGOR ARRAS – MUSTAFE – DARDHË – KRAJ REÇ

Ashtu sikurse kemi theksuar në fillim të këtij referati ky aks ka dy alternativa për arsyet e cilësuara më sipër. Nëse në lumin Drini i Zi nuk do të ndërtohen hidrocentrale, duhet riparuar aksi i vjetër me standardet e kohës. Në të kundërt, është domosdoshmëri për të ndërtuar një rrugë të re, nga Ura e Setës në Arras, drejt fshatit Mustafe, duke vijuar mbi Zall Dardhë, drejt Kraj Reçit, me një gjatësi të përafërt prej 15 km, e projektuar mbi të gjitha kuotat e mundëshme të hidrocentraleve.
Kjo rrugë do të jetë vazhdimisht e kërkuar nga turistët si një nga akset nga ku shikohet e shijohet panorama më impresionuese e Luginës së Drinit të Zi, e Maleve të Korabit e të Gramës, Veleshica, kanionet e Drinit të Zi në zonën Shënllesh-Ura e Dodës dhe Gryka e Përroit të Mallës së Lurës (shiko listën e gjeomonumenteve), me një larmi morfologjike e shkëmbore befasuese . Rruga nga Arrasi në Kraj Reç e Zall Reç, do të vijoj më tej ose nga Kraj Reçi ose nga Zall Reçi, (varësisht projekteve inxhinierike dhe hidrocentralit) drejt Bardhaj Reçit, Hurdhë Reçit, Gjurrë Reçit, Arrëmollës, Pregjë Lurës e deri në Krej Lurë.

Fusha e Panairit, 1.5 km në VL të Malit të Korabit (Shiko hartën topografike në shkallë 1 : 25 000 ku tregohet Maja e Korabit, Gjeomonumenti Fusha e Panairit me foton shoqëruese në krahun e djathtë).

Midis të tjerave në këtë aks takohen shenja të mineralaleve të çmuar, dalje të gëlqerorëve të mermerizuar në zonën e Kraj Reçit në hyrje dhe në dalje të tij, me ngjyrë të kuqeremtë dhe me ngjyre të bardhë në gri, po ashtu ka perspektiva kërkimi të gurit të çmuar etj.
Me zgjatjen e këtij aksi në drejtim të Arrëmollës dhe Krejë Lurës do të kalohet afër shfaqjeve të gëlqerorëve të mermerizuar të Bardhaj Reçit dhe të Tharkës, me një ngjashmëri midis tyre, pa folur këtu në vijimësi drejt Lurës për objektet e Bakrit në Arrëmollë e Pregjë Lurë, me perspektivë në shrirje drejt Qafë Lurës, Borie Lurës e deri në Gur Lurë apo Mbasdejë, daljet e kromiteve në Kësulë, Kurjak, Krejë e Batalle apo të disa mineralizimeve jo metalore si Dunitet, shfaqjet e Asbestit etj., si dhe, për mundësitë e turizmit malorë që nga Zall Reçi e deri në Arrëmollë, Fushë Lurë  etj. Turistët në këtë aks do të kenë mirësinë të njihen me një nga krahinat më bujare të Dibrës, me një kulinari cilësore të pasur e tradicionle, me monumente kulturore e arkeologjike etj. Zona e Dardhë Reçit shquhet për folklorin e pasur e prioritar në Dibër, për historinë e lashtë e të lavdishme në luftrat për liri e pavarësi ndër shekuj.

AKSI RRUGOR PESHKOPI – ZIMUR – MALI I GRAMËS, PESHKOPI – ZONA E BELLOVËS, PESHKOPI – MELAN – ILNICË DHE PESHKOPI – SELANE

Rajoni i qytetit të Peshkopisë dhe periferitë e tij, njësitë e Tominit dhe Melanit, me përfundimin e Rrugës së Arbërit dhe zgjatjen e kësaj superstrade nga Herbeli drejtë Peshkopisë në rrugën më të shkurtër e të sigurt, do të jenë përftuesit e parë. E megjithatë, edhe pse janë më afër se njësitë e tjera, disa prej tyre kanë nevojë jo vetëm që të riparohen rrugët lidhëse ekzistuese më aksin në fjalë por në disa zona kërkohet të hapen rrugë të reja për ti paraprirë zhvillimeve ekonomike dhe përspektivave të turizmit të të gjitha formave që dikton ai.

