Izet Shulku, “Tarzani i Dibrës”


Nga Osman Xhili

Aty, në të hyrë të qytetit të Peshkopisë, kur vjen nga Tirana, ka një tabelë ku shkruhet “Europark”. Për nga mënyra e kompozimit dhe e realizimit, besoj emri duhet të ndihet krenar dhe jo parku që mban këtë emër. Izet Shulku, administratori i resortit ka menduar një mënyrë origjinale për të argëtuar turistët. Nëse ata nuk kanë kohë të vizitojnë gjithë Dibrën, le të hedhin një sy në parkun e tij dhe e kanë krijuar pak a shumë idenë. Guri e druri janë dy elementët kryesorë që dominojnë në resortin e tij. Izeti ka shëtitur kudo, deri në aventurë. Njeh mirë Dibrën, Shqipërinë, po pse jo dhe një pjesë të botës. Ai kujton një moment pikant të rrugëtimit të tij, që ndoshta i ndryshoi dhe udhën e jetës. Kishte punuar disa vite në Greqi dhe ishte ndër të parët që ishte pajisur me dokumenta të rregullta. Krejt rastësisht, ndjek një intervistë të të madhit Kadri Roshi. E pyetën se çfarë përshtypjesh kishte për Dibrën dhe ai u përgjigj se duhej të shpëlaje gojën mirë, para se ta përmendje këtë vend të mrekullueshëm. Është një vend i besës dhe i trimërisë, kishte vazhduar aktori i njohur. – Një vend i dijes dhe i bujarisë, që shumë ka dhënë dhe pak ka marrë në këmbim, një vend që mbrojti veten, po pse jo dhe kombin.
Në pamje të parë Izet Shulku duket një njeri i ashpër dhe i fortë, por shpirti i tij është i ndjeshëm, si i një fëmijë. Kur dëgjoi këto fjalë vlerësuese dhe motivuese për vendlindjen e tij, trupi iu drodh dhe i shkuan mornica. Të huajt po na e vlerësojnë Dibrën dhe ne dibranët nuk po bëjmë asgjë për ta promovuar atë dhe vlerat e saj. Nuk do të shkoj më në Greqi, vendosi Izeti! Do të punoj për Dibrën time, për vendin tim!
Izeti krijoi folenë e tij, familjen e tij. Provoi të gjitha aktivitetet tregtare, që nga shitja e gëlqeres, deri te dhomat e gjumit. Por, gjithsesi ideja e turizmit malor i qëndronte në kokë si një mendim i palëkundur. Ama për ta zhvilluar këtë lloj industrie turistike, duhej njohur ajo mirë, deri në detaje. Izeti kishte qenë gjithnjë i dashuruar me natyrën e egër dhe aventurën. Bëri vizita të pafund në përrenj e maja malesh, në bjeshkët e pasura me kullota e shtigje turistikë. Merrte bashkëshorten e fëmijët dhe qëndronte një natë apo dy me çadër në male. Herë tjetër dilte me një grup shokësh, duke marrë me vete ushqime dhe zgarën e mishit. Sa më shumë vizita bënte, aq më shumë i shtohej dëshira për të shkuar sërish. Vizitonte shpella e guva, zhytej në ujin e ftohtë të ujëvarave të Setës, Rabdishtit, e të tjera si këto. Në dimër, kur të tjerët afroheshin gjithnjë e më tepër pranë sobës së druve, Izeti nuk nguronte të zhytej në borën e trashë, lakuriq në mes e lart. Fotot dhe videot që ai realizonte pëlqeheshin nga shumë miq e shokë, duke u shpërndarë gjithnjë e më tepër. Dikush filloi ta quante “arusha e maleve” e dikush tjetër “Tarzani i Dibrës”.
Izet Shulku i ka shkelur gjithë viset e Dibrës, por me Korabin dhe majën e tij, lidhjet i ka akoma më të forta. Mund të ketë shkelur të paktën 50 herë në malin më të lartë të Shqipërisë, ku mbi dhjetë herë numërohen vetëm vitin e kaluar.
