Fillimi i punës në Ekspeditën Gjeologjike Peshkopi


Para përfundimit të zborit ushtarak dolën emërimet për në punë të gjithë studentëve që mbaruam në vitin 1968. Mua më emëruan Inxhinier gjeolog në Ndërmarjen Gjeologjike të Bulqizës. Pasi bëra 10 ditë pushim pas zborit më 10 shkurt 1969 u paraqita për të filluar punën. Në atë periudhë, drejtor i Ndërmarjes ishte Ferit Alla nga Bulqiza dhe kryegjeolog Sefedin Qorlaze nga Kërçishti i Maqellarës.
Si gjeolog i ri që isha më caktuan në Ekspeditën Gjeologjike të Peshkopisë, në Ekipin e Lurës. Pasi bëra regjistrimet në degën e Kuadrit në Bulqizë tek shefi i kuadrit Ali Hida, mora paisjet e nevojshme të gjeologut në magazinë si, çantë gjeologu, busull e çekiç, çizme, këpucë me qafa, xhaketë e pantollona doku e xhup dhe u paraqita në Ekspeditën Gjeologjike Peshkopi tek kryetari i ekspeditës, gjeologu Ruzhdi Sulejmani nga Shkodra.
Në përbërje të kësaj Ekspedite ishin, Ekipi i kërkimit të Bakrit në Peshkopi me gjeolog Niko Kita nga Përmeti, Ekipi i kërkimit të Kromit në Kacni me gjeolog Ruzhdi Sulejmani që ishte edhe kryetar ekspedite, Ekipin e kromit në Lurë me gjeolog Bashkim Lleshi nga Dibra dhe Ekipi i kërkim rilevimit të Peshkopisë me gjeolog Irakli Premti nga Saranda. Zyrat e Ekspeditës ishin tek Pazari i vjetër, në krahun e poshtëm të rrugës, në të djathtë kur zbrisje poshtë. Personeli që nuk kishte shtëpi në Peshkopi banonte në ish Shtëpinë e pritjes së Peshkopisë prapa Degës së Punëve të Brendëshme. Kushtet e fjetjes e të ushqimit ishin shumë të mira. Tek banesa ku flinim kishim një guzhinjere shumë të mirë, një grua të urtë e punëtore, Lime Nelin nga Cerjani e cila gatuante dhe pastronte dhomat tona. Banesa kishte tre dhoma e një guzhine ku banonim: Unë, Irakli Premti, Niko Kita, Ali Bardhi, Ramazan Sulejmani, Qamil Ndreka, Isa Mandri, Baftjar Qoku e Mersim Alimani etj. Gjatë dimrit personeli inxhiniero-teknik banonte në Peshkopi ndërsa gjatë verës shkonim nëpër ekipe me çadra e baraka. Gjatë dimrit vazhdonin punimet e kërkimit me një galeri në objektin e kërkimit të kromit Kodra e Lëmueme në Kacni dhe galeritë e kërkimit të bakrit në Pilafe e Cerjan.
Gjatë periudhës së dimrit unë fillova të njihesha me punimet e rilevimit dhe të kërkim revizionimit të kryera më parë në Lurë dhe përpilova propjektin e punimeve të kërkim-revizionimit të kromit për vitin 1969. Në vitin 1968 ishte kryer rilevimi në shkallë 1:10 000 i pjesës jugore të masivit të Lurës nga inxhinier gjeologët Agim Dobi e Dhimo Ikonomi e teknik gjeolog Thanas Zaro, ndërsa punimet e kërkim revizionimit me kanale në objektin e Blaçit dhe të Kumbullës të drejtuara nga inxhinieri gjeolog Irakli Premti e teknik gjeolog Qamil Ndreka.
Gjatë dimrit të vitit 1969 disa herë kam shkuar edhe me Ruzhdi Sulejmanin në Ekipin e Kacnisë ku vazhdonte një galeri kërkimi dhe një pus nga galeria në Objektin e kromit Kodra e Lëmueme. Teknik gjeolog në zonën e Kacnisë ishte Hasan Lala. Gjatë dimrit vazhdonin edhe punimet e kërkimit të bakrit në objektin e Pilafes me inxhinier gjeolog Niko Kita dhe teknik gjeologë Arif Nesimi e Nazif Aga dhe tenik normist Muharrem Sturçe.

