Ramazan Melani i Pejkës


Të parët e tij zbritën nga fshati i Melanit në Pejkë, duke marrë me vete emrin e fshatit, për ta përdorur si mbiemër të fisit. Blenë toka në vendbanimin e ri, zhvilluan bujqësinë e blegtorinë, por ishin dhe të zgjuar e inteligjentë. Shumë prej tyre kanë mbaruar shkollimet e larta e punojnë në profesione e vende të ndryshme.
Ne po flasim për njërin nga gjashtë djemtë e Sulejmanit, Ramazan Melanin, përfaqësues i vetëm i tyre në fshat. Që fëmijë atij i pëlqente mekanika, hekurat dhe sajonte lodra fëmijësh të asaj kohe.
Në vitin e largët 1979 u fut në SMT-në e atëhershme dhe punoi si zetorist. Më pas u specializua me kurse të ndryshme si motorist dhe deri në vitin 1992 punoi në shtet. Nuk ka punë mekanike që ai të mos e njohë dhe ta ushtrojë. Ai është mekanik i përgjithshëm, saldator, motorist, xhenerik. Pak vite më parë kompania e Xhondirit e kërkoi si mekanik garancie, por Ramazani nuk pranoi për arsyet e tij personale.

LAMBURDINI I TIJ I VOGËL

Ai ka tamam 40 vjet që merret me hekura dhe me sa duket dëshiron të vazhdojë dhe shumë të tjerë akoma. Ka pasur dhe zetorë të fuqishëm e me shumë kuaj fuqi, por sot ka një zetor shumë më të vogël të firmës Lamburdini. Nuk dimë si ta quajmë zetorin e tij të vogël, mjet pune, kalë, taksi, pasi ai i kryen më së miri të gjitha këto funksione.
Dikur ky mjet ndodhej pothuaj i braktisur në garazhin e një miku të tij dhe mekaniku duarartë e bleu për një shumë të vogël. E pastroi dhe e grasatoi, duke i kthyer freskinë e dikurshme. I ndërhyri në kamje, duke i futur një kamje benzi dhe duke i reduktuar xhirot e motorit. Ka ndërhyrë tek sistemi i frenimit duke e bërë me frena hidraulike. I vuri pas dhe një karroceri dhe e bëri vetëshkarkuese. Në të ka montuar një pompë motorike që shërben për vaditje, por me zetorin e tij mund të kryejë spërkatje dhe në terrene të vështira, ku të tjerët nuk mund të hyjnë. Në mjetin e vogël instalon depozitën me një kapacitet prej 10 kuintalësh. Shpesh i ven pas një kosaçkë, që kosit jonxhat dhe kështu shkon më shpejt në destinacion, kurse herë tjetër ngarkon motocapin, një frezë e vogël, po e tipit Lamburdini. Me të mund të bluajë materiale për gjënë e gjallë, por dhe të bëjë silazh.
Nganjëherë monton një sharrë në të dhe pret drutë e tij, apo të dikujt në lagje e në fshat. Zetori i tij i vogël është aktiv, katër herë katër dhe nuk ka mundësi të ngelet diku dhe kur pesha në karroceri i kalon ndjeshëm mundësitë e tij. Në një rrugë, apo në një ngarkesë, ai mund të transportoje mesatarisht deri në 15 kuintalë.
Në një rast, tregon Ramazani, kisha për të dërguar grurin tim në fabrikën e blojes në Klos. Ngarkesa gati i afrohej 20 kuintalshit apo më saktë 19 kuintal e 62 kilogram. E vura të gjithë ngarkesën dhe u nisa drejt Klosit.
Pronari i mullirit e pyeti me se e solle deri këtu dhe Ramazani i tregon mjetin e vogël, por me zemër të madhe, që e kishin fare pranë tyre.