Pamje e përgjithshme e Bjeshkës së Gramës dhe e Evaporiteve (Kryesisht gjipse dhe anhidrite), respektivisht në krahun e djathtë e të majtë të Përroit të Gramës. Në të djathtë ne foto një pjesë e Gramës dhe Llapshniku.

Ndërtimi apo riparimi i aksit rrugor Peshkopi – Staravec – Shimçan – Bahute – Zimur (9 km), si dhe në vijim ndërtimi i rrugës së re deri në ish postën verore të Cerjanit (~ 4-5 km), në afërsi të Llapshnikut, jo vetëm do të nxiste zhvillimin në këto zona dhe lehtësonte jetesën e tyre por, do të shtonte në numër të konsiderueshën turistët e huaj dhe vendas për të shijuar jo vetëm bukuritë e Malit të Gramës dhe kënqësitë që të jep ngjitja në ato vise të nalta, por dhe mundësinë që të krijojnë për të vizituar një sërë gjeomonumentesh me vlera kombëtare e ndërkombëtare (shiko listat e gjeomonumenteve). Prej këtu mund të shikohen e shijohen pamjeve madhështore të Korabit me kreshtat, Malit të Bardhë me Pelpanikun, Grykës madhështore të Përroit të Gramës më shpatet anësore gjigande, Gradishtin dhe gjithë luginën e lumit Drini i Zi. Në njësinë e Melanit fshati Rabdisht (6. 5 km nga Peshkopia) ka hyrë në 100 fshatrat turistikë të Shqipërisë. Bujtina e Sabri Shahinit në këtë fshat është promovuar e vizitohet nga turistë të huaj. Zona e Ilnicës (Melan – Ilnicë 6 km) tashmë është bërë një atraksion turistik i njohur, me bjeshkët e saj të vizituara prej disa vitesh.
Në njësinë e Tominit, fshati Selane është bërë vërtetë një destinacion turistik me vlera i cili ndodhet katër kilometra larg nga qyteti i Peshkopisë me rrugë të pa asfaltuar (Peshkopi-Dohoshisht-Selane), pa folur këtu për lidhjet me Cetushin apo Ushtelenxën e Brezhdanin.
Në këto njësi nuk duhen lejuar që të ndërtohen  hidrocentrale jashtë studimeve mjedisore siç po flitet për Përruan e Banjove apo gjetkë, sidomos nuk duhet lejuar ndërtimi i atyre që janë shkatërrues ndaj turizmit, duke degraduar vlerat natyrore të zonave përkatëse e duke lënë fermerët pa ujë vaditës. Rrugës së Arbërit dhe zgjatimit të saj në Peshkopi i duhet paraprirë me promovimin akoma më shumë të mollave, qershiave dhe kumbullave të Dibrës, si fruta me shije dhe vlera tejet të veçanta.

Pamje nga Burimi i Ftohtë sulfihidrik i Llixhave të Peshkopisë. Burimet e Termale janë të kaptazhuara. Ato ndodhen midis Qendrës Balneare dhe burimeve të ftohta në foto.

Në  njësinë e Tominit e Melanit ka premisa gjeologjike për kërkimin e zbulimin e mineraleve të bakrit dhe mineralizimeve të manganit (Pilafe, Mali i Zimurit, Llapshnik, Guri i Kuq, Hirisim Cerjan, Hirisim Gurra etj.)  Po ashtu në zonën e Pilafe Tominit ka disa vendburime Bojrash Dheu të ngjyrave e cilësive të mira. Jo pa interes duhen pare argjilat e zbuluara në objektet Vakuf, Dardha e Kubenit, Dohoshisht, Pilafe, Kodra e Xhize, etj.
Ka perspektivë për argjila cilësore e sasiore edhe zona e Pejkë – Pjeçës. Po ashtu Gryka e Përroit të Llixhave është një objekt i madh evaporitesh ku mund të gjenden e lokalizohen disa vendburime për shfrytëzimin e gjipseve dhe anhidriteve.
Vendburimi i gjipseve në lindje të Grevës në shpatin verior të Përroit të fshatit është tashmë një objekt i zbuluar e me perspektivë shfrytëzimi.
Në Njësinë e Peshkopisë ndodhet Burimi i ujrave termale sulfihidrike të njohura në të gjithë vendin, i cili veç vlerave kurative e tregtare, përben edhe një gjeomonument me vlera kombëtare që duhet mirë administruar si i tillë. Po ashtu në qytetin e Peshkopisë janë kryer një numër i konsiderueshëm edhe shpimesh hidrogjeologjike për uji të pijshëm me një debit të kënaqshëm për destinacionet për të cilat janë hapur. Shpimi i hapur pranë Pularise poshtë Dardhës së Kubenit është një model i tyre.