Jo çdo njeri mund të përballojë ngarkesa të tilla. Izeti mundet, pasi ai e fillon ditën me të paktën një orë vrap dhe pse tani po u drejtohet të pesëdhjetave. Ai ka një palestër gati profesionale brenda resortit dhe shpesh ushtrohet në të për gati dy orë, me ushtrime speciale të një sportisti të vërtetë. E gradon shtangën me pesha të ndryshme dhe rekordin e ka deri në 140 kilogram. E gjithë kjo përgatitje fizike ja mundëson atij që të jetë gjithnjë në formë, gjithnjë i gatshëm për të pushtuar maja dhe lartësi të reja.
Ngado që të nisesh, thotë Izeti, shkon në Korab. Ai jo vetëm njeh çdo shteg, por dhe në mes të natës, nuk do të gabonte asnjë hap, nëse do të duhej të ngjitej. Është ngjitur dhe nga Ilnica, drejt për kufiri, kalon mbi Rabdisht, më tej në majë të Cerjanit, vazhdon te Guri i Shpuar, del te Liqeni i Zonjave dhe më pas te Guri i Kuq. Po kaq mirë Izeti i njeh dhe shtigjet e tjera turistike për të shkuar në majën e Korabit, duke u nisur nga Zimuri, nga Limjani, nga Sllatina, apo dhe nga krahu tjetër i Radomirës dhe Cerenit. Ajri i pastër, bari i njomë, gjelbërimi i drurëve, cicërimat e zogjve, kullotat me lule ngjyra ngjyra, blegërima dhe këmborët e deleve, të gjitha këto e tundojnë njeriun, duke e lidhur me Korabin me një dashuri të përjetshme.
Izeti ka një respekt të thellë për mikun e tij, shokun e ushtrisë, Dukagjin Riçkun. Njësoj si Izeti i dashuruar pas natyrës, Dukagjini është dhe një fermer plot pasion, që çdo vit i shtegton në Gramë blegktorinë, që ai e mbarështon. Izeti qëndronte në stanet e Dukagjinit për net të tëra duke shijuar këto mrekulli, që Zoti bujarisht na i ka falur.
Izet Shulku ka lëvizur në pothuaj gjithë Shqipërinë. Ka parë bregdetin, ashtu siç ka parë dhe malet e këtij vendi dhe në fund thotë se Dibra është më e bukura. Ajo ka malin më të lartë të Shqipërisë, ajo ka dhe lumin më të gjatë të Shqipërisë, ajo ka liqenet e Lurës, ajo ka njerëzit trima, inteligjentë e punëtorë. Këtë bindje nuk ka njeri që t’ia shkulë nga mendja Izetit dhe ai përpiqet që t’ja rrisë këto vlera sadopak. Ai nuk përpiqet të promovojë veten, por Dibrën, që e do aq shumë. Të gjithë e pamë Izetin, mikun tonë të mirë, duke shoqëruar nëpër malin e Korabit, gazetaren Alma Çupi, në emisionin “Histori shqiptare”. Vetëm para pak muajsh ishte i ftuar në emisionin e Bieta Sulës, në emisionin “Ftesë në pesë”. Këto e kanë ngritur vlerën dhe respektin e Izet Shulkut ndër miq e shokë, që i ka jo vetëm në Dibër, por dhe jashtë saj dhe jashtë shtetit.
Thamë që Izeti ka shëtitur mjaft nëpër botë. Ka vizituar Italinë e Gjermaninë, ka punuar disa vite në Greqi. Njohjes së tij nuk i ka shpëtuar as Dubai, madje dhe Kina. Muri i madh kinez e ka mrekulluar me madhështinë e vet, me gjatësinë prej gjashtë mijë kilometrash, me gurët që peshonin rreth një ton secili. Bile më e bukura thotë Izeti, gurë nuk kishte fare rreth e rrotull.
