fjalë e frazeologjizma të rralla


Fjalë të rralla

G
► gërga: I pamundur për të lëvizur: ka mbet gërga te shtëpia.
►gargere: Në vështirësi, gjendje e vështirë. Me sa duket nga it. carcere, burg.
►gatrraç: Një njeri i ngathtë, që vonohet në kryerjen e një pune. Njeri i ngatërruar.
►garavaj’: Zhurmë, potere: Ç’është kjo zhurmë e garavajë / Bahet dasëm n’kët shtëpajë (pop.).
►gërvaj’: Thuhet për trupin e ndonjë kafshe të coftë e të mbetur diku. Jo rrallë dëgjohet edhe në formën stërvajë, stërvinë, zdërvinë, nga sll. strvina, pleh.
►gush: U prek, është gati në të qarë. U gush e u gush e ia nisi të qajë. Nga e njëjta rrënjë e burim sipas foljes ngushëlloj, ngushëllohem.
►gec: Folje, njësoj me fjalën ngec tek Çabej. Në të folmen vendëse përdoret edhe me kuptimin nuk thithet (për duhanin), nuk të ngec shija e tij në grykë: ky duhan qënka i but se nuk gecka hiç.
►gel’: Mbetet në hall të madh. Kam ra ngelë me filanin, kam ngelë, nuk lëviz asgjë në punën me të.
►grraç: Një njeri me trup të madh, i vjetër dhe i gërmuar.
►gare: Vrapo-vrapo, fjalë inkurajuese: ngarend, ngarend. Çabej sjell formën rend, ndërsa në tjetër vend, formën ngarend.
►ga: Ika me vrap. Sa dëgjuam lehjen e qenve, gamë me vrap. Gau e gau ferrave dhe u shtri. E njëjtë me fjalën ga-u është edhe forma çá-u. Çau fushave e iku. Nga folja ngas, ngarend.
►gërmue: Iu gërmush, iu kërcënue. I njëllojtë me gërmushem te Çabej. Hala fjala pa mbarue/ Me pushke n’dorë i gërmue.
►gilikoc: Gudulis, kruaj në vende të ndjeshme (fëmijën), në shputat e këmbëve, në ije, për ta bërë të qeshë. Njësoj me gicilote Çabej.
►grëpsajn’: Gromësimë-a, gromësinë. Njësoj me gogesinë te Çabej, dhe gromësinë në FGJSSH.
►graço: Përdoret me kuptimin rritet, zhvillohet: kam mbjellë kopshtin, po s’ka graçue prej të ftohtit.
►gref’m: Njësoj me grah te Çabej, vështirësi në frymëmarrje, grahmë, grehmë. Njësoj si në shqipen e sotme: grahma e fundme – fryma e fundme.
►grrajk: Një rrymë ajri që fryn në periudhën e verës. Çabej e ka në formën grryk.. Grik’s Drinit, veriu grrajku / Në Zbinec po vlon katajku (pop historike).
►gep: Fiksoj një objekt diku. Folja gep herë-herë mund të jetë e njevlershme me foljen kap. Rrobaqepësit, para se të qepin copat, i gepin me gjilpërë. E kam gep në mur. E kundërta e këtij veprim është shkep. Mbeta gjithë ditën gep e shkep.
►grezhën: Mbetjet nga vilet e rrushit, pasi u hiqen kokrrat. Përdoret dhe në shumës në formën grézhnit e rrushit. Çabej, sjell formën rruva. Kjo e fundit ndoshta e një burimi me rrufangë.

Gj

►gjëlle: Goll/e-ja, një gropë në dru, zgavër.
►gjëllemadh: I pangopur, me gjolle të madhe, fig. për bark.
►gjec’: Gacë, gjacë, gjec (shumës i singularizuar). I vuri një gjecë në llullë. Ai plak rrin për nji gjecë n’llullë e nji copë bukë n’mullë.
►gjigj’: Një kunj druri (i mprehur në njërën anë) dhe që shërben për të zhveshur misrin.

H
► hina: Shumës i çuditshëm i foljes hyj, urdhërore, hyna, ecna para: Hina para, tha plaku. Hyj, më e qartë në frazeol.: i hini me shkelma – e zuri me shkelma.
► hashari: Gëzim i madh, zhurmë e madhe nga gëzimi. Mos u hasharo shumë.
► hapkarrajk : Thuhet për dikë që mbetet keq, në mes dy udhëve, s’di nga t’ia mbajë. Mbetur ashtu si avlëmendi – veku, vegja e bllokuar hapkarrik, hapkarrajk.