Golloborda, aty ku mundja kthehet në festë!


Mjafton një ditë e organizuar bukur, që Golloborda të shpalosë vlerat e saj artistike dhe sportive, veçmas në sportin e traditës, atë të mundjes, që thuajse ka kampion në çdo shtëpi. Prej kaq shumë vitesh, pikërisht në qendër të fshatit Ostren i Madh, qindra njerëz mblidhen për të festuar dhe për t’u ndeshur në tapetin e jonxhës, duke garuar për të fituar më i forti. Bashkia e Bulqizës, Shoqata “Golloborda” dhe Shoqata Kombëtare e Mundjes janë trioja që merret me këtë organizim fantastik, që mbledh kaq shumë njerëz, aq shumë saqë kjo trevë nuk i ka parë ndonjëherë.

Festa, starti dhe ceremonia e saj

Fillimisht është muzika e bukur e krahinës së Gollobordës dhe veshjet karakteristike që të joshin me magjinë që ofrojnë, duke shtuar kureshtarët të ardhur edhe nga jashtë Bulqize e Dibre, deri në Tiranë dhe rrethe. Vallet e vajzave janë një tregues se kjo trevë ka një gen artistik që josh me pamjet dhe meloditë e saj, duke ftuar në oborrin e shkollës ‘Elez Koçi’ edhe djem dhe vajza jashtë shkollës apo grupit artistik. Ceremonia pranë shkollës lauron disa nga ish mundësit kampionë, ndërsa sipas traditës banorët e zonës dhe të pranishmit i përshëndesin, disa prej organizatorëve dhe të ftuarve specialë, si kryetari i bashkisë Melaim Damzi, Presidenti i KOKSH Viron Bezhani, kryetari i Shoqatës “Golloborda” Razi Rama, drejtori i shkollës Banush Koçi dhe Xhelil Cibaku, sekretar i Shoqatës Kombëtare të Mundjes, njeheresh edhe organizator dhe inicues prej kaq vitesh. Ndërkaq që komisioni i festës ka lauruar disa prej emrave të njohur të mundjes së Gollobordës e njohur kudo në Shqipëri, si Fehmi Sejdini dhe Fiqiri Rama, dy ish kampion dhe mjeshtra të shquar ëe këtij sporti.. Në këtë podium, ka vend edhe për një djal kampion të kësaj zone në mundje, si Skënder Rama, që premoin fituesit dhe është njëri prej donatorëve dhe mbështetës i kësaj feste dhe shoqatës sportive të mundjes me emrin e zonës ‘Golloborda”. Një tjetër biznesmen i sukseshëm dhe dashamirës për këtë ngjarje të bukur sportive, është edhe Përparim Dauti i cili edhe pse jeton në Greqi, vjen çdo vit dhe jep kontributin e tij modest.
Më pas ngjitemi në katin e dytë të shkollës, aty ku Duro Ibrahimi, etnograf i njohur nga kjo zonë, sjell mundësinë për të parë nga afër të gjitha llojet e veshjeve kombëtare që ajo zonë i vesh, veëmas në raste festash, dasmash e gëzimesh. Eshtë një bashkëpunim interesant edhe në këtë fushë mes bashkisë Bulqizë dhe shoqatës “Golloborda”, për ta pasuruar atmosferën e këasaj feste të bukur.

Pak histori

Razi Rama është kryetari i shoqatës sportive të mundjes “Golloborda”, njëherësh kryeorganizator i kësaj kupe dhe feste sportive. Ai rrëfen se mundja në këtë trevë ka shumë histori. Mjfton një fakt domthës, kur kujton që garat e para kanë nisur në vitin 1954, madje është bërë edhe kampionati i parë i mundjes. Ostreni, por edhe fshatrat e tjerë, kanë nxjerrë kampion dhe emra të shquar, të njohur brebda dhe jashtë vendit. Dasamt sipas tij, kanë qënë pikënisjet e sportit të mundjes, ku mateshin djemt e fshatit, apo ato që vinin nga fshatrat dhe zonat e tjera. Keshtu kjo u kthye në traditë dhe tashmë prej pesë vitesh, organizohet kjo festë e bukur, ku edhe gjyqtarët vijnë nga Tirana, apo Maqedonia e Kospova.

