Bujtina “Shahini”


Jo më kot Rabdishti është futur në listën e njëqind fshatrave turistikë të Shqipërisë. Rruga për të shkuar atje, nis nga xhamia e vjetër e qytetit, vazhdon drejt Llixhave të Peshkopisë, një mrekulli që Zoti ia ka falur njerëzimit. Më pas një hapësirë e gjerë, para se të ndahen rrugët për në katër fshatrat e Bellovës, që qëndrojnë si ballkon i qytetit. Dikur ky shesh kishte plepa dhe akacie e sërish sot mund të kthehet sërish në një atraksion për banorët e qytetit, me vetëm pak sistemime dhe mbjelljen e pemëve dekorative. Rruga vazhdon të jetë po ajo e para viteve nëntëdhjetë, e lodhur, e gërryer nga vërshimet, e ngushtë dhe e rrezikshme. Politikanët shkojnë andej në dy apo në katër vjet, sa për të vjelë votat, kurse banorët e kësaj zone udhëtojnë mbi gjysmë ore, kur mund ta bënin në më pak se pesë minuta, po të ishte e asfaltuar. Asnjë tabelë që të tregojë se Rabdishti është shpallur fshat turistik, asnjë tabelë se ka një bujtinë që pret turistë. Vetëm kur ke sosur në fshat, diku në mesin e rrugëve të kalldrëmta, punuar me shije, sheh një të tillë, ku lexohet “Bujtina Shahini”.

BREZAT E FAMILJES SHAHINI
Çdo njeri dëshiron të përmendë dhe pse jo dhe të mburret pak me të parët e tij. Sabri Shahini ka arsye te forta që ta kthejë kujtesën pas në kohë e në histori, të paktën deri te stërgjyshi i tij Nezir Hoxha, Shahini. Ai pati studiuar në Stamboll për teologji, po dhe për mjekësi. Ishin dy dije që aq shumë duheshin atëherë e po kaq shumë duhen akoma dhe sot. Të kishe xhevahire të tilla në fshat, ishte një dhuratë nga Zoti dhe Nezir Shahini i bëri më së miri këto dy funksione. Ai shërbeu gjithë jetën si misionar i fesë islame dhe po kaq kohë mjekoi e shëroi me mijëra njerëz, atëherë kur mjekët ishin të rrallë e numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Ata kishin njohuri të mjafta për kohën për anatominë dhe fiziologjinë e njeriut. Përgatisnin pomada dhe melheme të mrekullueshme me lulet e bjeshkës, përdornin dhe bisturinë, kur ajo ishte e nevojshme. Shëronin njerëz me ilaçe, por dhe me shpresën dhe fjalën e mirë, që ngjiste si balsam.
Sabriu, stërnipi i tij, i ruan me fanatizëm një komplet veglash kirurgjikale të përdorura prej të parëve të tij. Themi në shumës, prej të parëve, pasi Lazimi, djali i Nezirit dhe gjyshi i Sabriut ishte po aq i aftë sa babai në rolin e imamit dhe të doktorit. Sheh këtë koleksion veglash dhe habitesh, pasi janë aktuale dhe për sot. Gjen aty pinca anatomike për bllokimin e enëve të gjakut, bisturi për hapje absesesh dhe operime te lehta, pinca dentistësh për heqje dhëmbi, pompë për azmatikët, çantën që i mbante këto vegla, sot të gërryer e dalë boje dhe plot gjëra të tjera të kësaj natyre. Sabriu dëshiron të hapë një minimuze dhe përveç këtyre që përmendëm dëshiron të ekspozojë tezgjahun e përdorur nga gjyshja dhe nëna e tij, grirësen e vjetër të duhanit, mullirin që përgatiste grurin për bungur. Objekte më të vonshme se këto do të jenë radio Iliria, fenerë të vjetër, ibrikë kafeje apo dhe të tjerë elementë të vjetërsisë, që mund të jenë në shtëpitë e banorëve të tjerë të fshatit.
Lazimi i ri është vëllai i madh i Sabriut. Ai është mjeshtër ndërtimi, por sidomos i punimit të gurit. Kjo lloj mjeshtërie ka qenë tipike për banorët e fshatit. Njazi Shahini, Ramë Seferi, Ali Shahini, Kamber Braha, Vahid dhe Rahman Nesimi, ndoshta dhe shumë të tjerë mund të kenë qenë po kaq të shquar, sa mjeshtërit e gurit të Gjirokastrës. Sot kjo traditë mbahet gjallë akoma, ku përveç Lazimit me dy djemtë e tij, janë dhe Rahman Braha, Demë dhe Flamur Nesimi, që kanë kryer punime vërtetë të mrekullueshme.