Si ilustrime, disa nga gjeomonumentet që takohen në njësitë administrative përkatëse

Burimet termominerale sulfihidrike të Llixhave te Peshkopise

Ndodhen rreth 1.6 km ne lindje te qytetit te Peshkopise, në Luginën e Përroit të Banjave ose Llixhave, ne afersi te kontaktit te formimeve flishore te Paleogjenit (rreshpe argjilo-ranorike etj. te Eocenit) me Evaporitet e Triasikut apo Permian Triasikut (gjipse, anhidrite, selenite, krypera etj.). Takohen ne trajten e dy burimeve me nje debit te kenaqshem (8 l/sek dhe 14 l/sek) dhe temperature 350 – 420 C, aktualisht të kaptazhuara. Burimi lidhet me kontaktin tektonik të flisheve te Eocenit me formacionet e gjipseve të Njësisë Dibra (Zona tektonike Kruja) dhe me kontakte të tjera brenda për brenda evaporiteve.

Pamje e përgjithshme e pjesës perëndimore të objektit të Gjipseve në Përruan e Grevës

Eshtë ndër burimet termale me veti të mira kuruese e njohur edhe në rajonin e Ballkanit. Ujërat termo – minerale sulfihidrike (49 mg/l – H2S), perveç vlerave te larta kurative per disa lloje semundjesh, si dhe kane rendesi shkencore ne fushen e gjeologjise, hidrogjeologjise, tektonikës dhe me vlera turistike.

Shpella e Qytezës përfaqëson një dukuri karstike të formuar në depozitimet evaporitike të Permian-Triasikut. Ndodhet në lindje të fshatit Bellovë në lartesinë rreth 1100 m mbi nivelin e detit. Shkëmbi gjipsorë ku ndodhen shpellat njihet edhe me emrat Kepi i Xhitetit dhe Kodra e Kullave. Paraqitet me dy hyrje me një shtrirje gati vertikale në 3 – 4 metrat e para me dimensione 1.5 x 2 m dhe hapet në thellësi deri në 80 m në drejtime të ndryshme dhe me mjaftë vështirësi lëvizjeje. Në të ka mbetje të veprimtarisë së njeriut të lashtë dhe ka vlera shkencore gjeologjke, kulturore etj.

Në vend të mbylljes

Autoritetet shtetërore duhet të inicojnë ndërtimin e një albumi praktik unik ose libër me ilustrime në foto e shënime sqaruese të shkurtëra për objektet turistike të zonës, të të gjitha kategorive të tyre, me cilësimin e rrugëve për të vajtur në destinacionet e tyre etj., duke rritur kësisoj interesin e turistëve vendas e të huaj.
Ky albun duhet të përpilohet nga specialistë të fushave dhe redaktohet me korrektësi të madhe, jo të ndërtohet nga specialistë të pa përgatitur siç edhe është vepruar deri më sot.
Në internet dhe rrjetet sociale, në mënyrë të organizuar, duhet të hidhen vazhdimisht foto cilësore të këtyre objekteve turistike, me sqarimet e nevojshme të specializuara jo amatoreske.
Artikujt e autorëve të renditur në burimet e literaturës dhe shumë të tjerëve në pamundësi citimi, mendojmë se duhet të jenë nga udhërrëfyesit kryesorë të hartimit të albumit.
Njerëzit po ndërgjëgjësohen çdo ditë e më shumë të ruajnë trashëgiminë e natyrës, ambientin, pasi me të drejt historia e tokës nuk është më pak e rëndësishme se historia njerëzore.
Trashëgimia është vlerë që përcillet brez pas brezi, ku natyra zë vend të veçantë. Shumë kanë shkruar për gjeomonumentet e Dibrës, autorët e të cilëve duke mos qenë specialist të fushës lenë shumë për të dëshiruar në përshkrimet e bëra duke dhënë mesazhe të gabuara në shumë drejtime për turisat.
Koncepti i zones së mbrojtur ka evoluar shumë, ajo tashmë rrok shumë vlera të veçanta mjedisore: “biodiversiteti, bukuria e peisazhit, formacione të rralla gjeologjike, forma të veçanta të relievit, vlera hidrografike, tradita të pasura kulturore, arkitekturore, pasuri arkeologjike, etj.” (Neziraj etj. 2015).
Gjeomonumentet janë objekte të natyrës jo të gjallë, të cilat kanë vlera të mëdha shkencore, gjeologjike, kulturore, didaktike etj. si dhe vlera ekonomike. “Zona të mbrojtura” shpallen territore tokësore, ujore, detare e bregdetare të caktuara për mbrojtjen e diversitetit biologjik, të pasurive natyrore dhe kulturore, bashkëshoqëruese, të cilat menaxhohen me rrugë ligjore dhe me metoda shkencore bashkëkohore. Mbështetur në eksperiencën ndërkombëtare, përvojën tonë, gjeomonumentet i kemi ndarë në tre grupe:
a)  Gjeomonumentet lokale, ku janë klasifikuar ato gjeomonumente që, për nga fenomeni përfaqësues, takohen/shtrihen në rrethinat, territorin e një bashkie apo qarku. Këto fenomene gjeologjike kanë rëndësi lokale dhe i shërbejnë zhvillimit të komuniteteve në zonat ku lokalizohen.
b)  Gjeomonumentet kombëtare, ku futen ato gjeomonumente të cilat janë unike ose janë më të mirat e llojit të tyre në nivel vendi.
c) Gjeomonumentet ndërkombëtare (regjionale), janë ato gjeomonumente të cilat përfaqësojnë fenomene gjeologjike unike në nivel ndërkombëtar ose më të mirat e llojit të tyre në se i takojmë në një rajon tjetër.

