Shaban Bitri, njeriu i urave dhe digave të mëdha


Atë mëngjes gushti të vitit 1974, në autobusin e linjës Peshkopi -Fierzë që kalonte mes përmes Rrugës së Rinisë, rrugë e cila ishte hapur që në vitin 1946, mes shumë punëtorëve që shkonin në kantierin më të madh hidroenergjetik në vend, siç ishte Fierza, udhëtonte edhe një djalë i ri nga Blliçja, Shaban Bitri, i cili sapo kishte mbaruar Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Udhëtarët e shumtë në autobus nuk interesoheshin fare për të riun që po udhëtonte për herë të parë në këtë linjë. Nuk u bënte përshtypja as veshja e tij ndryshe, as heshtja e tij e madhe. E mendonin si ndonjë punëtor të ri që po vinte të bashkohej në atë kantier të madh ndërtimi. Bisedonin me njëri-tjetrin, qeshnin e bënin humor dhe kur autobusi po kalonte ngushticën e Skavicës, të gjithë e lanë humorin dhe filluan diskutimin rreth digës së re e të madhe që pritej të vendosej këtu, në këtë ngushticë. Shabani vështronte gjithë kureshtje atë ngushticë vërtet të bukur, e cila do të ishte dhe diga e fundit që do të hidhej mbi lumin Drin.
Ishte futur në pranverën e njëzet e pestë, djalë i ri, sapo kishte dalë nga auditoret e fakultetit e nuk përzihej fare në bisedat dhe shakatë e shumta që bënin pasagjerët në autobus, por lugina e bukur e Drinit e rrëmbeu dhe kjo panoramë që i shfaqej përpara syve në Skavicë vërtet ishte një mrekulli. Valixhen e vjetër prej dërrase e kishte vendosur tek këmbët, e cila e bezdiste sa herë që autobusi do të merrte kthesat e shumta e të vështira luginës së Drinit. Në valixhe kishte futur vetëm pak rroba, se më shumë e kishte mbushur me libra, libra që do t’i duheshin në kantierin e madh energjetik. Shabani ishte specializuar për inxhinier ndërtimi dhe jo hidroteknik, por ja që i takoi të punonte gjatë në vepra hidroteknike, në veprat e dritës, të cilat në ato vite radhiteshin si vepra të rëndësisë së veçantë.
Pas një rruge të gjatë e tepër të lodhshme, pasdite vonë më së fundi autobusi arriti në Fierzë. Dritat e qytetit të bukur e të vogël ishin ndezur dhe në fakt në sajë të dritave e gjallërisë që kishte në çdo orë të ditës dhe natës, Fierza dukej një qytet i madh. Shabani kurrë më parë nuk e kishte menduar se Fierza mund të ishte një qytet vërtet kaq i bukur dhe i madh.
Dibranët e shumtë që punonin në Fierzë nuk e lanë inxhinierin e ri të sorollatej gjatë nëpër udhët e qytetit, por e strehuan në një nga bujtinat e tyre.
Dhe unë tek po rropatem sot të hedh këto pak fjalë e të bëj portretin e inxhinier Shaban Bitrit nuk e kam aspak të lehtë.
Shabanin e kam njohur tepër vonë. Ishte fillimi i vitit 2006 e po përgatitej dalja e numrit të parë të gazetës “Rruga e Arbërit”. Bashkë me të do të promovohej edhe shoqata “Lidhja e Intelektualëve Dibranë”. Shabanin e kisha parë në këto mbledhje të vogla që bënim ne një grup i vogël nismëtarësh. Kisha dëgjuar të flitej për të dhe vetëm kaq. Shpeshherë, kur do të mblidheshim, njerëzit e pranishëm do të shpreheshin: “Erdhi inxhinieri? Po vjen inxhinieri? Akoma nuk paska ardhur inxhinieri?” Takimi im i parë ishte kur u takuam në atë zyrën e vogël në marketin e Musait. Ishte i heshtur, por shumë serioz kur fliste. Dalëngadalë fillova të njoh një Shaban njerëzor, të komunikueshëm, human, të sinqertë.