Sabriu tregon se deri në vitin 1972 kemi jetuar bashkë katër familje me 47 persona gjithsej. Kryetar i familjes së madhe ishte mixha Qerim, më i madhi i vëllezërve të babait. Pas ndarjes, Sabriu mbaroi shkollën tetëvjeçare dhe nuk vazhdoi më tej, edhe pse notat i kishte shumë të mira. Një “njollë” në biografi dhe vështirësitë ekonomike të kohës e ndaluan arsimimin e mëtejshëm, një brengë e madhe për të, që u lehtësua disi më vonë. Me përpjekje dhe vështirësi të panumërta, duke u endur si emigrant në Maqedoni, në Greqi dhe Itali, Sabriu arriti të shkollojë në mënyrë të shkëlqyer dy djemtë e tij, Erionin dhe Donaldin.

SI LINDI IDEJA E BUJTINËS?
Pronari i bujtinës, Sabri Shahini, të del përpara dhe me një buzëqeshje në fytyrë dhe me fjalë mirëseardhje të prin përpara drejt shtëpisë. Nuk është e sotme kjo mënyrë sjellje dhe as e stisur e artificiale. Ajo është një traditë e hershme, aq sa dhe jeta e këtyre banorëve fisnikë e zemërbardhë. Vërtet habitesh kur Sabriu tregon se aty kanë bujtur kategori të ndryshme udhëtarësh. Aty vinin romët në kohë vere për të shitur kuaj e mushka, por dhe shporta e kanistra, që i bënin vetë, me thupra nga shelgjet e fshatit. Aty vinin kallajxhinj nga Përmeti, që kallaisnin enët e bakrit të banorëve. Nga Mirdita vinin njerëz që shisnin katran, ashtu siç vinin dhe banorë të Tanushës, nga ana tjetër e malit, që sillnin në treg shega druri, sofra dhe punime të tjera artizanale prej druri. Të gjithë këta njerëz kishin pirë një kafe, një çaj, kishin ngrënë një drekë, apo kishin ndenjur dhe një natë, apo më gjatë akoma te shtëpia e Sabriut, por dhe te shtëpi të tjera të fshatit.
Ishte kjo traditë dhe kjo rrugë e shtruar që herët nga të parët e tij, e cila i dha një ide të re, për ta ngritur atë në një stad tjetër, të hapte bujtinën e parë në fshat për turistë vendës dhe të huaj. Kështu mori rrugë projekti, i ndihmuar fuqishëm dhe nga fondacioni gjermano – danez Gizi, që mbuloi mbi 60 për qind të shpenzimeve, për ta përshtatur e akomoduar bujtinën për vizitorët e ardhshëm. Sabriu shpreh konsideratë e mirënjohje për fondacionin në fjalë, por në veçanti për Dali Horeshkën, koordinatorin e tij për qarkun e Dibrës.
Më 1 gusht të vitit të kaluar erdhën turistët e parë amerikanë, një grup prej nëntë vetash. Shumë e shumë të tjerë e pasuan ardhjen e tyre dhe deri më 1 tetor, numri i përgjithshëm kishte shkuar në 250 veta. Ata janë nga vende të ndryshme, por dhe nga kontinente të ndryshme. Vijnë turistë nga Gjermania, Amerika, Franca, Holanda, Suedia, Anglia, pse jo dhe nga Australia e largët. Sabriu i qeras me çajra të ndryshëm, mali, bjeshke, boronice, trëndafili të egër, me komposto, reçelna e turshi të të gjithë llojeve, u gatuan fasule, sarmë dhe jufka të vendit. Qumështin, kosin, djathin e ndonjë gotë dhallë i ka prej lopës që e mban vetë. Mishin e qengjit e merr te komshiu i tij, Uzri Ismaili, që ka një tufë prej gati 200 krerësh. Por mbi të gjitha, i qeras me fjalët e ëmbla, me pritjen e ngrohtë dhe gatishmërinë për t’u shërbyer në çdo rrethanë. Sabriu e kupton se miqtë kanë mbetur të kënaqur, sepse, pasi ka mbaruar prenotimi, turistët pyesin nëse munden të shtojnë dhe një natë tjetër në axhendën e qëndrimit aty. Një familje suedeze prej katër vetash qëndroi katër net dhe fëmijët e çiftit donin të qëndronin akoma. Sabriu lidh miqësi e ka shkëmbim mesazhesh me shumë nga njerëzit që kanë ardhur. Ne folëm për turistë të huaj, por mos harrojmë se ka dhe shumë vendas, nga Peshkopia, nga Tirana apo nga ndonjë rreth tjetër dhe rrethi i vizitorëve vjen e zgjerohet përherë e më tepër.

