Turi i Korabit, mali më i lartë në Shqipëri


Përshkrimi i vargmalit të Korabit
Shijo ngjitjen në malin më të lartë të Shqipërisë, Korabin. Një udhëtim që do ju magjepsë nga çatia e Shqipërisë, ku do të njiheni me bukuritë natyrore të parkut Korab-Koritnik, kushtet e jetesës baritore në stane, kulturën dhe traditën e pasur të Maqëllarës, fshatrave turistikë të Radomirës dhe Rabdishtit, si dhe mikpritjen e gatimet tradicionale të dibranëve në familjet e tyre. Udhëtimi zgjat 6 ditë. Guida duhet sigurojë që vizitorët të jenë me veshjet, pajisjet dhe sendet e duhura për ecje malore.

Dita 1

8:30 Nisja nga Peshkopia.Shijo bukurinë e fshatrave të Maqellarës.
Nisja nga fshati Popinarë. Gjatë rrugës mund të njiheni me Kalanë e Grezhdanit, kishat e Herbelit dhe Kërçishtit, xhamia e Allajbegisë dhe burimet natyrore si Guri i Kërçinit, ujëvarat e Pocestit, Karsta e Pocestit, Rrapi i Kërçinit, burimet e Kërçinit dhe shumë peizazhe të tjera natyrore. Udhëtimi për në Popinarë do të jetë me minibus.
9:30 Ngjitja në bjeshkën e Pocestit
Bjeshka e Pocestit të jep një adrenalinë të paparë, kur shikon luginën e Drinit të Zi. Ngjitja vjen natyrshëm përgjatë burimit të Kërçinit drejt bjeshkës me monumente të shumta të natyrës, florën dhe faunën e zonës. Frutat e pyllit dhe uji i ftohtë janë shoqëruesit më të mirë të drekës nga bjeshka e Pocestit.

12:30 Dreka është e paketuar dhe marrë me vete.
13:30 Vrojtim nga Maja e Velivarit luginës dhe maleve të Dibrës.
Ngjitja për në malin e Valivarit, i cili ka një reliev më të butë se malet e thepisura. Udhëtimi zgjat 2 orë. Ke mundësinë e vështrimit të të gjithë Luginës së Drinit të Zi dhe një pjese të Radikës.
Udha vazhdon përgjatë brezit të butë dhe zbret te Kulla e Turkut, ku bjeshka e Hinoskës duket si në pëllëmbë të dorës. Bjeshka, liqeni, stanet dhe fshatrat e Trepçës dhe Ilnicës janë destinacionet më të afërta. Zbritja deri te stanet e Hinoskës zgjat rreth 1 deri 1.5 orë.

16:30 Akomodimi në stanet e Hinoskës, shtëpitë pritëse të Fidallarëve.

Rekomandohen për shtëpi pritëse dhe kamping:
Hatem Fida 0672087194
Tush Fida 0684715843

19:00 Darka tradicionale familjare në shtëpinë pritëse.

Dita 2

8:00 Mëngjesi i bollshëm me ushqime të vendit te shtëpia pritëse

9:00 Ecje dhe eksploro Bjeshkën e Hinoskës.
Nisja për në bjeshkë. Ecje malore, e moderuar në këmbë dhe për çantat përdoren kuaj ose mushka. Peizazhi është shumë i bukur dhe panoramik. Gjatë rrugës mund të ndalesh në pika vrojtimi për soditjen e natyrës dhe për foto. Mbërritja në bjeshkë pas 1.5 orë ecje. Florë e pasur dhe bimësi e shumëllojshme. Karakteristike janë bimët mjekësore të rralla si gentiana lutea, lulja e salepit, boronica dhe çajra të ndryshme. Bjeshka të ofron shumë burime ujore. Në bjeshkën e Rabdishtit, rrëzë Gurit të Zi, shijon gjithë Luginën e Shërimit dhe Borovikun e Begjunecit, Mbas një ecje me vështirësi të lehtë, pas 4 orësh nga stanet e Hinoskës, arrin te Kroi i Gjyshes.