Përgatitja për punimet fushore
të vitit 1969

Pasi përfunduam dhe miratuam në këshillin teknik të Ndërmarjes projektin e punimeve të kërkim revizionimit të kromit në zonën e Lurës, në muajin prill filluam sistemimin e materialeve që do të na nevoiteshin për punë gjatë verës dhe për bazën e ekipit ku do të flinim me çadra. Në fillim të muajit qershor të vitit 1969 ngarkuam të gjithë bazën materiale të ekipit të kërkimit në magazinën e Ekspeditës në Peshkopi dhe bazën materiale të ekipit të rilevimit në magazinën qëndrore në Bulqizë në një makinë gaz 51 që drejtohej nga shoferi Muharem Velia dhe të dy grupet u nisëm nga Bulqiza bashkë me një makinë tjetër gaz 69 me drejtues Rasim Viçishta për në zonën e Lurës. Rruga nga Peshkopia për në Lurë nuk ishte hapur nga Çidhna e Lan Lura, kështu që nga Bulqiza u nisëm në drejtim të Milotit, Rëshenit e Kurbneshit.
Mbaj mend që nga Bulqiza u nisëm të dy grupet së bashku, ai i Rilevimit gjeologjik të masivit ultrabazik të Lurës në shkallë 1:10 000 me Inxhinierët gjeologë, Agim Dobi e Dhimo Ikonomi dhe teknik gjeolog Naim Muça dhe grupi i kërkimit me inxhinier gjeolog, Bashkim Lleshi e teknik gjeolog Adli Baholli. Topograf kishim inxhinierin topograf Selim Muça.
Në Kurbnesh arritëm afër darkës kështu që vendosëm të flinim aty sepse në Lurë do të arrinim natën dhe nuk mund ta ngrinim bazën e fjetjes. Në Kurbnesh nuk kishte hotel kështu që do të sistemoheshim në dhomat e personelit të minierës me shokët e njohur që mbanim mend që nga shkolla. Unë takova shokun e vjetër të shkollës së lartë, inxhinierin e Minierës së Kurbneshit, Ndoc Uci i cili më mori për të fjetur në dhomën e tij. Ndoci kishte mbaruar 4 vjet para meje shkollën e lartë dhe ishte një ndër studentët më të mirë të fakultetit tonë në degën e minierave. Ai kishte njohuri të thella edhe për anën mekanike. Qysh kur ishte në fakultet, tek Ndoci vinin studentët e inxhinierisë mekanike dhe kosultoheshin për projektet teknike të tyre. Dhoma e tij në Kurbnesh i ngjante një laboratori elektro-teknik ku gjeje pjesë të ndryshme elektroteknike të përgatitura nga vetë Ndoci. Ai përveç ngrohjes së dhomës dhe ujit me paisje elektrike, në mur kishte vendosur një orë elektrike të ndërtuar me paisje rrethanore elektrike.
Të nesërmen herët u nisëm nga Kurbneshi për në Lurë. Pasi kaluam Mërkurthin e Krej Lurën vazhduam rrugën për në Fushë Lurë.

Ngritja e bazës së ekipit gjeologjik në Lurë të Vjetër

Menjëherë sa arritëm në Lurën e Vjetër filluam ngritjen e çadrave të fjetjes e të guzhinës në krye të lëndinës së bukur rrëzë pishave mbi burimin e freskët të Gjurrës së Duke dhe sistemuam të gjitha materialet e fjetjes të punës e të ushqimit. Nga Krej Lura muarëm guzhinierin Mark Doçi, që e kishin patur në vitin 1968 ekipet e kërkim rilevimit në Lurë, i cili sistemoi çadrën e guzhinës dhe filloi nga puna për përgatitjen e drekës. Po atë ditë muarëm kontakt me drejtuesit e pushtetit lokal dhe të kooperativës bujqësore të Lurës, për të siguruar fuqinë punëtore të nevojshme për punimet që do të kryenim gjatë verës në këtë zonë dhe për ndonjë furnizim nga kooperativa.