HARTA E DONALDIT DHE PROJEKTET E REJA
Donaldi është djali i dytë i Sabriut. Ai është inxhinier informatike dhe programim kompjuteri. Sapo ka mbaruar studimet e larta në Norvegji dhe pritet të fillojë punë atje. Ai mendoi se një hartë e thjeshtë e fshatit do t’u shërbente mjaft turistëve të huaj, për të nxjerrë prioritetet e atraksioneve të fshatit. Ai e filloi me Izvorin me ujë të ftohtë, aty ku rruga e Rabdishtit ndahet me Bellovën. Harta vazhdon me dy pishat, lart, karshi fshatit, që askush nuk i mban mend sa të vjetra janë. As tregimet e të parëve, gojë më gojë, nuk hedhin dritë mbi vjetërsinë e pishave. Pak më sipër pishave ndodhen pesë-gjashtë tunele, ndërtuar në kohën e komunizmit, që janë aq të ngrohta në dimër dhe shumë të freskëta në verë. Jo shumë larg gjendet dhe një liqen i vogël, që shërben për vaditje. Në krahun tjetër janë stanet dhe posta kufitare e dikurshme, Kroi i Plakës dhe Livadhi i Peshkut, që dikur mendohet të ketë qenë një liqen akullnajor. Ia vlen të vizitohet Hurdha e Hamekut, që është një pjesë bjeshke disi e veçuar, Piramida me numrin tetë, si dhe tre katër ujëvara të bukura. Të gjitha këto vende mund të përshkohen me pak lodhje dhe brenda një dite. Kjo ishte arsyeja që Donaldi formatoi hartën e fshatit, që t’i orientonte të huajt, se ku mund të shkonin dhe për sa kohë mund ta realizonin vizitën e çdo objekti.
Sabriu ka shumë projekte të reja në mendjen e tij. Ai nuk synon vetëm për bujtinën e tij se atë e ka kompletuar më së miri. Do që të tjera bujtina e shtëpi pritëse të fillojnë aktivitetin. Dhe këtë po e bën edhe Fitim Goleci, një djalë shumë punëtor e vizionar. Ai ka mbjellë gati një hektar pemëtore dhe po i shërben me përkushtim. Pranë pemëtores së tij kalon një rrugë, që vendasit e quajnë rruga e Grabisë, gati 10 kilometër e gjatë. Një grup specialistësh zviceranë e kanë parë atë si mjaft të përshtatshme për ecje me biçikleta, me motora, pse jo dhe për hipizëm. Ndërhyrje të vogla duhen bërë te ujëvarat, ku ka pak rrëshqitje, te pishat për të krijuar një farë ballkoni. Duhet ndërtuar dhe një urë aty te përroi, ku fillon dhe rruga për në fshatin e Zagradit.
Sabriu ka rreth 200 rrënjë qershi, që kanë hyrë në prodhim. Ka dhe një kopësht ku kultivon patate, qepë dhe perime të tjera, të cilat ua shërben miqve të tij. Në planet e tij të afërta është dhe një minifermë me viça, me qengja, keca e pula, duke afruar mish sa më të freskët e cilësor për miqtë e tij të shumtë.
Po a do mundej vallë Sabriu, jo ta zhvillonte, por dhe ta mendonte idenë e turizmit, po të mos kishte në krah Festimen, bashkëshorten e tij, një amvisë të përkryer, një kuzhiniere fort të zonjën? Ajo është bijë e Mehmetajve të Trepçës, aq të përmendur në punë, bujari e mençuri. Të dy së bashku krijuan folenë e re, përballuan sfidat e jetës, lindën, rritën dhe shkolluan Erionin dhe Donaldin, dy fëmijë të mrekullueshëm, që nderojnë, jo vetëm familjen e fshatin, por Dibrën e më gjerë akoma. Pas studimeve të larta për jurist në Shkodër, Erjoni, djali i madh, fiton një bursë studimi në Rusi. Ai ka punuar me amerikanë, me kinezë, me turq, duke fituar eksperienca të reja. Të dy vëllezërit flasin nga katër pesë gjuhë të huaja e sërish janë aq të thjeshtë e modestë. Familja Shahini mbetet një shembull frymëzimi, një model i punës dhe inteligjencës, i bujarisë dhe i patriotizmit.