Të shkruash për inxhinier Shabanin është sa e lehtë, aq edhe e vështirë. Është e lehtë, sepse vlerat, veprimtaria e kontributi i tij në vepra të rëndësishme të vendit tonë është i madh. Pikërisht këtu qëndron edhe vështirësia, sepse nga ato vepra ai mori shumë vlera të larta cilësore dhe është vështirë të përzgjedhësh më të mirën, për t’i renditur brenda këtij portreti. Figurën e tij në radhë të parë e karakterizon dashamirësia dhe respekti për njerëzit dhe shoqërinë. Ulesh me të në tavolinë dhe përmes bisedave të ngrohta e me kulturë, sinqeritet e pak humor, mes avujve të këndshëm të kafesë së mëngjesit, të krijohet ndjesia sikur rrethohesh nga një botë pa halle dhe shumë probleme.
Shabani ka lindur më 20 janar të vitit 1949 në fshatin Blliçe, në një familje me tradita të mëdha atdhetare, ku sivjet larg zhurmës e bujës së madhe, në një rreth tepër të ngushtë familjar festoi 70 vjetorin e lindjes, pasi thjeshtësia, çiltërsia e modestia e kahershme ende kanë lënë gjurmë si virtyte që nuk shlyhen lehtë.
Babai i tij Qazimi e donte arsimin dhe kishte dëshirë që fëmijët e tij t’i arsimonte të gjithë, me gjithë kushtet e vështira në ato vite që po kalonte i gjithë vendi ynë.
Shabani vazhdoi shkollën fillore në vendlindje, të cilën e mbaron me nota të mira. Dëshira për të mësuar ishte e madhe e ndaj Shabani vazhdon shkollën shtatëvjeçare në Fushë-Alie, pasi në Blliçe ende nuk ishte hapur.
Nga vetë goja e tij kam mësuar shpesh të tregojë histori e ndodhi të vërteta, që sot do të dukeshin deri edhe të pabesuara. Shkolla nuk ishte shumë larg nga fshati i tij, por për kushtet e vështira atmosferike në ato vite bëhej rrugë e largët, sidomos kur fryhej e inatosej përroi i Blliçes. Kishte raste që e ndërprisnin dhe shkollën, kishte raste që mësuesit i shoqëronin vetë nxënësit, por më shpesh dhe vetë prindërit, por edhe pse mjaft vështirësi e peripeci të tilla, Shabani nuk u tërhoq nga shkolla, nuk bëri mungesa dhe e përfundon shkollën shtatëvjeçare me notën maksimale pesë.
Nuk ka pengesë që të ndalë njeriun, nëse ai ka vullnet. Në rrugë e sipër një njeri i vetëdijshëm për atë që bën, do të kuptojë se nuk do t’i duhet as gjysma e forcës që ka pasur ndërmend të përdorë.
Dhe Shabani kishte kuptuar se injoranca e vërtetë, tek kushdo qoftë, i vogël apo i rritur, nuk ishte mungesa e njohurive, por refuzimi për t’i përfituar nga librat. Kështu, pas përfundimit të shkollës shtatëvjeçare i doli e drejta e studimit për në shkollën e mesme të Teknikumit të Ndërtimit në Tiranë, e drejtë studimi, por me gjysmë burse, një pagesë kjo që për familjet shqiptare kushtonte shumë.
E shkuara e familjes dhe historia e saj janë si një busull që e orientojnë dhe e udhëheqin njeriun për të inspiruar hapa të sigurt drejt një objektivi tjetër të lartë. Pra, vetëm në këtë mënyrë rrugëtimi, duke u mbështetur te tradita familjare, ai shikon dhe përjeton të kaluarën, të tashmen, por që i shërben edhe si për të shkuar tek e ardhmja. Dhe familja e Shabanit e donte arsimin, e dinin se të gjitha vijnë falë arsimit, ndaj për arsimimin e plotë të Shabanit bënë gjithçka. Me këtë sedër dhe dashuri për shkollën, Qazim Bitri i edukoi edhe fëmijët e tjerë.
