Mbillen në Lurë 2712 pisha të zeza


“Trees for Lurë” (Pemë për Lurën) organizoi gjatë muajve shtator-tetor një aksion për mbjelljen e pemëve në Lurë. Rezultati i këtij aksioni ishte mbjellja e 2712 pishave “Pinus Nigra” 2-vjeçare në një zonë të kategorisë 2 dhe 3 të Parkut Kombëtar të Lurës, që ndodhet në dhe ndodhet në lartësinë 1300m mbi nivelin e detit.
Në aksionin për mbjelljen e pemëve mori pjesë edhe zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Zebi Xhembulla.
“Nuk mund të kishte rastësi më të bukur se sa ditën e parë të punës ta nisja me mbjellje fidanësh në Parkun Kombëtar të Lurës”, shkroi ajo në faqen e saj zyrtare në Facebook.
“Ju bashkova me shumë dëshirë nismës “Trees for Lurë” për të mbjellë rreth 2800 fidanë në një parcelë të shpyllëzuar. Një nismë e nisur prej kohësh dhe që më në fund po realizohet me shumë sukses në bashkëpunim edhe me inxhinierët e pyjeve dhe komunitetin vendas” – shkroi ajo.
Parku Kombëtar i Lurës është i ndarë në tre zona të mbrojtura. Brenda zonës së mbrojtjes në kategorinë e parë (nga lartësia e liqeneve e sipër), mund të mbillen vetëm pemë nga një lartësi e njëjtë dhe me origjinë nga zona e Lurës.
Parku Kombëtar i Lurës është një nga parqet më të bukur dhe të egër në Shqipëri. Fatkeqësisht, parku pësoi një shpyllëzim masiv nga prerja e paligjshme e pemëve, si dhe për shkak të një serie zjarresh që shkatërruan pyjet e tij.
Misioni i organizatës “Pemë për Lurën” është të ndihmojmë Parkun Kombëtar të rimëkëmbet nga gjendja fatkeqe. Qëllimi është që deri në fund të vitit 2021 të mbillen mbi 7 500 pemë.
Organizata po punon së bashku me specialistët vendas dhe përgjegjësit e Parkut Kombëtar (AdZM Dibër), organizatat partnerë në Shqipëri dhe komunitetin e Lurës për të arritur qëllimin në mbjelljen e pemëve dhe ruajtjen e tyre.
“Pemë për Lurën” është një projekt i përbashkët i “FAR&FURTHER” me seli në Republikën Çeke dhe grupit “Scout Tirana 1” me seli në Tiranë.
Organizata ka qëllim që “Pemë për Lurën” të zgjasë për vite të tëra, duke ndihmuar jo vetëm në sjelljen e pemëve në Lurë, por gjithashtu edhe në krijimin e mundësive punësimi për vendasit dhe sigurisht edhe në sjelljen e turistëve të rinj, që do të vijnë për të shijuar Parkun Kombëtar të Lurës.
Ky projekt nuk do të ndihmojë vetëm në rimëkëmbjen e pishave të Ballkanit në rrezik, por gjithashtu do të nxisë rritjen e zhvillimit rural dhe ekonomik në zonë, sidomos për njerëzit që jetojnë në fshatrat afër Parkut Kombëtar të Lurës.
“Rimëkëmbja e pyjeve të Lurës është një detyrë shumë e rëndësishme për t’u ekzekutuar. Ne po punojmë bashkë me autoritetet vendase, dhe veçanërisht me menaxherët e Parkut Kombëtar të Lurës për të koordinuar përpjekjet tona”, – thuhet në qëllimet e shpallura të organizatës.
Pemët e mbjella këto muaj në Lurë u blenë në tri ferma në Shqipëri: Fushë Krujë, Burrel dhe Korçë, duke kontrolluar certifikatat fitosanitare të tyre, origjinën, gjendjen shëndetësore dhe paketimin për një transport të sigurë.
Vullnetarët kanë pasur ndihmën e inxhinierit të pyjeve, Nazmi Ajazi, i cili ka kryer paraprakisht trajnimin e tyre për teknikën e mbjelljes, në mënyrë që asnjë pemë e mbjellë të mos shkojë kot.
Gjatë këtij aksioni është vlerësuar mbështetja e komunitetit vendës si dhe është punuar për ngritjen e një skuadre të përhershme pune në Lurë.
Organizatorët kanë hapur edhe një numër llogarie në Shqipëri për të mbledhur donacione. Organizatorët synojnë të mbledhin 2 Euro për çdo pemë të mbjellë. Në qoftë se dëshironi të bëheni pjesë e këtij projekti, mund të dhuroni para në numrat e llogarisë më poshtë ose mund të ndihmoni me punë vullnetare.
Për më shumë info:
hello@treesforlure.org
Web: https://treesforlure.org

Për dhurime përdorni numrat e llogarisë si më poshtë

SHQIPËRI: Banka Kombëtare Tregtare (BKT)
Emri i llogarisë: QENDRA TREES FOR LURE
IBAN në lekë: AL9120511265005736CLOTCLALLA
Iban në Euro: AL5720511265005736CLOTCFEURS

Për ata që jetojnë në një vend të Bashkimi Europian:
Llogaritë janë në Republikën Çeke, nën emrin FARANDFURTHER
CZK: IBAN: CZ3320100000002401764115
EUR: IBAN: CZ9220100000002801986411