13:00 Dreka të Kroi i Gjyshes është e paketuar dhe marrë me vete.
15:30 Shëtitje dhe ecje në bjeshkën e Rabdishtit
Peizazhi është shumë i bukur dhe panoramik. Pylli i Ferës është shumë i bukur, me pisha dhe lloje të ndryshme drurësh pyjorë. Bjeshka ka një florë shumë të pasur me bimësi të shumëllojshme. Bjeshka të ofron shumë burime ujore. Mbërritja në fshat pas 2 orë ecje.
16:00 Vizitë në fshatin e gurtë turistik të Rabdishtit
Fshati është një nga 100 fshatrat turistikë në Shqipëri. Pozicioni është malor dhe stili i ndërtimit i gjithi me gurë. Çdo rrugicë ka të bukurën e saj dhe vizitorët shikojnë dhe prekin me sytë dhe duart e tyre jetën tipike të fshatit.
16:30 Akomodimi te shtëpitë pritëse. Rekomandohen për shtëpi pritëse
Sabri Shahini 0695114003/0683240675 guesthousesabriu@gmail.com
Fitim Goleci 0696429888 guesthousefitimgoleci@gmail.com
Darka në shtëpinë pritëse, tradicionale familjare

Dita 3

Ngjitja dhe ecje në malin e Skërtecit
8:00 Mëngjesi i bollshëm me ushqime të vendit te shtëpia pritëse.
9:00 Ngjitje dhe ecje në malin e Skërtecit
Nisja nga fshati Rabdisht për në bjeshkë është itinerari i parë. Ecje malore e moderuar. Mbërritja në bjeshkë pas 3.5 orë ecje. Bjeshka të ofron shumë burime ujore dhe kanione të ndryshme, që dhe në periudhën e verës mund të kenë borë ose masive akulli. Fauna është shumë e pasur dhe mund të shikosh kaproj, lepuj dhe shpendë të ndryshëm.
12:30 Dreka është e paketuar dhe marrë me vete, shijohet buzë uji të ftohtë.
14:00 Ecje malore në leqet e Cerjanit
Ecje malore, më shumë në pjesë shkëmbore përgjatë Malit të Skërtecit. Pamja është e bukur dhe mali është i thepisur. Ke ndjesinë e një aventure, por shkalla e vështirësisë është e moderuar dhe nën shoqërinë e guidës, rruga është e njohur dhe shumë e përdorur nga popullsia vendase dhe vizitorë të shumtë.
16:00 Ngritja e kampingut në Gurin e Kuq
Kampingu ngrihet me tenda, rrëzë Gurit të Kuq në fshatin Zimur. Ambienti është i përshtatshëm për kamping dhe pamja është shumë e bukur. Vizitorët mund të eksplorojnë florën dhe faunën e pasur dhe në shoqërinë e guidës mund të njihen me karakteristikat e zonës së mbrojtur Korab-Koritnik.
16:30 Darka dhe mëngjesi është e paketuar dhe marrë me vete.

Dita 4

Ngjitja dhe ecje në Bjeshkën e Gramës
9:00 Nisja nga Guri i Kuq
Ecje malore ne malin e Derzës. Fshati Zimur në lartësinë më të lartë në Shqipëri, njihet si çatia e qytetit të Peshkopisë. Udhëtimi vazhdon nëpër malin e Derzës ose në gjuhën vendase njihet si “Dera ose porta”, kjo për shkak të pozicionit të saj gjeografik. Njihet vendi i erës ose dera e erës. Pas 4 orë udhëtimi arrin në Bjeshkën e Gramës. Vendi malor shumë i bukur, mbase më i bukuri në Shqipëri.
12:30 Dreka është e përgatitur nga i zoti i stanit të Gramës.
14:30 Shëtitje në Bjeshkën e Gramës dhe Bjeshkën e Zonjave
Peizazh i mrekullueshëm, mes një flore shumë të pasur dhe relievi mahnitës.Eksplorim në kanionin e Gramës, Pasqyrat apo Shllinasi i Vrenjtit, që janë monumente të rralla natyre. Peshkim në liqenin e Gramës. Shëtitje me kuaj nëpër fushat e Bjeshkës së Gramës dhe Bjeshkës së Zonjave.
17:00 Akomodimi në kamping “Korabi” ose me tenda që ofrohen nga guida ose nga kampingu. 0683322157
19:00 Darka është në kamping.