Shabanit, ende fëmijë, iu desh që verës të vazhdonte punën në një sektor të ndërmarrjes Rruga-Ura në Qukës të Librazhdit. Këtu u njoh më mirë me jetën dhe punën që bënin punëtorët kantiereve, u lidh dhe u miqësua me të gjithë, fitoi një përvojë të mirë për punë dhe vullneti i tij u forcua edhe më shumë.
E mbaron shkollën e mesme me nota të larta dhe sapo mbaron shkollën e mesme, Shaban Bitri do të transferohet në Pukë, në një kantier ndërtimi i cili varej nga Ndërmarrja e ndërtimit Shkodër.
Dy vite më vonë i doli e drejta e studimit për në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Ishin vitet 1970-1971. Në vitin e tretë, kur dhe ndaheshin degët, Shabani caktohet për ndërtime civile dhe industriale.
Duke e parë veten nga pozitat që aty kishte ardhur për t’u përgatitur, për të justifikuar të gjithë atë çka bënë prindërit për shkollimin e tij, ai zbatoi pikë për pikë atë që duhej të dilte me rezultate të larta dhe gjatë gjithë periudhës së studimeve, Shabani e justifikoi tamam besimin e prindërve të tij, duke dalë nga viti në vit me rezultate të larta.
Në këto vite kur inxhinieri i ardhshëm ndiqte me zell të madh studimet, hidrocentrali i Fierzës një kantier i madh energjetik kishte filluar punë. Drinit po i vinin pritë në Fierzë, që ujin e tij ta kthenin në energji elektrike.
E kishin ndjekur hap pas hapi ecurinë e studimeve të inxhinierit të ardhshëm dhe kështu edhe vendin e punës ia kishin siguruar ende pa i përfunduar dy provimet e fundit.
Thonë se njohuritë e marra në shkollë, sido që të kenë qenë rezultatet, nuk mjaftojnë. Ata duhet të bëhen të prekshme, të gjejnë zbatim në praktikë. E ndaj inxhinier Shaban Bitri atë ditë gushti kur udhëtonte drejt kantierit të Fierzës, në valixhe kishte më shumë libra se sa rroba. Kishte marrë libra me vete se e dinte mirë që do të përplasej me të reja dhe vështirësi në atë vepër që po hidhte shtat, e kur teoria gërshetohet me praktikën, vështirësitë si do që të jenë bëhen të kapërcyeshme.
Me korrektësi, pasion e aftësi të dukshme profesionale, me dashuri e idealizëm të kulluar, fali dekadat e moshës më të mirë në veprat e dritës, në digat e hidrocentraleve.
Hidrocentrali i Fierzës ishte një vepër e rëndësisë së veçantë, vepra ma e madhe hidroenergjetike në vendin tonë. Shabani u përball me të gjitha këto vështirësi që haseshin në këtë vepër, por kurrë nuk u tërhoq. Shabani nuk skuqej të pyeste më të moshuarit, shokë e kolegë, por herë pas herë do t’u kthehej edhe librave që kishte marrë me vete.
Edhe pse ende i ri në moshë, Shaban Bitri bënte pjesë në ato kuadro drejtues që mirësia dhe ndershmëria ishin “kostume” që vërtet i shkonin bukur. Dhe i tillë ka mbetur ende sot, tek i gëzohet pensionit të pleqërisë.
Kënaqësia më e madhe arrihet pasi njeriu heq dorë nga ambiciet, nga smira për të bërë karrierë në rrugë të pandershme. Shaban Bitri nuk e kishte për pjesë të karakterit të tij.