Për Ekipin e kërkimit në zonën e Fush Lurës muarëm dy punëtorë për punimet siperfaqësore, Skënder Gjon Doçin dhe Rustem Cukun, nipin e drejtorit të vjetër të gjeologjisë së Pukës Bajram Cuku, që filluan punën në kanalet e objektit të kromit të Blaçit. Njoftuam zjarmëtarin Ali Buci nga Vlashaj që kishte punuar edhe në vitin 1968 i cili erdhi dhe filloi punën për ndërtimin e depos së lëndës eksplozive në afërsi të bazës së ekipit dhe muarëm edhe dy punëtorë të tjerë nga Krej Lura për punimet sipërfaqësore që do të fillonim në këtë zonë, Gjergj Rajtën e Vlash Rajtën. Kafshar për furnizimin e ekipit me dru e ushqime dhe për transporte të ndryshme materialesh muarëm Pjetër Rajtën nga Krej Lura.
Kështu filluam punimet e kërkimit të mineralit të kromit me kanale në Blaç dhe në Krej Lurë. Në Blaç ngjiteshim nga rruga këmbësore që fillonte nga baza e ekipit në Lurë të Vjetër deri në lartësinë e liqeneve të Lurës, rreth 2 orë në këmbë, mes për mes pyllit të dendur të aheve e pishave deri sa dilnim në lartësitë e liqeneve, në krahun verior të Liqenit të Madh, poshtë majës Nezhda e Lurës. Shpesh në pyllin e dendur të aheve mbi bazën e ekipit na ka dalë edhe ndonjë ari që kishte në pyll. Në pyll rrallë herë udhëtonim vetëm. Unë nga baza e Lurës së vjetër në Blaç apo nga Blaçi e anasjelltas ose nga Blaçi në Krej Lurë nga Qaf Kumbulla, udhëtoja i shoqëruar nga teknik gjeologu ose nga zjarmëtari i ekipit, por kishte edhe raste kur shkoja vetëm në objektet e largët ku kishim punimet.
Qendra e Lurës ishte në mes të një lugine shumë të bukur malore që fillonte me bukuritë e Borije Lurës dhe vazhdonte në Fushë Lurë e Lurë të Vjetër e rrethuar në të gjitha anët me pyll ahu e pishe. Në jug lindje kishte zonën e bukur pyjore të Lan Lurës, ndërsa në veri perëndim kishte pyjet e Nezhdës së Lurës të zbukuruar nga liqejt e bukur malorë. Kudo e ndjeje freskinë dhe bukurinë e natyrës. Kur ktheheshim nga puna ndonjëherë pasdite zbrisnim në Fushë Lurë dhe pinim ndonjë kafe apo ndonjë gotë raki tek klubi ku punonte Hazis Buci me të shoqen, Bulen nga Dibra. Aty dëgjonim të flitej për Lurën e për kuadrot e saj. Afër klubit ishte edhe qendra e pushtetit lokal dhe e kooperativës bujqësore.
Kuadrot drejtuese të pushtetit lokal dhe të kooperativës ishin pothuajse të gjithë vendas. kryetar Lokaliteti ishte Ali Leka dhe sekretar Osman Musa, kryetar kooperative Nezir Buci e zv/kryetar Beshir Laçi. Kishte dhe një qendër shëndetësore me mjek Ndrec Vladin dhe një grup artistik që drejtohej nga mësuesi i talentuar e mbledhësi i folklorit Hilmi Kolgjegja.
