Nderim për tre dëshmorët e Tërnovës


TËRNOVA, FSHATI QË U SHËNDRRUA I GJITHI NË BAZË LUFTE DHE QË I DHA ATDHEUT
42 PARTIZANË DHE 3 DËSHMORË

Tërnova ndodhet në brëndësi të tokës shqiptare dhe të Dibrës, ajo mbështetet në pjesën qendrore të Shqipërisë Veriore, me territor që shtrihet përgjatë krahut të majtë të Lumit të Okshtunit, që nga Zerqani pothuajse në Verilindje, Kaptina e Martaneshit në Perëndim.
Në kuptimin figurativ, ajo është zemra e maleve të Bulqizës, Librazhdit, Martaneshit, Çermenikës dhe për pak orë duke ecur përmes pyjeve rë dendur e të bukur shkon në këmbë në Tiranë.
Në kuptimin ushtarak, Tërnova është pararoja e Tiranës, mburoja e saj. Jo më kot, këtu kanë qenë përqëndruar të gjitha vendkomandat dhe pikat e vrojtimit të ushtrive mbrojtëse shqiptare kundër sllavëve, turqve, italianëve e gjermanëve kur kanë sulmuar në drejtimin Dibër e Madhe – Tiranë. Nëpërmjet Tërnovës shtabet partizane kalonin nga Tirana për në Dibër dhe anasjelltas nga Dibra për në Tiranë. Haxhi Lleshi në kujtimet e tij shkruan me imtësi dhe dashuri për pritjen dhe përcjelljen që i ka bërë populli i Tërnovës.

DËSHMORË TË LUFTËS

HALIL HAMZA HASA (1900 – 1943)
Lilë Hasa, nga Tërnova e Dibrës , vrarë në Luftën e Peshkopisë, tetor 1943
Halil Hasa ka lindur në Tërnovë të Dibrës në vitin 1900.
Atë e kanë thirrur Lilë. Halili ndodhej në Durrës për të punuar për të siguruar bukën e gojës për vehte dhe për fëmijët me 7 prill 1939 kur pushtuesit italianë zbarkuan. Ai së bashku me Isak Metalinë nga Strikçani luftoi përkrah Mujo Ulqinakut. Lajmin për vrasjen e Isakut në Dibër e solli Lila. (Ushtima e Maleve , 12 janar 1989, E. Zeneli)
Në fund të vitit 1941 tej Kroi i Mitkut në Tërnovë ai mori pjesë në një mbledhje së bashku me Nazmi Rushititn, Irfan Hajrullain dhe Demir Gashin dhe që kjo ditë ai ra në kontakt me lëvizjen antifashiste nacional çlirimtare. Bashkë me Asllan Zenelin nga Tërnova, mësues në Lejçan u rreshtuan në Çetën e Gollobordës dhe të Batalionit të Dibrës. Mori pjesë në Luftën e I të Dibrës së Madhe dhe në Luftën e Peshkopisë. Bashkëluftëtari i tij, i plagosur në të njëjtën betejë, Esat Cami tregon:
«Të nesërmen, pasi u takuam me Shtabin Partizan të Qendrës së Peshkopisë, çeta u caktua në Dobrovë dhe qëndroi aty për 5-6 ditë.
Më pas u dha u dha urdhëri, që çeta të kalojë në Staravec.
Në të gdhirë të datës 17 tetor 1043, filloi pushka nga forcat mercenare. Çeta jonë e Gollobordës, megjithëse ishte në një terren të hapur, bëri shumë rezistencë, për të mbrojtur qytetin. Çetës nuk i erdhi asnjë nga çetat e tjera në ndihmë, kështu që u dëmtua shumë.
Në këto luftime u plagos rëndë komandanti, Ahmet Cami si dhe partizanët Hidër Manjani, Esat Cami, Bajram Toçi, Asllan Zeneli, Ibrahim Lumi. U vra në vend mitralieri italian Salvadore.
Pasi u tërhoqën të plagosurit, shkuam tek shtëpia e Koleceve, për t’u strehuar, tregon ish partizani i plagosur në këto luftime Esat Cami. Por aty erdhen krerët e mercenarëve si Halil Alia, Beqir Sina, Selim Kaloshi. Erdhën për të na ndihmuar menjëherë Vehap Kadria, Shaban Kadria, Arif Kadria dhe Sabri Kadria nga Dohoshishti si dhe djali i Muharrem Bajraktarit. Halil Alia i kërkoi misionit anglez, për t’i çuar në spitalin e Dibrës së Madhe, meqenëse në Peshkopi nuk kishte mjek.
Në mbrëmje erdhi një makinë dhe një anglez na shoqëroi deri në spitalin e Dibrës së Madhe. Nga Dibra e Madhe, Ahmeti, që të nesërmen është dërguar për në spitalin e Tiranës dhe ka vdekur me 30 tetor të vitit 1943 në spital nga plagët që mori në luftën e Peshkopisë. Ndërsa Halil Hasa ka vdekur që atë mbrëmje në spitalin e Dibrës së Madhe.
“Partizani Halil Hasa, që u plagos në luftën e Peshkopisë ndërroi jetë me 28 tetor 1943 në spitalin e këtushëm (Dibrës së Madhe), shkruan Haki Stërmilli në ditarin e tij të luftës. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendimin Nr 50, datë 30.06.1972 të këshillit popullor Dibër