Fierza në ato vite u bë një ndër qytezat punëtore më të populluara, ku kishte afro 12 mijë banorë dhe me një gjallëri në çdo orë të ditës dhe natës. I gjithë personeli inxhiniero-teknik këtu ishte i kualifikuar, por kishte dhe shumë specialistë të huaj kinezë. Siç tregon vetë Shabani, specialistët kinezë punonin me përkushtim dhe nuk dinin të gënjenin, pasi ishin të pajisur me një ndershmëri absolute.
Fierza shërbeu edhe si një shkollë e dytë për Shabanin, pasi këtu u rrit më shumë, mësoi më shumë dhe përfitoi një përvojë që në çdo vend tjetër të kishte qenë, nuk do ta kishte marrë. Fierza ishte dhe mbeti ajo shkollë për mjaft punëtorë dhe kuadro të rinj që vinin direkt nga bankat e shkollës. Pas Fierzës inxhinier Shaban Bitrin do ta gjenim në Koman, në një tjetër vepër të madhe hidro-energjetike. Mbi katërmbëdhjetë vite nëpër veprat e dritës e më së shumti në zbatim, aty ku ishin dhe vështirësitë më të mëdha.
Shaban Bitri kishte aftësi për të shikuar e vepruar, por pa gjykuar të tjerët. Edhe nëse gjatë punëve tek të tjerët shikonte të meta dhe dobësi, Shabani do t’i këshillonte, do t’u tregonte se si mund të eliminoheshin dhe kurrë nuk i bënte objekt diskutimi e debati të mirëfilltë.

Familja

Krahas punës, domosdo që një rol kryesor ka edhe familja dhe roli parësor ishte edhe edukimi i fëmijëve. Shabani ishte i angazhuar shumë me punët e ngarkuara, me përgjegjësi të mëdha, ku vetëm pak orë i mbeteshin me familjen, por e ndiente se kishte përgjegjësi edhe në rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tij, megjithëse këto përgjegjësi ia lehtësonte Vita, bashkëshortja e tij, jo vetëm si grua model, por edhe si mësuese në profesion. Detyra e saj nuk ishte vetëm të përkujdesej për zhvillimin dhe rritjen normale e pa brenga të tyre, por edhe t’i përgatiste për jetën, duke nderuar punën, cilado qoftë ajo, fizike apo intelektuale.
Pikërisht nga periudha e gjatë në këto vepra, Shabani fitoi shumë, fitoi edhe disa cilësi të veçanta që vazhdon t’i ruajë me fanatizëm edhe sot që është në pension. Nga natyra shumë i prerë, serioz e fjalëpakë, këmbëngulës e me një vullnet mjaft të fortë, besnik ndaj të tjerëve.
Pas Fierzës e Komanit do ta gjejmë në hekurudhën e re që kishte filluar të zgjatej nga Miloti në Rrëshen dhe ku destinacioni i fundit i hekurudhës do të ishte Klosi. Ing. Shaban Bitrit këtu iu besuan urat dhe veprat e artit për afro në 6 kilometër trase. “Urat kanë qenë pasioni im i madh në jetën time si ndërtues, – thotë Shabani. Ato kërkojnë guxim, njohuri të thella, ekzaktësi, preçizion të madh, siguri që ka të bëjë me një sërë faktorësh. Të gjitha urat më kanë dhënë gëzim dhe kënaqësi, por ura e ndërtuar mbi Blliçe më ka dhënë një kënaqësi që nuk e kam përjetuar kurrë. Kjo ka mjaft arsye, sepse kjo urë lidhet me jetën time. Dhe jo vetëm me jetën time, por edhe të bashkëfshatarëve të mi dhe të shumë brezave njerëzorë që kanë vuajtur nga përroi i Blliçes”.
Pas kantierit të hekurudhës, Shabani transferohet në Shkodër në Ndërmarrjen e Ndërtimit. Pas një periudhe dyvjeçare kalon në vitin 1988 si kryeinxhinier pranë Ndërmarrjes së Rrugëve Shkodër. Ishin pikërisht këto kantiere të rëndësishme që ishin hapur në vendin tonë, që inxhinier Shaban Bitri të vlerësohej e rivlerësohej disa herë.