Në bisedat e ndryshme me lurjanët u njoha më në detaje me patriotët e burrat e shquar të Lurës, më bëmat e trimëritë e tyre brez pas brezi. Nga Lura doli Llesh Nikoll Doçi i “300 duvakëve” që mposhti e sfidoi hordhinë turke në Kala të Grazhdanit me 300 djemtë e rinj të Lurës të hypur mbi kuaj, të armatosur e të mbuluar me duvakë si nuse, betejë të cilën populli e përjetësoi në këngë:
“Llesh Nikoll Doçi i tha Sulltanit, / Nusja u nis por çoi fjalë dhëndërrit…/ … Vesh si nuse janë 300 burra./ Për tek Pasha i ka nis Lura…/ … Prej duvakëve rruga skuqet, /Dil or pashë e priti nuset…/ …Jam Llesh Doçi djal Bajraku, /Erë baruti ka duvaku, / 300 nuse e 300 krushq, / Kanë la në gjak mbi 1000 turq” (Munir Shehu 2016)
Nga Krej Lura ishte zv/kryetari i parë e Qeverisë së Vlorës Dom Nikoll Kaçorri. Në Fush Lurë ka lindur heroi i Popullit Gjok Doçi cili dha jetën për çlirimin e atdheut. Nga Tejmalla (Dodaj) ishte Rexhep Doda një nga kuadrot më të vjetra drejtuese të pushtetit në rrethin e Dibrës dhe Beshir Laçi një nga partizanët e vjetër të luftës dhe me vonë kuadër drejtues në Durrës e Lurë. Nga Lura e vjetër ishte Gjon Deda i cili ka punuar kuadër drejtues rrethi në Peshkopi e Rëshen dhe Bajram Cuku që ishte një nga drejtuesit me të vjetër të gjeologjisë në rrethin e Pukës dhe me vonë në Fush Arrës. Në lagjen Sumaj të Lurës ka lindur e është rritur mësuesi i urtë e patriot, figura fisnike e Lurës, Dibrës dhe Mirditës, Llesh Zef Doçi, i cili me zgjuarësi e burrëri ka sfiduar furtunat e sistemit të kaluar. Nga Pregj Lura ishte Ramazan Vladi i cili nga punëtor e mekanik në Kurbnesh, arriti të punojë drejtor i Drejtorisë Gjeologjike në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave në Tiranë për disa vjet.
Shumë kuadro nga Lura kanë punuar në organet drejtuese të pushtetit në zonën e Dibrës e në Peshkopi etj. si: Ahmet Kaçorri, Ahmet Përleka e Lek Rajta nga Krej Lura, Nikoll Kola e Ndue Kola nga Lajthiza etj. Nga Fushë Lura ishte mësuesi i talentuar, mbledhësi i folklorit, kompozitori dhe prozatori Hilmi Kolgjegja, mësuesit e vjetër e të përkushtuar si Sali Ajazi e Ramadan Ajazi, Osman Vladi, Bib Doçi e Nin Rajta, Han Pogaj, etj. nga Arrën Molla, Kreja e Tej Molla, doktorët Ndrec Vladi e Preng Ndue Doçi nga Fushë Lura e Kreja, duke vazhduar me brezin e kuadrove më të rinj si, inxhinierët Bardhok Rajta, Skënder Përleka, Dod Vladi, gjeneralët Koçeku e Vladi, akademiku Shaban Sinani, biznesmenët Preng e Dod Doçi, etj.
Lura është shembulli ideal i bashkëjetesës së feve katolike e myslimane brenda një familje. Kushuriri i Gjok Doçit është Mustafa Doçi, me të cilin kam punuar vitet e fundit në punë në Gjeologjinë e Tiranës, Skënder Doçi që kam patur punëtor në Lurë në vitin 1969 ishte djali i Gjon Doçit nga Fushë Lura. Kushurinjtë e parë te Gjon Dedës në Lurë të Vjetër janë Liman e Lam Moriseni, të cilët kanë lindur e janë rritur bashkë në një shtëpi. etj.

Nezir Buci i Fushë Lurës

Nezir Buci i Fushë Lurës ishte një burrë shumë i mirë dhe malsor i zgjuar e me humor të hollë dibran, të cilin e donin dhe e respektonin krahina e Lurës. Duke qenë për një kohë të gjatë kryetar kooperative drejtues i zoti vendor në Lurë, ai priste në familjen e tij të gjithë nëpunësit që shkonin në Lurë me shërbim nga Peshkopia apo nga Tirana. Kur na vinte për ndonjë vizitë tek çadrat mbi Gjurrën e Duke në Lurë të Vjetër ne e mbanim ndonjeherë për drekë ose për darkë dhe ai na tregonte me humor historitë e punës e të jetës së tij e të malësorëve të tjerë në Lurë.