FEJZULLA SULEJMAN GJIKA, (1924 – 1945) nga Tërnova, rënë në Kalanë e Dodës
Fejzullai u lind në fshatin Tërnovë të Dibrës në vitin 1924. I rritur në një familje të varfër, por me tradita atdhetare ai përqafoi dhe u përfshi në lëvizjen antifashiste nacionalçlirimtare, në Brigadën e 18 Sulmuese. Nga fshati Tërnovë u përfshinë shumë djem të rinj në këtë luftë. Ata u mobilizuan në maj të vitit 1943 në Çetën e Gollobordës, të komanduar nga Ahmet Cami, më pas me 26 korrik 1943 në batalionin e Dibrës, të formuar në Gjoricë dhe të komanduar nga Haxhi Lleshi.
Pas mbarimit të luftës, Fejza nuk e lëshoi armën nga krahu. Ai u rreshtua në Forcat e Mbrojtjes së Popullit. Fejzullai ishte vetëm 21 vjeç. Kishte sy të mprehtë shqiponje dhe trup të bëshëm. Çdo detyrë të ngarkuar e kryente me përpikmëri. Kapelen akoma nuk e kishte hequr, megjithëse lufta kishte mbaruar që në fund të dhjetorit 1944.(E.Zeneli, R.Uka, Ushtima e Maleve, 11 tetor 1986)
Kohë më vonë Fejzullain e dërguan në zonën e Kalasë së Dodës. Sipas të dhënave të marra banditët do të lëviznin në drejtim të Shishtavecit të Kukësit dhe të Prizrenit. Në këtë detyrë që ju ngarkua Fejzullai, në përbërje të skuadrës së tij, mbeti i vrarë në përpjekje me bandat. Ishte fundi i viti 1945. Ishte vetëm 21 vjeç.
(Dëshmor i Atdheut me vendimin Nr 72, datë 23.05.1978 të këshillit popullor Dibër

XHELADIN AVDI MURATI
Lindur në Tërnovë në vitin 1927 Rënë në Lushnjë në vitin 1946
Lindur në Tërnovë në vitin 1923 në një familje të varfër që nuk siguronte as bukën e gojës, pasi toka ishte e pakët dhe tereni malor.
Ishte kjo arsyeja që Xheladini, ndonëse i ri u detyrua të largohej nga fshati për të siguruar bukën e gojës për vehte dhe për familjen në Shijak dhe në vende të tjera të Shqipërisë së mesme si usta. . (Heronj të heshtur, Vëllimi II, Faqe 534). Në qershor të vitit 1944 Xheladini u bashkua me Batalionin e Martaneshit dhe në gusht 1944 me Br. XVIII. (E.Zeneli, R.Uka, Ushtima e Maleve 27 dhjetor 1986)
I arrestuar nga nazistët për t’u dërguar në Kampin e Prishtinës, aty ku u ekzekutuan 104 partizanë shqiptarë, por shpëtuar nga shokët e tij të luftës.
Pas çlirimit ai u rreshtua me Divizionin e Mbrojtjes së Popullit në brigadën që vepronte në zonën e Lushnjës. Rënë në Lushnjë në vitin 1946.
Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendimin Nr 50, datë 30.06.1972 të këshillit popullor Dibër.