Në hidrocentralin e Fierzës, të Komanit dhe hekurudhë inxhinier Shaban Bitri është vlerësuar për punën që ka bërë me medalje dhe urdhra pune. Ndërsa Këshilli Bashkiak Dibër e nderoi Shaban Bitrin me titullin më të lartë “Qytetar Nderi” i Dibrës.
Dituria është pasuri që fitohet me përvojë, por edhe kur kërkesat ndaj vetes qëndrojnë të ingranuara, në lidhje të pandërprerë me përparimin e teknikës dhe të shkencës në shkallë botërore. Dhe Shabani edhe sot lexon, lexon shumë, lexon libra të ndryshëm, por edhe literaturë bashkëkohore për veprat e ndërtimit.
Shaban Bitri u njoh mirë me jetën, sepse e njohën veprat e mëdha të dritës që sot, edhe po të duash, vështirë se ndërtohen më, me uljet e ngritjet e saj, duke e filluar atë nga hiçi, për të arritur më vonë shumë në formimin e tij, do t’i falnin “mëvetësinë” për të ndërmarrë më pas veprime që në fund të fundit do të ishin si një shtrëngatë për t’i dhënë vetë jetës drejtimin e duhur.
Jeta ka provuar se ai që shpërfill mundimin, vuajtjet, përgjithësisht sakrificën për të arritur diçka të virtytshme, në fund ndjehet i lumtur dhe i plotësuar në shpirt e në ndërgjegje. Shaban Bitri i ngjan pa dyshim, është “binjak” me çdo njeri që i ngjit shkallët e karrierës me urtësi, duke e konsideruar pozicionin apo një detyrë të lartë qoftë partie, qoftë administrative, si një premtim të mundimit për të arritur deri aty.
Kur gjykojmë rreth aftësive drejtuese e organizuese të Shaban Bitrit, të mençurisë së tij, për zgjidhjen e problemeve të shumta që i dilnin përpara, të shumta e të komplikuara, në objektet e rëndësisë së veçantë siç ishte Fierza e Komani, me urtësinë që e karakterizonte ai dinte që t’i zgjidhte të gjitha e t’u jepte udhë. E vetmja mënyrë për të bërë punë të dobishme, ndoshta jo të mëdha, por që të jenë të mirëpritura nga njerëzit, është që ta duash atë që bën dhe të lodhesh e të sakrifikosh për të arritur gjithçka.
Punoi e jetoi në një kohë të vështirë, në një moshë të re. U përplas me dallgët e jetës nga më të vështirat, por Shaban Bitri ishte një pinjoll i një familje të mirë, të njohur jo vetëm në Blliçe, por dhe jashtë sinorit të saj. Ai veproi me kujdes dhe çau përmes dallgëve dhe furtunave, se i tillë ishte brumosur.
Kaluan shumë vite, rrodhën shumë ngjarje dhe ujëra të rrëmbyeshme në jetët njerëzore. Te personaliteti i Shaban Bitrit nuk ka ndryshuar asgjë. Është po ai inxhinieri i dikurshëm i digave të mëdha, kërkues ndaj vetes e të tjerëve, korrekt e fjalëpakë, dinamik, i dashur dhe respektuar nga të gjithë.
Flokët i janë zbardhur, mosha i rëndon pak mbi supe dhe përsëri nuk ka dëshirë ta quash pensionist. Kujton gjithë nostalgji kafenë e mëngjesit kur e pinte me shokë e kolegë pa vajtur në punë, aty në kantier. Dhe sot, pas kaq vitesh, çdo mëngjes tek i njëjti lokal e gjejmë, tek e njëjta tavolinë, por nuk e shijon kafen si atëherë. Pret, hap sytë nga dera që tavolina të mbushet plot. Është mësuar Shabani me njerëz shumë, është mësuar kantiereve dhe nuk i shijon as kafja e mëngjesit në vetmi.