Një herë tregon Neziri, kishin ardhur në Lurë dy nëpunës nga Tirana që punonin në Komitetin Qëndror të Rinisë të cilët bënin takime në zona të ndryshme të vendit për zhdukjen e zakoneve prapanike, për heqjen e veshjes së rëndë të grave malësore dhe për ndihmën që duhet tu jepet grave në punët e shtëpisë. Në takimin e organizuar u tha se në rradhë të parë duhet të japin shembull kuadrot e kooperativës duke filluar nga kryetar Neziri, i cili tha se ishte i pari që i kishte hequr gruas së tij veshjen malësore dhe se e ndihmonte edhe në punët e shtëpisë. Pasi mbaroi takimi Neziri nuk kishte ku ti dërgonte të deleguarit, se në Lurë, ashtu si në qendrat e tjera të kooperativave, nuk kishte as hotel dhe as restorant, kështu që i mori në shtëpinë e tij. Kur shkuan në shtëpi u doli në oborr për t’i pritur e për t’u uruar mirëseardhjen një grua që dukej e moshuar e veshur malësore e cila ishte grueja e Nezirit, por meqenëse në mbledhje ai kishte thënë se ia kam ndruar veshjen në radhë të parë gruas time, ua prezantoi mysafirëve si nënën e tij dhe u tha se grueja ka shkuar tek të afërmit e saj dhe nuk mund të kthehet sonte. Pasi u futën në dhomën e miqve ato i thanë Nezirit: “Ti Nezir tani na përgatit darkën, ndërsa ne do të bëjmë muhabet me nënën tënde,” të cilën e ulën me zor pranë tyre. Gruaja e Nezirit e prezantuar si nëna e tij, mezi e kaloi atë natë me mysafirët e ardhur nga Tirana.
Gjatë kohës që ishte kryetar kooperative e dërgojnë një herë për vizitë e për të marrë eksperiencë në fermën e Sukthit në Durrës, ku vizituan edhe stallën e lindjes dhe rritjes së viçave. Atje kishte një pastërti shembullore, vizituan maternitetin ku lindnin viçat, sikur të ishe në ndonjë maternitet ku lindin fëmijët, panë se si i trajtonin dhe ushqenin viçat e vegjël me qumësht, panë gratë që u shërbenin viçave, të veshura me bluza të bardha akull të pastra, a thua se ishe në ndonjë pavion spitali etj. Kur e mbaruan këtë vizitë, Neziri i thotë përgjegjësit që drejtonte grupin: “Të lutem mua më lidhni e më futni të jetoj me këto viçat këtu, se ma mirë të jem viç në Sukth se sa kryetar kooperative në Lurë.”
Kur punonte në sektorin e Rruga Urës në zonën e Lurës në një mbledhje në Drejtorinë e Ndërmarjes në Peshkopi, Neziri paraqiti dy kërkesa për plotësimin e kushteve të punëtorëve: “Kërkesa e parë ishte ti përgatisnin tek dentisti në Peshkopi një palë dhëmbë (proteza) që tua vinte në gojë me radhë punëtorëve kur të hanin bukë në mencë, se asnjeri nuk kishte dhëmbë dhe kërkesa e dytë në krye të bishtit të lopatave të vinin nga një copë meshini ose shajaku, si shalë biçiklete që kur të pushojnë punëtorët në këmbë të mos rrëzohen, se po të ulen për të pushuar nuk mund të ngrihen më të punojnë, sepse të gjithë janë në prag të pensionit”.
Kur mernim ndonjë sheleg në kooperativë organizonim edhe ndonjë darkë apo drekë tek çadrat të gjithë së bashku. Një natë pasi pimë raki në darkë na teproi mish të cilin e lamë për të nesërmen. Natën kur po flinim në çadrën e guzhinës na ishte futur një qen i cili kishte ndjerë erën e mishit dhe e kishte ngrënë. Kur u ngritëm të nesërmen nuk e gjetëm mishin që kishim lënë, kështu që herët tjera kur hanim mish në darkë, Agim Dobi na thoshte: “ Nuk duhet të lemë mish për të nesërmen se nuk ka siguri natën.”