I. Gjeoparqet:
I. 1. Parku Natyror Korab – Koritnik; I. 2. Parku Kombëtar i Lurës; I. 3. Monumenti Natyror Vlashaj
II. Gjeomonumentet:
II. a. Disa gjeomonumente me vlera regjionale:
II. a. 1. Alloktoni i Gramës; II. a. 2. Dyshemeja metamorfike në Gur Lurë; II. a. 3. Kupola evaporitike e Malit të Bardhë; II. a. 4. Burimi termomineral sulfihidrik i Llixhave të Peshkopisë; II. a. 5. Liqeni i Luleve (Lurë); II. a. 6. Liqeni i Zi (Lurë); II. a. 7. Liqeni i Madh (Lurë); II.a. 8. Rrafshi i Korabit në M. e Korabit;
II. b. Disa gjeomonumente me vlera kombëtare:
II. b. 1. Bjeshka e Zonjave (ne Bjeshken e Grames); II. b. 2. Kanioni Shënllesh – Zall Reç dhe Ura e Dodës – Tejdrine; II. b. 3. Keproku konik mbi evaporite në Përroin e Banjave; II. b. 4. Liqeni i Zi (mbi fshatin Tejzë (Tejs); II. b. 5. Burimi dhe shpella e Sopanikës; II. b. 6. Kroi i Mbretit – Sorokol; II. b. 7. Kanionet e Grykës së Setës, Kepi i Xhitetit – Çidhën – Gur – Lurë;

II. c. Disa gjeomonumente lokale:
II. c. 1. Cirqet akullnajore të Bjeshkës së Shehit; II. c. 2.  Shpella e Rusit (Grykë Nokë); II. c. 3. Shpella e Qytezës; II. c. 4.  Pasqyrat e Pelpanikut (Gjipsit të lloit Selenit), në lindje të Malit të Bardhë dhe perëndim të Varrit të Sejmenit; II. c. 5. Burimi i Ujit të Ftohtë, Vleshë; II. c. 6. Fusha e Panairit; II. c. 7. Gryka e Madhe e përroit të Mallës së Lurës; II. c. 8.  Shëllinasi i Lapshnikut; II. c. 9. Burimet e Bellovës; II. c. 10. Morenat e Fushë Lurës; II. c. 11. Cirku i Kurorës së Lurës; II. c. 12. Lugina Karstike e Krej-Lurës; II. c. 13. Fusha e Pelave, Lurë; II. c. 14. Kodra e Gjatë, Blliçe; II. c. 15. Lugina Karstike e Mërkurthit; II. c. 16. Liqenet akullanjore të Staneve të Preshit; II. c. 17. Fusha e Lanë Lurës; II. c. 18. Lugina e Xharxhishtës; II. c. 19. Lugina e Pratit mbi Grykë Nokë.