Dita 5

Vizitë në fshatin turistik të Radomirës.
7:30 Nisja nga kampingu i Gramës.
Mëngjesi me vete konsumohet pas 2 orë udhëtimi. Mund të konsumohet mëngjesi në stan dhe pastaj dita është vetëm për ecje. Eksploro bukuritë e Bjeshkës së Shehit. Nisja nga Grama kalon nëpër një itinerar i gjithi malor, me bjeshkë, pyje të larta, burime ujore, florë dhe faunë të pasur deri te Bjeshka e Shehit. Deri te burimet e Bjeshkës së Shehit arrihet për rreth 6 orë. Shkalla e vështirësisë është e lehtë dhe në disa vende mesatare.
13:30 Dreka është e paketuar dhe marrë me vete.
17:00 Shijo pamjen e fshatit turistik Radomirë.
Radomira është një nga 100 fshatrat turistike të Shqipërisë. Radomira ka burime të shumta që derdhen në lumin e Veleshicës. E përbërë nga 5 lagje, grupi qëndron në lagjen Tezë. Janë dy baxho që prodhojnë djathë, pasi zona e Radomirës shquhet për mbajtjen e deleve. Natyra është shumë e bukur dhe pyjet janë të mbrojtura, pasi ky fshat është i vetmi në Shqipëri që ka ligjet e veta dhe nuk lejojnë asnjë që të presë pyjet apo të bëjnë gjueti në territorin e tij.
17:30 Akomodimi te shtëpitë pritëse
Rekomandohen për shtëpi pritëse:
Setki Ahmata 0692777129
Haxhi Hima 0692538172
19:00 Darka në shtëpinë pritëse, tradicionale familjare.

Dita 6

Ngjitje në malin e Korabit
7:00 Mëngjesi i bollshëm me ushqime të vendit te shtëpia pritëse.
7:30 Nisja për malin e Korabit
Ngjitje dhe ecje në Fushën e Korabit, destinacioni i parë atraktiv që arrihet pas 3 orë udhëtimi nga Radomira. Ngjitja është mesatare dhe pamja është e mrekullueshme, malore dhe baritore. Fusha e Korabit është një nga burimet natyrore dhe ka një larmi lulesh dhe bimësie. Ajo është shumë e njohur për popullsinë vendase dhe më gjerë, pasi janë kënduar edhe këngë.
11:30 Dreka në Fushën e Korabit është e paketuar dhe marrë me vete.
14:00 Ngjitja në Fushën e Ponairit.
Quhet Fusha ose Gropa e Ponairit, ose si fusha e panaireve, që përdorej nga popullsia vendase për të reklamuar delet, leshin apo gjëra të tjera. Mendohet sipas gojëdhënave se këtu bëhej edhe shkëmbimi i bagëtive dhe leshit. Edhe Fusha e Ponairit është monument natyre.
15:30 Ngjitja në majën e Korabit
Maja e Korabit është e një shkallë vështirësie mesatare dhe pamja është e mrekullueshme, të duket vetja sikur je në çatinë e Shqipërisë dhe të gjitha malet dhe lartësitë janë nën shikimin tënd. Ngjitja zgjat 1.5 orë. Guida duhet të ketë kujdes për grupin, pasi një pjesë janë të lodhur dhe duan pak motivim për t’u ngjitur.
19:00 Kthimi në fshatin Radomirë
Kthimi bëhet nga ana tjetër e malit të Korabit, nga pjesa e fshatit Ceren. Zbritja zgjat rreth 3 orë, por në varësi të grupit mund të shkojë edhe 3.5 orë, nëse është grupi i lodhur.
19:00 Akomodimi dhe darka te shtëpitë pritëse.