Të gjithë këto udhëtime brenda dhe jashtë vendit lanë mbresa të pashlyera tek Izeti dhe ai krijoi në mendje një projekt të vetin. Bleu një sipërfaqe toke rreth 6 dynym, aty në hyrje të qytetit. Vlera e tokës do të ishte vetëm maja e ajsbergut. Sa shumë mund, punë e para do t’i duheshin për ti shkuar projektit deri në fund! Vetëm muret rrethuese të resortit kapin vlerën e qindra milion lekëve. Rreth 300 metër të gjatë, mjaft të gjërë, punuar me gurë dekorativë, të marrë nga Seta e vende të tjera. Administratori hap derën e rëndë prej hekuri të punuar gjithë shije nga mjeshtrat e Dibrës së madhe. Një panoramë magjepsëse të shfaqet para sysh. Guri e druri janë harmonizuar aq bukur në resortin e tij, sa çdo kush do të dëshironte të bëjë qoftë dhe një foto e të pushonte një pak minuta. Pa le më të të servirej një kafe apo një pije tjetër e ftohtë. Por ndoshta dhe zgarën e mishit do ta vejë shumë shpejt dhe miqtë do të habiteshin me aftësinë e Izetit për ta bërë mishin aq të shijshëm.
Gurë të bukur dhe të harmonizuar bukur të shfaqen para sysh. Gurë të ardhur nga Çidhna, që i han çekiçi, shprehet Izeti dhe gurë të zinj nga Rabdishti, që nuk punohen e marrin forma. Izeti ka sajuar ujvara, që vërtet ngjajnë krejt natyrale. Njërës i ka lënë emrin ujëvara e Përroit të Bellovës, pasi gurët e disa drunj i ka marrë që andej. Mjafton të shtypësh një buton dhe uji vjen nga lart, prek disa drunj në rënjë dhe rrotullon një rrotë qerreje me një hijeshi të veçantë.
Një tjetër ujvarë është sajuar pak më tej. Gurët e saj janë sjellë nga Grykë Noka. Sa herë që Izeti viziton këto vende të mrekullueshme, merr në makinë dhe ndonjë gur që i pëlqen. Disa i ka futur në ujvara, disa i ka kthyer në tavolina e disa të tjerë janë përshtatur për stola. Disa prej tyre kanë një peshë marramendëse prej rreth 1,5 deri në 2 ton. Por, ndoshta guri më interesant do të ishte ai që ka formën e hartës së Shqipërisë, a thua ndonjë mjeshtër e ka skalitur me shumë kujdes.
Ne flasim për gurë që peshojnë me tonelata e po thellohemi pak do të kuptojmë sa mund e sakrifica për ti shkulur nga përrenjtë, për ti kapur me vinça, për ti ngarkuar në makina dhe për ti sistemuar në destinacion. Nuk di pse Izeti më ngjan me mjeshtrat e murit të madh kinez, apo me ato që ndërtuan Piramidat e Egjiptit të lashtë. Ai jo vetëm i ka sjellë gurët dhe i don ato, por është dhe një mjeshtër i madh për ti dekoruar rrugët e rrugicat e resortit të tij. Dera e resortit të Izet Shulkut është e hapur pash më pash për natyrën e gjelbër. Aty gjenden bredha të egër të malit, lejlande, busha, tuja. Parkun e zbukurojnë mbi 400 trëndafila, me 40 lloje ngjyrash, që nuk ndalen së çeluri deri në dimër. Rreth njëmijë bredha e rrethojnë dhe e zbukurojnë parkun e Izetit.
Themi që fjalët kanë shumë peshë dhe vërtet ashtu është. Por, nganjëherë ato duken të pafuqishme për të përshkruar vetëm një pjesë të bukurisë të këtij resorti fantastik, që zbukurohet përditë e më shumë. Ai nuk përshkruhet me fjalë, ai shijohet, nuhatet, preket, perceptohet. Nëse themi kështu për resortin, aq më pak mund të pretendojmë të përshkruajmë tipin dhe karakterin e Izet Shulkut. Duhet të shkosh të paktën një javë me të nëpër malet e Dibrës, të kesh ndihmën dhe përkujdesjen e tij, të shijosh mishin e zgarës së tij, të kuptosh dashurinë që ka ai për Dibrën, vendlindjen e tij. Atëherë dhe vetëm atëherë mund të pretendosh se e njeh sadopak Izet Shulkun – “Tarzanin e Dibrës”.