Nderimi për ata që pamundësuan devijimin e Radikës
Komuna e Dibrës në Maqedoninë e Veriut shpall “Qytetarë Nderi” tre studiuesit shqiptarë Tofik Jegeni, Molnar Kolaneci dhe Saimir Shatku


Nga Halil RAMA

Në kohën kur shkroi romanin me titullin sinjifikativ “Të gjithë lumenjtë rrjedhin”, shkrimtari i mirënjohur Teodor Laço as që e kishte çuar ndërmend tentativën e ndokujt për të ndryshuar dhunshëm rrjedhën e lumit Radika. Por para pesë vitesh, ashtu si edhe pjesa më elitare e shoqërisë shqiptare, Laço iu bashkua protestës së banorëve të dy Dibrave dhe të shoqatave mjedisore kundër devijimit të Radikës në lumin Vardar. Dhe më kryesorja, ky personalitet i letrave dhe politikës shqiptare, e shprehu vlerësimin e tij pasi kishte lexuar veprën “Dibra e Madhe dhe Radika” të cilin tri bashkëautorët: Tofik Jegeni, Molnar Kolaneci dhe Saimir Shatku e promovuan në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe me shoqatën “Bashkësia Dibrane” në dhjetor të 2016.
Tre vjet më vonë, pikërisht për ekspertizën shkencore dhe rolin e tyre në kundërshtimin e projektit për devijimin e lumit Radika, Komuna e Dibrës në Maqedoninë e Veriut i shpalli “Qytetarë Nderi” tre studiuesit shqiptarë.
Tofik Jegeni, Molnar Kolaneci dhe Saimir Shatku, si edhe personalitete të tjera të elitës intelektuale shqiptare, gjatë gjithë vitit 2014 iniciuan dhe drejtuan protesta masive në Tiranë, në Dibër të Madhe, por edhe në Peshkopi, për të mos pranuar projektin e qeverisë maqedonase për të ndryshuar rrjedhën e lumit Radika, pasi kjo ndërhyrje do të ishte me pasoja katastrofike për ekosistemin dhe burimet ujore të zonës.
Pikërisht për këtë kontribut Komuna e Dibrës së madhe nderoi këta personalitete të shkencës dhe jurisprudencës shqiptare që iu kundërvunqëë me kurajo qytetare si askush tjetër segmenteve të errëta matanë e brenda kufirit tonë shtetëror, duke mundësuar mosdevijimin e lumit Radika.
Kreu i Komunës Dibër e Madhe, Dr.Hekran Duka thotë se Titulli “Qytetarë Nderi” i Dibrës së Madhe (për tri personalitetet: Jegeni, Kolaneci e Shatku të dekoruar edhe me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës) konsiston në vlerësimin e kontributit të tyre si zëdhënës të shqetësimit kombëtar, sepse devijimi i lumit Radika do të sillte dëme të pallogaritshme për territorin dhe jetën e më shumë se 20 mijë banorëve të Dibrës së Madhe. Në veprën e tyre ata argumentuan këto pasoja si dhe qëndrimin e shkencës shqiptare në mbrojtje të burimeve hidrike, kundër pretendimeve të qarqeve të caktuara shovene maqedonase, duke mos lejuar që të preken ujra lumenjsh që në shtratin natyror e kanë kalimin ose derdhjen në territorin shqiptar.
Nën trysninë e peshës së revoltës qytetare, por dhe të zërave kritikë brenda legjislativit shqiptar, ata vlerësuan që më në fund erdhi edhe reagimi i kreut të ekzekutivit shqiptar, si garanci se nuk do të lejohet që të prekej interesi i Shqipërisë. Gjithsesi, nëse asokohe për eksponentë të caktuar edhe nga mazhoranca shqiptare, lumi Radika ishte “shumë zhurmë për asgjë”, revolta qytetare për këtë çështje, në krye të së cilës ishin tri personalitetet e nderuara nga Komuna e Dibrës së Madhe, si edhe profesorët e akademikët e nderuar Artan Fuga e Bujar Kapexhiu, bëri që me rezistencën e tyre paqësore të shmangej kjo katastrofë që do të sillte dëme të mëdha në ekosistem, do të dëmtonte rëndë ekonominë e shqiptarëve të krahinës historike të Dibrës dhe do të dobësonte edhe burimet energjetike të Shqipërisë.
Ndërkohë Tofik Jegeni, Molnar Kolaneci dhe Saimir Shatku, si edhe personalitete të tjera të elitës intelektuale shqiptare argumentuan bindshëm se në asnjë këndvështrim, një akt i tillë nuk ishte në dobi as të Shqipërisë, e as të shqiptarëve në trojet tona kombëtare.