Më poshtë japin listën e monumenteve të natyrës të miratuara me VKM Nr. 676, datë 20. 12. 2002. (1-9 janë biomonumente; 10-33, janë gjeomonument)  Bashkia Dibër.
1. Hartinat e Lurës (Njësia Administrative Lurë); 2. Rrobulli i Lurës (Njësia Administrative Lurë); 3. Pisha e Blliçes (Njësia Administrative Fushë Çidhën); 4. Rrapi i Çidhnës (Plepi i Çidhnës, Njësia Administrative Arras); 5. Ahu i Blliçes (Njësia Administrative Fushë Çidhën); 6. Lisi i Kabe (Njësia Administrative Tomin); 7. Vakufi i Çengës (Njësia Administrative Tomin); 8. Vakufi i Sinës së Sipërme (Njësia Administrative Arras); 9. Boroviku i Begjunecit (Njësia Administrative Melan); 10. Karsti i Malit të Bardhë; 11. Gropa e Panairit (Fusha e Punajrit thirret nga banorët e zones); 12. Bjeshka e Zonjave, Gramë; 13. Shpella e Rusit (Grykë Nokë); 14. Shpella e Akullit (Bulaç); 15. Shllinasi (afër rrjedhjes së sipërme të Përroit të Gramës, Llapshnik); 16. Gryka e Madhe – Lurë (Nga ana jonë përmasat e grykës jepen më të mëdha); 17. Rrafshi i Korabit; 18. Cirku i Kunorës së Lurës; 19. Kodra e Gjatë – Blliçe; 20. Fusha e Pelave – Lurë; 21. Liqeni i Luleve – Lurë; 22. Liqeni i Zi – Lurë; 23. Liqeni i Madh – Lurë; 24. Liqeni i Zi (mbi Tejs); 25. Burimi termomineral sulfihidrik i Llixhave të Peshkopisë; 26. Burimi dhe shpella e Sopanikës (Çidhën e Poshtme); 27. Burimet e Bellovës; 28. Burimi i Ujit të Ftohtë – Vleshë; 29. Kroi i Mbretit – Sorokol; 30. Pasqyrat e Pelpanikut; 31. Shpella e Qytezës (afër Bellovës); 32. Gryka e Setës (Pjesa nga Kepi i Xhitetit – Gur Lurë); 33. Morenat e Fushë – Lurës;

