Maqellara, vendi i njerëzve pozitivë


Sot shtati më është rritur dhe si gjithësecili në këtë jetë duhet t’ia dalë vetë ne sfidat që ofron ajo dhe janë të shumta. Secili nga ne mbron vendlindjen a vendin nga vjen a është rritur dhe kjo është normale. Aromë e vendlindjes nuk bën dhe nuk ka sesi të krahasohet me asnjë tjetër. Për fat të mirë, ajo na sjell erën nga vijmë, startin tonë, fillimin. Ndërsa, sot në këto rreshta do të shkruaj në fakt për një zonë ku jam rritur dhe që është një ndër ata vende ku vërtetë ka njerëz punëtorë e pozitivë.
Maqellara është një ndër zonat ku ofrohet afria, freskia, mrekullia dhe bashkë me natyrën e bukur, bëhet njësh edhe njerëzia punëtore. Njerëzit e këtyre anëve, në tërësinë e vet kanë me vete pozitiven, të mirën, familjen. Dhe familjen këta njerëz janë të gatshëm ta ruajnë me nder e gjak edhe në sfidat më të errëta, edhe ndër fushatat më të egra, edhe në sfidat më të rënda. Një trevë që të do nëse je njeri, nëse dashuron lirinë dhe ke principe të sakta të jetës, në udhën e mundimshme, që të mund ta zgjidhësh atë sa më mirë e bukur.
Kjo trevë e ka të veten edhe historinë, edhe të renë, edhe modernen, të shkrira bukurisht në një, në një sfond të mrekullueshëm, si një festival lulesh. Maqellara ka qenë sidomos një qendër e rëndësishme historike e politike, si dhe mbetet edhe e tillë. Kjo për shkak të pozicionit të saj gjeografik të favorshëm. Ndodhur mes dy qendrave më të rëndësishme të Dibrës, Dibrës së Madhe dhe Peshkopisë, ose ta thuash mes Dibrës së Madhe dhe asaj të Vogël, ka luajtur një rol me rëndësi në përbashkimin e vlerave dibrane, andej dhe këtej kufirit. Përpos historisë, Maqellara ruan vlera e tradita, shkrirë me modernitetin. Zona ka biznesmenë, njerëz që pasurinë e kanë arritur me punë dhe vlera, me kazmë e lopatë dhe disa të tjerë duke u çuar që në mëngjes e duke ikur në shtëpi në darkë. Një zonë e pasur me fusha dhe me vargmale në krye të saj, me Drinin tëposhtë, me udhë të shtruara, që e bëjnë të mrekullueshme.

Njerëzit pozitivë,
vlera e jashtëzakonshme

Jam rritur për 15 vite në këtë zonë dhe ajo që kam marrë ka qenë një pozitivitet nga njerëzit. Ata dinë të respektojnë të zotin, kushdo qoftë ai, atë që ka vlera dhe të përçmojnë të keqen.
Të freskuar në mendje nga valët e Drinit, të mrekulluar nga dëshira dhe të pajisur me vlera punëtorie me famë në emigrim, ata janë qeniet njerëzore që ia dinë vlerën punës, djersës, lodhjes dhe nga ana tjetër lirisë, mendimit ndryshe, duke qenë se është treva që ndër të parat e ka “shpërthyer” revoltën ndaj komunizmit demonian të vendit tonë dhe ardhjes së lules së demokracisë.
Dhe kështu, Maqellara vjen e bukur si rreze dielli bashkë me demokracinë. Vlerat dhe dëshirat janë ende prezente në këtë zonë. Kjo sepse kjo zonë ka shpirtin e madh, ka banorët me zemër të madhe, ka dëshirën për liri të gjerë, ka punëtorinë sa një vargmal Korabi.

Fshatrat, një mrekulli piktoreske

Në mes të Maqellarës dikur kalonte rruga nacionale, ndërsa tashmë që janë bërë ndryshime (që e vërejta edhe në udhëtimin e fundit që kam pasur), kalohet në Peshkopi dhe në Dibër të Madhe vetëm nga rreth-rrotullimi. Maqellara vetë ka njohur një zhvillim tepër të madh dhe në vizitën që pata, ndjesitë që mora janë mall dhe sigurisht edhe pozitivitet. Me vende ku mund të hash e pish lirisht, me vende ku mund të luash çfarë do lloj loje, Maqellara ngjante si vend mrekullie.
Ndërsa edhe fshatrat e saj janë fantastikë. Ata dominohen prej një strukture normale si të gjithë fshatrat e Shqipërisë, me çezmat në qendrat e tyre dhe pastaj me shtëpi diku si vila dhe diku të vjetra si dikur. E reja dhe e vjetra bashkohen, jeta ecën, dëshira për më mirë është e madhe dhe kjo duket në atë se emigrimi është sektori ku mbahet më së shumti popullata. Fshatrat kanë tradita, kanë zakone të vjetra. Ndërsa në emigrim, bashkë me ruajtjen e vlerave atje dibrane, sillet edhe e reja e Italisë, Greqisë, shteteve të huaja, ku sigurisht për të renë është derdhur edhe djersa e njerëzve shumë punëtorë të këtyre anëve, që në udhën e jetës njohin thuajse pafundësisht përulësinë.

Punëtorë si njerëzit e kësaj ane

Kudo të shkosh dhe të pyesësh për këtë zonë, gjëja e parë që përmendet është punëtoria. Dhe punëtorinë këta njerëz nuk e kanë as të cunguar, as me cene, por të plotë dhe e shohin si rreze dielli për zhvillim e për presporitet. Njerëzit e kësaj ane zgjedhin të vuajnë, të përjetojnë mall e largim prej vendit, vetëm që një ditë të shijojnë djersën që kanë derdhur jashtë vendit.
Punëtoria e tyre përzier me krenarinë, mospëruljen ndaj së keqes, mrekullinë njerëzore mbi të gjitha, e bëjnë Maqellarën një zonë të jashtëzakonshme. Një trevë si Maqellara ndoshta nuk ka nevojë për shumë reklamë, sepse bardhësia dhe yjet e bukurisë së saj duken që larg. Maqellara di të shkëlqejë si një yll blu në qiellin e pamatë dibran e shqiptar. Këta njerëz në tërësi e kanë besën, dinë të ruajnë respektin, dinë të respektojnë mikun, të zhvillojnë biseda, të përgjigjen për pengesat dhe sfidat e shumta të jetës, duke punuar pa fund për një të ardhme më të mirë.
E gjithë kjo punë ka bërë që sot Maqellara të marrë zhvillim. Punëtoria e ngre atë në pietestal të lartë, e bën krenarë si bijë e Dibrës, si zonë që shtrihet gjeografikisht mes dy Dibrave, që rrezaton dashuri e mrekulli, mahnitje e zbavitje pozitive. Lumturia dhe gazi janë kryefjala e Maqellarës, një zonë që ka diellin mbi qiell dhe diellin në njerëz, të cilët dinë të bëjnë krenarë zonën, Dibrën dhe Shqipërinë.