Ndeshjet dhe fituesit e tyre

Ndërkaq që zbresim sërish poshtë dhe shkojmë tek arena ose amfiteatri sportiv i mundjes, aty ku gara ka filluar e ashpër, sepse nuk është thjesht një dash që fituesi e bën pronë të tij, por emri dhe dinjiteti i kësaj zone që shquhet për djem të fortë dhe kampionë. Të duket se je në një amfiteatër sportiv, ku mijra njerëz kanë mbushur atë, duke shuar kureshtjen për më të fortin dhe më të mirin. Thuajse e gjithë zona është aty, pranë dhe rreth tapetit të gjelbërt.
Në fillim janë ndeshur moshat e reja deri në 15 vjeç, që kanë përcaktuar edhe fituesit e parë të kësaj dite. Ai quhet Vilson Tola, një djal i fortë dhe i përgatitur që ka mundur në finale Klodjan Karasanin.
Shiu që ka nisur të bjerë aspak nuk e pengon ecurinë e garës e cila ka përmasa të jashtëzakonshme. Pasi janë ndeshur moshat 15 vjeç, adrenalina rritet kur sheh të dalin në fushën me jonxhë edhe djemtë 20 vjeçarë. Tashmë numri i tyre është i madh dhe po e tillë është edhe konkurenca. Ndeshjet kanë zgjatur më shume, sepse lufta sportive bëhet më e ashpër dhe çiftet janë tepër të fortë. Tashmë kanë ardhur edhe djem nga një fshat i Maqedonisë së Veriut, por që është kufitar me fshatrat e Gollobordës, pikërisht nga Xhepishti. Pas një beteje të gjatë dhe lufte të fortë sportive, është shpallur edhe këtu fituesi që me meritë ka bërë për vete certifikatën e fituesit, peshqirin, por edhe një stimul material që organizatorët kishin menduar ta dhuronin. Fituesi është Ilir Osmani i cili ka arritur ta bëj për vete titullin kampion për 20 vjeçarët, pasi ka mundur në finale rivalin e tij Ervin Karasanin.
Më pas vjen ora e madhe e atyre që luftojnë si luanë në tapetin e blertë. Dashi qëndron i lidhur në cep të tapetit, ndërsa qindra njerëz thërrasin në kor emrat e konkurentëve. Ndeshjet për të rritur zgjasin shumë, madje ka raste që duhet ti thërrasish në ndihmë shortit, ose mirkuptimit mes konkurenteve. Ka edhe kundërtshi…, sepse sporti është edhe objektiv, pasterti, ndershmëri, gëzim, por edhe dështim, që pakush e pranon… Pas shumë ndeshjesh të forta, debatesh, por edhe ovacionesh, djali nga Trebishti Ardit Kanxha, nip në Ostren, është shpallur fitues, pasi ka hedhur në tuç kundërshtarin nga Xhepishti edhe ky një mundës shumë i fortë, Qamil Dileski. Ai ka merituar bashkë me kupën, dhuratat, medaljen dhe peshqirin edhe dashin që sipas zakonit, shkon si peshqesh për atë që fiton dhe shpallet më i miri.

Në vend të mbylljes…

Kënga e vallja s’kishin fund, ashtu si atmosfera brilante që pushtoi atë fshat piktoresk si Ostreni, një vend që fliste me gjuhën e sportit të bukur dhe burrëror të mundjes. Kupa, medaljet, dhurata, por mbi të gjitha dashi në qafë për fituesin, ishin simbolika më e veçantë e një djali kampion, që me meritë bëri për vete këtë sukses që ishte i pari në jetën e tij. Kamerat e shumta dhe fotoreporterët kanë fiksuar një ditë për tu mbajtur mend gjatë, ditë e cila u kthye në një festë të madhe për banorët e atyre anëve, por edhe miqtë e shumtë të Gollobordës. Ajo ishte një ditë për të mos e harruar, por edhe për të korrigjuar disa detaje që mund të përmirësojnë akoma më shumë këtë organizim, që duhet të ketë edhe përmasa kombëtare.
Gjithsesi, organizatorët dhe donatorët kanë meritën e madhe që Gollobordës i rikthyen emrin e mirë dhe një ditë që ata ta gëzojnë përmes sportit të mundjes, një sport ky tradicional dhe burrëror, që i bëri të njohur kudo në Dibër, Bulqizë, por edhe në Shqipëri dhe në botë.

 

Thanë per festen:
Xhelil Cibaku- Sekretar i shoqates kombetare te mundjes

Për të pestin vit radhazi organizohet një kupë e tillë me nismën e Shoqatës Kombëtare, asaj “Gollobrda” dhe mbështetjen e bashkisë. Përmendim angazhimin e Shoqatës sportive “Golloborda”, shkollës së mesme Ostren dhe shkollave 9 vjeçare të zonës së Gollobordës për pjesëmarrjen masive të të gjithë nxënësve, si dhe gjithë banorëve në emigracion në vendet e Europës. Për t’u theksuar është fakti që kanë ardhur sportistë veteranë nga ishujt e Greqisë dhe Gjermania, konkurrentë për të fituar çmimin. E ardhmja është e konsoliduar. Ky aktivitet nuk është vetëm sportiv, por edhe kulturor, përmes valleve, këngëve patriotike shqiptare, ekspozitë me veshje tradicionale, ekspozitë të punimeve me dru dhe gurë dhe muzeu historik i shkollës me 600 foto të të gjithë mundësve dibranë dhe të zonës në vite. Fituesi mori jo vetëm dashin, por edhe flamurin kombëtar, që do të qëndrojë për një vit në shtëpinë e fituesit Ardit Kanxha, derisa të shpallet fituesi i radhës. Vitin që vjen do të ketë edhe më shumë pjesëmarrje dhe ky aktivitet do të ketë edhe ngjyrime turistike. Dua të përgëzoj djem të tillë si Skënder Rama, mbështetës i një organizimi të tillë.