Burimet (Literatura)
 Ashiku A. (2017). “Natyra dibrane, <guaska> që mban perlën e bukurisë shqiptare”, Gazeta “Rruga e Arbërit”.
 Baleta A.  (2007). “Sali, hapi dy arteret koronare të Shqipërisë”, Gazeta “Rruga e Arbërit”.
 Bunguri A. (2010). “Prehistoria e Dibrës”, libër.
 Bitri Rr. (2016). ”Prapë na çeli Grama”, gazeta Rruga e Arbërit.
 Hoxha A. (2014). “Kjo përmendore na kujton se të parët tanë këtë truall e kanë mbrojtur me gjakun dhe jetën e tyre.” Gazeta Rruga e Arbërit.
 Hoxha V, etj. (2000). “Studim prognoze mbi sasinë e cilësine e gjipsit, anhidritit dhe selenitit ne objektet e Evaporiteve të Dibrës”. Arkivi i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar,Tiranë.
 Hoxha V. (2001). “Tiparet themelore të gjeologjisë dhe perspektiva e kërkimeve në rajonin Kërçisht-Sorokol”.
 Disertacion, Universiteti i Tiranës. Biblioteka Kombëtare, e UPT-së dhe FGJM-së, Tiranë.
 Hoxha. V, etj.  (2005). “Përpilimi i Hartës së Rrezikut Gjeologjik në Shkallë 1:50 000 për Rrethin e Dibrës, për vitet 2004 - 2005”. Arkivi i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar,Tiranë.
 Hoxha V, etj. (2003). Studim me temë: “Administrimi i Territorit dhe i Resurseve Natyrore per Rrethin e Dibres, Qarku Dibër, per vitet 2001-2003”. Arkivi i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar,Tiranë.
 Hoxha V., etj. (2011). “Geological sites and landscapes in Dibra region”. Mineral Resources and their perspective, International Geo-Science Conference “GeoAlb 2011” -27 - 30, September  2011. Mitrovicë Republic of Kosovo.
 Hoxha V. (2000). Raport shkencor me teme: “Harta gjeologjike edhe e pasurive minerale te rrethit Diber, me shkallë 1 : 50 000 me tekstin shpjegues perkates». Arkivi i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar,Tiranë.
 Hoxha V.  (2019). Dorëshkrim i librit “Gjeologjia dhe mineralet e Dibrës”.
 Hoxha V.  (2019). Dorëshkrim i librit “Shënime në Çadër”.
 Hoxha V. (2007). “Rruga e Arbërit, rruga e zhvillimit të Shqipërisë lindore”. Botuar në gazetën “Rruga e Arbërit”.
 Hoxha V., B. Lleshi etj. (2007). “Pasuritë minerale të rajonit të Dibrës që mund të vuhen në qarkullim ekonomik me ndërtimin e Rrugës së Arbërit”. Kuvendi tekniko - shkencor për Rrugën e Arbërit, maj 2007.
 Hoxha V. (2018). “Ndërtimi i Rrugës Arras - Lurë, domosdoshmëri për zhvillimin e turizmit dhe kërkimin e mineraleve”. Botuar në gazetat “Telegraf” dhe “Rruga e Arbërit”.
 Kaca I. (2003). “Rrugët e vjetra të Dibrës”, libër.
 Kodra A., Hoxha V. (2015). Tectonic Features Of The Reservoir And The Dam Area Of Skavica Hydropower Plant Report (Explanatory text of formational - tectonic Map at 1:25 000 scale of reservoir and dam area of Skavica HPP). Tirana, Aprill, 2015.
 Karoshi B. (2017). “Me Rrugën e Arbërit Dibra kthehet në kopshtin e Tiranës”. Gazeta Rruga e Arbërit.
 Kaba F., etj. (2007). “Studim për mundësinë e ndërtimit të Rrugës së Arbërit”. (Përmbledhje e studimit të fizibilitetit). Kuvendi tekniko-shkencor për Rrugën e Arbërit“.
 Lleshi B. (2010). “Shkëmbinjtë dhe mineralet industrialë (jo metalorë) të Shqipërisë” (Libër për studentët e Fakultetit të Gjeologjisë dhe të Minierave etj.)
 Lleshi B. (2006). “Rruga e Arbërit i shërben edhe zhvillimit të shpejt të turizmit malor dhe njohjes së mëtejshme të historisë”. Gazeta Rruga e Arbërit nr. 6, tetor 2006.
 Lleshi B., Dibra A. (2007). “Rruga e Arbërit premisë për zhvillimin e turizmit”. Kuvendi tekniko - shkencor për Rrugën e Arbërit, maj 2007.
 Lleshi B. (2017). “Rruga e Arbërit i shërben edhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit malor” Gazeta Rruga e Arbërit, mars 2017.
 Lleshi B. (2017). “Rruga e Arbërit i shërben edhe njohjes së mëtejshme të historisë Gazeta “Rruga e Arbërit”, prill 2017.
 Lleshi B. (1983). “Ndëtimi gjeologjik dhe perspektiva mineralmbajtëse e masivit ultrabazik të Lurës.” Disertacion. Arkivi i ISPGJM, Tiranë.
 Lleshi B. (2008). “Gjeologjia e Rrugës së  Arbërit“, libër.
 Lleshi B. (2008). “Pse lejohet të bëhen ndryshime të aksit të rrugës së miratuar në studimin e fizibilitetit  në dëm të cilësisë së saj”. Gazeta Rruga e Arbërit dhe Gazeta Ekonomia.
 Martini Xh. (2014). Hilmi Kolgjegja – Një vend në panteon (studim monografik).
 Neziraj A., Moisiu L., Avxhi A., Ahmetaj A., Misha Zh. (2015). Nënprojekti: “Gjeomonumentet sipas Bashkive në shkallën 1:50 000)”. -Bashkia Dibër. Arkivi SHGJSH-së, Tiranë.
 Qiriazi. P., Sala S. (2006). “Monumentet e Natyrës së Shqipërisë”, libër.
 Repa H. (2014). “470 vjetori i Betejës së Torviollit“. Gazeta Rruga e Arbërit.
 Skeja M. (2016). ”Pesë kuriozitete rreth Kalasë së Dodës”, gazeta Rruga e Arbërit.
 Seiti Xh. (2006). “Rruga e Arbërit integron jo vetëm Dibrën”, Gazeta “Rruga e Arbërit”.