VGJERET E SULËS

Ky është një toponim i vjetër që identifikon një sipërfaqe toke prej më se tre hektarësh, në pronësi të familjes së Ramazanit. Vetëm ata që janë dibranë e nxjerrin kuptimin e fjalës “vgjere”, një tokë e papunuar, zakonisht pa vaditje dhe e lënë në mëshirë të fatit. Ramazanit nuk i pëlqente në brendësi të shpirtit ky emërtim, pasi dhe babai i tij kishte qenë punëtor dhe i dalluar në bujqësi. Vendosi që ta ndryshonte këtë emër, por do ta bënte në një mënyrë krejt të veçantë. As ndonjë tabelë nuk do të vinte dhe as në kadastër nuk do të bënte ndonjë lëvizje emri. Ndryshimi do të ishte diku tjetër dhe donte pak kohë. I punoi këto toka thellë para tre katër vitesh dhe hodhi shumë zetora me pleh organik të kalbur mirë. Më pas hapi gropat dhe mbolli gati një hektar arra dhe lajthi. Tre dynimë me qershi i kishte mbjellur vite më parë dhe fermeri ka filluar të vjelë frutet e punës së tij. Pemët e reja kanë filluar të bëjnë kokrrat e para dhe shumë shpejt po i japin një tjetër fytyrë vendit aty. Këto ditë ai i vaditi pemët duke e sjellë ujin me pompën motorike nga njëqind metra poshtë.
Jemi ulur bashkë me Ramazanin nën hijen e një qershie të egër, në një ditë të nxehtë korriku. Përballë kemi kodrën e Topit, në krah të Selanes. Thuhet se turku pati vënë një top të fuqishëm aty dhe me të goditi kullën e Mures, duke e ndarë në dysh. Aty pranë ka shumë thana, që i kanë zverdhur e gati po i kuqin kokrrat e shumta që bartin. Disa pjergulla të rrushit karpushi, të pambjella nga dora e njeriut, por me një shije krejt të veçantë në pjekje, kanë hipur mbi qershi dhe e bëjnë më të dendur hijen dhe më të këndshëm pushimin. Lulja, bashkëshortja e Ramazanit kishte mbështjellë disa copa byreku dhe një tas të madh me kos të freskët. Besoj dhe mbreti do të na kishte zili për ato çaste pushimi në tendën tonë të hijezuar. Më poshtë shtrihen disa parcela me misër, ku çdo kashtë ka nga dy kallinj. Ramazani ka jo pak, por gjashtë dynymë me misër e fasule bashkë. Ai shpreson të marrë rreth 50 kuintalë misër dhe mbi gjashtë kuintalë fasule. Lista e llojeve të mbjella zgjatet e zgjatet me patatet, qepët, grurin e plot perime të tjera.
Parcelat e misrit vaditen me një hurdhë, që mbushet periodikisht me ujë, tre herë në 24 orë. Është e ndërtuar thjeshtë, vetëm me baltë e thupra. Ajo ka një kapacitet prej 40 metër kub dhe menaxhohet me radhë nga katër familje. Ramazani liron saraçineskën në hyrje dhe një vrundull uji i pastër dhe i ftohtë vërshon në dalje. Fermeri mbush pëllëmbët gjysmë të hapura me ujë, si një bekim nga Zoti dhe freskon fytyrën disa herë. Më kishte marrë malli të shoh një të tillë, kur aq shumë i përdornin në të kaluarën. Jo vetëm hurdhat, por dhe liqenet një pjesë u braktisën dhe janë jashtë funksioni. Ndoshta është një moment reflektimi për të shkuar në traditën e bukur të trajtimit të ujit me kujdes, duke shfrytëzuar çdo burim, sado i vogël qoftë ai.
Ramazani ka dy vajza të martuara dhe një djalë, Indritin, që ka mbaruar gjimnazin dhe është po aq i zoti në mekanikë, sa dhe babai i tij. Ai punon, lodhet, por është shumë i kënaqur me jetën. Ka ndërmend ta shtojë frutikulturën dhe me shumë dynymë të tjerë. Ai zotëron dhe gati dy hektarë pyje, kurse pemë të shpërndara gjenden kudo në territorin e tij. Molla dhe kumbulla të egra, thana, gështenja e plot të tjera si këto e zbukurojnë akoma më shumë pronën e tij dhe ne urojmë që njerëz të tillë të ketë sa më shumë.