Dibra e “ka” adet, nga një bidat nxjerr përvjet…


Po, po, thoni po të doni jo.
E ka filluar me Ali Pashën në betejën e Torviollit më 29 qershor 1444…
E ka vazhduar për një çerek shekulli në 18 nga 25 beteja fitimtare të Gjergj Kastriotit zhvilluar në trevën e saj…
E ka vazhduar me Hajredin Pashën më 1844 ku në fushë të Gjoricës la “Jo më pak por dymbëdhjetë mijë…”
E zhveshi në brenavekë, e hipi në kalë lidhur pas samarit dhe e përcolli drejt Prizrenit Hisni Pashën në “loxhën” e madhe që i bëri, duke ia marrë të gjitha, pa i lënë kohë të shkrepte një fishek të vetëm…
Udhë e mbarë, or Hisni pasha,
Se Nand Malet i ke përmbrapa!
Trime Dibra…
Heronj dibranët…
Të shkuara, larg e larg, të harruara…
Ka lënë pas edhe bidate…
Moisiu i Dibrës…
Hamza Kastrioti…
Të shkuara, larg e larg, të harruara…

DIBRA E KA ADET NGA NJË BIDAT NXJERR PËR VJET…

Erdhën kohë të reja…
Pa shpata…
Pa pushkë…
Me fjalë gazetave e portaleve…
Me figura televizioneve, kombëtarë e lokalë, tokësorë e satelitorë…
“Brekë grisur…”
Bidati…
“Or brekëgrisur sa na ke bezdisur…”
I dhembi fort, ia uli kokën…
Një “çame” deputete në Dibër!
Bidat…
Si është e mundur që në një trevë ku nuk ka një çam për be të mblidhen aq vota “çamësh” sa në Kuvend të ngjitet një deputete?
Bidat mbi bidatet…
Dosja 184…
Dibra paska vjedhë vota…
Me presion…
Me para në dorë…
Me thasë me grurë…
Me torba me miell…
Kaq shumë ka vjedhës sa eklipsoi 26 majin 1996 kur votat u vodhën njëqind për qind!
Bidati vazhdon…
Dosja shkon e vjen,
Nga pakica në prokurori
Nga Tirana në Peshkopi
Bidatet nuk mbarojnë…
Në Dibër ka çamë…
Ka edhe deputet “çamë”…
Në Dibër ka Afro Amerikanë,
Me pasaportë të pastër, qytetarë shqiptarë…
Bidat mbi bidatet e bidateve!
Emrat e tyre janë: Jason Forrestal dhe Marquez Bragg…
Këtu e 19 vjet të shkuara, Dibër 2000, të dy këta, basketbollistë, pa qenë asnjëherë në Shqipëri (në Dibër jo e jo), pa ditë asnjë fjalë shqip, u bënë dibranë, safi dibranë me gjysh e gjyshe.
Komisariati policor i Dibrës u dha atyre pasaportë shqiptare…
Sesi ka ndodhë kjo është bajagi larg ta kërkojmë e ta gjejmë.
Punë sporti, basketbolli, ku pazaret janë në modë…
Kur plasi tullumbacja të dy lojtarët u larguan nga ekipi francez i basketbollit.
Tirana zyrtare do të deklaronte se Jason Forrestal dhe Marquez Bragg nuk ishin shqiptarë.
Afërmendsh edhe gjyshërit e tyre…
Nuk u dha asnjëherë sqarim se kush i pajisi ata me pasaporta të rregullta shqiptare.
Kanë kaluar shumë vite…nëntëmbëdhjetë…
U harruar si histori…
Edhe dy “dibranët” e kanë harruar “kombin” e tyre, edhe pse në internet figurojnë ende si shqiptarë…
Dibra e kishte adet: “ Nga një pashë e pret përvjet”…
Dibra e “ka” adet: Nga një bidat nxjerr përvjet…
Kohë bidatesh…
Shënim: Shkruar mbi motivet e lajmit: “Skandali që nuk u hetua, si u bënë dibranë basketbollistët amerikanë”

Athinë, 19 nëntor 2019