Përballë heshtjes së qeverisë maqedonase të asaj kohëe cila nuk jepte informacion lidhur me çështjen dhe po ashtu as kompania energjetike ELEM (gjithashtu, edhe zyrtarët lokalë nuk kishin informacione mbi projektin), Këshilli i Komunës në Dibër të Madhe, në një mbledhje të saj (Gusht 2013) mori në analizë problemin dhe vendosi të marrë përgjegjësi lidhur me atë që po ndodhte. Duke parë se projekti nuk sillte të mira për Dibrën, pushteti vendor vendosi ti shfrytëzojë të gjitha mekanizmat ligjorë në mënyrë që qeveria maqedonase të heqë dorë nga grabitja e paligjshme e ujërave të Radikës.
Autoritetet maqedonase para katër vitesh bënë një projekt për devijimin e 1.4 metrave kub ujë nga lumi Radika për ngritjen e një hidrocentrali në Fushën e Lukovës në Mavrovë. Por opinioni publik, përveç shqetësimeve për dëmtimin e natyrës e kuptoi këtë si një plan për devijimin e Radikës drejt rrjedhës së Vardarit që ky të bëhej i lundrueshëm, si pjesë e një ideje të vjetër jugosllave për devijimin e një pjese të Danubit e Moravës në Serbi dhe bashkimin me Vardarin për dalje në Detin Egje.Por projekti i qeverisë maqedonase në vitin 2014 u refuzua nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, pas studimit mbi pasojat ndaj biodiversitetit, florës e faunës në parkun kombëtar të Mavrovës dhe në zonën më të gjerë. Qeveria qendrore në Shkup nuk e kishte pëlqimin e pushtetit vendor të Dibrës lidhur me projektin, ndërsa protesta qenë mbajtur në Dibër e Tiranë.
Shumë shpejt u mblodhën rreth 7 mijë firma të propoganduara nga disa media në Shkup dhe Tiranë. Po ashtu, protesta janë zhvilluar në mjedise publike, shkolla etj. Ndërsa dibranët e Amerikës organizuan një protestë përpara OKB dhe kërkuan ndihmën e organizatës për të mbrojtur ujërat e Radikës.
Dhe ashtu si rrjedha natyrore e lumenjve, si fryrjet e shtretërve nga prurjet e reshjeve që rrisin intensitetin e vërshimeve, edhe protestat qytetare morën këto dimensione, duke mos lejuar devijimin e Radikës. Pesë vite pas atyre protestave, Komuna e Dibrës në Maqedoninë e Veriut i shpalli “ Qytetarë Nderi” tre studiues shqiptarë për rolin e tyre në kundërshtimin e projektit për devijimin e lumit Radika. Kjo për faktin se projekti i qeverisë maqedonase të para disa viteve mund të shkaktonte dëme të paparashikueshme, sipas studiuesve, jo vetëm ndaj biodiversitetit të Mavrovës dhe Dibrës së Madhe, por binte ndesh edhe me konventat ndërkombëtare për ujërat.
Studiuesit Tofik Jegeni, Molnar Kolaneci dhe Saimir Shatku ndihmuan përmes ekspertizës së tyre në vetëdijësimin e opinionit publik e sidomos të banorëve të Dibrës në Maqedoninë e Veriut për rrezikun nga plani i para pak viteve për devijimin e lumit Radika.
M.Sc. Tofik Jegeni, si Inxhinier hidrolog, ka punuar në Institutin Hidrometeorologjik nga viti1956 deri në 1996-n, ku ka fituar titullin master i shkencave. Tani punon si ekspert i pavarur për çeshtjet hidrologjike në projekte të ndryshme të ndërtimeve infrastrukturore. Anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave (AAAS) me qendër në New York, SHBA.
Prof. Dr. Molnar Kolaneci ka studiuar për fizikë dhe është specializuar në fushën e hidrologjisë. Nga viti 1972 deri sa ndërroi jetë para një muaj ka punuar në Institutin Hidrometeorologjik, i cili sot mban emrin Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit. Punon edhe si ekspert i pavarur për çeshtjet hidrologjike në projekte të ndryshme ndërtimi dhe infrastrukturore.
PhD. Saimir Shatku ka kryer studimet në jurisprudencë dhe është i specializuar në të drejtën ndërkombëtare dhe europiane në Itali, Francë, Angli. Ai është lektor i të drejtave të njeriut dhe i së drejtës komunitare. Anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave (AAAS) me qendër në New York, SHBA që nga viti 2014. Aktualisht është noter publik.
Këshilli i Komunës së Dibrës, në shenjë mirënjohjeje për angazhimin e tyre njëzëri e miratoi vendimin për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” tre studiuesve, tituj që iu dhanë gjatë një ceremonie mbresëlënëse në qytetin e Dibrës së Madhe, në praninë e dhjetra personaliteteve të këtij qyteti si edhe nga Peshkopia e Tirana.